Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Aty ku u përplasën adhurimi i vërtetë me paganizmin

Aty ku u përplasën adhurimi i vërtetë me paganizmin

Aty ku u përplasën adhurimi i vërtetë me paganizmin

RRËNOJAT e Efesit të lashtë, në bregun perëndimor të Turqisë, kanë qenë objekt i kërkimeve të shumta arkeologjike për më shumë se një shekull. Disa prej ndërtesave janë restauruar, dhe shkencëtarët kanë studiuar dhe shpjeguar shumë zbulime. Ja përse, Efesi është një nga vendet turistike më të preferuara të Turqisë.

Çfarë është zbuluar për Efesin? Çfarë tabloje mund të krijohet sot nga ai metropol i lashtë mahnitës? Një vizitë në rrënojat e Efesit dhe në Muzeun e Efesit në Vjenë, Austri, do të na ndihmojë të kuptojmë se si në Efes u përplasën adhurimi i vërtetë me paganizmin. Në fillim, le të shikojmë pak të kaluarën e Efesit.

Një vend që lakmohej

Gjatë shekullit të 11 p.e.s., Eurazia karakterizohej nga lufta dhe mërgimi. Pikërisht në këtë kohë, jonët grekë filluan të kolonizonin vendet e bregut perëndimor të Azisë së Vogël. Këta pushtues të hershëm hasën me njerëz që njiheshin për adhurimin e perëndeshës së nënave, një hyjneshë që më vonë do të njihej si Artemisa efesiane.

Në mesin e shekullit të 7 p.e.s., simerianët nomadë erdhën nga veriu nëpërmjet Detit të Zi për të plaçkitur Azinë e Vogël. Më vonë, rreth vitit 550 p.e.s., erdhi në fuqi Kresi, mbreti i Lidisë, një sundimtar i fuqishëm që shquhej për pasuritë e tij. Me zgjerimin e Perandorisë Perse, mbreti Kir nënshtroi qytetet e jonëve, përfshirë edhe Efesin.

Në vitin 334 p.e.s., Aleksandri i Maqedonisë filloi fushatën e tij kundër Persisë, duke u bërë kështu sundimtari i ri i Efesit. Pas vdekjes së parakohshme të Aleksandrit, në vitin 323 p.e.s., Efesi u përfshi në një betejë që u zhvillua ndërmjet gjeneralëve të tij. Në vitin 133 p.e.s., Atali III, mbreti pa trashëgimtar i Pergamit, ia la Romës si trashëgimi Efesin, duke e bërë kështu pjesë të provincës romake të Azisë.

Adhurimi i vërtetë përplaset me paganizmin

Kur apostulli Pavël arriti në Efes, nga fundi i udhëtimit të dytë misionar në shekullin e parë të erës sonë, ky qytet kishte rreth 300.000 banorë. (Veprat 18:19-21) Gjatë udhëtimit të tretë misionar, Pavli u kthye në Efes dhe, këtë herë në sinagogë, foli me më shumë guxim për Mbretërinë e Perëndisë. Por, pas tre muajsh, kundërshtimi nga ana e judenjve u rrit, kështu ai vendosi t’i mbante fjalimet e përditshme në shkollën e Tiranit. (Veprat 19:1, 8, 9) Për dy vjet rresht, Pavli predikoi dhe në të njëjtën kohë kreu mrekulli të jashtëzakonshme, si për shembull, shëroi njerëz dhe dëboi demonë. (Veprat 19:10-17) Ja përse, disa u bënë besimtarë. Po, fjala e Jehovait forcohej, kështu që një numër i madh i atyre që më parë praktikonin artet magjike, dogjën vullnetarisht librat e tyre tepër të kushtueshëm.​—Veprat 19:19, 20.

Predikimi i suksesshëm i Pavlit jo vetëm që shtyu shumë njerëz të hiqnin dorë nga adhurimi i perëndeshës Artemisë, por në të njëjtën kohë u ndezi zemërimin atyre që e përkrahnin këtë adhurim pagan. Ndërtimi i faltoreve prej argjendi në nder të Artemisës ishte një biznes fitimprurës. Meqenëse tregtia e tyre ishte në rrezik, një burrë me emrin Dhimitër nxiti argjendarët të ngriheshin në revoltë.​—Veprat 19:23-32.

Trazira arriti kulmin kur, për dy orë rresht, turma bërtiste me tërbim: «E madhe është Artemisa e efesianëve!» (Veprat 19:34) Pasi trazira u fashit, Pavli u dha edhe një herë kurajë të bashkëkrishterëve dhe vazhdoi udhëtimin. (Veprat 20:1) Megjithatë, nisja e tij për në Maqedoni nuk e ndaloi rënien, tashmë të sigurt, të kultit të Artemisës.

