«Çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë»
«Çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë»
KUR të shpërthejë stuhia e Harmagedonit dhe t’i japë fund sistemit të lig të Satanait, «shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet». Po «çadra e njerëzve të drejtë»? Në botën e re të Perëndisë ajo «do të lulëzojë».—Fjalët e urta 14:11.
Mirëpo, derisa «të pabesët të shfarosen nga toka dhe shkelësit të hiqen prej saj», të pafajshëmve u duhet të jetojnë bashkë me ta. (Fjalët e urta 2:21, 22) Por, a mund të lulëzojnë të drejtët në këto kushte? Në Bibël, te libri i Fjalëve të urta, kapitulli i 14-të, vargjet 1 deri në 11 tregojnë se, nëse flasim dhe veprojmë me mençuri, mund të kemi që tani mirëqenie dhe stabilitet në njëfarë mase.
Kur një familje ndërtohet me mençuri
Duke folur për ndikimin që ka gruaja në mirëqenien e familjes, mbreti Solomon në Izraelin e lashtë tha: «Gruaja e urtë [e mençur, BR] e ndërton shtëpinë e saj, kurse budallaqja [e marra, BR] e shemb me duart e veta.» (Fjalët e urta 14:1) Por, si e ndërton gruaja e mençur shtëpinë e saj? Një grua e mençur e respekton rregullin e kryesisë që ka vendosur Perëndia. (1 Korintasve 11:3) Nuk ndikohet nga fryma e pavarësisë që karakterizon botën e Satanait. (Efesianëve 2:2) I bindet burrit dhe flet mirë për të, duke rritur kështu respektin që të tjerët kanë për burrin e saj. Një grua e mençur punon shumë që t’i edukojë fëmijët e saj në aspektin frymor dhe t’i përgatitë për jetën e përditshme. Punon pa u lodhur për të mirën e familjes së saj, që shtëpia të jetë një vend i këndshëm dhe i rehatshëm për familjen. Ajo është nikoqire dhe shfaq maturi në mënyrën se si i administron gjërat në familje. Një grua vërtet e mençur jep ndihmesën e saj që familja të ketë mirëqenie dhe të jetë e fortë.
Një grua e marrë nuk tregon respekt për rregullin e kryesisë që ka vendosur Perëndia. Nuk ngurron të flasë keq për burrin e saj. Duke mos kursyer, shpërdoron të ardhurat e fituara me djersë. Madje shpërdoron edhe kohën e vet. Si pasojë shtëpia nuk mbahet siç duhet dhe fëmijët vuajnë si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo frymore. Po, gruaja e marrë e shkatërron familjen e saj.
Por, çfarë e përcakton nëse dikush është i mençur apo i marrë? Te Fjalët e urta 14:2 thuhet: «Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.» I drejti i frikësohet Perëndisë së vërtetë, dhe «frika e Zotit është zanafilla e diturisë». (Psalmi 111:10) Një njeri vërtet i mençur e di se duhet ‘të ketë frikë nga Perëndia dhe të respektojë urdhërimet e tij’. (Predikuesi 12:13) Nga ana tjetër, i marri ndjek një rrugë që nuk është në harmoni me normat e drejtësisë së Perëndisë. Ai ecën në rrugë të shtrembër. Një njeri i tillë e përçmon Perëndinë duke thënë në zemër të tij: «Nuk ka Perëndi.»—Psalmi 14:1.
Kur njeriu flet me mençuri
Çfarë mund të thuhet për mënyrën e të folurit të dikujt që i frikësohet Jehovait dhe të atij që e përçmon Atë? Te Fjalët e urta thuhet: «Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.» (Fjalët e urta 14:3) Meqenëse i mungon mençuria nga lart, i marri nuk është as paqebërës, as i arsyeshëm. Ai drejtohet nga mençuria tokësore, shtazarake dhe demonike. Fjalët që thotë janë arrogante dhe shkaktojnë grindje. Me kryelartësinë e tij i hap shumë telashe vetes dhe të tjerëve.—Jakovi 3:13-18.
Gjuha e ruan dhe e mbron njeriun e mençur duke i sjellë kështu lumturi. Si? Në Shkrime thuhet: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.» (Fjalët e urta 12:18) I mençuri nuk thotë fjalë të nxituara dhe therëse. Mendon thellë në zemrën e tij para se të përgjigjet. (Fjalët e urta 15:28) Fjalët e tij të zgjedhura me kujdes janë shëruese, ngushëllojnë shpirtrat e ligështuar dhe lehtësojnë të shtypurit. Fjalët e tij nuk i acarojnë të tjerët, por sjellin paqe dhe qetësi.
Kur përpjekjet udhëhiqen nga mençuria
Më pas, Solomoni paraqet një tjetër fjalë të urtë interesante, që duket se ka të bëjë me nevojën që të mendohemi mirë për të mirat dhe për të këqijat, para se të ndërmarrim një punë të caktuar. Ai thotë: «Aty ku nuk ka qe, grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.»—Fjalët e urta 14:4.
