Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si duhet kujtuar Jezu Krishti?

Si duhet kujtuar Jezu Krishti?

Si duhet kujtuar Jezu Krishti?

Jezu Krishti «ishte pa dyshim një nga njerëzit më me influencë që kanë jetuar ndonjëherë».​—«The World Book Encyclopedia.»

ZAKONISHT njerëzit e shquar kujtohen për veprat që kanë kryer gjatë jetës së tyre. Atëherë pse shumë veta kujtojnë lindjen e Jezuit dhe jo veprat e tij? Në të ashtuquajturin krishterim, shumica e njerëzve mund t’i rrëfejnë me hollësi ngjarjet që lidhen me lindjen e Jezuit. Por, sa prej tyre i mbajnë mend dhe përpiqen t’i zbatojnë mësimet e tij shumë të mira që gjenden në Predikimin në Mal?

Nuk diskutohet, lindja e Jezuit ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, por dishepujt e tij të hershëm iu kushtuan më shumë rëndësi gjërave që ai bëri dhe mësoi. Sigurisht, Perëndia kurrë s’kishte ndër mend që lindja e Krishtit të linte në hije jetën e tij si i rritur. E megjithatë, Krishtlindjet kanë arritur ta errësojnë figurën e Krishtit, me anë të një lëmshi të ngatërruar legjendash e gojëdhënash për lindjen e tij.

Një pyetje tjetër shqetësuese ngrihet për mënyrën si festohen Krishtlindjet. Po të kthehej Jezui sot në tokë, çfarë do të mendonte për frymën që shfaqet në periudhën e Krishtlindjeve, gjatë së cilës njerëzit duan vetëm të shesin e të blejnë? Dy mijë vjet më parë, Jezui vizitoi tempullin në Jerusalem. Ai u zemërua me këmbyesit e monedhave dhe me tregtarët që po shfrytëzonin një festë fetare hebraike për të fituar para. Ai u tha: «Hiqini që këtej këto gjëra! Mos e bëni më shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!» (Gjoni 2:13-16) Është e qartë që Jezui nuk e miratoi përzierjen e fesë me tregtinë.

Shumë katolikë të sinqertë në Spanjë shprehin shqetësimin për faktin që karakteri tregtar i Krishtlindjeve sa vjen e po shtohet. Megjithatë, kjo prirje ndoshta është e pashmangshme, ngaqë shumë zakone të Krishtlindjeve janë të rrënjosura thellë. Gazetari Huan Ariasi thekson: «Disa njerëz, brenda krishterimit, kritikojnë ‘paganizimin’ e Krishtlindjeve dhe faktin që ato anojnë më shumë nga dëfrimi dhe blerja e gjërave, se nga feja. Në përgjithësi, këta njerëz nuk e dinë se, që në zanafillën e tyre, Krishtlindjet . . . përfshinin mjaft veçori të festës pagane romake [të diellit].»​—El País, 24 dhjetor 2001.

Vitet e fundit shumë gazetarë dhe enciklopedi spanjolle kanë folur për origjinën pagane të festimeve tradicionale të Krishtlindjeve, si edhe për karakterin tregtar të tyre. Për sa i përket datës së kremtimit të Krishtlindjeve, Enciklopedia e Fesë Katolike (spanjisht) thotë hapur: «Siç duket, arsyeja pse Kisha Romake vendosi të caktonte këtë datë për festën, është prirja që ka ajo për t’i zëvendësuar festat pagane me festa të krishtere. . . . Ne e dimë se në Romë, në atë kohë, paganët e kishin shpallur ditë të shenjtë 25 dhjetorin si festën e natalis invicti, lindja e ‘diellit të pamposhtur’.»

