Përkrahëm me vendosmëri sundimin e Perëndisë
Jetëshkrim
Përkrahëm me vendosmëri sundimin e Perëndisë
TREGUAR NGA MIHAIL ZHOBRAKU
Pasi kisha kaluar një muaj në qeli izolimi, më çuan zvarrë para hetuesit. Pas disa çastesh, ai u bë spec i kuq në fytyrë dhe ulëriti: «Spiunë! Spiunë të amerikanëve!» Pse u nevrikos kaq shumë? Sapo më kishte pyetur se ç’fe kisha dhe iu përgjigja: «Jam Dëshmitar i Jehovait.»
KJO ndodhi më shumë se gjysmë shekulli më parë. Në atë kohë, vendi ku jetoja ishte nën regjimin komunist. Megjithatë, edhe më përpara, veprën e krishterë të arsimimit e kishin kundërshtuar egërsisht.
Ndiejmë pasojat e dhembshme të luftës
Kur nisi Lufta I Botërore, në vitin 1914, isha tetë vjeç. Fshati im, Zaluzhicja, ishte nën sundimin e një monarkie, Perandorisë Austro-Hungareze. Lufta jo vetëm që tronditi skenën e botës, por edhe ndërpreu befas fëmijërinë time. Im atë, që ishte ushtar, vdiq që vitin e parë të luftimeve, prandaj nëna, dy motrat më të vogla dhe unë, mbetëm në pikë të hallit. Meqë isha djali më i madh i shtëpisë, pas pak kohësh nisa të mbaja mbi shpatulla shumë përgjegjësi, si në fermën tonë të vogël, si në shtëpi. Që në moshë të njomë, isha shumë fetar. Bënim pjesë në Kishën e Reformuar (Kalviniste), dhe ndonjëherë pastori më kërkonte ta zëvendësoja dhe të mësoja shokët e shkollës kur mungonte ai.
Lufta e Parë Botërore mori fund në vitin 1918, dhe ne psherëtimë të lehtësuar. Perandoria Austro-Hungareze ishte përmbysur dhe u bëmë shtetas të Republikës së Çekosllovakisë.
Ca kohë më vonë, shumë veta nga zona jonë, që kishin mërguar në Shtetet e Bashkuara, u kthyen në shtëpi. Mes tyre ishte Mihail Petriku, i cili erdhi në fshat në vitin 1922. Kur erdhi për vizitë te një familje në lagjen tonë, më ftuan edhe mua me nënën.Sundimi i Perëndisë bëhet real për ne
Mihaili ishte Student i Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Ai foli për argumente të rëndësishme biblike, që më ngjallën kureshtjen. Nga këto argumente, ardhja e Mbretërisë së Jehovait më la më shumë mbresa. (Danieli 2:44) Kur më tha se të dielën tjetër në fshatin Zahor do të bëhej një mbledhje e krishterë, vendosa të shkoja me çdo kusht. U çova që në 4.00 të mëngjesit dhe eca gati 8 kilometra deri te një kushëriri im për t’i marrë hua biçikletën. Pasi rregullova një gomë të shfryrë, bëra edhe 24 kilometra deri në Zahor. Nuk e dija ku do të mbahej mbledhja, kështu që po ecja ngadalë përgjatë një rruge. Pas pak dëgjova zëra, që dukej se vinin nga një shtëpi, ku po këndohej një këngë Mbretërie. Më brofi zemra nga gëzimi. Hyra në atë shtëpi dhe iu shpjegova pse ndodhesha atje. Më ftuan të haja mëngjes bashkë me ta, dhe pastaj më morën me vete në mbledhje. Ndonëse, për t’u kthyer sërish në shtëpi, m’u desh të bëja prapë më shumë se 32 kilometra, nuk u ndjeva fare i lodhur.—Isaia 40:31.
U magjepsa nga shpjegimet e qarta dhe të bazuara në Bibël që bënin Dëshmitarët e Jehovait. Më preku zemrën shpresa për të gëzuar një jetë të kënaqshme nën sundimin e Perëndisë. (Psalmi 104:28) Bashkë me nënën vendosëm t’i bënim një letër dorëheqjeje kishës sonë. Kjo shkaktoi një trazirë të madhe në fshat. Për njëfarë kohe, disa as na flisnin fare. Mirëpo ne kishim shoqëri të mirë me Dëshmitarët e shumtë në zonën tonë. (Mateu 5:11, 12) S’kaloi shumë e u pagëzova në lumin Uh.