Duke komentuar për kuptimin e kësaj fjale të urtë, një vepër referimi thotë: «Grazhdi bosh nënkupton se nuk ka qe për të ushqyer, kështu që bujkut nuk i duhet të pastrojë apo të kujdeset për kafshët, dhe ka më pak shpenzime. Por këtyre ‘të mirave’ u kundërvihet pjesa e dytë e Pr 14 vargut 4 që thotë se mungesa e kaut nënkupton se të korrat nuk do të jenë me bollëk.» Bujku duhet të bëjë zgjedhjen e duhur.
A nuk zbatohet parimi që gjejmë këtu edhe në rastin tonë, kur duam të ndërrojmë punën, të zgjedhim një shtëpi, të blejmë një makinë, të marrim një kafshë shtëpiake ose në raste të tjera si këto? Një njeri i mençur i peshon mirë të mirat dhe të këqijat që sjell zgjedhja e tij, si edhe llogarit nëse ia vlen barra qiranë të mundohet dhe të shpenzojë.
Kur një dëshmitar është i mençur
Solomoni vazhdon: «Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.» (Fjalët e urta 14:5) Sigurisht që gënjeshtrat e një dëshmitari të rremë mund të shkaktojnë dëme të mëdha. Nabotin nga Jezreeli e vranë me gurë, sepse dy njerëz të poshtër bënë dëshmi të rreme kundër tij. (1 Mbretërve 21:7-13) Dhe, a nuk ishin dëshmitarët e rremë që u bënë shkak për vdekjen e Jezuit? (Mateu 26:59-61) Dëshmitarët e rremë dëshmuan edhe kundër Stefanit, dishepullit të parë të Jezuit, që u vra për shkak të besimit të tij.—Veprat 6:10, 11.
Dikush që thotë gjëra të paqena mund të mos zbulohet për njëfarë kohe, por mendoni pak për të ardhmen e tij. Bibla thotë se Jehovai e urren ‘dëshmitarin e rremë që thotë gënjeshtra’. (Fjalët e urta 6:16-19) Fundi i këtij njeriu do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë. Kështu përfundimi i tij do të jetë ngjashëm keqbërësve të tillë, si vrasësit, kurvarët dhe idhujtarët.—Zbulesa 21:8.
Dëshmitari i besueshëm nuk bën dëshmi të rreme kur është nën betim. Dëshmia e tij është e panjollosur nga gënjeshtrat. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se është i detyruar t’u tregojë gjithçka atyre që në njëfarë mënyre kanë për qëllim t’i bëjnë keq popullit të Jehovait. Abrahami dhe Isaku, patriarkë të lashtësisë, nuk ua treguan të gjitha faktet disave që nuk adhuronin Jehovain. (Zanafilla 12:10-19; 20:1-18; 26:1-10) Rahaba nga Jerikoja u dha informata të gabuara njerëzve të mbretit. (Jozueu 2:1-7) Vetë Jezu Krishti nuk tregoi gjithçka hapur në ato raste kur e dinte se kjo do të shkaktonte dëme të panevojshme. (Gjoni 7:1-10) Ai tha: «Mos u jepni qenve atë që është e shenjtë.» Pse jo? Që «të mos . . . kthehen e t’ju shqyejnë».—Mateu 7:6.
Kur «njohuria është gjë e lehtë»
A janë të gjithë të mençur? Te Fjalët e urta 14:6 thuhet: «Tallësi kërkon të gjejë mençuri, por s’e gjen, kurse për atë që ka kuptueshmëri njohuria është gjë e lehtë.» (BR) Një tallës ose përqeshës, mund të kërkojë mençuri, por nuk e arrin dot mençurinë e vërtetë. Meqenëse një tallës përqesh me arrogancë gjërat e Perëndisë, ai nuk arrin të fitojë bazën e mençurisë, domethënë njohurinë e saktë për Perëndinë e vërtetë. Krenaria dhe arroganca nuk e lënë të mësojë për Perëndinë dhe të fitojë mençuri. (Fjalët e urta 11:2) Po pse vallë kërkon mençuri? Fjalët e urta nuk e thonë arsyen, por ndoshta këtë e bën që të tjerët të mendojnë se është i mençur.
«Njohuria është një gjë e lehtë» për dikë që ka kuptueshmëri. Kuptueshmëria përkufizohet si «aftësia për të rrokur diçka me forcën e mendjes», «aftësia për të dalluar se si lidhen detajet me çështjen në tërësi». Është aftësia për të lidhur aspekte të ndryshme të një subjekti dhe për të kuptuar të gjithë çështjen, jo vetëm pjesë të veçuara. Kjo fjalë e urtë do të thotë se njohuria është diçka e lehtë për atë që e ka këtë aftësi.