Po kështu, Enciklopedia spanjolle (spanjisht) vëren: «Data 25 dhjetor, kur kremtohen Krishtlindjet, nuk vjen nga llogaritja e saktë e ditëlindjes së Jezuit. Përkundrazi ajo vjen nga festat e solsticit të dimrit që kremtoheshin në Romë, të cilat u kthyen në festa të krishtere.» Si e kremtonin romakët lindjen e diellit në dimër? Duke bërë festa, duke bërë ahengje të shfrenuara dhe duke këmbyer dhurata. Meqë autoriteteve kishtare nuk u pëlqente ta ndalonin këtë festë kaq të njohur, «e krishteruan» atë, duke e quajtur lindja e Jezuit, në vend të lindja e diellit.

Në fillim, kur u vendos kjo datë, në shekujt e katërt dhe të pestë, njerëzit ishin kaq të lidhur me adhurimin e diellit dhe zakonet që kishin të bënin me të, sa ishte e vështirë të shkëputeshin prej tyre. Katoliku «Shën» Agustin (354-430 të e.s.) ndjeu detyrimin që t’i nxiste bashkëbesimtarët të mos e festonin 25 dhjetorin për nder të diellit, siç bënin paganët. Madje edhe sot, duket se zakonet që lidhen me festimet e lashta romake, zotërojnë gjithandej.

Festa të përsosura për të dëfryer e për të bërë tregti

Gjatë shekujve, disa faktorë kanë luajtur një rol vendimtar për t’i kthyer Krishtlindjet në kremtimin ndërkombëtar më të njohur me qëllim dëfrimi e tregtie. Edhe zakonet e festave të tjera dimërore, sidomos ato që kremtohen në Evropën Veriore, dalëngadalë u përshtatën me stilin e festave të dikurshme romake. * Në shekullin e 20-të, shitësit dhe specialistët e tregtisë me entuziazëm përkrahën çdo lloj zakoni që mund t’u sillte fitime marramendëse.

Cili ka qenë rezultati? Kremtimi i lindjes së Jezuit është bërë më i rëndësishëm se vetë domethënia e kësaj lindjeje. Madje, në shumë raste, Krishti as që përmendet fare gjatë Krishtlindjeve tradicionale. «[Krishtlindjet] janë një festë mbarëbotërore, festë familjare, dhe gjithsecili i feston siç ia merr mendja»,​—vëren gazeta spanjolle El País.

Ky koment pasqyron një prirje që sa vjen e rritet në Spanjë e në mjaft vende të tjera anembanë botës. Ndonëse festimet e Krishtlindjeve po bëhen më të tepruara se kurrë, njohuria për Krishtin po pakësohet. Ç’është e vërteta, festa e Krishtlindjeve është kthyer sërish ashtu siç ishte në zanafillë, në kohën e romakëve: në ahengje të shfrenuara, festime dhe këmbime dhuratash.

Na ka lindur një fëmijë

Por, meqë Krishtlindjet tradicionale në të vërtetë nuk kanë të bëjnë me Krishtin, atëherë si duhet ta kujtojnë të krishterët e vërtetë lindjen dhe jetën e tij? Shtatë shekuj para se Jezui të lindte, Isaia profetizoi për të: «Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria.» (Isaia 9:5) Pse Isaia tregoi që lindja e Jezuit dhe roli i tij në të ardhmen, do të kishin kaq shumë rëndësi? Sepse Jezui do të bëhej një sundimtar i fuqishëm. Ai do të quhej Princ i Paqes, dhe paqja e sundimi i tij princëror nuk do të kishin fund. Për më tepër, sundimi i Jezuit do të mbështetej ‘te gjykimet e drejta dhe drejtësia’.​—Isaia 9:7, BR.

Engjëlli Gabriel përsëriti deklaratën e Isaisë kur lajmëroi Marinë për lindjen e ardhshme të Jezuit. Ai paratha: «Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit; dhe Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij, dhe ai do të sundojë si mbret përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Qartë pra, domethënia kryesore e lindjes së Jezuit lidhet me veprën që ai do të kryente si Mbreti i caktuar i Mbretërisë së Perëndisë. Sundimi i Krishtit mund t’u sjellë dobi të gjithëve, edhe juve e njerëzve tuaj të dashur. Faktikisht engjëjt shpjeguan se lindja e tij do të sillte «paqe mbi tokë ndër njerëzit që kanë miratimin e [Perëndisë]».​—Luka 2:14.

