Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i mbroni fëmijët me anë të mençurisë hyjnore?

Si t’i mbroni fëmijët me anë të mençurisë hyjnore?

Si t’i mbroni fëmijët me anë të mençurisë hyjnore?

ÇDO ditë trupi ynë lufton. I duhet të asgjësojë një hordhi mikrobesh, parazitësh e virusesh. Sa mirë që shumica prej nesh kemi trashëguar një sistem imunitar, i cili na mbron nga këto sulme dhe na ndihmon që të mos bëhemi pre e një morie sëmundjesh ngjitëse!

Po kështu, si të krishterë duhet të luftojmë kundër mendimeve e parimeve që bien ndesh me Biblën dhe kundër presioneve që mund të na e shkatërrojnë shëndetin frymor. (2 Korintasve 11:3) Për t’u bërë ballë këtyre sulmeve të përditshme që i bëhen mendjes dhe zemrës sonë, duhet të forcojmë mbrojtjen frymore.

Kjo mbrojtje është e domosdoshme sidomos për fëmijët tanë, sepse ata nuk lindin me aftësinë për t’u mbrojtur frymësisht, që t’i kundërvihen frymës së botës. (Efesianëve 2:2) Ndërsa fëmijët rriten, është thelbësore që prindërit t’i ndihmojnë të bëhen të aftë të mbrohen vetë frymësisht. Nga se varet kjo? Bibla shpjegon: «Sepse Jehovai jep mençuri. . . . Ai do t’i këqyrë shtigjet e gjykimit dhe do të ruajë udhën e besnikëve të tij.» (Fjalët e urta [Proverbat] 2:6, 8, BR) Mençuria hyjnore i ruan fëmijët në udhën e tyre, se, përndryshe, ata do të dorëzoheshin para shoqërisë së keqe, presionit të bashkëmoshatarëve ose zbavitjes jo të shëndetshme. Si mund ta ndjekin prindërit drejtimin e Jehovait dhe t’u ngulitin fëmijëve mençurinë e tij?

Të kenë shoqëri ndërtuese

Kuptohet që adoleshentët kanë qejf të shoqërohen me bashkëmoshatarët, mirëpo kur rrinë vetëm me të rinj të tjerë që janë pa përvojë, nuk nxiten të fitojnë mençurinë hyjnore. «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës»,​—paralajmëron një fjalë e urtë. (Fjalët e urta 22:15) Por, si i kanë ndihmuar disa prindër fëmijët e tyre që të shfaqin mençurinë hyjnore për sa i përket shoqërisë?

Një baba me emrin Don * tha: «Djemtë tanë kalonin goxha kohë me miq të moshës së tyre, por ama pjesën më të madhe të kësaj kohe e kalonin në shtëpi, kur ne ishim aty. Shtëpia ishte gjithnjë e hapur e plot me shokë të fëmijëve, që i mbanim për drekë a për darkë dhe i bënim të ndiheshin të mirëpritur. E duronim pa problem zhurmën e gurgulenë në shtëpi, se donim t’u siguronim fëmijëve një mjedis të sigurt, ku të kënaqeshin.»

Brajan dhe Meri kanë tre fëmijë të shkëlqyer, por e pranojnë hapur se nuk ka qenë gjithnjë e lehtë t’i stërvitnin. Ata thanë: «Në kongregacionin tonë nuk kishte shumë të rinj në vitet e fundit të adoleshencës që të shoqëroheshin me vajzën tonë, Xhejnin. Megjithatë kishte një shoqe, Suzanën, një vajzë e afrueshme dhe e gëzuar. Prindërit e saj ishin më liberalë se ne. E linin Suzanën të rrinte jashtë më vonë se ç’e linim ne Xhejnin, të vishte funde më të shkurtra, të dëgjonte muzikë të diskutueshme dhe të shihte filma të papërshtatshëm. Për shumë kohë, Xhejni nuk e kuptonte pse ne mendonim ndryshe. Prindërit e Suzanës i dukeshin më të kuptueshëm, kurse ne i dukeshim tepër të rreptë. Vetëm kur Suzana u fut në telashe, Xhejni e kuptoi që vendosmëria jonë shërbeu për ta mbrojtur. Jemi vërtet të kënaqur që nuk lëshuam pe, por që këmbëngulën në atë që besonim se ishte e drejtë për vajzën tonë.»

