Mësuam të besonim plotësisht te Jehovai
Jetëshkrim
Mësuam të besonim plotësisht te Jehovai
TREGUAR NGA NATALI HOLTORFI
Ishte qershori i vitit 1945. Një ditë, para shtëpisë sonë ndaloi një burrë i zbehtë në fytyrë dhe me durim po qëndronte në derë. E tmerruar, vajza ime më e vogël, Rutha, klithi: «Mami! Se ç’është një burrë te dera!» Ajo s’e dinte që i panjohuri ishte i ati, pra burri im i shtrenjtë, Ferdinandi. Para dy vjetësh, vetëm tri ditë pas lindjes së Ruthës, Ferdinandi kishte ikur nga shtëpia, e kishin arrestuar dhe kishte përfunduar në një kamp përqendrimi nazist. Por tani, më në fund, Rutha u takua me të atin, dhe familja jonë u bashkua përsëri. Oh, sa shumë gjëra kishim për t’i treguar njëri-tjetrit unë e Ferdinandi!
FERDINANDI lindi më 1909 në qytetin e Kilit, Gjermani, kurse unë linda në vitin 1907 në qytetin e Dresdenit, gjithashtu në Gjermani. Kur isha 12 vjeçe, familja ime u njoh me Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Në moshën 19-vjeçare u largova nga Kisha Evangjeliste dhe ia kushtova jetën Jehovait.
Ndërkohë, Ferdinandi mbaroi akademinë e marinës dhe u bë marinar. Kur ishte në udhëtim, vriste mendjen nëse ekzistonte një Krijues apo jo. Një herë, kur u kthye nga një udhëtim, vizitoi të vëllanë, që ishte Student i Biblës. Kjo vizitë mjaftoi për ta bindur se në Bibël gjendeshin përgjigjet e pyetjeve që e mundonin. E la Kishën Luterane, e po ashtu vendosi ta linte edhe punën si marinar. Pas ditës së tij të parë në veprën e predikimit,
ndjeu një dëshirë të zjarrtë për ta vazhduar këtë vepër tërë jetën e vet. Po atë natë, Ferdinandi ia kushtoi jetën Jehovait. Ai u pagëzua në gusht të vitit 1931.Marinar dhe predikues
Në nëntor të vitit 1931, Ferdinandi i hipi trenit dhe shkoi në Holandë për të përkrahur atje veprën e predikimit. Kur i tha vëllait që organizonte veprën në atë vend se kishte qenë marinar, vëllai thirri: «Po ti qenke tamam ai që na duhet!» Vëllezërit kishin marrë me qira një varkë, me qëllim që një grup pionierësh (shërbëtorë në kohë të plotë) t’u predikonin njerëzve që jetonin përgjatë kanaleve të lundrueshme në pjesën veriore të vendit. Varka kishte një ekuipazh prej pesë vetash, por asnjëri s’dinte ta drejtonte. Prandaj Ferdinandi u bë kapiteni.
Gjashtë muaj më vonë, atij i kërkuan të shërbente si pionier në Tilburg, në jug të Holandës. Në atë kohë, edhe unë shkova në Tilburg, që të shërbeja si pioniere dhe atje u njoha me Ferdinandin. Mirëpo pikërisht në këtë kohë na kërkuan të transferoheshim në Groningen, në veri të vendit. Atje u martuam në tetor të vitit 1932, dhe muajin e mjaltit e kaluam në një shtëpi ku banonin disa pionierë, e njëkohësisht shërbyem si pionierë.
Në vitin 1935 lindi Estera, vajza jonë e parë. Megjithëse kishim pak të ardhura, ishim të vendosur të vazhdonim shërbimin e pionierit. U transferuam në një fshat, ku banuam në një shtëpi të vockël. Ndërkohë që unë kujdesesha për foshnjën në shtëpi, im shoq kalonte tërë ditën në shërbim. Ditën tjetër këmbeheshim. Kjo vazhdoi derisa Estera u rrit aq sa të ishte në gjendje të vinte me ne në shërbim.
