Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për alkoolin

Të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për alkoolin

Të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për alkoolin

«Vera sjell tallje dhe pija dehëse e bën njeriun të zhurmshëm. Kushdo që e humbet rrugën prej saj nuk është i mençur.»​—PROVERBAT 20:1, BR.

1. Si e shprehu psalmisti mirënjohjen për disa nga dhuratat e mira të Jehovait?

«ÇDO dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore»,​—shkroi dishepulli Jakov. (Jakovi 1:17) Mirënjohës për dhuratat e shumta të mira nga Perëndia, psalmisti këndoi: «Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij, dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra e tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.» (Psalmi 104:14, 15) Vera dhe pijet e tjera alkoolike, ashtu si edhe bimësia, buka e vaji, janë dhurata të mira nga Perëndia. Atëherë, si duhet t’i përdorim?

2. Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë për alkoolin?

2 Një dhuratë e këndshme është e mirë vetëm kur përdoret siç duhet. Për shembull, mjalti «është i mirë», por «të hash shumë mjaltë nuk është mirë». (Fjalët e urta [Proverbat] 24:13; 25:27) Edhe pse të pish «pak verë» mund të jetë e pranueshme, teprimi në të pirë është një problem i rëndë. (1 Timoteut 5:23) Bibla paralajmëron: «Vera sjell tallje dhe pija dehëse e bën njeriun të zhurmshëm. Kushdo që e humbet rrugën prej saj nuk është i mençur.» (Proverbat 20:1, BR) Por, çfarë do të thotë të humbësh rrugën prej alkoolit? * Kur kalohet në teprim? Cila është pikëpamja e ekuilibruar në këtë drejtim?

Si ‘humbet rruga’ prej alkoolit?

3, 4. (a) Çfarë tregon se Bibla e dënon pirjen deri në dehje? (b) Cilat janë disa simptoma të dehjes?

3 Në Izraelin e lashtë, kur një djalë ishte grykës i papenduar dhe pijanec, duhej vrarë me gurë. (Ligji i përtërirë 21:18-21) Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Të mos përziheni më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, i cili është kurvar, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as të mos hani me një njeri të tillë.» Është e qartë se Shkrimet e dënojnë pirjen e alkoolit deri në dehje.​—1 Korintasve 5:11; 6:9, 10.

4 Duke përshkruar simptomat e dehjes, Bibla thotë: «Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë! Në fund ajo kafshon si gjarpër dhe shpon si një kuçedër. Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.» (Fjalët e urta 23:31-33) Teprimi në të pirë është tamam si kafshimi i një gjarpri helmues, pasi shkakton sëmundje, pështjellim mendor, e madje edhe humbje të ndjenjave. I dehuri shikon «gjëra të çuditshme» në kuptimin që mund të ketë halucinacione ose të shpikë gjëra. Gjithashtu e lëshon gjuhën duke shprehur mendime dhe dëshira të çoroditura që normalisht njerëzit i ndrydhin.

5. Pse është i dëmshëm teprimi me alkoolin?

5 Po sikur një njeri të pijë alkool, por të bëjë kujdes që të mos duket i dehur në sytë e të tjerëve? Disa njerëz nuk shfaqin shenja të dehjes, edhe pasi kanë pirë shumë. Megjithatë, të mendosh se kjo mënyrë të vepruari s’është e dëmshme, do të thotë të mashtrosh veten. (Jeremia 17:9) Dalëngadalë, por gjithnjë e më shumë, një njeri mund të bëhet i varur ndaj alkoolit dhe ‘skllav i verës së shumtë’. (Titit 2:3) Shkrimtarja Karolina Nap shpjegon se si bëhet alkoolist një njeri: «Është një proces i ngadalshëm, gradual, tinëzar dhe i vështirë për t’u kuptuar.» Sa kurth të rrezikshëm që ngre teprimi në të pirë!