Shërbimi bëhet jeta jonë
Shfrytëzonim çdo rast për të predikuar për Mbretërinë e Jehovait. (Mateu 24:14) Sidomos të dielave përqendroheshim në fushata predikimi të organizuara mirë. Në atë kohë, në përgjithësi, njerëzit zgjoheshin shpejt, prandaj mund ta fillonim predikimin goxha herët. Më vonë gjatë asaj dite, programohej një mbledhje publike. Mësuesit e Biblës kryesisht flisnin pa letra. Mbanin parasysh numrin e të interesuarve, prejardhjen fetare dhe çështjet që i shqetësonin.
Të vërtetat biblike që predikonim, u hapën sytë shumë njerëzve të ndershëm. Pak kohë pas pagëzimit tim, predikova në fshatin Trhovishte. Në një shtëpi, fola me një grua vërtet të përzemërt dhe miqësore, me zonjën Suzana Moskal. Ajo dhe familja e saj ishin kalvinistë, siç kisha qenë unë. Ndonëse e njihte Biblën, kishte shumë pyetje biblike, që nuk u jepte dot përgjigje. Biseduam për një orë dhe i lashë librin Harpa e Perëndisë. *
Familja Moskal menjëherë filloi ta lexonte librin Harpa e Perëndisë gjatë kohës kur bënte leximin e rregullt të Biblës. Edhe familje të tjera në atë fshat treguan interes dhe filluan të ndiqnin mbledhjet. Pastori kalvinist bëri një paralajmërim të prerë kundër nesh dhe literaturës sonë. Atëherë disa të interesuar i propozuan pastorit të vinte në mbledhje dhe të hidhte poshtë mësimet tona gjatë një debati të hapur.
Pastori erdhi, por nuk arriti të paraqiste as edhe një argument të vetëm nga Bibla për të mbështetur mësimet e tij. Për të mbrojtur veten, deklaroi: «S’mund të besojmë çdo gjë në Bibël. U shkrua nga njerëzit dhe çështjet fetare mund të shpjegohen në mënyra të ndryshme.» Kjo ishte pikë kthese për shumë veta. Disa i thanë pastorit se, meqë ai nuk e besonte Biblën, nuk do të shkonin më të dëgjonin fjalimet e tij. Prandaj u shkëputën nga Kisha
Kalviniste dhe gati 30 veta nga fshati vendosën të përkrahnin të vërtetën biblike.Predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë u bë vetë jeta jonë. E natyrisht, shoqen e jetës e doja nga një familje e fortë frymësisht. Një vëlla me të cilin shërbeja ishte Jani Petrushka. Ai e kishte njohur të vërtetën në Shtetet e Bashkuara. E bija, Maria, më la mbresa me gatishmërinë e saj për t’u dëshmuar të gjithëve, tamam si i ati. Në vitin 1936 u martuam. Maria do të ishte shoqja ime besnike për 50 vjet, deri kur vdiq më 1986. Në vitin 1938 na lindi djali ynë i vetëm, Eduardi. Në atë kohë, në Evropë dukej se po afrohej një luftë tjetër. Si do të ndikonte lufta te vepra jonë?
Asnjanësia e krishterë vihet në provë
Kur filloi Lufta II Botërore, në Sllovaki, e cila doli si shtet më vete, kishin shtrirë ndikimin e tyre nazistët. Gjithsesi, nga ana e qeverisë nuk u ndërmor asnjë veprim specifik ndaj Dëshmitarëve të Jehovait si organizatë. Por literatura jonë censurohej dhe sigurisht duhej të vepronim në fshehtësi. Megjithëkëtë, i vazhduam veprimtaritë duke treguar kujdes.—Mateu 10:16.
Ndërsa lufta ashpërsohej, më thirrën në ushtri, megjithëse isha mbi 35 vjeç. Për shkak të asnjanësisë sime si i krishterë, nuk pranova të merrja pjesë në luftë. (Isaia 2:2-4) Shyqyr që, para se autoritetet të vendosnin se ç’do të bënin me mua, të gjithë ata që kishin moshën time u liruan.
E kuptonim që, për të nxjerrë bukën e gojës, vëllezërit tanë në qytete e kishin më të vështirë se ne që jetonim nëpër fshatra. Donim të ndanim me ta ato që kishim. (2 Korintasve 8:14) Prandaj merrnim ushqime, aq sa arrinim të mbanim, dhe udhëtonim më se 500 kilometra përmes vendit deri në Bratislavë. Lidhjet e dashurisë dhe të miqësisë së krishterë, që u farkëtuan gjatë viteve të luftës, na mbështetën edhe në vitet e tmerrshme që do të vinin më pas.
Marrim inkurajimin e nevojshëm
Pas Luftës II Botërore, Sllovakia u bë përsëri pjesë e Çekosllovakisë. Nga viti 1946 deri më 1948, u mbajtën kongrese mbarëkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait si në Bërno, ashtu edhe në Pragë. Ne nga Sllovakia Lindore udhëtonim me trena të veçantë që ishin marrë për delegatët e kongresit. Këta trena mund të quheshin trenat e këngëve, se këndonim tërë rrugës.—Veprat 16:25.
