Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Ku do të jenë demonët gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit?
Bibla nuk i përgjigjet kësaj pyetjeje drejtpërdrejt. Megjithatë, mund të arrijmë në një përfundim logjik se ku do të jenë demonët gjatë Mijëvjeçarit të sundimit të Krishtit.
Duke dhënë një përshkrim paraprak të asaj që do të ndodhë në fillim e në fund të këtij Mijëvjeçari, apostulli Gjon thotë: «Pashë një engjëll të zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet. Dhe e hodhi në humnerë dhe e mbylli dhe e vulosi mbi të, që të mos i mashtronte më kombet, derisa të mbaronin një mijë vjetët. Pas këtyre gjërave, ai duhet të zgjidhet për pak kohë.» (Zbulesa 20:1-3) Këto vargje flasin vetëm për hedhjen në humnerë të Satanait dhe për çlirimin e tij më pas, por për pak kohë. Ndonëse demonët nuk përmenden, është e arsyeshme të mendojmë se, kur engjëlli që ka çelësin e humnerës, pra Jezu Krishti në pozitën e tij të lavdishme, do të kapë e do të hedhë në humnerë Djallin, të njëjtën gjë do të bëjë edhe me demonët.—Zbulesa 9:11.
Kur u bë Mbret në qiell në vitin 1914, Jezu Krishti ndërmori një veprim që pati pasoja të thella si te Satanai, ashtu edhe te demonët. Te Zbulesa 12:7-9 thuhet: «Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij [demonët] luftuan, por nuk fitoi dhe për ta nuk u gjend më vend në qiell. Kështu, dragoi i madh u hodh poshtë, gjarpri i hershëm, ai që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar; u hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të.» Që nga ajo kohë, Satanai dhe demonët e tij janë kufizuar në afërsi të tokës. Mund të nxjerrim si përfundim logjik se, kur të kufizojë më tej fushën e veprimit të Satanait, për ta çliruar tokën nga ndikimi i lig, Jezu Krishti do të bëjë të njëjtën gjë edhe me demonët.
Të shqyrtojmë edhe profecinë e parë që gjejmë në Bibël. Ajo thotë: «Unë [Perëndia] do të shtie armiqësi midis teje [Satanait] dhe gruas [organizatës qiellore të Jehovait], midis farës sate [të Satanait] dhe farës [Jezu Krishtit] së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Shtypja e kokës së gjarprit përfshin mbylljen e Satanait në humnerë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Profecia thotë edhe se, midis Atij që i shtyp kokën gjarprit dhe farës së gjarprit, ka armiqësi. Kjo farë ose organizatë, përfshin edhe një pjesë të padukshme, të përbërë nga engjëjt e ligj ose siç quhen ndryshe, demonët. Prandaj, është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se kur Jezui ta mbyllë në humnerë Satanain, do t’i lidhë e do t’i mbyllë në humnerë edhe demonët. Fakti që frymërat e liga kanë treguar frikë të madhe për humnerën tregon se janë të vetëdijshëm për këtë mbyllje të ardhshme në të.—Luka 8:31.
Zbulesa 20:1-3 nuk i përmend demonët sepse këta do të shkatërrohen në Harmagedon, bashkë me pjesën e dukshme të farës së Satanait? Sipas Biblës, s’ka të ngjarë të jetë kështu. Lidhur me fundin e Satanait, aty thuhet: «Djalli që i mashtronte u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku gjendeshin tashmë edhe bisha dhe profeti i rremë; dhe ata do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.» (Zbulesa 20:10) Bisha dhe profeti i rremë janë ente politike që bëjnë pjesë në organizatën e dukshme të Satanait. (Zbulesa 13:1, 2, 11-14; 16:13, 14) Ato do të shkatërrohen në Harmagedon, kur Mbretëria e Perëndisë të thërrmojë dhe të shkatërrojë të gjitha mbretëritë e botës. (Danieli 2:44) Bibla flet për «zjarrin e përhershëm të përgatitur për Djallin dhe engjëjt e tij». (Mateu 25:41) Satanai dhe demonët do të hidhen në të njëjtin ‘liqen zjarri e squfuri’ ku janë bisha e profeti i rremë, në kuptimin që edhe ata do të shkatërrohen përgjithmonë. Në qoftë se pjesa e padukshme dhe më e fuqishme e farës së Satanait, pra demonët, do të ishte shkatërruar në Harmagedon, me siguri ata do të ishin përmendur sikur të ishin tashmë në liqenin simbolik, bashkë me bishën dhe me profetin e rremë. Fakti që te Zbulesa 20:10 nuk përmenden, tregon se demonët nuk do të shkatërrohen në Harmagedon.
Por, mos ndoshtaMeqë nuk përmendet drejtpërdrejt fakti se demonët do të hidhen në humnerë, nuk përmendet në mënyrë specifike as fakti që do të çlirohen prej saj. Megjithatë, fundi i tyre do të jetë i njëjtë me fundin e Djallit. Pasi të çlirohen bashkë me Djallin dhe të bashkëpunojnë me të gjatë sprovës përfundimtare të njerëzimit, në fund të një mijë vjetëve, edhe demonët do të hidhen në liqenin e zjarrit dhe do të pësojnë shkatërrimin e përhershëm.—Zbulesa 20:7-9.
Prandaj, ndonëse te Zbulesa 20:1-3 flitet vetëm për Satanain që kapet dhe hidhet në humnerë, pra në gjendje joaktive, mund të nxjerrim përfundimin logjik se edhe engjëjt e tij do të lidhen e do të hidhen në humnerë. As Satanai, as demonët e tij, nuk do të lejohen që të ndërhyjnë në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë për ta kthyer tokën në parajsë dhe për ta rikthyer njerëzimin në përsosmëri, gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.