Një përkthim «tejet i mirë»
Një përkthim «tejet i mirë»
SIPAS një përllogaritjeje, nga viti 1952 deri në vitin 1990, janë botuar rreth 55 përkthime të reja në anglisht të Shkrimeve të Krishtere Greke. Për shkak të ndryshimeve në përkthim, nuk ka as edhe dy botime që të jenë njëlloj. Që të përcaktonte se sa e besueshme ishte puna e përkthyesve, Xhejsën Beduni, ndihmës-profesor i studimeve fetare në Universitetin e Arizonës Veriore në Flagstaf të Arizonës, SHBA, analizoi dhe krahasoi saktësinë e tetë përkthimeve kryesore. Në këtë shqyrtim përfshihej edhe Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Cili ishte përfundimi?
Megjithëse nuk ishte dakord me disa gjëra të përkthimit, Beduni e quajti Përkthimin Bota e Re një përkthim «tejet i mirë», «ku e ku më i mirë» dhe «në tërësi më i mirë» se disa nga përkthimet e tjera që u analizuan. Në përgjithësi, përfundoi Beduni, Përkthimi Bota e Re «është një nga përkthimet më të sakta të disponueshme në anglisht të Besëlidhjes së Re» dhe «duke i krahasuar me përkthimet e tjera që u shqyrtuan, ishte më i sakti».—Truth in Translation: Accuracy and Bias in English Translations of the New Testament.
Beduni vërejti gjithashtu se shumë përkthyes kishin qenë nën presion «për të parafrazuar ose për të zgjeruar atë që thotë Bibla sipas dëshirës dhe sipas nevojës së lexuesit modern». Nga ana tjetër, sipas shqyrtimit të Bedunit Përkthimi Bota e Re ndryshon nga të tjerët për shkak se është «më i saktë, duke i përkthyer në mënyrë literale dhe me besnikëri shprehjet origjinale të shkrimtarëve të Besëlidhjes së Re».
Ashtu siç e pranon edhe Komiteti i Përkthimit Bota e Re në parathënien e përkthimit të tyre, «është diçka me përgjegjësi të madhe» të përkthesh Shkrimet e Shenjta nga gjuha origjinale në gjuhën e sotme moderne. Komiteti vazhdon duke thënë: «Përkthyesit e kësaj vepre, që i frikësohen dhe e duan Autorin hyjnor të Shkrimeve të Shenjta, ndiejnë një përgjegjësi të veçantë ndaj Tij, për t’i përcjellë mendimet dhe deklaratat e tij sa më saktë që të jetë e mundur.»
Që kur u botua për herë të parë në vitin 1961, Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta ka dalë në 32 gjuhë dhe në dy botime në Braille. Përveç këtyre, një pjesë e Përkthimit Bota e Re, pra Shkrimet e Krishtere Greke ose «Besëlidhja e Re» ka dalë në 18 gjuhë të tjera dhe një botim në Braille. Ju ftojmë ta lexoni, madje edhe në shqip, këtë përkthim modern dhe «tejet të mirë» të Fjalës së Perëndisë.