Ashtu si Xhejni, mjaft të rinj kanë kuptuar se është e mençur t’u kërkojnë prindërve që t’i drejtojnë për sa i përket shoqërisë që zgjedhin. «Veshi që e dëgjon qortimin jetëdhënës, gjen strehë pikërisht mes të mençurve»,​—thotë një fjalë e urtë. (Fjalët e urta 15:31, BR) Të rinjtë me mençuri hyjnore përpiqen të shoqërohen me miq që i nxitin të bëjnë gjëra të mira.

Të përballojnë presionin për t’u sjellë si të tjerët

Një gjë e lidhur ngushtë me shoqërinë, është presioni i bashkëmoshatarëve. Ditë pas dite, presioni për të bërë si të tjerët sulmon fëmijët tanë, duke ua dobësuar mbrojtjen. Meqë të rinjtë zakonisht kërkojnë të kenë miratimin e moshatarëve të vet, presioni i bashkëmoshatarëve mund t’i modelojë sipas kallëpit që i pëlqen botës.​—Fjalët e urta 29:25.

Bibla na kujton se «bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj». (1 Gjonit 2:17) Prandaj prindërit nuk duhet t’i lejojnë fëmijët që të ndikohen së tepërmi nga pikëpamjet e botës. Si mund t’i ndihmojnë ata fëmijët që të mendojnë në një mënyrë që është e përshtatshme për një të krishterë?

«Ime bijë gjithmonë donte të vishej si vajzat e tjera,​—thotë Riçardi.​—Prandaj me durim, arsyetonim me të në lidhje me të mirat e të këqijat e çdo gjëje që na kërkonte. Ndonëse disa veshje të modës nuk dukeshin të këqija, ne ndoqëm këshillën që dëgjuam para ca vjetësh: «Një njeri i mençur nuk është as i pari që ndjek një modë të caktuar dhe as i fundit që e lë.»

Një nënë që quhet Polina, e luftoi presionin e bashkëmoshatarëve në një mënyrë tjetër. Ajo kujton: «Tregoja interes për gjërat që u pëlqenin fëmijëve të mi dhe vazhdimisht u shkoja në dhomë për të biseduar me ta. Këto biseda të gjata më dhanë mundësinë t’i brumosja dhe t’i ndihmoja që t’i shihnin çështjet nga këndvështrime të ndryshme.»

Presioni i bashkëmoshatarëve nuk zhduket lehtë, prandaj ka të ngjarë që prindërit të përballojnë një betejë të vazhdueshme që ‘të përmbysin arsyetimet e botës’ dhe t’i ndihmojnë fëmijët që ‘të çojnë në robëri çdo mendim, për ta bërë të bindur ndaj Krishtit’. (2 Korintasve 10:5) Por ‘duke ngulmuar në lutje’, si prindërit, ashtu edhe fëmijët do të forcohen që të përmbushin këtë detyrë jetësore.​—Romakëve 12:12; Psalmi 65:2.

Forca magjepsëse e zbavitjeve

Një ndikim i tretë, që ndoshta prindërit e përballojnë me vështirësi, është zbavitja. Natyrisht, fëmijët e vegjël kanë qejf të luajnë. Edhe shumë fëmijë më të rritur, dëshirojnë fort të dëfrehen. (2 Timoteut 2:22) Por nëse plotësohet në një mënyrë jo të mençur, kjo dëshirë mund ta dobësojë mbrotjen frymore të fëmijëve. Rreziku paraqitet kryesisht në dy drejtime.

Së pari, shumë lloje zbavitjesh pasqyrojnë normat morale të ulëta të botës. (Efesianëve 4:17-19) Mirëpo zakonisht paraqiten në një mënyrë joshëse e tërheqëse. Kjo përbën një rrezik të vërtetë për të rinjtë, të cilët ndoshta nuk i dallojnë grackat.