6. Pse duhet shmangur teprimi si me alkoolin, ashtu edhe me ushqimin?

6 Të mendojmë edhe për paralajmërimin e Jezuit: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga e ngrëna e tepërt, nga e pira e tepërt e nga ankthet e jetës dhe befas ajo ditë të bjerë në çast mbi ju si një lak. Sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në faqen e mbarë tokës.» (Luka 21:34, 35) S’është e nevojshme që pirja të arrijë deri në dehje për ta bërë një njeri të përgjumur dhe dembel, fizikisht dhe frymësisht. Po sikur dita e Jehovait ta zërë këtë njeri në gjendje të tillë?

Ku mund të çojë teprimi në të pirë?

7. Pse teprimi në të pirë nuk është në përputhje me udhëzimin e dhënë te 2 Korintasve 7:1?

7 Përdorimi pa masë i alkoolit e vë një njeri para shumë rreziqeve, në kuptimin fizik e frymor. Ndër sëmundjet që shkakton teprimi me alkoolin janë: cirroza e mëlçisë, hepatiti alkoolik, si edhe çrregullime nervore, siç është kllapia nga dehja. Veç kësaj, përdorimi i tepruar i alkoolit për një kohë të gjatë mund të çojë në kancer, diabet dhe disa sëmundje të zemrës e të stomakut. Duket qartë se të abuzosh me alkoolin nuk është në përputhje me udhëzimin e Shkrimeve: «Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, duke e përsosur shenjtërinë në frikën e Perëndisë.»​—2 Korintasve 7:1.

8. Çfarë pasojash mund të sjellë kur e tepron me alkoolin, sipas Proverbave 23:20, 21?

8 Të abuzosh me alkoolin mund të çojë edhe në shpërdorimin e të ardhurave e madje në humbjen e punës. Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë paralajmëroi: «Mos rri me ata që pijnë verë me tepri, mes atyre që s’kanë të ngopur me mish.» Pse? Ai shpjegoi: «Sepse pijaneci dhe grykësi do të bien në varfëri, dhe përgjumja e vesh njeriun me lecka.»​—Proverbat 23:20, 21, BR.

9. Pse është mirë që një njeri të mos pijë fare alkool, kur duhet të ngasë makinën?

9 Duke treguar edhe një rrezik tjetër, një enciklopedi thotë: «Nga studimet ka dalë se alkooli shkakton uljen e aftësisë për t’i dhënë makinës, ku përfshihet: koha e reagimit, koordinimi, vëmendja, vetëdija pamore dhe gjykimi.» (The Encyclopedia of Alcoholism) Pasojat që vijnë kur njerëzit pinë alkool dhe pastaj ngasin makinën janë shkatërrimtare. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, çdo vit dhjetëra mijë veta vdesin dhe qindra mijë plagosen në aksidente automobilistike që lidhen me alkoolin. Të rinjtë janë veçanërisht të prekshëm nga ky rrezik, sepse kanë më pak përvojë si me makinën, ashtu edhe me alkoolin. A mund t’i japë makinës dikush pasi ka pirë disa gota radhazi, e në të njëjtën kohë të thotë se e respekton jetën si dhuratë nga Perëndia Jehova? (Psalmi 36:9) Duke mbajtur parasysh shenjtërinë e jetës, është më mirë që ai të mos pijë fare alkool, kur duhet t’i japë makinës.

10. Si mund të ndikojë në mendje alkooli dhe përse është e rrezikshme kjo?

10 Teprimi në të pirë i dëmton njerëzit jo vetëm fizikisht, por edhe frymësisht. «Vera dhe mushti të lënë pa mend»,​—thotë Bibla. (Osea 4:11) Alkooli ndikon në mendje. Në një botim të Institutit Kombëtar të SHBA-së për Abuzimin me Drogën, thuhet: «Kur dikush pi një gotë, alkooli përvetësohet nga sistemi tretës dhe hyn në gjak, duke arritur shpejt në tru. Pastaj fillon të ngadalësojë ato pjesë të trurit që kontrollojnë të menduarit dhe ndjenjat. Ai njeri ndihet më i shpenguar, më i lirë.» Në gjendje të tillë, ka më shumë të ngjarë ‘ta humbim rrugën’, të sillemi tepër lirshëm me njerëz të seksit tjetër dhe ta vëmë veten para shumë tundimeve.​—Fjalët e urta 20:1.

