Çfarë të lexojmë? Këshilla e mençur e Solomonit
Çfarë të lexojmë? Këshilla e mençur e Solomonit
«SHKRUHEN shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë dhe studimi i tepërt e lodh trupin.» (Predikuesi 12:12) Kur shkroi këto fjalë rreth 3.000 vjet më parë, Solomoni, mbreti i mençur i Izraelit, nuk po thoshte se nuk duhet të lexojmë fare. Në këtë shkrim, ai po i referohej nevojës për të qenë përzgjedhës në atë që lexojmë. Sa i përshtatshëm është në ditët e sotme ky përkujtues, ndërkohë që çdo vit, në të gjithë botën, dalin nga shtypshkronjat miliarda faqe me informacione!
Është e qartë se ‘librat e shumtë’ për të cilët foli Solomoni nuk ishin ndërtues ose ripërtëritës. Kështu që ai argumentonte se dhënia e tepërt pas tyre, në vend që të jetë në dobinë tënde afatgjatë, «e lodh trupin».
Por, a po thoshte Solomoni se nuk ka libra që japin një drejtim të shëndoshë dhe të besueshëm, nga të cilët lexuesi mund të nxjerrë dobi? Jo, sepse ai shkroi edhe këto fjalë: «Fjalët e të urtëve janë si hostenë dhe ato që mbledhin njerëzit e ditur janë si gozhda të ngulura mirë; ato jepen nga një Bari i vetëm.» (Predikuesi 12:11) Vërtet, ka fjalë të shkruara që «si hostenë» mund të nxitin për mirë. Mund ta nxitin dikë që të ecë në rrugën e duhur. Për më tepër, «si gozhda të ngulura», mund ta ndihmojnë dikë që të jetë më i vendosur dhe mund të kenë një ndikim stabilizues.
Ku mund të gjejmë fjalë të tilla të mençura? Sipas Solomonit, ndër fjalët e mençura më të spikatura janë ato që vijnë nga Bariu i vetëm, Jehovai. (Psalmi 23:1) Kështu që, gjëja më e mirë që mund të bëjë një njeri është t’i drejtohet librit të frymëzuar nga Perëndia, Biblës. Një njeri që lexon rregullisht këto fjalë të frymëzuara mund të bëhet «krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë».—2 Timoteut 3:16, 17.