Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai do të sjellë gjykimin kundër të ligjve

Jehovai do të sjellë gjykimin kundër të ligjve

Jehovai do të sjellë gjykimin kundër të ligjve

‘Përgatitu të takosh Perëndinë tënd.’​—AMOSI 4:12.

1, 2. Pse mund të jemi të sigurt se Perëndia do t’i japë fund ligësisë?

A DO t’u japë ndonjëherë fund Jehovai ligësive dhe vuajtjeve në tokë? Tani, në fillim të shekullit të 21-të, kjo pyetje është e përshtatshme më shumë se kurrë. Duket sikur, ngado që të kthehemi, shohim prova të sjelljes çnjerëzore. Me sa dëshirë që e presim një botë pa dhunë, terrorizëm dhe korrupsion!

2 Por ka një lajm të mirë: mund të jemi plotësisht të sigurt se Jehovai do t’i japë fund ligësisë. Cilësitë e Perëndisë na sigurojnë se ai do të veprojë kundër të ligjve. Jehovai është i drejtë. Te Psalmi 33:5, Fjala e tij na thotë: «Ai e do drejtësinë dhe barazinë.» Një psalm tjetër thotë: «Shpirti i [Jehovait] urren . . . atë që do dhunën.» (Psalmi 11:5) Sigurisht, Jehovai, Perëndia i plotfuqishëm, që e do drejtësinë, nuk do t’i tolerojë përgjithmonë gjërat që urren.

3. Çfarë do të nxjerrim në pah gjatë këtij shqyrtimi të profecisë së Amosit?

3 Ka edhe një arsye tjetër pse mund të jemi të sigurt që Jehovai do ta heqë ligësinë. Mënyra se si ka vepruar ai në të kaluarën na e garanton këtë. Në librin biblik të Amosit ka disa shembuj mbresëlënës të mënyrës si vepron Jehovai me të ligjtë. Duke shqyrtuar më tej profecinë e Amosit, do të nxjerrim në pah tri gjëra për gjykimin hyjnor. Së pari, është gjithnjë i merituar. Së dyti, është i pashmangshëm. Dhe së treti, është përzgjedhës, domethënë Jehovai e ekzekuton gjykimin mbi të ligjtë, por u tregon mëshirë të penduarve dhe njerëzve me zemër të drejtë.​—Romakëve 9:17-26.

Gjykimi hyjnor është gjithnjë i merituar

4. Ku e dërgoi Jehovai Amosin, dhe për cilin qëllim?

4 Në kohën e Amosit, izraelitët ishin ndarë tashmë në dy mbretëri. Njëra ishte mbretëria jugore e Judës prej dy fisesh, kurse tjetra mbretëria veriore e Izraelit prej dhjetë fisesh. Jehovai e caktoi Amosin profet dhe e dërgoi nga Juda, vendlindja e tij, në Izrael. Atje Perëndia do ta përdorte Amosin për të shpallur gjykimin hyjnor.

5. Kundër cilave kombe profetizoi Amosi në fillim? Cila ishte një arsye pse ato e meritonin gjykimin nga Perëndia?

5 Amosi nuk e filloi veprën e tij duke shpallur gjykimin e Jehovait kundër mbretërisë veriore rebele të Izraelit. Më përpara, ai shpalli gjykimin që po u afrohej gjashtë kombeve përreth Izraelit. Këto kombe ishin: Siria, Filistia, Tiri, Edomi, Amoni dhe Moabi. A e meritonin vërtet gjykimin e pafavorshëm nga Perëndia këto kombe? Patjetër që po! Një arsye ishte se ishin armiq të betuar të popullit të Jehovait.

6. Pse Perëndia do ta shkatërronte Sirinë, Filistinë dhe Tirin?

6 Për shembull, Jehovai i dënoi sirianët ‘sepse e kishin shirë Galaadin’. (Amosi 1:3) Sirianët morën territor nga Galaadi, një krahinë e Izraelit në lindje të lumit Jordan, dhe i shkaktuan dëme të mëdha popullit të Perëndisë që ndodhej në atë zonë. Po Filistia dhe Tiri? Filistinët ishin fajtorë sepse kishin marrë robër izraelitë dhe ua kishin shitur edomitëve. Gjithashtu, disa izraelitë kishin rënë në duart e tregtarëve të skllevërve nga Tiri. (Amosi 1:6, 9) Mendoni: shitnin si skllevër pjesëtarë të popullit të Perëndisë! S’është fare çudi që Jehovai do ta shkatërronte Sirinë, Filistinë dhe Tirin.

