Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Pse Jezui i ringjallur i tha Thomait ta prekte, kurse më parë e kishte ndaluar Maria Magdalenën që ta bënte këtë?
Disa përkthime të vjetra të Biblës të lënë përshtypjen sikur Jezui i tha Maria Magdalenës të mos e prekte. Për shembull, te Diodati i Ri fjalët e Jezuit përkthehen: «Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im.» (Gjoni 20:17) Por, folja që është përdorur në gjuhën origjinale greke, e cila zakonisht përkthehet «prek», do të thotë edhe «të ngjitesh pas, t’i varesh pas, të kapësh, të mbash». Është e arsyeshme të mendojmë se Jezui s’po e kundërshtonte vetëm për prekjen Maria Magdalenën, sepse i lejoi disa gra të tjera që ishin te varri ‘ta zinin nga këmbët’.—Mateu 28:9.
Shumë përkthime të sotme, si Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke, na ndihmojnë të kapim kuptimin e vërtetë të fjalëve të Jezuit, sepse i përkthejnë kështu: «Mos m’u ngjit më pas.» Pse Jezui i tha këto fjalë Maria Magdalenës, e cila e kishte shoqëruar për shumë kohë?—Luka 8:1-3.
Me sa duket, Maria Magdalena kishte frikë se mos Jezui largohej dhe ngjitej në qiell. E shtyrë nga dëshira për të qenë me Zotërinë e saj, ajo po i rrinte nga pas Jezuit, duke mos e lënë të shkonte. Për ta siguruar se ende s’i kishte ardhur koha të ikte, Jezui i tha Marisë të mos i ngjitej nga pas, por të shkonte e t’ua thoshte dishepujve lajmin për ringjalljen e tij.—Gjoni 20:17.
Biseda ndërmjet Jezuit dhe Thomait ishte diçka tjetër. Thomai nuk ishte kur Jezui iu shfaq disa dishepujve. Më vonë, ai shprehu dyshime për ringjalljen e Jezuit, duke thënë se nuk do ta besonte, po të mos shihte plagët e gozhdëve te Jezui dhe t’i vinte dorën në ijë, ku e kishin shpuar. Tetë ditë më vonë, Jezui iu shfaq përsëri dishepujve. Kësaj radhe Thomai ishte aty dhe Jezui i tha t’i prekte plagët.—Gjoni 20:24-27.
Pra, në rastin e Maria Magdalenës, Jezui kishte të bënte me një dëshirë të gabuar për ta penguar atë që të largohej, kurse në rastin e Thomait, Jezui po ndihmonte dikë që kishte dyshime. Në të dyja rastet Jezui kishte arsye të vlefshme për të vepruar në atë mënyrë.