S’kaloi shumë e në horizontin politik të Evropës po mblidheshin re të zeza. Morëm vesh se Dëshmitarët në Gjermani po i përndiqnin, dhe kuptuam që së shpejti do të vinte edhe radha jonë. Po pyesnim veten si do t’ia bënim kur të kishim përndjekje të egër. Në vitin 1938, autoritetet holandeze nxorën një urdhër që i ndalonte të huajt të shpërndanin botime fetare. Që të na ndihmonin për të vazhduar shërbimin, Dëshmitarët holandezë na dhanë emrat e disa njerëzve që kishin shfaqur interes për veprën. Kështu, patëm mundësi të studionim Biblën me disa prej tyre.
Rreth asaj kohe, ishte programuar një kongres i Dëshmitarëve të Jehovait. Megjithëse nuk kishim para që të blinim biletat e trenit për të shkuar në vendin ku do të mbahej kongresi, prapëseprapë donim të ishim të pranishëm. Prandaj, bëmë tri ditë udhë me biçikletë, me Esterën e vogël në koshin para timonit. Netëve qëndruam te Dëshmitarët që banonin në vendet nga kaluam. Sa të kënaqur ishim që po ndiqnim kongresin tonë të parë kombëtar! Programi na forcoi për të përballuar sprovat që do të vinin më pas. Mbi të gjitha, na kujtoi edhe një herë që ta bënim Perëndinë sigurinë Psalmin 31:6 (BR), u bënë motoja jonë.
tonë. Fjalët: «Unë vetë besoj te Jehovai», nëNa gjurmojnë nazistët
Në maj të 1940-s nazistët pushtuan Holandën. Pak kohë pas kësaj, Gestapoja ose policia sekrete na erdhi një ditë papritur teksa po sistemonim një ngarkesë me literaturë biblike. Ferdinandin e çuan në zyrat e Gestapos. Unë dhe Estera e vizitonim rregullisht, e disa herë ndodhte që ta merrnin në pyetje dhe ta rrihnin para syve tanë. Në dhjetor, Ferdinandin e liruan papritur, por kjo liri nuk do të zgjaste shumë. Një mbrëmje, kur po ktheheshim, afër shtëpisë na zunë sytë një makinë të Gestapos. Ferdinandi mundi të largohej, ndërkohë që unë e Estera po hynim në shtëpi. Njerëzit e Gestapos po na prisnin. Kërkonin Ferdinandin. Po atë natë, pasi ishte larguar Gestapoja, erdhi të më merrte policia holandeze, për të më bërë një seancë pyetjesh. Ditën tjetër unë dhe Estera ikëm e u fshehëm në shtëpinë e çiftit Norder, Dëshmitarë të sapopagëzuar, të cilët na siguruan strehë e mbrojtje.
Aty nga fundi i janarit të vitit 1941, një çift pionierësh që jetonin në një varkë-shtëpi, i arrestuan. Të nesërmen, një mbikëqyrës qarkor (shërbëtor që udhëton) dhe im shoq shkuan te varka për të marrë disa nga gjërat e këtij çifti, por bashkëpunëtorët e Gestapos u turrën mbi ta. Ferdinandi arriti ta çante rrethimin dhe ia mbathi me biçikletë. Kurse mbikëqyrësin qarkor e futën në burg.
Prandaj vëllezërit përgjegjës i kërkuan Ferdinandit të shërbente si mbikëqyrës qarkor. Kjo do të thoshte që ai mund të vinte në shtëpi vetëm tri ditë në muaj. Kjo ishte një sprovë e re për ne, megjithatë unë vazhdova si pioniere. Gestapoja i kishte shpeshtuar kërkimet për Dëshmitarët, prandaj duhej të ndryshonim vend vazhdimisht. Në vitin 1942 u transferuam tri herë. Pastaj përfunduam në qytetin e Roterdamit, shumë larg nga vendi ku Ferdinandi po kryente shërbimin e vet në fshehtësi. Në atë kohë, po prisja fëmijën e dytë. Familja Kempi, dy djemtë e të cilëve së fundi ishin çuar në kampe përqendrimi, me përzemërsi na pranoi në shtëpi.
