Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E lashë veten nën kujdesin e dashur të Jehovait

E lashë veten nën kujdesin e dashur të Jehovait

Jetëshkrim

E lashë veten nën kujdesin e dashur të Jehovait

TREGUAR NGA ANA DENCI TURPINI

«Eh, moj vajzë, je gjithë ‘pse’!»​—më tha mami duke buzëqeshur. Kur isha e vogël, i mbytja me pyetje prindërit. Por mamaja dhe babai asnjëherë s’më qortuan për kureshtjen time fëmijërore. Përkundrazi, më mësuan të arsyetoj dhe të marr vendime, në bazë të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla. Sa e çmuar ishte për mua kjo stërvitje! Një ditë, kur isha 14 vjeçe, nazistët m’i morën prindërit dhe nuk i pashë më kurrë.

BABAI, Oskar Denci, dhe mamaja, Ana-Maria, jetonin në Lërrah, një qytet gjerman pranë kufirit me Zvicrën. Kur ishin të rinj, ishin marrë me politikë, kështu që njerëzit në qytet i njihnin dhe i respektonin. Por në vitin 1922, pak pasi ishin martuar, prindërit i ndryshuan pikëpamjet për politikën, si edhe synimet në jetë. Mamaja filloi të studionte Biblën me Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, dhe i pëlqeu jashtë mase kur mësoi se Mbretëria e Perëndisë do të sillte paqe në tokë. Jo shumë kohë më pas, babai u bashkua me mamanë në studim dhe filluan të ndiqnin mbledhjet e Studentëve të Biblës. Madje, atë vit, si dhuratë për Krishtlindjet, babai i dha mamasë një libër për studimin e Biblës, Harpa e Perëndisë. Unë linda më 25 mars 1923 dhe isha fëmija i tyre i vetëm.

Sa kujtime të bukura kam për jetën tonë familjare! Gjatë verës bënim shëtitje në Pyllin e Zi, që ishte shumë i qetë. Kur rrinim në shtëpi, mamaja më mësonte punët e shtëpisë. E përfytyroj ende në kuzhinë, ndërsa mbikëqyrte ‘kuzhinieren’ e saj të vogël. Por gjëja më e rëndësishme është se prindërit më mësuan të dua Perëndinë Jehova dhe të kem besim tek ai.

Kongregacioni ynë përbëhej nga 40 lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë. Prindërit e mi ishin veçanërisht të talentuar për të krijuar mundësitë që të flitnin për Mbretërinë. Ngaqë edhe më parë ishin përfshirë në veprimtari shoqërore, ndiheshin rehat me të tjerët dhe njerëzit i pritnin mirë. Kur mbusha shtatë vjeçe, edhe unë doja të predikoja shtëpi më shtëpi. Ditën e parë, motra me të cilën dola më dha ca literaturë, më tregoi një shtëpi dhe më tha: «Shko, shiko nëse i duan këto.» Në vitin 1931 ndoqëm një kongres të Studentëve të Biblës që u mbajt në Bazel të Zvicrës. Aty u pagëzuan prindërit e mi.

Nga trazirat në tirani

Ato ditë në Gjermani kishte shumë trazira, pasi grupe të ndryshme politike bënin përleshje të dhunshme nëpër rrugë me njëri-tjetrin. Një natë më zgjuan ulërimat që vinin nga shtëpia fqinje. Dy adoleshentë kishin vrarë me sfurk vëllanë e tyre të madh, sepse s’kishte të njëjtat pikëpamje politike. Armiqësia ndaj hebrenjve u shtua shumë. Në shkollë, një vajzë qëndronte e vetmuar në një cep, vetëm sepse ishte hebreje. Më vinte shumë keq për të, por nuk e dija se shumë shpejt do ta provoja vetë si ndihesh kur të gjithë i ke armiq.

Më 30 janar 1933, Adolf Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë. Duke qëndruar disi larg, pamë nazistët që me krenari ngritën flamurin me kryqin nazist në bashkinë e qytetit. Në shkollë, mësuesi tërë entuziazëm na mësoi të përshëndetnim «Hail Hitler!». Atë pasdite i tregova babait për këtë. Kjo gjë e trazoi shumë. «S’më pëlqen fare,​—tha.​—‘Hail’ do të thotë shpëtim. Po të thoshim ‘hail Hitler’ do të nënkuptonte se po ia jepnim atij meritën për shpëtimin, jo Jehovait. Nuk mendoj se është e drejtë, por duhet të vendosësh vetë çfarë do të bësh.»

