Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekjet për të pasur udhëheqës të mirë

Përpjekjet për të pasur udhëheqës të mirë

Përpjekjet për të pasur udhëheqës të mirë

«Largohu po të them, mjaft më me ty. Në emër të Zotit, ik!»​—Oliver Kromuell; cituar nga Leopold Ameri, anëtar i parlamentit britanik.

Lufta II Botërore kishte tetë muaj që kishte filluar, e po mbillte shkatërrime. Për Britaninë dhe aleatët e saj, punët nuk po shkonin mirë. Sipas Leopold Amerisë dhe qeveritarëve të tjerë, nevojitej një udhëheqës i ri. Prandaj, më 7 maj 1940, në parlamentin britanik, zoti Ameri i tha fjalët e mësipërme kryeministrit Nevil Çamberlejn. Tri ditë më vonë, zoti Çamberlejn dha dorëheqjen dhe vendin e tij e zuri Uinston Çërçilli.

NEVOJA për një udhëheqës është themelore për njerëzimin, por jo çdo udhëheqës e përmbush mirë rolin. Edhe në një familje, që të bëjë të lumtur gruan dhe fëmijët, një baba duhet të jetë në lartësinë e rolit të tij si kryefamiljar. Mendo atëherë se çfarë kërkohet nga një udhëheqës kombi ose nga një udhëheqës botëror! S’do mend që ka qenë tepër e vështirë për njerëzit të gjejnë udhëheqës të mirë.

Rrjedhimisht, për mijëra vjet janë bërë kurorëzime, revolucione, grushte shteti, emërime, zgjedhje, vrasje dhe ndryshime të panumërta regjimesh. Mbretër, kryeministra, princër, presidentë, sekretarë të përgjithshëm e diktatorë kanë hipur në pushtet dhe kanë rënë nga pushteti. Disa ndryshime të papritura kanë hequr nga pozita edhe sundimtarë të fuqishëm. (Shih kutinë «Humbje e papritur e pushtetit», në faqen 5.) Po gjithsesi, njerëzit nuk kanë arritur të gjejnë udhëheqës të aftë që të qëndrojnë në pushtet për shumë kohë.

A «duhet të kënaqemi me ata që kemi»?

Prandaj, s’është çudi që shumë veta e kanë humbur shpresën për të gjetur ndonjë udhëheqës të mirë. Në disa vende, ndjenjat e zhgënjimit dhe të indiferencës së popullit dalin në pah sidomos kur afrohen zgjedhjet. Xhef Hilli, një gazetar në Afrikë, komentoi: «Indiferenca ose abstenimi [në votime] mbizotëron kur njerëzit ndihen të pafuqishëm për ta ndryshuar jetën e mjerë që bëjnë. . . . Në Afrikë, kur njerëzit nuk votojnë, s’do të thotë medoemos se janë të kënaqur nga jeta. Shpesh, ky veprim mund të jetë një thirrje për ndihmë, një thirrje nga ata që mendojnë se asnjeri s’do t’ia dijë për ta.» Po kështu, një gazetar në Shtetet e Bashkuara shkroi për zgjedhjet që po afroheshin: «Do të doja të kishte ndonjë kandidat të përsosur.» Pastaj shtoi: «Por s’ka asnjë të tillë. Kurrë s’ka pasur. Duhet të kënaqemi me ata që kemi.»

Atëherë, s’ka rrugë tjetër për njerëzimin përveçse të ‘kënaqet’ me udhëheqësit e papërsosur? Vallë nuk do të kemi kurrë udhëheqës të mirë, meqë udhëheqësit njerëzorë s’kanë arritur t’i plotësojnë nevojat e nënshtetasve të tyre? Jo. Udhëheqësi më i mirë ekziston vërtet. Në artikullin vijues do të shqyrtohet kush është udhëheqësi ideal për njerëzimin dhe si mund t’u sjellë dobi udhëheqja e tij miliona njerëzve nga çdo prejardhje, përfshirë edhe ty.

[Figurat në faqen 3]

Sipër majtas: Nevil Çamberlejn

Sipër djathtas: Leopold Ameri

Poshtë: Uinston Çërçill

[Burimet]

Çamberlejn: Fotografi nga Jimmy Sime/Central Press/Getty Images; Ameri: Fotografi nga Kurt Hutton/Picture Post/Getty Images; Çërçill: The Trustees of the Imperial War Museum (MH 26392)