Gestapoja na ndjek këmba-këmbës
Vajza jonë e dytë, Rutha, lindi në korrik të vitit 1943. Pas lindjes së Ruthës, Ferdinandi ndenji me ne tri ditë, por pastaj iu desh të ikte. Që atëherë nuk e pamë më për një kohë të gjatë. Afro tri javë më vonë, Ferdinandin e arrestuan në Amsterdam dhe e çuan në rajonin e Gestapos, ku vërtetuan se ishte personi që po kërkonin. Njerëzit e Gestapos e merrnin në pyetje vazhdimisht, duke u orvatur ta detyronin që t’u jepte informacione për veprimtaritë e predikimit. Por Ferdinandi u tha vetëm që ishte Dëshmitar i Jehovait dhe që nuk ishte përfshirë në asnjë veprimtari politike. Oficerët e Gestapos u xhindosën që Ferdinandi, me kombësi gjermane, nuk ishte paraqitur për shërbimin ushtarak, dhe e kërcënuan se do ta ekzekutonin si tradhtar.
Gjatë pesë muajve që pasuan, Ferdinandin e mbajtën në një qeli, ku duroi vazhdimisht kërcënimin se do ta ekzekutonte një skuadër pushkatimi. Por ai i qëndroi besnik Jehovait, e nuk u lëkund aspak. Çfarë e ndihmoi të qëndronte i fortë frymësisht? Fjala e Perëndisë, Bibla. Sigurisht, ngaqë ishte Dëshmitar, Ferdinandin nuk e lejonin të mbante Bibël. Kurse të burgosurit e tjerë po. Kështu që, Ferdinandi e bindi shokun e qelisë t’u thoshte të afërmve t’i dërgonin një Bibël, dhe ai ashtu bëri. Vite më vonë, sa herë që Ferdinandi fliste për këtë ngjarje, i shkëlqenin sytë dhe bërtiste me entuziazëm: «Sa më ngushëlloi ajo Bibël!»
Në fillim të janarit të vitit 1944, papritur Ferdinandin e çuan në kampin e përqendrimit në Vueht të Holandës. Çuditërisht, ky transferim doli në të mirë të tij, sepse atje takoi 46 Dëshmitarë të tjerë. Kur mora vesh për
këtë transferim, u gëzova jashtë mase që ishte akoma gjallë.Predikojnë pareshtur në kampin e përqendrimit
Jeta në kamp ishte tepër e ashpër. Të ushqyerit e keq, mungesa e rrobave të trasha dhe i ftohti i hidhur ishin përditë të zakonshme. Ferdinandi u sëmur keq nga bajamet. Pas një apeli të gjatë që u bë jashtë në acar, ai u paraqit në infermieri. Atje u lejohej të rrinin vetëm pacientëve që e kishin temperaturën 40 gradë celsius ose më shumë. Por Ferdinandin nuk e lanë, se e kishte temperaturën vetëm 39 gradë celsius. I thanë të kthehej në punë. Megjithatë, e ndihmuan disa të burgosur zemërdhembshur duke e fshehur herë pas here në një vend të ngrohtë. Pastaj kur u ngroh koha, gjeti njëfarë lehtësimi. Gjithashtu, kur disa nga vëllezërit merrnin pako me ushqime, i ndanin me të tjerët ato që u sillnin, ndaj Ferdinandi filloi ta merrte veten.
Para se tim shoq ta burgosnin, predikimi kishte qenë gjithë jeta e tij, ndaj dhe brenda kampit vazhdoi të fliste për bindjet e veta. Oficerët e kampit shpesh e vinin në lojë për trekëndëshin ngjyrë vjollcë, shenjën që tregonte se i burgosuri ishte Dëshmitar i Jehovait. Por Ferdinandi i shihte këto tallje si raste për të hyrë në muhabet me ta. Në fillim, territori i predikimit për vëllezërit në përgjithësi kufizohej te ato baraka ku kishte Dëshmitarë. Ata pyesnin veten: ‘Si të flasim me më shumë të burgosur?’ Pa dashje, administrata e burgut, iu dha një zgjidhje. Si?