Në veçanti kujtoj kongresin e vitit 1947 në Bërno, ku ishin të pranishëm tre mbikëqyrës të krishterë nga selia qendrore, mes tyre
edhe vëlla Nejthën H. Nori. Për të njoftuar fjalimin publik, shumë nga ne ecëm përmes qytetit të veshur me pankarta ku ishte shkruar tema e fjalimit. Djali ynë, Eduardi, në atë kohë s’ishte veçse nëntë vjeç, ishte shumë i mërzitur që nuk po mbante një pankartë. Prandaj vëllezërit bënë pankarta më të vogla, jo vetëm për të, por edhe për shumë fëmijë të tjerë. Ky grup me vogëlushë bëri një punë të shkëlqyer për të njoftuar njerëzit për fjalimin.Në shkurt të vitit 1948 komunistët morën pushtetin. E dinim se herët a vonë qeveria do të kufizonte shërbimin tonë. Në shtator të vitit 1948, në Pragë u mbajt një kongres. Provonim lloj-lloj ndjenjash ndërsa prisnim një ndalim tjetër ndaj grumbullimeve tona publike, ndërkohë që s’kishte veçse tre vjet që gëzonim lirinë për t’u mbledhur. Para se të largoheshim nga kongresi, miratuam një rezolutë, që pjesërisht thoshte: «Ne, Dëshmitarët e Jehovait, që jemi mbledhur së bashku . . . , jemi të vendosur ta shtojmë edhe më shumë këtë shërbim të bekuar dhe, me hirin e Zotërisë, të qëndrojmë në sprova dhe ta shpallim lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe më me zell.»
«Armiq të shtetit»
Vetëm dy muaj pas kongresit të Pragës, policia sekrete bastisi shtëpinë Bethel në afërsi të Pragës. Ata konfiskuan pronën, sekuestruan literaturën që gjetën dhe arrestuan gjithë bethelitët e disa vëllezër të tjerë. Por nuk mbaroi me kaq.
Duke gdhirë 4 shkurti i vitit 1952, forcat e sigurimit kontrolluan tërë vendin dhe arrestuan më shumë se 100 Dëshmitarë. Mes tyre isha edhe unë. Aty nga ora tre e mëngjesit, policia zgjoi gjithë familjen time. Pa dhënë asnjë shpjegim, më kërkuan të shkoja me ta. Më vunë prangat e më lidhën sytë dhe bashkë me shumë të tjerë na rrasën në pjesën e pasme të një kamioni. Përfundova në qeli izolimi.
Për një muaj nuk pata mundësi të flisja me asnjeri. I vetmi njeri që shihja, ishte roja që fuste pak ushqim nga dritarezja e derës. Pastaj më thirri hetuesi që përmenda në fillim. Pasi më quajti spiun, vazhdoi: «Feja është injorancë. Nuk ka Perëndi! S’mund të të lejojmë të mashtrosh klasën punëtore. Ose do të varesh në litar, ose do të kalbesh në burg. E po të vinte këtu Perëndia yt, do ta vritnim edhe atë!»
Meqë autoritetet e dinin që nuk kishte asnjë ligj specifik që ndalonte veprimtaritë e krishtere, ata donin t’i përkufizonin ndryshe këto veprimtari, për t’i përshtatur me ligjet ekzistuese, duke na portretizuar si «armiq të shtetit» dhe si spiunë të të huajve. Për të bërë këtë, u duhej të na thyenin forcën e vullnetit dhe të na bënin të «pranonim» akuzat e sajuara. Atë natë, pasi më morën në pyetje, nuk më lanë të flija. Brenda pak orësh, më morën prapë në pyetje. Kësaj here, hetuesi deshi që të firmosja një deklaratë ku shkruhej: «Unë, si armik i Republikës Demokratike të Çekosllovakisë, nuk u futa në [fermën kolektive], sepse po prisja amerikanët.» Kur nuk pranova të firmosja këtë gënjeshtër, më dërguan në një qeli ndëshkimi.
Nuk më lejohej të flija, të shtrihesha e as të ulesha. Më lejohej vetëm të rrija në këmbë ose të ecja. Kur u sfilita fare, u shtriva në çimento. Pastaj rojat më çuan përsëri në zyrën e hetuesit. «A do të firmosësh tani?»—më pyeti hetuesi. Kur nuk pranova prapë, më qëlloi në fytyrë. Po më dilte gjak. Atëherë ai u ulëriti rojave: «Ka qejf të vrasë veten! Ruajeni se mos vrasë veten!» Më kthyen prapë në qelinë e izolimit. Për gjashtë muaj, këto taktika u përsëritën shpeshherë. Asnjë orvatje për të më mbushur mendjen me ideologjinë e tyre dhe për të më bërë të pranoja se isha armik i shtetit, nuk ma dobësoi vendosmërinë për t’i qëndruar besnik Jehovait.