Së dyti, edhe sasia e kohës që kalohet me zbavitje, mund të përbëjë një problem. Për disa, dëfrimi bëhet gjëja më e rëndësishme në jetë, e u thith mjaft kohë e energji. Një fjalë e urtë na paralajmëron se ‘nuk është mirë të hash shumë mjaltë’. (Fjalët e urta 25:27) Po kështu, zbavitja e tepërt na e pret oreksin për gjërat frymore dhe çon në plogështi mendore. (Fjalët e urta 21:17; 24:30-34) Po ta përdorin plotësisht këtë botë, të rinjtë nuk do të arrijnë «të rrokin jetën e vërtetë», pra jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë. (1 Timoteut 6:12, 19) Si e kanë përballuar prindërit këtë problem?

Maria-Karmeni, nënë me tre vajza, thotë: «Donim që vajzat tona të argëtoheshin në mënyrë të shëndetshme dhe të kënaqeshin. Prandaj vazhdimisht dilnim si familje dhe ato kalonin kohë edhe me miqtë në kongregacion. Por e mbanim argëtimin në vendin e vet. E krahasonim me ëmbëlsirën në fund të një vakti: e shijshme, por jo pjata kryesore. Ato mësuan të ishin punëtore në shtëpi, shkollë e në kongregacion.»

As Doni e Rutha nuk ia linin rastësisë argëtimin. «E bëmë zakon që të shtunën ta kishim si ‘ditën e familjes’,​—shpjegojnë ata.​—Paradite dilnim në shërbim, kurse pasdite shkonim për të peshkuar e në mbrëmje hanim një darkë të veçantë.»

Komentet e këtyre prindërve tregojnë vlerën që ka ekuilibri për sa i përket zbavitjes së shëndetshme dhe mbajtjes së saj në vendin e vet në jetën tonë si të krishterë.​—Predikuesi 3:4; Filipianëve 4:5.

Të kenë besim te Jehovai

Sigurisht, duhen vite që të forcohet mbrojtja frymore. Nuk ka ndonjë ilaç çudibërës që të ngulitë te fëmijët mençurinë hyjnore e t’i motivojë të kenë besim tek Ati i tyre qiellor. Në vend të kësaj, prindërit duhet ‘t’i rritin në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait’. (Efesianëve 6:4) Kjo ‘normë mendore’ e vazhdueshme do të thotë t’i ndihmosh fëmijët t’i shohin gjërat siç i sheh Perëndia. Si ta arrijnë prindërit këtë?

Studimi i rregullt familjar është çelësi për t’ia dalë mbanë. Studimi ‘u hap sytë fëmijëve që të soditin mrekullitë e ligjit të Perëndisë’. (Psalmi 119:18) Diegoja e merrte shumë seriozisht studimin familjar, dhe kështu i ndihmoi fëmijët e vet t’i afroheshin Jehovait. Ai tha: «Përgatitesha mirë për studimin. Duke bërë kërkime në botimet biblike, mësova që t’ua bëja të gjalla personazhet biblike. I nxitja fëmijët të bënin krahasimin mes vetes e individëve besnikë. Kjo i bëri të kishin përfytyrime të gjalla në mendje për gjërat që i pëlqejnë Jehovait.»

Fëmijët mësojnë edhe në biseda të çlirëta. Moisiu i nxiti prindërit të flitnin për porositë e Jehovait ‘kur rrinin ulur në shtëpi, kur ecnin rrugës, kur binin në shtrat dhe kur çoheshin’. (Ligji i përtërirë 6:7) Një baba shpjegoi: «Im bir ka nevojë për kohë që të hapë zemrën e të shprehë ndjenjat e veta. Kur dalim shëtitje ose bëjmë ndonjë punë bashkë, pak nga pak ai zbrazet. Në këto raste bëjmë biseda fantastike, që na vlejnë të dyve.»

Edhe lutjet që bëjnë prindërit, lënë mbresa të thella te fëmijët. Kur dëgjojnë prindërit që me përulësi i afrohen Perëndisë për t’i kërkuar ndihmë e falje, fëmijët nxiten që ‘të besojnë se ai është’. (Hebrenjve 11:6) Shumë prindër të suksesshëm e vënë theksin te rëndësia e lutjeve si familje, përfshirë këtu lutjet që kanë të bëjnë me çështjet e shkollës e me gjëra të tjera që i mundojnë fëmijët. Një baba tha se e shoqja gjithmonë lutet me fëmijët para se të shkojnë në shkollë.​—Psalmi 62:8; 112:7.

«Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer»

Të gjithë prindërit bëjnë gabime, dhe ndoshta nganjëherë u vjen keq për mënyrën si janë sjellë në ndonjë rrethanë. Megjithëkëtë, Bibla na nxit të vazhdojmë të përpiqemi e «të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer».​—Galatasve 6:9.

Gjithsesi, ndonjëherë prindërit mund të ndihen të lodhur, dhe duan të dorëzohen, kur nuk i kuptojnë dot fëmijët. Është e lehtë të thuash që brezi i ri është i vështirë dhe i ndryshëm nga ne. Mirëpo faktikisht fëmijët sot kanë po ato dobësi që kishin brezat e mëparshëm dhe hasin të njëjtat tundime, megjithëse mund të jetë rritur presioni që i shtyn të veprojnë keq. Prandaj një baba, pasi e ndreqi të birin, i zbuti fjalët dhe shtoi me përzemërsi: «Zemra jote dëshiron atë që dëshironte zemra ime kur isha në moshën tënde.» Ndoshta prindërit nuk marrin shumë vesh nga kompjuteri, por ata i njohin mirë prirjet e mishit të papërsosur.​—Mateu 26:41; 2 Korintasve 2:11.

Mbase disa fëmijë nuk para kanë qejf që prindërit t’u japin drejtim, e madje edhe ngrenë krye kur disiplinohen. Gjithsesi, edhe në këtë rast, është thelbësore të tregojmë durim. Megjithëse në fillim nuk pranojnë ose ka periudha që nuk binden, me kalimin e kohës, shumë fëmijë reagojnë mirë. (Fjalët e urta 22:6; 23:22-25) Methju, një i ri i krishterë që tani shërben në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait, rrëfeu: «Kur isha adoleshent, më dukej sikur më kufizonin pa të drejtë. Mendoja se, kur prindërit e shokëve të mi, në fund të fundit, ua lejojnë atyre ca gjëra, pse këta të mitë jo?! Dhe mërzitesha vërtet kur nganjëherë më ndëshkonin duke mos më lënë të lundroja me kaike, një gjë që më pëlqente shumë. Por, tani, tek mendoj për të shkuarën, e kuptoj se disiplina e prindërve ishte edhe e efektshme, edhe e nevojshme. U jam mirënjohës që më dhanë drejtimin që më nevojitej, dhe pikërisht në kohën e duhur.»

Një gjë është e sigurt: ndonëse herë pas here fëmijëve tanë u duhet të gjenden në një mjedis jo të shëndetshëm nga ana frymore, prapëseprapë, ata mund të bëhen të krishterë të shkëlqyer kur të rriten. Siç premton Bibla, mençuria hyjnore mund t’u sigurojë mbrojtjen frymore. «Kur mençuria të hyjë në zemrën tënde dhe njohuria të bëhet e këndshme për shpirtin tënd, aftësia për të menduar do të të ruajë, aftësia dalluese do të të mbrojë, për të të çliruar nga udha e keqe.»​—Proverbat 2:10-12, BR.

Ta mbash një fëmijë në bark për nëntë muaj, nuk është e lehtë. Edhe 20 vjetët që vijnë më pas, mund të sjellin me vete edhe njëfarë dhembjeje bashkë me gëzimin. Por, ngaqë i duan fëmijët, prindërit e krishterë bëjnë çmos që t’i mbrojnë me anë të mençurisë hyjnore. Ata ndiejnë për fëmijët e tyre të njëjtën gjë që ndiente apostulli Gjon për fëmijët e vet frymorë: «Nuk kam shkak më të madh për mirënjohje, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»​—3 Gjonit 4.

[Shënimi]

^ par. 7 Disa nga emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

[Figura në faqen 24]

«Shtëpia ishte gjithnjë e hapur e plot me shokë të fëmijëve»

[Figura në faqen 25]

Interesohu për gjërat që u pëlqejnë fëmijëve të tu

[Figurat në faqen 26]

«Përgatitesha mirë për studimin»