Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një lindje që duhet kujtuar

Një lindje që duhet kujtuar

Një lindje që duhet kujtuar

‘Sepse sot . . . lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti.’​Luka 2:11, Diodati i Ri.

AFRO dy mijë vjet më parë, një grua në qytetin e Betlehemit lindi një djalë. Shumë pak banorë të atij vendi e kuptuan rëndësinë e kësaj lindjeje. Ndërkohë disa barinj, që po kalonin natën jashtë me kopetë e tyre, panë një mori engjëjsh që po këndonin: «Lavdi Perëndisë atje lart në lartësitë dhe paqe mbi tokë ndër njerëzit që kanë miratimin e tij.»​—Luka 2:8-14.

Barinjtë e gjetën Marinë dhe të shoqin, Jozefin, në një stallë, pikërisht siç u kishin thënë engjëjt. Maria, e cila i kishte vënë fëmijës emrin Jezu, e kishte vënë atë në një koritë brenda stallës. (Luka 1:31;2:12) Tani, pas dy mijë vjetësh, gati një e treta e njerëzve pohojnë se e ndjekin Jezu Krishtin. Gjithashtu, rrethanat në të cilat lindi, përbëjnë thelbin e ngjarjes që ndoshta është treguar më shumë se çdo ngjarje tjetër në historinë e njerëzimit.

Spanja, një vend me tradita katolike të rrënjosura thellë dhe i dhënë pas festave tradicionale, ka shpikur shumë mënyra për ta përkujtuar atë natë të papërsëritshme në Betlehem.

Krishtlindjet në Spanjë

Që nga shekulli i 13-të, paraqitja e skenës së lindjes së Krishtit ka qenë një nga veçoritë më të zakonshme të festimeve spanjolle. Shumë familje bëjnë një paraqitje në miniaturë të koritës ku ishte vënë Jezui. Vendosin statuja prej argjile që paraqesin barinjtë dhe dijetarët (ose «tre mbretërit»), si edhe Jozefin, Marinë e Jezuin. Gjatë periudhës së Krishtlindjeve, shpesh afër bashkive të qyteteve krijohen skena të lindjes së Krishtit me statuja me përmasa pothuajse reale. Me sa duket, këtë zakon e filloi Françesku i Asizit në Itali për ta drejtuar vëmendjen e njerëzve te tregimi i Ungjillit për lindjen e Jezuit. Më pas murgjit françeskanë e përhapën në Spanjë e në mjaft vende të tjera.

Në Spanjë, dijetarët zënë një vend të rëndësishëm në festimin e Krishtlindjeve, pak a shumë siç është Plaku i Vitit të Ri në vende të tjera. Në Spanjë besohet se në 6 janar, Día de Reije (Dita e Mbretërve), dijetarët u japin dhurata fëmijëve, ashtu si besohet gjithandej se i çuan dhurata edhe Jezuit të sapolindur dijetarët e lashtë. Gjithsesi, pak njerëz e dinë se në tregimin e Ungjillit nuk thuhet sa ishin ata që vizituan Jezuin. Ata nuk ishin mbretër, por përkundrazi, siç është kuptuar qartë, ishin astrologë. * Për më tepër, pas vizitës së astrologëve, Herodi, bëri një orvatje për të vrarë Jezuin dhe vrau në Betlehem të gjithë djemtë «nga dy vjeç e poshtë». Kjo të lë të kuptosh që vizita e tyre u bë mjaft kohë pasi kishte lindur Jezui.​—Mateu 2:11, 16.

Që nga shekulli i 12-të, disa qytete spanjolle kanë vënë në skenë një shfaqje teatrale për lindjen e Jezuit, bashkë me vizitën e barinjve në Betlehem dhe të dijetarëve që shkuan pas ca kohësh. Në ditët tona, në shumicën e qyteteve spanjolle bëhet një kabalgata ose paradë çdo 5 janar, dita kur «tre mbretërit» kalojnë me karroca të stolisura mes për mes qendrës së qytetit e u japin karamele atyre që po shikojnë. Zbukurimet tradicionale të Krishtlindjeve dhe vijansikos (këngët gazmore), shërbejnë për ta gjallëruar atmosferën festive.

Pjesës më të madhe të familjeve spanjolle u pëlqen të bëjnë një darkë të veçantë në Vigjiljen e Krishtlindjeve (24 dhjetor). Ushqimet karakteristike që përdoren për këtë rast, janë: turroni (ëmbëlsira të bëra me bajame e mjaltë), mafishet me bajame, frutat e thata, qengji i pjekur dhe prodhimet e detit. Pjesëtarët e familjes, madje edhe ata që jetojnë shumë larg, bëjnë një përpjekje të veçantë për t’u mbledhur bashkë për këtë rast. Gjatë një vakti tjetër tradicional, më 6 janar, familja ha një roskon de reijes, një kek të rrumbullakët, keku i «Mbretërve», që ka një sorpraza (një statujëz të vogël) të fshehur në të. Në kohët romake, një zakon i ngjashëm me këtë, i lejonte skllavit që i binte pjesa e kekut me statujëzën brenda, të ishte «mbret» për një ditë.

«Periudha më e gëzuar dhe më e ngarkuar e vitit»

Cilatdo qofshin zakonet që kanë zhvilluar vende të ndryshme, tani Krishtlindjet janë bërë festa kryesore e botës. Një enciklopedi i përshkruan ato si «periudhën më të gëzuar e më të ngarkuar të vitit për miliona të krishterë, por dhe për disa që nuk janë të krishterë, anekënd botës». (The World Book Encyclopedia) A është një gjë e mirë kjo?

Qartë, lindja e Krishtit ishte një ngjarje me rëndësi historike. Rëndësia e saj duket më së miri nga fakti që engjëjt e shpallën atë si lajmëtare ‘të paqes ndër njerëzit që kanë miratimin e tij’.

Gjithsesi, «në kohën e krishterimit të hershëm, lindja e Krishtit, nuk festohej»,​—thekson gazetari spanjoll Huan Ariasi. Kur qenka kështu, atëherë, nga erdhi festimi i Krishtlindjeve? Dhe cila është mënyra më e mirë për të kujtuar lindjen dhe jetën e Jezuit? Përgjigjet për këto pyetje do t’i gjeni në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 8 Shkrimet e Shenjta​—Tekst dhe libër shpjegues nga profesorët e Shoqërisë së Jezuit (spanjisht) shpjegon se «te persët, medët e kaldeasit, astrologët (maxhi) përbënin një klasë priftërore që përkrahte shkencat e okultizmit, astrologjinë dhe mjekësinë». E prapëseprapë, në mesjetë, grupin e dijetarëve që shkuan për ta parë Jezuin e vogël, i shpallën shenjtorë dhe u vunë emrat Melkior, Gaspar e Baltazar. Thuhet se eshtrat e tyre ruhen në katedralen e Këlnit, Gjermani.