Ngaqë vendosa të mos e bëja përshëndetjen e Hitlerit, shokët e shkollës filluan të më trajtonin si të isha ndonjë e dëbuar. Madje disa djem më qëllonin kur mësuesit s’e kishin mendjen. Pas ca kohësh më lanë rehat, por edhe shoqet e mia më thanë se baballarët ua kishin ndaluar të luanin me mua. Isha tepër e rrezikshme sipas tyre.

Dy muaj pasi morën pushtetin në Gjermani, nazistët i ndaluan Dëshmitarët e Jehovait, duke i quajtur rrezik për shtetin. Skuadrat sulmuese naziste e mbyllën Bethelin në Magdeburg dhe ndaluan mbledhjet tona. Por ngaqë jetonim afër kufirit, babai arriti të merrte një lejekalim që të shkonim në Bazel të Zvicrës, ku ndiqnim mbledhjet e së dielës. Shpesh ai thoshte se do të donte që vëllezërit tanë në Gjermani të merrnin këtë ushqim frymor, i cili do t’i ndihmonte ta përballonin me guxim të ardhmen.

Shëtitje të rrezikshme

Pasi u mbyll zyra në Magdeburg, Julius Rifeli, që kishte punuar në Bethel, erdhi në Lërrah, në vendlindjen e tij, për të organizuar veprën e predikimit në fshehtësi. Menjëherë babai e pyeti nëse mund ta ndihmonte. Pas kësaj, na mori mënjanë mua dhe mamanë, e na shpjegoi se kishte pranuar të ndihmonte për të sjellë literaturë biblike nga Zvicra në Gjermani. Tha se kjo do të ishte shumë e rrezikshme dhe se mund ta arrestonin nga çasti në çast. Prandaj nuk donte të ndiheshim nën presion për t’u përfshirë edhe ne, sepse mund të ishim në rrezik. Menjëherë mamaja iu përgjigj: «Unë jam me ty.» Pastaj të dy u drejtuan nga unë, që u thashë: «Edhe unë jam me ty.»

Mamaja punoi me shtiza një çantë, që kishte përmasat e revistës Kulla e Rojës. E fuste literaturën në një të çarë, në njërën anë të çantës, e pastaj e mbyllte të çarën me shtiza. Bëri xhepa të fshehtë në rrobat e babait dhe dy korse, në të cilat unë dhe mamaja mund të mbanim pa problem libra të vegjël për të studiuar Biblën. Sa herë që arrinim të sillnim me sukses thesarin tonë të fshehtë, psherëtinim të lehtësuar dhe falënderonim Jehovain. Literaturën e fshihnim në çatinë e shtëpisë.

Në fillim nazistët nuk dyshuan fare. As na pyetnin, as na kontrollonin shtëpinë. Gjithsesi, vendosëm të përdornim një kod për të paralajmëruar vëllezërit frymorë po të kishte ndonjë problem: kodi ishte 4711, emri i një livande të famshme. Po të ishte e rrezikshme që të vinin në shtëpi, do t’i njoftonim, duke përdorur në ndonjë mënyrë këtë numër. Babai u tha edhe që, para se të hynin në shtëpi, të shikonin dritaret e dhomës së ndenjes. Në qoftë se dritarja e majtë do të ishte e hapur, do të thoshte se diçka nuk shkonte, prandaj s’duhej të afroheshin.

Në vitin 1936 dhe 1937, Gestapoja bëri arrestime në masë dhe çoi mijëra Dëshmitarë nëpër burgje dhe kampe përqendrimi, ku pësuan trajtimin më mizor e sadist. Zyra e degës në Bernë të Zvicrës, filloi të mblidhte raporte, përfshirë disa që arrinin t’i nxirrnin nga kampet, për të shkruar një libër që kishte titullin Kryqëzatë kundër krishterimit (Kreuzzug gegen das Christentum), ku demaskoheshin krimet e nazistëve. Edhe pse ishte e rrezikshme, i merrnim me vete këto raporte të fshehta për t’i çuar në anën tjetër të kufirit, në Bazel. Po të na kapnin nazistët me ato raporte të ndaluara, do të na burgosnin menjëherë. Sa herë lexoja në këto raporte për torturat që u bënin vëllezërve tanë, qaja. Megjithatë nuk ndieja frikë. Kisha besim se Jehovai dhe prindërit, miqtë e mi më të ngushtë, do të kujdeseshin për mua.