11, 12. Çfarë dëmesh frymore mund të vijnë nga përdorimi pa masë i alkoolit?

11 Për më tepër, Bibla urdhëron: «Nëse jeni duke ngrënë ose duke pirë, apo nëse jeni duke bërë diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.» (1 Korintasve 10:31) A është e mundur që pirja e alkoolit në sasi të mëdha t’i sjellë lavdi Perëndisë? S’ka dyshim se një i krishterë nuk dëshiron të njihet nga të tjerët si pijanec. Kjo s’do t’i sillte lavdi emrit të Jehovait, por sharje.

12 Mendo pastaj sikur mungesa e maturisë së një të krishteri lidhur me alkoolin të pengojë një bashkëbesimtar, ndoshta një dishepull të ri. (Romakëve 14:21) Jezui paralajmëroi: «Kushdo që pengon një nga këta të vegjël që tregojnë besim tek unë, për të është më e dobishme t’i varet rreth qafës një gur mulliri, si ai që rrotullohet nga një gomar, e të fundoset në detin e paanë.» (Mateu 18:6) Të pish me tepri mund të sjellë si pasojë edhe humbjen e privilegjeve në kongregacion. (1 Timoteut 3:1-3, 8) Po ashtu, s’duhen anashkaluar as problemet që mund të shkaktojë në familje ky teprim me alkoolin.

Si t’i shmangim rreziqet?

13. Çfarë është kryesore për të shmangur abuzimin me alkoolin?

13 Për të shmangur rreziqet e abuzimit me alkoolin, kryesorja është të dimë ku është kufiri ynë: jo kufiri midis teprimit dhe dehjes, por kufiri midis pirjes me karar dhe teprimit. Kush mund ta përcaktojë se sa do të ishte një sasi e përkorë alkooli për ty dhe sa do të përbënte teprim? Meqë përfshihen shumë faktorë, s’ka ndonjë rregull të rreptë se kur pirja kalon në teprim. Secili duhet ta dijë vetë cili është kufiri për të dhe të qëndrojë brenda këtij kufiri. Çfarë do të të ndihmojë që të përcaktosh se çfarë mund të jetë tepër për ty? A ka ndonjë parim që të të drejtojë?

14. Cili parim na drejton për të përcaktuar kufirin midis maturisë në të pirë dhe pirjes me tepri?

14 Bibla thotë: «Mbaje diturinë dhe të menduarit. Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.» (Fjalët e urta 3:21, 22) Pra, parimi që na drejton është: çfarëdo sasie alkooli që të dëmton gjykimin dhe të mpin aftësinë për të menduar është tepër për ty. Por, kujdes: duhet të jesh i ndershëm me veten për të kuptuar cili është kufiri yt!

15. Në cilat raste edhe një gotë alkool mund të jetë e tepërt?

15 Në disa raste, edhe një gotë mund të jetë tepër. Për të mos rrezikuar foshnjën që ka në bark, një grua shtatzënë mund të vendosë të mos pijë fare. Po ashtu, a s’do të ishte veprim i dashur të mos pinim në sy të dikujt që ka pasur probleme me alkoolin ose që ndërgjegjja nuk ia lejon pijen? Jehovai i urdhëroi ata që kryenin detyrat priftërore në tabernakull: «Mos pini verë, as pije dehëse . . . kur do të hyni në çadrën e mbledhjes, që të mos vdisni.» (Levitiku 10:8, 9) Prandaj, mos pini pije alkoolike para mbledhjeve të krishtere, kur jeni në shërbim dhe kur po merreni me përgjegjësi të tjera frymore. Për më tepër, në ato vende ku është e ndaluar të pish alkool ose u lejohet vetëm atyre që kanë arritur një moshë të caktuar, duhet treguar respekt për ligjet e vendit.​—Romakëve 13:1.