Pikërisht një muaj para se të më nxirrnin në gjyq, erdhi një prokuror nga Praga dhe mori në pyetje secilin nga grupi ynë prej 12 vëllezërish. Më pyeti: «Ç’do të bësh po ta sulmojnë vendin tonë imperialistët perëndimorë?» Ia ktheva: «Atë që bëra kur ky vend bashkë me Hitlerin sulmuan BRSS-në. Nuk luftova atëherë, dhe nuk kam për të luftuar as tani, se jam i krishterë dhe jam asnjanës.» Pastaj më tha: «S’i tolerojmë dot Dëshmitarët e Jehovait. Na duhen ushtarë po të na sulmojnë imperialistët perëndimorë dhe na duhen ushtarë për të çliruar proletariatin në vendet perëndimore.»
Më 24 korrik 1953 na shpunë në sallën e gjyqit. Njëri pas tjetrit, të 12-të na thirrën para trupit gjykues. Përfituam nga rasti të dëshmonim për besimin tonë. Pasi u përgjigjëm ndaj akuzave të rreme që ishin sajuar kundër nesh, një avokat u çua në këmbë dhe tha: «Kam qenë shumë herë në këtë sallë gjyqi. Zakonisht ka shumë raste që pranohet faji, pendohen, e madje derdhin lot. Kurse këta do të dalin që këtu më të fortë nga ç’ishin kur hynë.» Pastaj të 12-të na shpallën fajtorë për konspiracion ndaj shtetit. Mua më dënuan tre vjet dhe shteti më konfiskoi tërë pasurinë.
Mosha e shkuar nuk më ka bërë të ndalem
Pasi u ktheva në shtëpi, ende isha nën vëzhgimin e policisë sekrete. Megjithatë fillova prapë veprimtaritë teokratike dhe m’u besua mbikëqyrja frymore e kongregacionit tonë. Ndonëse na lejuan të banonim në shtëpinë tonë të konfiskuar, ligjërisht na u kthye vetëm 40 vjet më vonë, pas rënies së komunizmit.
Por nuk isha unë i fundit që shkoi në burg nga shtëpia jonë. Kisha vetëm tre vjet që isha kthyer në shtëpi, kur Eduardin e thirrën ushtar. Për shkak të ndërgjegjes së stërvitur sipas Biblës, nuk pranoi dhe e burgosën. Vite më vonë, edhe im nip, Petri, pati të njëjtën përvojë, megjithëse ishte shëndetlig.
Në vitin 1989 regjimi komunist në Çekosllovaki u shemb. Sa i gëzuar isha kur, pas dyzet vjetësh ndalim, mund të predikoja lirisht nga shtëpia në shtëpi! (Veprat 20:20) Për aq kohë sa pata shëndetin, gëzova këtë lloj shërbimi. Tani që jam 98 vjeç, shëndeti im nuk është ai i pari, por jam i kënaqur që ende mund t’u dëshmoj njerëzve për premtimet e lavdishme të Jehovait në lidhje me të ardhmen.
Mund të numëroj 12 kryetarë nga pesë vende të ndryshme, që kanë sunduar në qytetin tim të lindjes. Kishte mes tyre diktatorë, presidentë dhe një mbret. Asnjëri prej tyre nuk siguroi ndonjë zgjidhje përfundimtare për hallet që mundonin nënshtetasit e tyre. (Psalmi 146:3, 4) I jam mirënjohës Jehovait që më dha mundësinë ta njihja që kur isha i vogël. Kështu arrita të kuptoja që ai do t’i zgjidhë problemet me anë të Mbretërisë Mesianike dhe të shmangia kotësinë e jetës pa Perëndinë. Për më se 75 vjet kam qenë aktiv duke predikuar lajmin më të mirë në botë. Kjo më ka dhënë një qëllim në jetë, kënaqësi dhe një shpresë të ndritur për jetën e përhershme në tokë. Ç’do të dëshiroja më shumë?! *
[Shënimet]
^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por nuk është më në qarkullim.
^ par. 38 Mjerisht, vëlla Mihail Zhobrakun në fund e lanë fuqitë. Ai vdiq besnik, me besimin e sigurt te shpresa e ringjalljes, ndërkohë që ky artikull po përgatitej për shtyp.
[Figura në faqen 26]
Pak kohë pas dasmës
[Figura në faqen 26]
Me Eduardin në fillim të viteve 40
[Figura në faqen 27]
Lajmërojmë për kongresin në Bërno, 1947