Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

Ç’mund të bëjë një i krishterë përballë lodhjes emocionale dhe frymore?

Duhet të zbulojmë shkakun e lodhjes. Mund të nxjerrim dobi duke rishqyrtuar zakonet që kemi dhe gjërat që zotërojmë, duke hequr çdo peshë të panevojshme. Mund të vëmë synime realiste, në përputhje me rrethanat tona. Kujdesi për shëndetin frymor është i rëndësishëm dhe duhet të përfshijë lutjet dhe meditimin në mënyrë të rregullt.​—15/8, faqet 23-26.

Pse Dëshmitarët e Jehovait thonë se numri 144.000 është numër i mirëfilltë dhe jo simbolik?

Pasi apostullit Gjon iu tregua për 144.000-ët, ai pa ‘një shumicë të madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte’. (Zbulesa 7:4, 9) Nëse numri 144.000 do të ishte simbolik, kontrasti midis këtyre grupeve do të humbiste. Jezui foli për ata që do të sundojnë me të duke i quajtur «kope e vogël». (Luka 12:32)​—1/9, faqja 30.

Pse një izraelit mund t’ia shiste një të huaji një kafshë të ngordhur që e kishte gjakun brenda?

Një banor i huaj apo një i ardhur që nuk bëhej prozelit nuk ishte nën Ligj. Prandaj nuk ishte e ndaluar që një izraelit t’u jepte ose t’u shiste të huajve një kafshë të tillë. (Ligji i përtërirë 14:21) Por një prozelit ishte nën Ligj dhe nuk do ta hante mishin e një kafshe të tillë që s’i ishte hequr gjaku. (Levitiku 17:10)​—15/9, faqja 26.

Çfarë është biomimetika dhe pse mund të jetë me interes për të krishterët?

Biomimetika është ajo fushë e shkencës që përpiqet të kopjojë projektet që gjenden në natyrë. Për shembull, vëllezërit Rait projektuan aeroplanin pasi studiuan fluturimin e zogjve të mëdhenj. Prandaj biomimetika mund ta nxitë një të krishterë që t’i japë lavdi Krijuesit.​—1/10, faqja 9.

Kush ishte ai që përmendet te 2 Korintasve 12:2-4, që u rrëmbye në parajsë?

Kjo pjesë vjen menjëherë pas vargjeve ku Pavli po mbronte të drejtën e tij si apostull. Meqenëse Bibla nuk flet për ndonjë njeri tjetër që pati këtë përvojë dhe meqë Pavli është i vetmi që na tregon për të, ka të ngjarë që këtë vegim ta ketë pasur vetë Pavli.​—15/10, faqja 8.

Cilat janë disa nga cilësitë e Jezuit që e bënin të aftë për të shërbyer si Udhëheqës i zgjedhur nga Perëndia?

Jezui tregoi ndershmëri të përsosur duke u sjellë me drejtësi. I ishte kushtuar plotësisht Perëndisë. Interesohej thellësisht për njerëzit dhe ishte i gatshëm për të punuar.​—1/11, faqet 6 dhe 7.

Ku do të jenë demonët gjatë Mijëvjeçarit?

Mund të arrijmë në një përfundim logjik se gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, demonët do të jenë në humnerë bashkë me Satanain. (Zbulesa 20:1-3) Te Zanafilla 3:15 parathuhej shtypja e kokës së gjarprit, përfshin mbylljen e tij në humnerë gjatë Mijëvjeçarit. Fara e gjarprit përbëhet nga engjëjt e ligj ose siç quhen ndryshe, demonët. Fakti që ata kanë treguar frikë për humnerën tregon se janë të vetëdijshëm për këtë mbyllje të ardhshme në të. (Luka 8:31)​—15/11, faqet 30 dhe 31.

Pse një njeri duhet të jetë i matur me pijet alkoolike, edhe sikur të bëjë kujdes që të mos pijë derisa të duket i dehur?

Disa njerëz nuk shfaqin shenja të dehjes edhe pasi kanë pirë shumë. Megjithatë, dalëngadalë një njeri mund të bëhet i varur ndaj alkoolit dhe ‘skllav i verës së shumtë’. (Titit 2:3) Jezui paralajmëroi që të mos na ‘rëndohen zemrat nga e ngrëna e tepërt dhe nga e pira e tepërt’. (Luka 21:34, 35) S’është e nevojshme që pirja të arrijë deri në dehje për ta bërë një njeri të përgjumur dhe dembel, fizikisht dhe frymësisht.​—1/12, faqet 19-21.