16. Si duhet ta përcaktojmë se çfarë të bëjmë kur na ofrojnë pije alkoolike?

16 Kur të ofrojnë një pije alkoolike, pyetja e parë që duhet t’i bësh vetes është: ‘A është e nevojshme të pi?’ Nëse vendos të pish, mbaj të qartë në mendje kufirin që ke ti si individ dhe mos e kalo atë kufi. Mos u ndiko nga bujaria e atij që të ka ftuar e që të ofron pije. Veç kësaj, ruhu nga pijet që ofrohen falas nëpër raste të tilla si dasmat. Në shumë vende, fëmijët lejohen të pinë alkool. Është përgjegjësi e prindërve t’i mësojnë fëmijët për përdorimin e alkoolit dhe të kontrollojnë veprimet e tyre në këtë aspekt.​—Fjalët e urta 22:6.

Mund t’ia dalësh mbanë

17. Çfarë na ndihmon të kuptojmë nëse është një problem për ne teprimi me alkoolin apo jo?

17 A është një problem për ty përdorimi i tepërt i verës ose i pijeve të tjera alkoolike? Për një gjë duhet të jesh i sigurt: nëse teprimi me alkoolin po të bëhet një mëkat i fshehtë, herët a vonë do të dalë në shesh. Prandaj bëj një vetëshqyrtim të ndershëm e të hollësishëm. Bëji vetes pyetje zhbiruese të tilla, si: ‘A po pi më shpesh se më parë? A po përdor pije gjithnjë e më të forta? A pi për të ikur nga shqetësimet, nga stresi ose nga problemet? A është shprehur ndonjë familjar ose mik se është i shqetësuar që unë po pi? A më ka shkaktuar pija probleme në familje? A e kam të vështirë të rri pa pirë alkool një javë, një muaj ose disa muaj? A ua fsheh të tjerëve sa verë ose sa alkool pi?’ Po në rast se përgjigjja për disa nga këto pyetje të jetë po? Mos ji si ai njeri që ‘shikon në pasqyrë fytyrën me të cilën ka lindur dhe menjëherë harron se ç’lloj njeriu është’. (Jakovi 1:22-24) Bëj diçka për ta ndrequr problemin. Po çfarë mund të bësh?

18, 19. Si mund ta ndalim përdorimin pa masë të alkoolit?

18 Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Mos u dehni me verë, në të cilën ka shfrenim, por vazhdoni të mbusheni me frymë.» (Efesianëve 5:18) Vendos se cila sasi alkooli do të ishte e tepërt për ty dhe vër kufijtë e duhur. Vendos në zemrën tënde të mos i kalosh këta kufij dhe ushtro vetëkontroll. (Galatasve 5:22, 23) A ke shokë që të bëjnë presion të pish me tepri? Ruhu prej tyre. Bibla thotë: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.»​—Fjalët e urta 13:20.

19 Në qoftë se po e përdor alkoolin për të ikur nga ndonjë problem, dili problemit ballë për ballë. Problemet mund të zgjidhen, duke zbatuar këshillat nga Fjala e Perëndisë. (Psalmi 119:105) Mos ngurro të kërkosh ndihmën e ndonjë plaku të krishterë tek i cili ke besim. Përdori siç duhet masat që ka marrë Jehovai për të na ndërtuar frymësisht. Forcoje marrëdhënien që ke me Perëndinë. Lutju rregullisht atij, sidomos për dobësinë që ke. Përgjëroju Perëndisë ‘të të rafinojë veshkat dhe zemrën’. (Psalmi 26:2, BR) Siç u trajtua në artikullin e mëparshëm, bëj çmos të ecësh në udhën e integritetit.