7. Çfarë kishin të përbashkët me Izraelin kombet e Edomit, Amonit dhe Moabit, por si i trajtonin ata izraelitët?

7 Edomi, Amoni dhe Moabi kishin diçka të përbashkët me Izraelin dhe me njëri-tjetrin. Që të tria kombet ishin të afërm të izraelitëve. Edomitët ishin pasardhës të Abrahamit nëpërmjet Esaut, vëllait binjak të Jakobit. Prandaj, në njëfarë kuptimi ishin vëllezër të izraelitëve. Amonitët dhe moabitët ishin pasardhës të Lotit, nipit të Abrahamit. Mirëpo, a i trajtuan Edomi, Amoni dhe Moabi me dashuri vëllazërore të afërmit e tyre izraelitë? Aspak! Edomi përdori shpatën pa mëshirë kundër ‘vëllait të tij’, kurse amonitët i trajtuan robërit izraelitë në mënyrë mizore. (Amosi 1:11, 13) Ndonëse Amosi nuk e përmend drejtpërdrejt keqtrajtimin që i bëri Moabi popullit të Perëndisë, moabitët njiheshin prej kohësh si kundërshtarë të Izraelit. Ndëshkimi për këto tri kombe, me paraardhës të përbashkët, do të ishte i ashpër. Jehovai do të dërgonte mbi ta një shkatërrim të furishëm.

Gjykimi hyjnor është i pashmangshëm

8. Pse gjykimi që shpalli Perëndia kundër gjashtë kombeve rreth e qark Izraelit ishte i pashmangshëm?

8 S’ka asnjë dyshim se gjashtë kombet që u përmendën në fillim të profecisë së Amosit e meritonin ndëshkimin hyjnor. Veç kësaj, s’kishin asnjë mënyrë se si t’i shpëtonin këtij ndëshkimi. Duke filluar nga kapitulli i parë i Amosit, vargu 3 dhe duke vazhduar deri në kapitullin e dytë, vargu 1, Jehovai thotë gjashtë herë: «Nuk do ta revokoj ndëshkimin.» Ai e mbajti fjalën, duke mos e kthyer mbrapsht ndëshkimin kundër këtyre kombeve. Historia tregon që secili nga ato kombe më vonë pësoi katastrofë. Madje të paktën katër prej tyre: Filistia, Moabi, Amoni dhe Edomi, me kalimin e kohës u fshinë nga faqja e dheut.

9. Çfarë meritonin banorët e Judës dhe përse?

9 Më tej, Amosi e përqendroi vëmendjen te një komb i shtatë, vendlindja e tij, Juda. Ndoshta, banorët e mbretërisë veriore të Izraelit që po e dëgjonin u habitën kur ai shpalli gjykimin kundër mbretërisë së Judës. Pse e meritonin banorët e Judës gjykimin e pafavorshëm? «Sepse kanë përçmuar ligjin e Zotit»,​—thuhet tek Amosi 2:4. Jehovai nuk e pa si diçka të vogël këtë shpërfillje me dashje të Ligjit të tij. Sipas Amosit 2:5, ai paratha: «Do të dërgoj zjarr në Judë, që do të gllabërojë pallatet e Jerusalemit.»

10. Pse Juda s’mund t’i shpëtonte mjerimit?

10 Juda e pabesë s’mund t’i shpëtonte mjerimit që po vinte. Për herë të shtatë, Jehovai tha: «Nuk do ta revokoj ndëshkimin.» (Amosi 2:4) Juda e mori ndëshkimin e parathënë, kur u shkretua nga babilonasit në vitin 607 p.e.s. Edhe një herë shohim se të ligjtë nuk i shpëtojnë dot gjykimit hyjnor.

11-13. Kundër cilit komb profetizoi kryesisht Amosi? Çfarë formash shtypjeje ekzistonin atje?

