Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A dëshiron të jetosh përgjithmonë?

A dëshiron të jetosh përgjithmonë?

A dëshiron të jetosh përgjithmonë?

«NUK kam frikë nga vdekja,​—tha një grua e moshuar në Japoni.​—Por më vjen keq që do t’i lë këto lule.» Një e krishterë, që i bëri vizitë në shtëpi, e kuptoi pse ishte shprehur kështu, sepse kjo grua kishte një kopsht të mrekullueshëm. Shumë njerëz që shprehen se nuk i frikësohen vdekjes, i vlerësojnë shumë mrekullitë e krijimit dhe në fakt mund të kenë dëshirë të jetojnë përgjithmonë.

Të jetojnë përgjithmonë? Shumë njerëz as që duan ta mendojnë një gjë të tillë. Disa mund të thonë edhe se jeta e përhershme nuk u intereson fare. Po pse ndihen kështu?

Jeta e përhershme​—E mërzitshme?

Disa janë të mendimit se do të ishte e mërzitshme të jetoje përgjithmonë. Mund të marrin si shembull jetën monotone që bëjnë shumë pensionistë, të cilët nuk kanë ç’të bëjnë tjetër veçse të ulen e të shohin televizor. Nëse edhe ti ndihesh kështu, shiko se si u shpreh astronomi Robert Xhestrou kur e pyetën nëse jeta e përhershme do të ishte një bekim apo një mallkim. Xhestrou u përgjigj: «Do të ishte një bekim për ata që janë me mendje të hapur dhe që kanë një etje të pafund për dije. Për ta do të ishte shumë ngushëllues mendimi se do të marrin njohuri në përjetësi. Por, për ata që tashmë mendojnë se dinë gjithçka dhe që janë mendjengushtë, do të ishte një mallkim i tmerrshëm. Nuk do të kishin me se ta mbushnin kohën.»

Nëse jeta e përhershme do të të dukej e mërzitshme apo jo, kjo varet shumë nga qëndrimi yt mendor. Nëse je ‘me mendje të hapur dhe ke etje të pafund për dije’, mendo se çfarë mund të bësh në fushën e artit, muzikës, arkitekturës, kopshtarisë ose në çdo gjë që vlerëson dhe të ngjall interes. Jeta e përhershme këtu në tokë do të ishte një mundësi e mrekullueshme që të zhvilloje talentet në fusha të ndryshme.

Edhe mundësia për të shfaqur e për të marrë dashuri përgjithmonë do ta bënte jetën e përhershme vërtet të kënaqshme. Jemi krijuar me aftësinë për të shfaqur dashuri dhe lumturohemi kur të tjerët na duan. Dashuria reciproke sjell një kënaqësi të madhe, që nuk zbehet me kalimin e kohës. Jeta e përhershme do të na ofronte mundësi pa mbarim për ta shtuar dashurinë tonë jo vetëm për njerëzit, por sidomos për Perëndinë. Apostulli Pavël tha: «Nëse dikush do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.» (1 Korintasve 8:3) Çfarë perspektive e mrekullueshme: të njohësh Sovranin e universit dhe të dish që edhe ai të njeh! Për më tepër, nuk do të reshtim kurrë së mësuari për Krijuesin tonë të dashur. Pra, si mund të jetë jeta e përhershme e mërzitshme dhe e pafrytshme?

Jeta: E çmuar sepse është e shkurtër?

Disa mendojnë se ajo që e bën kaq të çmuar jetën është fakti që është e shkurtër. Këta e krahasojnë jetën me arin, që gjendet me pakicë. Shprehen se, nëse ari do të gjendej kudo, atëherë nuk do të kishte kaq shumë vlerë. Sidoqoftë, ari prapë do të ishte i bukur. E njëjta gjë është edhe me jetën.

Mund ta krahasojmë jetën e përhershme me ajrin, të cilin e kemi me bollëk. Për marinarët e një nëndetëseje të prishur ajri do të ishte tepër i çmuar. Pasi kanë shpëtuar nga nëndetësja, a mendoni se do të ankoheshin me mosmirënjohje për faktin që po ngopeshin me ajër? Sigurisht që jo!

Ashtu si këta marinarë, edhe ne mund të shpëtojmë, duke pasur një perspektivë edhe më të madhe, atë të jetës së përhershme. «Paga që paguan mëkati është vdekja,​—shkroi apostulli Pavël,​—por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) Nëpërmjet flijimit shpërblyes të Jezuit, Perëndia do t’i japë fund papërsosmërisë njerëzore e vdekjes, dhe njerëzve të bindur do t’u dhurojë jetën e përhershme. Sa mirënjohës duhet të jemi për një masë kaq të dashur!

Po njerëzit e tu?