20. Çfarë masash mund të të duhet të marrësh për të përballuar një problem të vazhdueshëm me teprimin në të pirë?

20 Po sikur problemi me pirjen e tepërt të vazhdojë, pavarësisht nga përpjekjet që bën? Atëherë duhet të ndjekësh këshillën e Jezuit: «Sikur dora jote të të bëjë të pengohesh, prite; për ty është shumë më mirë të hysh në jetë i gjymtuar, sesa të shkosh me dy duar në Gehenë.» (Marku 9:43) Pra përgjigjja është: mos pi fare. Kështu vendosi të bënte një grua, që po e quajmë Irena. Ajo thotë: «Pasi kalova dy vjet e gjysmë pa vënë fare alkool në gojë, fillova të mendoja se një gotë s’do të më bënte gjë, vetëm sa për të parë si do të reagoja. Por, që nga ai çast, sa herë që filloj të mendoj kështu, menjëherë i lutem Jehovait. Jam e vendosur të mos pi fare pije alkoolike, derisa të vijë sistemi i ri, po ndoshta edhe më vonë.» Të mos pish fare alkool nuk është një çmim tepër i lartë, po të mendosh jetën në botën e re dhe të drejtë të Perëndisë.​—2 Pjetrit 3:13.

‘Vraponi në mënyrë të tillë që ta fitoni çmimin’

21, 22. Cila gjë mund të na pengojë të arrijmë vijën e finishit në garën për jetën, e si ta shmangim këtë pengesë?

21 Duke e krahasuar jetën e një të krishteri me një garë, apostulli Pavël tha: «A nuk e dini se në një garë vrapojnë të gjithë vrapuesit, por vetëm një e merr çmimin? Vraponi në mënyrë të tillë që ta fitoni. Për më tepër, çdokush që merr pjesë në një garë, ushtron vetëkontroll në çdo gjë. Tani, ata natyrisht që e bëjnë këtë për të marrë një kurorë të prishshme, por ne një të paprishshme. Prandaj, mënyra në të cilën vrapoj nuk është e pasigurt; mënyra se si i drejtoj goditjet është e atillë që të mos jem duke goditur ajrin; por e rrah me grushta trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar.»​—1 Korintasve 9:24-27.

22 Çmimin e fitojnë vetëm ata që e mbarojnë me sukses garën. Në garën tonë për jetën, abuzimi me alkoolin mund të na pengojë që të arrijmë vijën e finishit. Duhet të ushtrojmë vetëkontroll. Të vrapojmë në mënyrë të sigurt kërkon që të mos jepemi pas ‘teprimeve në verë’. (1 Pjetrit 4:3) Përkundrazi, duhet të ushtrojmë vetëkontroll në gjithçka. Për sa u përket pijeve alkoolike, do të bëjmë mirë «të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe devocion hyjnor».​—Titit 2:12.

[Shënimi]

^ par. 2 Në këtë artikull, kur përmendet «alkooli», përfshihet birra, vera dhe pije të tjera alkoolike.

A ju kujtohet?

• Çfarë do të thotë ta teprosh në të pirë?

• Çfarë dëmesh vijnë kur abuzojmë me alkoolin?

• Si t’i shmangësh rreziqet e përdorimit të tepërt të alkoolit?

• Si mund ta zgjidhë një njeri problemin e abuzimit me alkoolin?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 19]

Vera ‘ia gëzon zemrën njeriut’

[Figura në faqen 20]

Duhet të dimë cili është kufiri për ne dhe të qëndrojmë brenda këtij kufiri

[Figura në faqen 21]

Vendose që më përpara ku duhet të ndalosh

[Figura në faqen 22]

Lutju rregullisht Jehovait për dobësitë e tua

[Figura në faqen 23]

Prindërit kanë përgjegjësinë t’i udhëzojnë fëmijët për përdorimin e alkoolit