11 Profeti Amos sapo kishte shpallur gjykimin e Jehovait për shtatë kombe. Por ata që mendonin se me kaq Amosi e kishte mbaruar profetizimin, e kishin gabim. Amosi kishte ende shumë për të thënë. Ai ishte ngarkuar kryesisht të shpallte një mesazh gjykimi të ashpër kundër mbretërisë veriore të Izraelit. Izraeli e meritonte gjykimin hyjnor, sepse korruptimi moral dhe fetar i kombit ishte bërë i neveritshëm.

12 Profecia e Amosit demaskoi shtypjen, që ishte bërë një gjë e zakonshme në mbretërinë e Izraelit. Lidhur me këtë, tek Amosi 2:6, 7 lexojmë: «Kështu thotë Zoti: ‘Për tre krime të Izraelit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e shesin me pare të drejtin dhe të varfrin për një palë sandale, ata që dëshirojnë fort të shohin pluhurin e tokës mbi kryet e të varfërve dhe shkelin të drejtën e të përulurve.’»

13 Të ligjtë po i shitnin njerëzit e drejtë ‘për para’, gjë që nënkupton se gjykatësit po dënonin të pafajshmit, duke pranuar para si ryshfet. Huadhënësit po i shitnin si skllevër të varfrit me të njëjtin çmim që bliheshin «një palë sandale», ndoshta për borxhe të vogla. Njerëz zemërgur ‘dëshironin fort’ ose kërkonin me zjarr t’i katandisnin ‘të varfrit’ në një gjendje kaq të keqe, sa këta të shkretë të hidhnin pluhur mbi kryet e tyre, gjë që nënkuptonte mjerim, vajtim ose poshtërim. Korrupsioni ishte kaq i madh, saqë ‘njerëzit e përulur’ as që mund të shpresonin të gjenin drejtësi.

14. Cilët po keqtrajtoheshin në mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit?

14 Vini re se cilët po keqtrajtoheshin. Ishin banorët e drejtë, të varfër e të përulur të vendit. Besëlidhja e Ligjit, që kishte bërë Jehovai me izraelitët, kërkonte që të pambrojturve dhe nevojtarëve t’u tregohej dhembshuri. Mirëpo, në mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit, këta njerëz s’mund të kishin qenë në kushte më të këqija se këto.

‘Përgatitu të takosh Perëndinë tënd’

15, 16. (a) Pse izraelitët morën paralajmërimin, ‘përgatitu të takosh Perëndinë tënd’? (b) Si tregon Amosi 9:1, 2 se të ligjtë nuk mund t’i shmangeshin ekzekutimit të gjykimit hyjnor? (c) Ç’ndodhi në vitin 740 p.e.s. me mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit?

15 Meqë imoraliteti dhe mëkate të tjera ishin shumë të përhapura në Izrael, profeti Amos kishte arsye të vlefshme për ta paralajmëruar kombin rebel: ‘Përgatitu të takosh Perëndinë tënd.’ (Amosi 4:12) Izraeli jobesnik s’mund t’i shpëtonte ekzekutimit të afërt të gjykimit hyjnor, sepse për herë të tetë, Jehovai shpalli: «Nuk do ta revokoj ndëshkimin.» (Amosi 2:6) Për sa u përket të ligjve, që mund të përpiqeshin të fshiheshin, Perëndia tha: «Asnjë nga ata që ikin nuk do të mund t’ia dalë mbanë dhe asnjë nga ata që ikin nuk do të mund të shpëtojë. Edhe sikur të depërtojnë në Sheol, dora ime do t’i shkëpusë që andej; edhe sikur të ngjiten në qiell, unë do t’i tërheq poshtë që andej.»​—Amosi 9:1, 2.

16 Të ligjtë nuk mund ta shmangnin ekzekutimin e gjykimit të Jehovait duke depërtuar «në Sheol», krahasim ky që tregon në mënyrë të figurshme përpjekjet e tyre për t’u fshehur në pjesët më të thella të tokës. As nuk mund t’i shmangeshin gjykimit hyjnor duke u ngjitur «në qiell», domethënë, duke u përpjekur të gjenin strehë në malet e larta. Paralajmërimi i Jehovait ishte i qartë: nuk ka asnjë vend fshehjeje që ai s’e arrin dot. Drejtësia hyjnore kërkonte që mbretëria e Izraelit të jepte llogari për veprat e saj të liga. Ajo kohë erdhi vërtet. Në vitin 740 p.e.s., rreth 60 vjet pasi Amosi dokumentoi profecinë e tij, mbretëria e Izraelit ra në duart e pushtuesve asirianë.