Vëllezërit kishin një vend të fshehtë ku mbanin literaturën biblike, si edhe 12 Bibla. Një ditë rojat gjetën ca literaturë, por nuk e zbuluan dot se e kujt ishte. Ndaj, oficerët e burgut vendosën që sektori i Dëshmitarëve të shpërbëhej. Si ndëshkim, të gjithë vëllezërit duhej t’i çonin në barakat e atyre që nuk ishin Dëshmitarë. Për më tepër, kur hanin, vëllezërit duhej të uleshin afër atyre që s’ishin Dëshmitarë. Ky ndëshkim faktikisht ishte një gjë e mirë për ta! Tani mund të bënin atë që dëshironin në fillim: t’u predikonin sa më shumë të burgosurve.
I rris e vetme dy vajzat
Ndërkohë, dy vajzat dhe unë banonim akoma në Roterdam. Dimri i vitit 1943-1944 ishte jashtë mase i ashpër. Prapa shtëpisë kishim një repart të artilerisë kundërajrore që ishte nën kontrollin e ushtarëve gjermanë. Përballë kishim portin e Valit, shënjestrën kryesore për aeroplanët bombardues të aleatëve. Alamet vendi kishim gjetur për t’u fshehur! Për më tepër, ushqimi mezi gjendej. Në atë kohë, më shumë se kurrë, mësuam të besonim plotësisht te Jehovai.—Fjalët e urta 3:5, 6.
Estera tetëvjeçare e ndihmonte familjen tonë të vogël duke mbajtur radhën në një mensë për të varfrit. Por, shpesh kur i vinte radha për të marrë ushqimin, nuk kishte mbetur asgjë. Një herë, kur po shkonte të merrte ushqim, u gjend në mes të një bombardimi ajror. Më ngriu gjaku kur dëgjova shpërthimet. Por pas pak, ankthi m’u shndërrua në lot gëzimi kur ajo u kthye e padëmtuar, e madje kishte gjetur edhe ca panxharsheqeri. «Ç’ndodhi?!»—e pyeta me një frymë. Me qetësi m’u përgjigj: «Kur ranë bombat, bëra ashtu siç më ka thënë babi, u shtriva përtokë, ndenja shtrirë e u luta. Dhe shpëtova!»
Ngaqë unë kisha theks gjerman, ishte më e sigurt që, atë pak pazar që mund të bënim, ta bënte Estera. Gjithsesi, kjo nuk i shpëtoi syrit të ushtarëve gjermanë, të cilët filluan t’i bënin pyetje Esterës. Por ajo nuk nxori asnjë sekret. E edukova Esterën sipas asaj që mëson Bibla dhe, meqë nuk shkonte dot në shkollë, i mësova në shtëpi të shkruante e të lexonte, si edhe gjëra të tjera.
Gjithashtu, Estera më ndihmonte edhe në shërbim. Para se të dilja për të bërë ndonjë studim biblik, Estera shkonte para meje që të shihte a ishte e lirë rruga. Ajo kontrollonte
nëse ishin në vend shenjat për të cilat isha marrë vesh me studentin e Biblës. Për shembull, personi që i shkoja për vizitë, duhej të vinte në parvazin e dritares një vazo me lule në një pozicion të caktuar, që të më linte të kuptoja se mund të futesha brenda. Gjatë studimit të Biblës, Estera rrinte jashtë që të vëzhgonte mos kishte ndonjë rrezik, ndërsa shtynte karrocën me Ruthën e vockël lart e poshtë nëpër rrugë.Në Zaksenhauzen
Po Ferdinandi si ia kalonte? Në shtator të 1944-s, bashkë me shumë të tjerë i çuan me forcë në një stacion hekurudhe, ku grupe me nga 80 të burgosur rraseshin në vagonë mallrash që po i prisnin. Çdo vagon kishte një kovë që shërbente si banjë dhe një kovë me ujë të pijshëm. Udhëtimi zgjati tri ditë e tri net. Treni ishte i tejmbushur dhe mezi qarkullonte ajri. Vagonët e mallrave ishin të mbyllur dhe kishin vetëm ndonjë vrimë aty-këtu. U duhej të duronin vështirësi që s’thuhen dot me fjalë: vapën, urinë dhe etjen, për të mos zënë me gojë erën e keqe.