E mbarova shkollën në moshën 14-vjeçare dhe gjeta punë si shitëse në një dyqan me pajisje shtëpiake. Zakonisht udhëtimet si korrierë i bënim të shtunave pasdite ose të dielave, kur babai ishte i lirë nga puna. Në përgjithësi, shkonim çdo dy javë. Nga jashtë dukeshim si shumë familje të tjera që kishin dalë shëtitje në fundjavë, prandaj për rreth katër vjet, rojat e kufirit s’na ndaluan e s’na kontrolluan. Por, kjo vazhdoi deri në shkurt të vitit 1938.

Na zbulojnë!

Nuk do ta harroj kurrë fytyrën e babait kur shkuam te vendi ku duhej të merrnim literaturën, pranë Bazelit, dhe pamë se na priste një sasi e madhe literature. Ngaqë një familje tjetër që shërbente si korriere e kishin arrestuar, duhej të mbanim disa libra më shumë. Në kufi, një rojë dogane na pa me dyshim dhe urdhëroi që të na kontrollonin. Kur gjeti librat, ai na shoqëroi nën tytën e armëve në disa makina policie që po prisnin aty. Ndërkohë që ushtarët u nisën bashkë me ne, babai më shtrëngoi dorën dhe pëshpëriti: «Mos na tradhto. Mos trego asnjë emër!» «Nuk tregoj!»​—e sigurova. Kur mbërritëm në Lërrah, babanë e morën veç. Kur u mbyll pas tij dera e burgut, ishte hera e fundit që e pashë.

Për katër orë, katër agjentë të Gestapos më morën në pyetje, duke më kërkuar t’u thosha emrat dhe adresat e Dëshmitarëve të tjerë. Nuk pranova, kështu që njëri nga ata u zemërua dhe më kërcënoi: «Kemi edhe metoda të tjera që të të bëjmë të flasësh!» Po unë s’nxora asnjë fjalë nga goja. Atëherë më çuan bashkë me mamanë në shtëpi, dhe e kontrolluan shtëpinë për herë të parë. Mamanë e morën me vete, kurse mua më dërguan në shtëpinë e tezes dhe më lanë nën kujdesin e saj, por nuk e dinin se edhe ajo ishte Dëshmitare. Ndonëse më lanë të shkoja në punë, katër agjentë të Gestapos rrinin ulur në makinë, para shtëpisë, që të kontrollonin çdo lëvizje timen, kurse një polic patrullonte trotuarin.

Disa ditë më vonë, në kohën e drekës, dola nga shtëpia dhe pashë një motër të re që po vinte drejt meje me biçikletë. Kur po afrohej, e kuptova se do të më hidhte një copë letër. Sapo kapa letrën, u ktheva për të kontrolluar mos e kishin parë edhe ata të Gestapos. Për çudi, në atë çast asnjë prej tyre s’e kishte kokën nga unë, ngaqë po qeshnin!

Në letrën që më dha motra thuhej se duhej të shkoja te shtëpia e prindërve të saj, pasdreke. Por Gestapoja më ruante, prandaj, si t’ia bëja që të mos i vija në rrezik prindërit e saj? Pashë katër agjentët e Gestapos në makinë dhe pastaj policin që parakalonte poshtë e lart rrugës. Nuk dija ç’të bëja, prandaj iu luta me zjarr Jehovait për ndihmë. Papritur, polici shkoi tek agjentët e Gestapos, se ç’u tha, pastaj hipi në makinë dhe ikën të gjithë.

Pikërisht në atë çast, tezja doli nga kthesa e rrugës. Tashmë kishte kaluar dreka. Ajo e lexoi letrën dhe mendoi se duhej të shkonim menjëherë tek ajo familje siç na kishin udhëzuar, se mos vëllezërit kishin gjetur ndonjë mënyrë që të më çonin në Zvicër. Kur mbërritëm, familja më prezantoi një burrë që s’e njihja, Hajnrih Rejfin. Ai tha se ishte i kënaqur që kisha arritur të shkoja, sepse kishte ardhur të më ndihmonte që të ikja në Zvicër. Më dha gjysmë ore kohë për ta takuar diku në pyll.