Gjykimi hyjnor është përzgjedhës

17, 18. Çfarë tregon kapitulli i nëntë i Amosit për mëshirën e Perëndisë?

17 Profecia e Amosit na ka ndihmuar të kuptojmë se gjykimi hyjnor është gjithnjë i merituar dhe i pashmangshëm. Por, libri i Amosit tregon edhe se gjykimi i Jehovait është përzgjedhës. Nëse Perëndia mund t’i gjejë të ligjtë kudo që të fshihen dhe të ekzekutojë gjykimin mbi ta, patjetër që mund t’i gjejë edhe të penduarit e të drejtët, të cilëve vendos t’u tregojë mëshirë. Ky mësim theksohet bukur në kapitullin e fundit të librit të Amosit.

18 Sipas kapitullit të nëntë të Amosit, në vargun 8, Jehovai tha: «Nuk do ta shfaros krejt shtëpinë e Jakobit.» Sipas vargjeve 13 deri në 15, Jehovai premtoi se ‘do ta kthente nga robëria popullin e tij’. Atyre do t’u tregohej mëshirë dhe do të gëzonin siguri e begati. Jehovai premtoi: «Ai që lëron do t’i afrohet atij që korr.» Mendoni, korrja do të ishte kaq e bollshme, saqë një pjesë e saj nuk do të ishte mbledhur ende, kur të vinte përsëri koha për ta lëruar tokën e për ta mbjellë.

19. Çfarë ndodhi me një mbetje të penduar njerëzish nga Izraeli e nga Juda?

19 Mund të thuhet se gjykimi që u dha Jehovai të ligjve në Judë e në Izrael ishte përzgjedhës në kuptimin që të penduarve dhe të drejtëve iu tregua mëshirë. Në përmbushje të premtimit të rivendosjes, të dokumentuar në kapitullin e nëntë të Amosit, mbetja e penduar e Izraelit dhe e Judës u kthye nga robëria babilonase në vitin 537 p.e.s. Kur u kthyen përsëri në atdheun e tyre të dashur, ata rivendosën adhurimin e pastër. Rindërtuan shtëpitë dhe mbollën vreshtat e kopshtet pa i trazuar njeri.

Jehovai do ta sjellë gjykimin kundër të ligjve!

20. Për çfarë duhet të na sigurojë shqyrtimi i mesazheve të gjykimit që shpalli Amosi?

20 Shqyrtimi i mesazheve të gjykimit hyjnor që shpalli Amosi, duhet të na sigurojë se edhe në kohën tonë Jehovai do t’i japë fund ligësisë. Pse mund ta besojmë këtë? Së pari, këta shembuj të së kaluarës që tregojnë se si ka vepruar Perëndia me të ligjtë, na zbulojnë mënyrën se si do të veprojë edhe në ditët tona. Së dyti, ekzekutimi i gjykimit hyjnor mbi mbretërinë apostate të Izraelit, tregon se Perëndia do ta sjellë me siguri shkatërrimin mbi të ashtuquajturin krishterim, pjesën më fajtore të ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme.​—Zbulesa 18:2.

21. Pse i ashtuquajturi krishterim e meriton gjykimin e pafavorshëm nga Perëndia?

21 S’ka asnjë dyshim se i ashtuquajturi krishterim e meriton gjykimin e pafavorshëm nga Perëndia. Kushtet e mjerueshme fetare dhe morale të tij flasin vetë. Gjykimi i Jehovait kundër të ashtuquajturit krishterim, si edhe pjesës tjetër të botës së Satanait, është i merituar. Është edhe i pashmangshëm, sepse, kur të vijë koha që të ekzekutohet gjykimi, do të përmbushen fjalët e Amosit, në kapitullin e nëntë, Am 9 vargu 1: «Asnjë nga ata që ikin nuk do të mund t’ia dalë mbanë dhe asnjë nga ata që ikin nuk do të mund të shpëtojë.» Po, Jehovai do t’i gjejë të ligjtë kudo që të fshihen!