Tempulli i Artemisës lëkundet

Kulti i Artemisës kishte lëshuar rrënjë të thella në Efes. Para kohës së mbretit Kres, Cibela, Nëna e perëndive, ishte hyjnesha kryesore që adhurohej në vend. Duke krijuar një lidhje gjenealogjike midis mitit të Cibelës dhe mitit të perëndive greke, Kresi shpresonte të krijonte një figurë fetare të pranueshme si për grekët, ashtu edhe për ata që nuk ishin grekë. Me mbështetjen e tij, aty nga mesi i shekullit të gjashtë p.e.s., filloi puna për ngritjen e tempullit të Artemisës, pasueses së Cibelës.

Ndërtimi i këtij tempulli ishte një ngjarje e shënuar në arkitekturën greke. Kurrë më parë nuk ishin përdorur blloqe kaq të mëdha mermeri për të ngritur një ndërtesë të këtij lloji dhe të kësaj madhësie. Ky tempull u dogj në vitin 356 p.e.s. Tempulli i rindërtuar, po aq i mrekullueshëm sa i pari, kishte një pamje tepër tërheqëse për pelegrinët dhe ofronte shumë vende pune. I ngritur mbi një platformë rreth 73 metra të gjerë e 127 metra të gjatë, ky tempull ishte afërsisht 50 metra i gjerë dhe 105 metra i gjatë. Ai konsiderohej si një nga shtatë mrekullitë e botës. Megjithatë, jo të gjithë ishin të kënaqur për këtë tempull. Herakliti, një filozof efesian, e krahasoi rrugën e errët të hyrjes për në altarin e tempullit me errësirën e poshtërsive, dhe moralin brenda tempullit e konsideronte më të ulët se sjelljen e kafshëve të egra. Për shumicën e njerëzve, shenjtërorja e Artemisës në Efes dukej se nuk do të rrëzohej kurrë. Por, historia tregoi të kundërtën. Libri Efesi​—Udhërrëfyesi i ri (gjermanisht) thotë: «Në shekullin e dytë, adhurimi i Artemisës dhe i hyjnive të tjera të Greqisë ra menjëherë.»

Në shekullin e tretë të e.s., Efesi u lëkund nga një tërmet i fuqishëm. Për më tepër, pasuritë mbresëlënëse të tempullit të Artemisës u plaçkitën nga gotët detarë, që vinin nga Deti i Zi, të cilët pas plaçkitjes i vunë zjarrin tempullit. Libri i lartpërmendur thotë: «Ndërkohë që ishte mposhtur dhe s’kishte fuqi për të mbrojtur as banesën e saj, si mund të vazhdonte Artemisa të konsiderohej ende mbrojtësja e qytetit?»​—Psalmi 135:15-18.

Kështu, kur po afrohej fundi i shekullit të katërt të e. s., perandori Teodosi I e pranoi «krishterimin» si fe zyrtare. Shumë shpejt kjo vepër në gur, pra tempulli dikur prestigjoz, u kthye në një gurore për materiale ndërtimi. Adhurimit të Artemisës i ra vlera plotësisht. Duke iu referuar një mbishkrimi që i thurte lavde tempullit si një mrekulli e lashtësisë, një vëzhgues i panjohur tha: «Tani është vetëm një vend i shkretë e i mjerë.»

Nga Artemisa te «nëna e Perëndisë»

Pavli i paralajmëroi pleqtë e kongregacionit në Efes se, pas largimit të tij, do të shfaqeshin «ujqër që shtypin» dhe midis tyre do të dilnin njerëz që do të thoshin «gjëra të shtrembëruara.» (Veprat 20:17, 29, 30) Dhe ndodhi pikërisht kështu. Historia zbulon se në Efes adhurimi i rremë mbizotëronte në formën e krishterimit apostat.

Në vitin 431 e.s., në Efes u mblodh këshilli i tretë ekumenik, ku u diskutua se i çfarë natyre ishte Krishti. Libri Efesi​—Udhërrëfyesi i ri shpjegon: «Fitorja e aleksandrinëve, të cilët besonin se Krishti i përkiste vetëm një natyre, asaj hyjnore, . . . ishte e plotë.» Kjo pati pasoja që u përhapën gjerësisht. «Vendimi që u mor në Efes, me anë të të cilit roli i Marisë u lartësua nga mbartëse e Krishtit mbartëse e Perëndisë, jo vetëm që hodhi bazën për shndërrimin e Marisë në një kult, por shkaktoi edhe përçarjen e parë të madhe brenda kishës. . . . Ky debat vazhdon deri në ditët e sotme.»

Kështu, adhurimi i Cibelës dhe i Artemisës u zëvendësua nga adhurimi i Marisë, «mbartëses së Perëndisë» ose «nënës së Perëndisë». Ashtu siç pohohet edhe në libër, «kulti i Marisë në Efes . . . është një traditë që vazhdon të praktikohet deri në ditët e sotme, traditë që nuk mund të shpjegohet pa bërë lidhjen me kultin e Artemisës».

Historia e lë në harresë të plotë

Rënia e adhurimit të Artemisës u pasua nga rrënimi i Efesit. Tërmetet, malaria dhe bllokimi gradual i portit nga balta e bënë jetën në qytet edhe më të vështirë.