Kush nuk do të donte të jetonte në një botë me paqe e drejtësi? Por, për të gëzuar paqen që do të sjellë sundimi i Krishtit, duhet t’i pëlqejmë Perëndisë dhe të kemi një marrëdhënie të mirë me të. Jezui tha se hapi i parë për të pasur një marrëdhënie të tillë, është të mësojmë për Perëndinë dhe për Krishtin. Ai tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»​—Gjoni 17:3.

Pasi e kemi njohur mirë Jezuin, s’kemi pse të hamendemi se si i pëlqen atij që ta kujtojmë. Mos vallë duke ngrënë, duke pirë e duke këmbyer dhurata, pikërisht në të njëjtën datë që kremtohej një festë e lashtë pagane? Kjo duket vërtet e pamundur! Natën para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve të tij se çfarë i pëlqente më shumë. «Ai që i ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, ky është ai që më do. Nga ana tjetër, atë që më do mua, Ati im do ta dojë dhe unë do ta dua.»​—Gjoni 14:21.

Dëshmitarët e Jehovait i kanë studiuar me kujdes të gjitha Shkrimet e Shenjta, dhe kjo i ka ndihmuar të kuptojnë se cilat janë urdhërimet e Perëndisë e të Jezuit. Ata me kënaqësi do t’ju ndihmojnë edhe ju që t’i kuptoni këto urdhërime jetësore, në mënyrë që ta kujtoni Jezuin ashtu siç e meriton!

[Shënimi]

^ par. 11 Pema e Krishtlindjeve dhe Plaku i Vitit të Ri janë dy shembuj tipikë për këtë.

[Kutia dhe figurat në faqet 6, 7]

A i dënon Bibla festimet dhe dhuratat?

Dhuratat

Bibla e miraton bërjen e dhuratave, pasi vetë Jehovai quhet Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe çdo gjëje të përsosur’. (Jakovi 1:17) Jezui tha se prindërit e mirë u bëjnë dhurata fëmijëve të tyre. (Luka 11:11-13) Miqtë dhe familjarët i dhanë Jobit dhurata, kur ky u bë mirë me shëndet. (Jobi 42:11) Megjithatë, në asnjë nga këto raste, nuk kishte nevojë për ndonjë ditë të veçantë, pra ditë feste. I bënë këto dhurata të shtyrë nga zemra.​—2 Korintasve 9:7.

Rastet familjare

Rastet familjare ndihmojnë shumë për t’i bashkuar pjesëtarët e familjes, sidomos kur nuk jetojnë më në të njëjtën shtëpi. Jezui dhe dishepujt e tij shkuan në një dasmë në Kanë, ku pa dyshim ishin mbledhur shumë familjarë e miq. (Gjoni 2:1-10) Edhe në ilustrimin e Jezuit për djalin plëngprishës, babai e festoi kthimin e të birit me një gosti familjare, ku kishte muzikë e vallëzime.​—Luka 15:21-25.

Të hash një vakt të shijshëm

Bibla flet shpesh për shërbëtorë të Perëndisë që po kënaqeshin duke ngrënë ushqim të mirë bashkë me familjen, miqtë ose bashkëbesimtarët. Kur Abrahamin e vizituan tre engjëj, ai përgatiti një gosti për ta, me mish viçi, qumësht, gjizë dhe kuleçë. (Zanafilla 18:6-8) Gjithashtu, Solomoni tha se është një dhuratë nga Perëndia që çdo njeri ‘të hajë, të pijë e të shohë të mira’.​—Predikuesi 3:13; 8:15.

E pra, Perëndia do që ne të kënaqemi duke ngrënë ushqime të mira në shoqërinë e miqve e të familjes, dhe ai e miraton bërjen e dhuratave. Në çdo periudhë të vitit mund të kemi plot raste për t’i bërë këto gjëra.