22. Cilat pika në lidhje me gjykimin hyjnor bëhen të qarta te 2 Selanikasve 1:6-8?

22 Gjykimi hyjnor është gjithnjë i merituar, i pashmangshëm dhe përzgjedhës. Këtë mund ta shohim nga fjalët e apostullit Pavël: «Për Perëndinë është e drejtë t’i shpaguajë me shtrëngim ata që ju shtrëngojnë, kurse juve që vuani shtrëngim, me lehtësim bashkë me ne kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu bashkë me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues, duke sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu.» (2 Selanikasve 1:6-8) «Për Perëndinë është e drejtë» t’i shpaguajë ata që e meritojnë gjykimin e pafavorshëm, ngaqë u kanë sjellë shtrëngime të mirosurve të tij. Ky gjykim do të jetë i pashmangshëm, sepse të ligjtë nuk do të mbijetojnë ‘kur të zbulohet Jezui me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues’. Gjithashtu, gjykimi hyjnor do të jetë përzgjedhës në kuptimin që, Jezui do të hakmerret «mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë». Kurse njerëzve me frikë Perëndie, që vuajnë shtrëngime, ekzekutimi i gjykimit hyjnor do t’u sjellë ngushëllim.

Shpresë për të drejtët

23. Çfarë shprese e ngushëllimi mund të gjejmë në librin e Amosit?

23 Profecia e Amosit përmban edhe një mesazh të mrekullueshëm shprese e ngushëllimi për njerëzit me zemër të drejtë. Siç ishte parathënë në librin e Amosit, Jehovai nuk e shfarosi krejtësisht popullin e tij në kohët e lashta. Së fundi, ai i ktheu prapë në atdheun e tyre robërit izraelitë dhe judenj, dhe i bekoi me siguri e begati të madhe. Çfarë do të thotë kjo për ditët tona? Mund të jemi të sigurt se gjatë ekzekutimit të gjykimit të tij, që do të vijë së shpejti, Jehovai do t’i gjejë jo vetëm të ligjtë kudo që të fshihen, por edhe ata që i sheh të denjë për mëshirën e tij, në çdo cep të tokës që të jetojnë.

24. Në cilat mënyra janë bekuar shërbëtorët e Jehovait në ditët tona?

24 Çfarë përjetojmë ne si shërbëtorë besnikë të Jehovait, ndërsa presim kohën kur ai do të gjykojë të ligjtë? Jehovai po na bekon me një begati shumë të madhe frymore. Kemi një formë adhurimi të pastër, pa gënjeshtrat dhe shtrembërimet që kanë ardhur si pasojë e mësimeve të rreme të të ashtuquajturit krishterim. Gjithashtu, Jehovai na ka bekuar me ushqim frymor me bollëk. Megjithatë, s’duhet të harrojmë se, bashkë me këto bekime të pasura nga Jehovai, vjen edhe një përgjegjësi e madhe. Perëndia pret nga ne që t’i paralajmërojmë të tjerët për gjykimin që po vjen. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’i gjetur ata që janë «të prirur drejt jetës së përhershme». (Veprat 13:48) Po, dëshirojmë të ndihmojmë sa më shumë njerëz për të marrë pjesë në begatinë frymore që kemi tani. Duam edhe që të mbijetojnë në ekzekutimin e afërt të gjykimit hyjnor kundër të ligjve. Sigurisht, për të marrë këto bekime, duhet të kemi gjendjen e duhur të zemrës. Edhe kjo gjë theksohet në profecinë e Amosit, siç do ta shohim në artikullin vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Si tregon profecia e Amosit se gjykimet e pafavorshme që jep Jehovai janë gjithnjë të merituara?

• Çfarë provash sjell Amosi për të treguar se gjykimi hyjnor është i pashmangshëm?

• Si tregon libri i Amosit se ekzekutimi i gjykimit nga Perëndia është përzgjedhës?

[Pyetjet]

[Figura në faqet 16, 17]

Mbretëria e Izraelit nuk i shpëtoi gjykimit hyjnor

[Figura në faqen 18]

Në vitin 537 p.e.s., një mbetje izraelitësh dhe judenjsh u kthyen nga robëria babilonase