Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa mund të jetojnë njerëzit?

Sa mund të jetojnë njerëzit?

Sa mund të jetojnë njerëzit?

MË DATËN 3 mars të vitit 1513, eksploruesi spanjoll Huan Ponse de Leon nisi një ekspeditë të famshme. U nis me anije nga Porto-Rikoja me shpresën për të gjetur ishullin e Biminit. Legjenda thotë se ai kërkonte një burim mrekullibërës, burimin e rinisë. Por ekspedita mbaroi atje ku tani është shteti i Floridës, në SHBA. Sigurisht, këtë burim nuk e gjeti kurrë, sepse s’mund të gjente diçka që nuk ekzistonte.

Tani njerëzit në përgjithësi nuk jetojnë më shumë se 70 ose 80 vjet. Megjithëse në Bibël tregohet se ka pasur njerëz që kanë jetuar shumë më gjatë, Libri i rekordeve Gines 2002 thotë se njeriu më i moshuar që ka jetuar ndonjëherë arriti deri në 122 vjeç e 164 ditë. (Zanafilla 5:3-32) Megjithatë, eksperti i bioetikës Xhon Harris tha: «Kërkimet e reja tani na japin mundësi t’i hedhim një sy botës ku plakja, e madje edhe vdekja, nuk do të jenë më të pashmangshme.» Një numër studiuesish të shekullit të 21-të thonë për «pavdekësinë e mirëfilltë» se «deri në vitin 2099 njerëzit do të kenë arritur jetëgjatësinë pa fund», se «trupi do të ketë aftësinë e riprodhimit të përhershëm të qelizave» dhe të tjera si këto.

Në librin e tij Ëndrra e jetës së përhershme, (gjermanisht) Mark Beneke thotë: «Pothuajse të gjitha qelizat e trupit rigjenerohen disa herë gjatë jetës. . . . Afërsisht pas çdo shtatë vitesh, jemi njerëz të rinj në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.» Megjithatë, ky rigjenerim nuk vazhdon përherë, sepse qelizat ndalojnë procesin e shumimit pas një numri të përcaktuar ndarjesh. Por, Beneke thotë se nëse nuk do të ishte kështu, «trupi i njeriut do të mund të rigjenerohej për një kohë shumë të gjatë, madje edhe përjetësisht».

Shqyrtoni gjithashtu, kapacitetin mahnitës të trurit të njeriut. Ky kapacitet është shumë herë më i madh se ç’mund të përdoret gjatë jetës sonë relativisht të shkurtër. Sipas një enciklopedie, truri i njeriut «është i pajisur me një potencial shumë më të madh nga sa mund të përdoret gjatë gjithë jetës së tij». (Encyclopædia Britannica, botimi i vitit 1976, Vëllimi 12, faqja 998) Në librin Si mëson truri, (anglisht) i shkruar nga David A. Suza, thuhet: «Faktikisht, kapaciteti i trurit për të nxënë njohuri nuk ka fund.»​—Faqja 78, Botimi i dytë, copyright 2001.

Si ka mundësi që studiuesit nuk gjejnë asnjë arsye fiziologjike në përbërjen e trupit tonë për të shpjeguar përse vdesim? Dhe, përse truri i njeriut ka këtë kapacitet jashtëzakonisht të madh? A ka mundësi që të jemi krijuar për të marrë njohuri përgjithmonë? Si është e mundur që arrijmë ta perceptojmë jetën e përhershme?

Bibla shkruan: «[Perëndia] ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.» (Predikuesi 3:11) Këto fjalë tregojnë se, kur Perëndia na krijoi, nguliti te ne konceptin e jetës së përhershme. Kështu, gjithmonë do të kishim diçka për të mësuar rreth Perëndisë dhe veprave të tij. Nëse do të jetonim miliarda e miliarda vjet, domethënë përgjithmonë, do të ishim në gjendje të mësonim gjithnjë e më shumë për mrekullitë e veprave krijuese të Perëndisë.

Fjalët e Jezu Krishtit tregojnë gjithashtu se jeta e përhershme është e mundur. Ai tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po ti, a dëshiron të jetosh përgjithmonë?

[Figurat në faqen 3]

Huan Ponse de Leoni kërkonte një burim rinie

[Burimi]

Ponse de Leoni: Harper’s Encyclopædia of United States History