Jeta në mërgim

Kur u takova me vëlla Rejfin, i kisha sytë me lot, sepse më dhembte zemra që po i lija prindërit pas. Gjithçka kishte ndodhur kaq shpejt. Pas disa çasteve tërë ankth, u përziem me një grup turistësh dhe e kaluam shëndoshë e mirë kufirin zviceran.

Kur mbërrita në zyrën e degës në Bernë, mora vesh se vëllezërit atje e kishin rregulluar ikjen time. Me dashamirësi më dhanë një vend ku të rrija. Punoja në kuzhinë, që më pëlqente shumë. Por sa e vështirë ishte të jetoja në mërgim, duke mos e ditur ç’do t’u ndodhte prindërve, të cilët ishin dënuar që të dy me nga dy vjet burg! Nganjëherë më pushtonte hidhërimi dhe ankthi, kështu që mbyllesha në banjë dhe qaja. Por m’u dha mundësia t’u shkruaja letra vazhdimisht prindërve dhe ata më nxitën të qëndroja besnike.

E nxitur nga shembulli i prindërve, ia kushtova jetën Jehovait dhe u pagëzova më 25 korrik 1938. Pasi kalova një vit në Bethel, shkova të punoja në Shanelaz, një fermë që zyra e Zvicrës e kishte blerë për të siguruar ushqim për familjen Bethel dhe për të mikpritur vëllezërit që kishin ikur për t’i shpëtuar përndjekjes.

Në vitin 1940, kur prindërit e kishin shlyer dënimin, nazistët u thanë se do t’i linin të lirë, po të mohonin besimin e tyre. Ata nuk pranuan, prandaj i dërguan në kampe përqendrimi, babanë në Dakau, kurse mamanë në Ravensbruk. Në dimrin e vitit 1941, mamaja bashkë me Dëshmitare të tjera që ishin në kamp, nuk pranuan të punonin për ushtrinë. Si ndëshkim, i lanë jashtë në të ftohtë për 3 ditë e 3 net, pas së cilave i mbyllën në qeli të errëta dhe i lanë pothuajse pa ngrënë për 40 ditë. Pastaj i rrahën me kamxhik. Mamaja vdiq më 31 janar 1942, tri javë pas asaj rrahjeje mizore.

Babanë e transferuan nga Dakau në Mathauzen, që ishte në Austri. Në këtë kamp, nazistët i vritnin vazhdimisht të burgosurit, duke i lënë pa bukë dhe duke i vënë në punë tepër të rënda. Por, gjashtë muaj pasi kishte vdekur mamaja, nazistët e vranë babanë në një mënyrë krejt të ndryshme, duke bërë me të eksperimente mjekësore. Mjekët e kampit qëllimisht infektuan me tuberkuloz disa të burgosur, që i përdorën si kavje. Pas kësaj, të burgosurve u bënë një injeksion vdekjeprurës në zemër. Në regjistër ishte shkruar se babai vdiq «nga pamundësia e zemrës». Por ishte veçse 43 vjeç. Këto vrasje mizore i mora vesh muaj më vonë. Kur kujtoj prindërit e mi të dashur, ende më mbushen sytë me lot. Megjithatë, si atëherë, edhe tani, më ngushëllon mendimi se babai dhe mamaja, të cilët kishin shpresën e jetës qiellore, janë të sigurt në duart e Jehovait.

Pas Luftës II Botërore, pata privilegjin të ndiqja klasën e 11-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në Nju-Jork. Sa kënaqësi ishte të zhytesha në studimin e Shkrimeve për pesë muaj! Pas diplomimit në vitin 1948, më caktuan si misionare në Zvicër. Jo shumë kohë më pas takova Xhejms L. Turpinin, një vëlla besnik që ishte diplomuar në klasën e pestë të Galaadit. Kur ishte hapur për herë të parë zyra e degës në Turqi, ai kishte shërbyer si mbikëqyrësi i saj. U martuam në mars të vitit 1951, dhe jo shumë kohë më pas, morëm vesh se do të bëheshim prindër. Shkuam në Shtetet e Bashkuara dhe në dhjetor lindi vajza jonë, Marlina.

