Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tipar dallues i njeriut

Tipar dallues i njeriut

Tipar dallues i njeriut

Xhodi ka një biznes, merret me shitje pronash. Një herë po ndihmonte një grua që të seleksiononte dhe të shiste sendet e shtëpisë së motrës së saj që kishte vdekur. Duke kontrolluar në anë të një oxhaku të vjetër, gjeti dy kuti të vjetra me pajisje peshkimi. Kur i hapi, nuk mund t’u besonte syve. Brenda kishte tufa me kartëmonedha 100-dollarëshe të mbështjella me letër alumini. Gjithsej ishin 82.000 dollarë në para të thata. Në dhomë nuk kishte njeri tjetër. Çfarë të bënte? Ta merrte kutinë pa bërë zë apo t’i tregonte klientes se i kishte gjetur ato para?

DILEMA e Xhodit nxjerr në pah një nga tiparet që na bën të ndryshëm nga kafshët. Në një enciklopedi thuhet: «Një nga tiparet e veçanta të njerëzve është aftësia për të bërë pyetje të thella, nëse duhet apo nuk duhet të bëjë diçka.» (The World Book Encyclopedia) Kur një qen i uritur gjen një copë mishi mbi një tavolinë pikniku, zor se do të mendohej dy herë para se ta hante. Kurse Xhodi e ka aftësinë për të peshuar nëse vendimi i tij është i drejtë ose i gabuar. Po t’i mbajë për vete paratë, kjo është vjedhje, por nuk rrezikon të kapet. Edhe pse klientja e tij nuk e ka idenë që ato ekzistojnë, paratë nuk i përkasin atij. Përveç këtyre, shumë njerëz në vendin ku jeton Xhodi do ta merrnin për budalla në qoftë se do t’ia jepte paratë klientes.

Çfarë do të bëje ti në vendin e Xhodit? Përgjigjja jote varet nga etika ose normat e sjelljes që ke zgjedhur për të të drejtuar në jetë.

Çfarë është etika?

«Etika» është përshkruar si «shkenca që studion moralin, normat e sjelljes së njerëzve». Autori Erik Xh. Iston thotë: «Fjalët ‘etikë’ dhe ‘moral’ kanë të njëjtin kuptim bazë. E para vjen nga fjala greke (ethikos), ndërsa e dyta nga fjala latine (moralis), dhe të dyja i referohen ndikimit që ushtron zakoni dhe tradita.»

Për një kohë të gjatë, ka qenë feja ajo që në përgjithësi ka përcaktuar normat e etikës me të cilat njerëzit ecin në jetë. Fjala e Perëndisë, Bibla, ka ushtruar ndikimin e saj në shumë shoqëri. Megjithatë, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në mbarë botën nuk i pranon më disa norma fetare, sepse i konsiderojnë si jo praktike dhe kodin moral të Biblës si të vjetëruar. Po çfarë e ka mbushur këtë boshllëk? Në librin Etika në jetën e biznesit (anglisht) shkruhet se «arsyeja njerëzore ka . . . mposhtur autoritetin që më parë i takonte fesë». Në vend që t’u drejtohen burimeve fetare, shumë njerëz kërkojnë drejtim nga ekspertët laikë që merren me studimet e etikës. Specialisti i bioetikës Pol Meknill thotë: «Mendoj se specialistët e etikës janë bërë priftërinj laikë. . . . Njerëzit tani drejtohen nga etika, ashtu si një herë e një kohë drejtoheshin nga feja.»

Ku bazohesh për të dalluar të drejtën nga e gabuara, kur duhet të marrësh vendime të vështira? A lejon që t’i vendosë Perëndia normat e tua të etikës apo i vendos vetë?