Disa mund të mendojnë: ‘Po njerëzit e mi? Jeta e përhershme në tokë nuk do të kishte kuptim nëse ata s’do të ishin me mua.’ Ndoshta ti ke marrë njohuri nga Bibla dhe ke mësuar se mund të gëzosh jetën e përhershme në një parajsë tokësore. (Luka 23:43; Gjoni 3:16; 17:3) Natyrisht, dëshira jote është që edhe pjesëtarët e familjes, të afërmit dhe miqtë e ngushtë të jenë atje me ty, duke gëzuar ashtu siç shpreson të gëzosh edhe ti, në botën e re dhe të drejtë që ka premtuar Perëndia.​—2 Pjetrit 3:13.

Po sikur miqve dhe njerëzve të tu të dashur të mos u interesojë jeta e përhershme në një tokë parajsore? Mos lejo që kjo të të shkurajojë. Vazhdo të marrësh njohurinë e saktë nga Shkrimet dhe vepro në harmoni me të. Apostulli Pavël shkroi: «Sepse ku e di ti, o grua, që s’do ta shpëtosh burrin tënd? Apo ku e di ti, o burrë, që s’do ta shpëtosh gruan tënde?» (1 Korintasve 7:16) Njerëzit mund të ndryshojnë. Për shembull, një burrë që më parë ishte kundërshtar i të krishterëve, ndryshoi dhe më vonë filloi të shërbente si plak në kongregacionin e krishterë. Ai thotë: «E falënderoj familjen time të dashur që gjatë gjithë kundërshtimit tim i qëndroi besnike parimeve biblike.»

Perëndia interesohet vërtet për jetën tënde dhe të njerëzve të tu të dashur. Në të vërtetë «Jehovai . . . nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) Perëndia Jehova dëshiron që, ti dhe njerëzit e tu, të jetoni përgjithmonë. Dashuria e tij është më e madhe sesa ajo e njerëzve të papërsosur. (Isaia 49:15) Atëherë pse të mos fillosh të ndërtosh një marrëdhënie të mirë me Perëndinë? Kështu mund të jesh në gjendje t’i ndihmosh edhe njerëzit e tu të bëjnë të njëjtën gjë. Edhe pse tani nuk e kanë shpresën e jetës së përhershme, ata mund të ndryshojnë qëndrim kur të shohin sesi ti po vepron në harmoni me njohurinë e saktë të Biblës.

Po ç’mund të themi për të afërmit e tu që kanë vdekur? Për miliona njerëz që kanë vdekur, Bibla jep shpresën e mrekullueshme të ringjalljes, pra do të zgjohen nga gjumi i vdekjes dhe do të jetojnë në parajsë, këtu në tokë. Jezu Krishti premtoi: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore . . . do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Edhe ata që kanë vdekur pa e njohur Perëndinë do të kthehen në jetë, sepse Bibla thotë: «Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve». (Veprat 24:15) Çfarë gëzimi do të jetë t’i mirëpresim, kur të kthehen në jetë përsëri!

Jeta e përhershme​—Një shpresë e gëzueshme

Nëse arrin të gjesh gëzim dhe kënaqësi që tani, me gjithë problemet e shumta të kësaj bote, me siguri që do ta gëzosh edhe më shumë jetën e përhershme në një tokë parajsore. Kur një Dëshmitare e Jehovait po fliste për bekimet që do të sillte jeta e përhershme, një grua tha: «Nuk dua të jetoj përgjithmonë. Më mjaftojnë këto 70 ose 80 vjet jetë.» Një plak i krishterë që ndodhej aty e pyeti: «A ke menduar ndonjëherë se si do të ndiheshin fëmijët e tu nëse ti do të vdisje?» Asaj i rrodhën lot nga sytë kur mendoi për dhembjen që do të përjetonin ata nga humbja e nënës. «Për herë të parë në jetën time, e kuptova sa egoiste kisha qenë,​—pranon ajo,​—dhe e kuptova se jeta e përhershme nuk është një shpresë egoiste, por do të thotë të jetosh edhe për të tjerët.»

Ndoshta mund të mendojmë se askujt nuk i intereson nëse jetojmë apo jo. Por, Atij që na dha jetën i intereson, pasi thotë: «Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, . . unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë.» (Ezekieli 33:11) Përderisa Perëndia është kaq i shqetësuar për jetën e të pabesit, sigurisht që interesohet edhe më shumë për ata që e duan.

Mbreti David, i Izraelit të lashtë, kishte besim në kujdesin e dashur të Jehovait. Një herë Davidi tha: «Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.» (Psalmi 27:10) Patjetër, Davidi mund të ketë qenë i sigurt për dashurinë e prindërve të tij. Por, edhe sikur prindërit, pra njerëzit i tij më të afërt, ta braktisnin, ai e dinte se Perëndia nuk do ta bënte kurrë këtë. Për shkak të dashurisë dhe të interesimit që ka për ne, Jehovai na jep mundësinë e jetës së përhershme dhe të një miqësie pa fund me të. (Jakovi 2:23) A nuk duhet t’i pranojmë me mirënjohje këto dhurata të mrekullueshme?

[Figura në faqen 7]

Për shkak të dashurisë për Perëndinë dhe për të tjerët, ia vlen të jetosh përgjithmonë