Në këtë aspekt, kujto përvojën tënde kur mësove të vërtetën nga Shkrimet. Kur fillove të studioje Biblën, ka shumë mundësi që mësimet e para që more të kenë qenë për Perëndinë, për premtimet që ka bërë dhe për Birin e tij. Në fillim i shikoje këto të vërteta si të veçuara nga njëra-tjetra. Por ndërsa vazhdoje studimin, fillove të bëje lidhjen midis tyre dhe të kuptoje qartë se si hollësitë lidheshin me qëllimin e përgjithshëm të Perëndisë për njerëzit dhe tokën. E vërteta biblike filloi të marrë kuptim dhe
e shihje lidhjen në tërësi. Kështu që e kishe me të lehtë të mësoje dhe të mbaje mend hollësitë e reja, pasi e kuptoje çfarë vendi zinin në tablonë e përgjithshme.Mbreti i mençur tregon se ku nuk gjendet kurrsesi njohuria. Ai thotë: «Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.» (Fjalët e urta 14:7) Budallait i mungon njohuria e vërtetë. Nga buzët e tij nuk buron dituria. Këshilla është që të ikim nga një njeri i tillë dhe është e mençur t’i qëndrojmë larg. Çdokush që bëhet ‘shok me budallenjtë do të bëhet i keq’.—Fjalët e urta 13:20.
«Dituria [mençuria, BR] e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim»,—vazhdon Solomoni. (Fjalët e urta 14:8) I mençuri mendon mirë për veprimet e tij. Shqyrton zgjedhjet e mundshme që ka përpara dhe peshon mirë përfundimin e secilës zgjedhje. Ai e zgjedh rrugën e tij me zgjuarsi. Po budallai? Budallai zgjedh rrugën e gabuar, i bindur se e di çfarë po bën dhe se po merr vendimin e duhur. Gënjehet nga marrëzia e vet.
Kur marrëdhëniet drejtohen nga mençuria
Ai që drejtohet nga mençuria, ka një marrëdhënie paqësore me të tjerët. Mbreti i Izraelit vëren: «Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.» (Fjalët e urta 14:9) Ndjenja e fajit ose brejtja e ndërgjegjes konsiderohet si diçka qesharake nga i marri. Ai nuk ka marrëdhënie të mira në familje dhe gjetiu sepse është ‘tepër arrogant për të kërkuar falje’ e për të bërë paqe. (The New English Bible) Njeriu i drejtë është i gatshëm t’i tolerojë mangësitë e të tjerëve. Është gati të kërkojë falje dhe të bëjë paqe, kur ai vetë ka gabuar. Ngaqë ndjek ose kërkon paqen, ai gëzon një marrëdhënie të mirë dhe të qëndrueshme me të tjerët.—Hebrenjve 12:14.
Pastaj Solomoni e drejton vëmendjen ndaj një faktori që kufizon marrëdhëniet njerëzore. Ai thotë: «Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.» (Fjalët e urta 14:10) A mund t’i shprehim gjithmonë ndjenjat tona të brendshme, trishtimin a gëzimin, dhe t’u tregojmë të tjerëve tamam atë që po kalojmë? Dhe, a mund ta kuptojmë plotësisht në çdo rast se si ndihen të tjerët? Përgjigjja e të dyja këtyre pyetjeve është, jo.
Merrni si shembull ndjenjat që fshihen pas dëshirës për vetëvrasje. Ai që ka këto ndjenja, shpesh nuk mund t’ia shprehë hapur një pjesëtari të familjes ose një miku. Por edhe të tjerët që shoqërohen me ta jo gjithmonë i dallojnë shenjat që sinjalizojnë këto lloj ndjenjash. Nuk duhet të ndihemi fajtorë vetëm sepse nuk i kuptojmë këto shenja dhe nuk arrijmë t’i ndihmojmë këta individë. Kjo fjalë e urtë na mëson edhe se, megjithëse ngushëllohemi kur gjejmë mbështetje morale te një mik i dhembshur, njerëzit janë të kufizuar në ngushëllimin që mund të japin. Kur jemi përballë disa vështirësive, mund të na duhet të mbështetemi vetëm te Jehovai.
«Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri»
Mbreti i Izraelit thotë: «Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.» (Fjalët e urta 14:11) Të pabesit mund t’i ecë mbarë në këtë sistem dhe mund të ketë një shtëpi të bukur, por çfarë vlere do të kenë këto kur ai të mos jetë më? (Psalmi 37:10) Nga ana tjetër, banesa e të drejtit mund të jetë mjaft e thjeshtë, por Psalmi 112:3 thotë se «në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri». Për çfarë e ka fjalën?
Kur fjalët dhe veprimet tona udhëhiqen nga mençuria, kemi ‘pasurinë dhe lavdinë’ që vjen prej saj. (Fjalët e urta 8:18) Këtu përfshihet një marrëdhënie paqësore me Perëndinë dhe me të afërmin, mirëqenie dhe stabilitet në njëfarë mase. Po, «çadra e njerëzve të drejtë» mund të lulëzojë që tani.
[Figura në faqen 27]
Gruaja e mençur ndërton shtëpinë e saj
[Figura në faqen 28]
«Gjuha e të mençurve është shërim»