Unë dhe Xhimi kemi gjetur shumë kënaqësi në shërbim të Mbretërisë gjatë gjithë këtyre viteve. Më kujtohet me kënaqësi një studente e Biblës, një kineze e re në moshë me emrin Peni, së cilës i pëlqente shumë të studionte Biblën. Ajo u pagëzua dhe më vonë u martua me Gai Piërsin, që tani shërben në Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Këta njerëz që janë të dashur për mua, më kanë ndihmuar të mbush boshllëkun që më shkaktoi vdekja e prindërve.

Në fillim të vitit 2004, vëllezërit në Lërrah, vendlindja e prindërve të mi, ndërtuan një Sallë të re Mbretërie në rrugën Shtih. Në shenjë mirënjohjeje për atë që kishin bërë Dëshmitarët e Jehovait, këshilli i bashkisë së qytetit vendosi t’i vinte një emër tjetër kësaj rruge, Denzstraße (rruga Denc) për nder të prindërve të mi. Gazeta e qytetit, Badische Zeitung, në artikullin me titull «Në shenjë nderimi për çiftin Denc që u vranë: Rruga merr emër të ri», thoshte se prindërit e mi «u vranë në një kamp përqendrimi gjatë Rajhut të Tretë, për shkak të besimit të tyre». Ky veprim që bëri këshilli i bashkisë ishte i papritur për mua, por ama një ndryshim që më ngrohu zemrën.

Babai thoshte gjithnjë se duhet të planifikonim që më përpara, të jetonim jo sikur Harmagedoni do të vinte gjatë jetës sonë, por sikur do të vinte nesër. Kjo ishte një këshillë e çmuar që jam përpjekur ta zbatoj gjithnjë. Të mbash në ekuilibër durimin me pritjen e zjarrtë s’është gjithnjë e lehtë, sidomos tani që problemet e pleqërisë më kanë ngujuar në shtëpi. Megjithatë, asnjëherë s’kam dyshuar në premtimin që Jehovai u bën të gjithë shërbëtorëve të tij besnikë: «Beso te Jehovai me gjithë zemër . . . Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»​—Fjalët e urta 3:5, 6, BR.

[Kutia dhe figura në faqen 29]

FJALË TË SHTRENJTA NGA E KALUARA

Në vitet 80, një grua që jetonte në një fshat disi larg, shkoi në Lërrah për vizitë. Në atë kohë, banorët e qytetit po grumbullonin në një shesh gjërat që s’i donin, dhe të tjerët mund të kontrollonin e të merrnin ç’të donin. Kjo grua gjeti një kuti me sende për të qepur dhe e mori në shtëpi. Pastaj, në fund të kutisë gjeti disa fotografi të një vajze të vogël dhe letra të shkruara nëpër fletë që përdoreshin në kampet e përqendrimit. Kësaj gruaje iu dukën me interes letrat dhe filloi të mendonte kush ishte ajo vajzë e vogël me gërsheta.

Në vitin 2000, kjo grua pa një ditë në gazetë një artikull për një ekspozitë historike që ishte hapur në Lërrah. Artikulli fliste për historinë e Dëshmitarëve të Jehovait gjatë viteve të nazizmit, ku përfshihej edhe familja jonë. Në të kishte edhe fotografi të miat kur isha adoleshente. Kur pa ngjashmërinë në fotografi, gruaja foli me gazetaren dhe i tregoi për letrat. Ishin gjithsej 42. Disa javë më vonë i kisha në duar. Letrat i kishin shkruar prindërit e mi me dorën e tyre, dhe e pyetnin vazhdimisht tezen time për mua. Interesimi i tyre i dashur për mua nuk pushoi kurrë. Është një mrekulli që këto letra mbijetuan dhe dolën përsëri në dritë më shumë se 60 vjet më vonë.

[Figurat në faqen 25]

Kur erdhi në pushtet Hitleri, e ndau me forcë familjen tonë të lumtur

[Burimi]

Hitleri: U.S. Army photo

[Figurat në faqen 26]

1. Zyra e Magdeburgut

2. Gestapoja arrestoi mijëra Dëshmitarë

[Figura në faqen 28]

Unë dhe Xhimi kemi gjetur shumë kënaqësi në shërbim të Mbretërisë