Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A tregojnë fjalët e Stefanit te Veprat 7:59 se lutjet i duhen drejtuar Jezuit?
Te Veprat 7:59 (Dio), thuhet: «Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ‘O Zoti Jezus, pranoje frymën time!’» Këto fjalë bëjnë që disave t’u lindin pyetje në mendje, pasi Bibla thotë se vetëm Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2, BR) A po i lutej vërtet Jezuit Stefani? A do të tregonte kjo se Jezui është njësoj si Jehovai?
Një version i Biblës thotë se Stefani ‘po thërriste Perëndinë’. (King James Version) Prandaj kuptohet pse shumë veta nxjerrin përfundimin që nxori Methju Henri, një komentues biblik, i cili tha: «Këtu Stefani po i lutet Krishtit, prandaj kështu duhet të bëjmë edhe ne.» Mirëpo, kjo pikëpamje është e gabuar. Përse?
Në një libër bëhet ky koment i sinqertë: «Fjala Perëndi nuk ekziston në versionin origjinal, prandaj nuk duhej të ishte futur në përkthim. Nuk gjendet në asnjë nga [dorëshkrimet] ose versionet e lashta.» (Barnes’ Notes on the New Testament) Si ndodhi që fjala «Perëndi» u fut në këtë varg? Studiuesi Abiel Abot Livermor e quajti këtë «një rast të paragjykimeve sektare të përkthyesve». Për këtë arsye, shumica e përkthimeve moderne nuk e përfshijnë këtë referim të rremë ndaj Perëndisë.
Gjithsesi, shumë versione thonë se Stefani ‘iu lut’ Jezuit. E po ashtu, shënimi në Përkthimin Bota e Re (anglisht), tregon se shprehja «i thërriste» ka edhe kuptimin «përgjërohem, lutem». A nuk do të tregonte kjo se Jezui është Perëndia i Plotfuqishëm? Jo. Një fjalor shpjegon se në këtë kontekst, fjala origjinale greke epikaleo do të thotë: «Të thërrasësh; t’i përgjërohesh; . . . t’i apelohesh një autoriteti.» (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) Pavli përdori po këtë fjalë, kur tha: «I apelohem Cezarit!» (Veprat 25:11) Prandaj, përkthimi Diodati i Ri thotë se Stefani ‘i thirri’ Jezuit.
Çfarë e shtyu Stefanin të bënte këtë thirrje? Sipas Veprave 7:55, 56, Stefani, «duke qenë plot me frymë të shenjtë, ia nguli sytë qiellit dhe vuri re lavdinë e Perëndisë e të Jezuit që qëndronte në të djathtën e Perëndisë». Normalisht Stefani do t’ia kishte drejtuar kërkesat e tij Jehovait, në emrin e Jezuit. Por duke parë në vegim Jezuin e ringjallur, me sa duket Stefani u ndie i lirshëm t’i thërriste atij drejtpërdrejt, duke thënë: «Zotëri Jezu, pranoje frymën time.» Stefani e dinte se Jezuit i ishte dhënë autoriteti për të ringjallur të vdekurit. (Gjoni 5:27-29) Prandaj i kërkoi Jezuit që t’ia ruante frymën ose jetën, deri në ditën kur ta ngrinte në jetën e pavdekshme në qiej.
Mos vallë këto pak fjalë të Stefanit përbëjnë një precedent që ne t’i lutemi Jezuit? Aspak. Pikësëpari, Stefani në mënyrë të qartë bëri dallimin ndërmjet Jezuit dhe Jehovait, sepse tregimi thotë që e pa Jezuin «në të djathtën e Perëndisë». Gjithashtu, këto rrethana ishin të veçanta. Ka vetëm një rast tjetër që një shprehje e tillë i është drejtuar Jezuit. Është rasti i apostullit Gjon, i cili po ashtu iu drejtua Jezuit drejtpërdrejt kur e pa në vegim.—Zbulesa 22:16, 20.
Ndonëse të krishterët sot, ashtu siç duhet, ia drejtojnë të gjitha lutjet Perëndisë Jehova, ata kanë besim të patundur se Jezui është «ringjallja dhe jeta». (Gjoni 11:25) Si në rastin e Stefanit, besimi në aftësinë e Jezuit për të ngritur ithtarët e tij nga vdekja, mund të na ndihmojë e të na mbështetë edhe ne në kohë sprovash.