Treni u ndal në një stacion ku ndodhej një kamp përqendrimi, Zaksenhauzeni famëkeq. Të gjithë të burgosurve iu ndalua të merrnin ndonjë send personal që mund t’u kishte mbetur ende, kurse Dëshmitarët ia dolën t’i merrnin me vete 12 Biblat e vogla që kishin.
Ferdinandin dhe tetë vëllezër të tjerë i dërguan në një degë të kampit të Zaksenhauzenit, në Ratenov, për të punuar në prodhimin e pajisjeve të luftës. Edhe pse i kërcënuan disa herë se do t’i ekzekutonin, vëllezërit nuk pranuan ta bënin këtë punë. Për të inkurajuar njëri-tjetrin që të qëndronin të patundur, në mëngjes diskutonin rreth një shkrimi nga Bibla, si për shembull, Psalmi 18:2, dhe mendonin për këtë varg gjatë ditës. Kjo i ndihmoi të mendonin për gjërat frymore.
Më në fund, gjëmimi i artilerisë lajmëroi për afrimin e trupave ruse dhe të aleatëve. Rusët shkuan të parët në kampin ku ishte Ferdinandi dhe shokët e tij. U dhanë të burgosurve ca ushqim dhe i urdhëruan të largoheshin nga kampi. Nga fundi i prillit të vitit 1945, ushtria ruse i lejoi të ktheheshin në shtëpi.
Më në fund familja bashkohet
Në 15 qershor Ferdinandi arriti në Holandë. Vëllezërit në Groningen i uruan një mirëseardhje të ngrohtë. Pas pak mori vesh që ishim gjallë, e banonim diku në vend. Edhe neve na erdhi fjala që ishte kthyer. Pritja për ardhjen e tij na u duk sikur zgjati një shekull. Por, më në fund, një ditë vogëlushja Ruthë bërtiti: «Mami! Se ç’është një burrë te dera!» Ishte i shtrenjti ynë, burri im dhe babai i vajzave!
Duheshin zgjidhur një sërë problemesh para se familja jonë të fillonte jetën normale. Nuk kishim një vend ku të jetonim dhe vështirësia më e madhe ishte të fitonim prapë lejeqëndrimin e përhershëm. Meqenëse ishim gjermanë, për disa vjet, zyrtarët holandezë na trajtuan si të deklasuar. Megjithatë,
me kalimin e kohës, gjetëm një vendbanim të qëndrueshëm dhe iu kthyem jetës që kishim pritur me aq padurim: t’i shërbenim Jehovait së bashku si familje.«Unë vetë besoj te Jehovai»
Vite më vonë, sa herë që Ferdinandi dhe unë takoheshim me disa nga miqtë tanë, që kishin jetuar si ne në ato ditë të këqija, sillnim ndër mend si na udhëhoqi Jehovai me dashuri në ato kohë të vështira. (Psalmi 7:1) Ngazëllonim kur kujtonim se si na lejoi Jehovai gjatë viteve që, edhe ne, të bënim diçka për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Gjithashtu, shpesh thoshim sa të kënaqur ishim që e kaluam rininë tonë në shërbimin e shenjtë ndaj Jehovait.—Predikuesi 12:1.
Pas periudhës së përndjekjes naziste, Ferdinandi dhe unë i shërbyem Jehovait së bashku për më shumë se 50 vjet, deri më 20 dhjetor 1995, kur përfundoi jeta e tij në tokë. Kurse unë, së shpejti mbush 98 vjeç. Përditë e falënderoj Jehovain që fëmijët tanë na përkrahën kaq shumë në ato vite të rënda dhe që ende jam në gjendje të bëj aq sa mundem në shërbim të tij dhe për lavdi të emrit të tij. I jam mirënjohëse Jehovait për gjithçka që ka bërë për mua, dhe zemra ime dëshiron që të vazhdoj të jetoj me moton time: «Unë vetë besoj te Jehovai.»—Psalmi 31:6, BR.
[Figura në faqen 19]
Me Ferdinandin, tetor 1932
[Figura në faqen 19]
Varka e ungjillëzimit «Almina» me ekuipazhin e vet
[Figura në faqen 22]
Me Ferdinandin dhe vajzat