Aty nga shekulli 7 e.s., islamizmi kishte filluar të përhapej anembanë. Por, islamizmi nuk u mjaftua vetëm me bashkimin e fiseve arabe nën ideologjinë e tij. Flotat arabe vazhduan të plaçkitnin Efesin gjatë gjithë shekullit të shtatë e të tetë të erës sonë. E ardhmja e Efesit u vulos një herë e mirë kur porti u bllokua komplet nga balta dhe qyteti u kthye në një pirg rrënojash. Nga ai metropol, një herë e një kohë i mrekullueshëm, mbeti vetëm një fshat i vogël me emrin Aja-Soluk (që tani njihet me emrin Selçuk).

Një shëtitje përmes rrënojave të Efesit

Për të krijuar një ide të lavdisë së dikurshme të Efesit, mund të vizitoni rrënojat e tij. Nëse e filloni xhiron turistike nga hyrja e sipërme e qytetit, do t’ju bjerë menjëherë në sy pamja e mrekullueshme e Rrugës së Kuretëve që të çon në Bibliotekën e Celsusit. Në krahun e djathtë të rrugës do t’ju tërheqë vëmendjen Odeoni, një teatër i vogël i ndërtuar në shekullin e dytë të e.s. Meqenëse kishte 1.500 vende, ka të ngjarë që nuk përdorej vetëm si Dhoma e Këshillit, por edhe si vend publik për zbavitje. Rruga e Kuretëve kufizohej nga të dyja anët me ndërtesa, të tilla si agora e shtetit, ku diskutoheshin çështjet shtetërore, tempulli i Adrianit, disa shatërvanë publikë dhe disa shtëpi në kodër, shtëpi të njerëzve të shquar në Efes.

Biblioteka elegante e Celsusit, e ndërtuar në shekullin e dytë të e.s., do t’ju mahnitë me bukurinë që ka. Rrotullat e saj të shumta mbaheshin në kamare, në një dhomë të madhe leximi. Katër statujat në fasadën e mrekullueshme simbolizonin cilësitë që duhet të shfaqte një shërbëtor i ngritur romak ashtu si Celsusi, dhe këto ishin: Sofia (mençuri), Areteja (virtyt), Enoia (përkushtim) dhe Epistemi (njohuri ose kuptueshmëri). Statujat origjinale gjenden në Muzeun e Efesit në Vjenë. Pas oborrit të përparmë të bibliotekës, ndodhet një portë madhështore që të çon në agorën e Tetragonosit, në treg. Në këtë shesh të stërmadh, që rrethohet nga një shëtitore e mbuluar, njerëzit kryenin aktivitetet e zakonshme tregtare.

Pas kësaj, vjen Rruga e Mermertë që të çon në teatrin e madh. Me gjithë shtesën e fundit, që iu bë gjatë kohës së Perandorisë Romake, teatri mbante 25.000 spektatorë. Fasada e tij ishte zbukuruar në mënyrë të ekzagjeruar me kolona, relieve dhe statuja. Mund të krijoni një imazh të gjallë për trazirat që nxiti argjendari Dhimitër te turmat e mbledhura aty.

Rruga që shtrihet nga teatri i madh deri te porti i qytetit, është e mrekullueshme. Është rreth 500 metra e gjatë dhe 11 metra e gjerë dhe zbukuruar nga të dyja anët me rreshta kolonash. Gjithashtu, palestra e teatrit dhe palestra e portit, që përdoreshin për stërvitje fizike, ishin ndërtuar përgjatë kësaj rruge. Porta mbresëlënëse e portit në fund të rrugës përbënte hyrjen drejt botës, dhe këtu i vjen fundi edhe xhiros sonë turistike në një nga rrënojat më të mahnitshme të botës. Në muzeun e Efesit në Vjenë gjendet një model prej druri i këtij metropoli historik, si edhe monumente të tjera të shumta.

Kur viziton muzeun dhe sheh statujën e Artemisës efesiane, nuk mund të mos mendosh për qëndrueshmërinë e të krishterëve të hershëm të Efesit. Atyre u duhej të jetonin në një qytet ku njerëzit merreshin shumë me spiritizëm dhe ishin të verbuar nga paragjykimet fetare. Mesazhi i Mbretërisë hasi kundërshtim të fortë nga ana e adhuruesve të Artemisës. (Veprat 19:19; Efesianëve 6:12; Zbulesa 2:1-3) Në atë ambient jo mikpritës, adhurimi i vërtetë shtriu rrënjët e tij. Gjithashtu, adhurimi i Perëndisë së vërtetë do të jetë i qëndrueshëm edhe pse fesë së rreme të ditëve të sotme do t’i vijë fundi, ashtu siç i erdhi fundi edhe adhurimit të lashtë të Artemisës.​—Zbulesa 18:4-8.

[Harta dhe figura në faqen 26]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

MAQEDONI

Deti i Zi

AZIA E VOGËL

Efes

Deti Mesdhe

EGJIPT

[Figura në faqen 27]

Rrënojat e tempullit të Artemisës

[Figurat në faqet 28, 29]

1. Biblioteka e Celsusit

2. Pamje nga afër e Aretesë

3. Rruga e Mermertë që të çon në teatrin e madh