Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të bashkuar nga dashuria për Perëndinë

Të bashkuar nga dashuria për Perëndinë

Të bashkuar nga dashuria për Perëndinë

KUR u formua kongregacioni i krishterë në shekullin e parë të erës sonë, një nga karakteristikat e tij dalluese ishte uniteti që kishin, megjithëse anëtarët ishin të ndryshëm. Ata adhurues të Perëndisë së vërtetë vinin nga kombe të Azisë, Evropës e Afrikës. Kishin formime të ndryshme: priftërinj, ushtarë, skllevër, refugjatë, zejtarë, specialistë të fushave të ndryshme dhe tregtarë. Disa ishin hebrenj, kurse të tjerët nga kombet pagane. Shumë prej tyre kishin qenë kurorëshkelës, homoseksualë, pijanecë, hajdutë ose zhvatës. Megjithatë, kur u bënë të krishterë, hoqën dorë nga zakonet e këqija dhe u afruan shumë me njëri-tjetrin në besim.

Çfarë i dha mundësi krishterimit të shekullit të parë t’i bashkonte të gjithë këta njerëz? Pse ishin në paqe me njëri-tjetrin dhe me njerëzit në përgjithësi? Pse nuk u përzien në kryengritje e konflikte? Pse krishterimi i hershëm ishte kaq ndryshe nga fetë kryesore sot?

Çfarë i afronte pjesëtarët e kongregacionit?

Faktori kryesor që i bashkonte bashkëbesimtarët në shekullin e parë, ishte dashuria për Perëndinë. Ata të krishterë e pranonin se detyrimi i tyre kryesor ishte ta donin Perëndinë e vërtetë, Jehovain, me gjithë zemër, shpirt e mendje. Për shembull, apostulli Pjetër, një hebre, mori udhëzime që të vizitonte shtëpinë e një johebreu, një njeri me të cilin normalisht nuk do të kishte pasur shoqëri të ngushtë. Ajo që e shtyu të bindej, ishte kryesisht dashuria për Jehovain. Pjetri dhe të krishterë të tjerë të hershëm gëzonin një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, marrëdhënie që bazohej në njohurinë e saktë për personalitetin e Tij, për çka i pëlqen e çka nuk i pëlqen Atij. Me kalimin e kohës, të gjithë adhuruesit e kuptuan se vullneti i Jehovait ishte që ‘të ishin të bashkuar në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën linjë mendimi’.​—1 Korintasve 1:10; Mateu 22:37; Veprat 10:1-35.

Besimtarët u afruan edhe më tepër me njëri-tjetrin falë besimit që kishin te Jezu Krishti. Ata donin të ndiqnin me kujdes gjurmët e tij. Ai i urdhëroi: «Ta doni njëri-tjetrin; ashtu siç ju kam dashur unë. . . . Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:34, 35) Kjo dashuri nuk duhej të ishte një ndjenjë kalimtare, por një dashuri vetëmohuese. Ç’rezultate do të jepte? Jezui u lut për ata që besojnë tek ai: «Të lutem . . . që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne.»​—Gjoni 17:20, 21; 1 Pjetrit 2:21.

Jehovai derdhi frymën e shenjtë ose forcën e tij vepruese mbi shërbëtorët e tij të vërtetë. Kjo frymë nxiste unitetin mes tyre. I bëri të kuptonin mësimet e Biblës, që u pranuan në të gjitha kongregacionet. Adhuruesit e Jehovait predikonin të njëjtin mesazh: shenjtërimin e emrit të Jehovait nëpërmjet Mbretërisë së Tij Mesianike, një mbretëri qiellore që do të sundojë mbi gjithë njerëzimin. Të krishterët e hershëm e kuptuan detyrimin e tyre, pra që të mos ishin ‘pjesë e kësaj bote’. Prandaj, sa herë që kishte trazira civile ose konflikte ushtarake, të krishterët qëndronin asnjanës. Ishin paqësorë me të gjithë.​—Gjoni 14:26; 18:36; Mateu 6:9, 10; Veprat 2:1-4; Romakëve 12:17-21.

Të gjithë besimtarët e pranuan përgjegjësinë e tyre për të nxitur unitetin. Si e bënë këtë? Duke u siguruar që sjellja e tyre ishte në përputhje me Biblën. Për këtë arsye apostulli Pavël u shkroi të krishterëve: «Flakni tej personalitetin e vjetër që është në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj» dhe «vishni personalitetin e ri».​—Efesianëve 4:22-32.

Ruajnë unitetin

Sigurisht që besimtarët në shekullin e parë ishin të papërsosur dhe disa herë lindën situata që vunë në provë unitetin e tyre. Për shembull, te Veprat 6:1-6 tregohet që pati një mosmarrëveshje mes të krishterëve judenj që flisnin greqisht dhe atyre që flisnin hebraisht. Ata që flisnin greqisht mendonin se ishin të diskriminuar. Por, pasi apostujt u informuan për këtë çështje, ajo u trajtua me shpejtësi dhe me paanshmëri. Më vonë, një çështje doktrinale çoi në polemika në lidhje me detyrimet që kishin johebrenjtë në kongregacionin e krishterë. U mor një vendim i bazuar te parimet biblike, dhe ky vendim u pranua njëzëri nga të gjithë në kongregacion.​—Veprat 15:1-29.

Këta shembuj tregojnë që, në shekullin e parë, mosmarrëveshjet nuk çuan në ndarje etnike ose në përçarje doktrinale në kongregacionin e krishterë. Pse nuk ndodhi kështu? Sepse faktorët që i bashkonin​—dashuria për Jehovain, besimi te Jezu Krishti, dashuria vetëmohuese për njëri-tjetrin, pranimi i udhëheqjes së frymës së shenjtë, kuptueshmëria e njëjtë për mësimet e Biblës dhe gatishmëria për të ndryshuar sjelljen​—ishin aq të fuqishëm, sa ta mbanin kongregacionin e hershëm të bashkuar dhe në paqe.

Të bashkuar në adhurim, në kohën tonë

A mund të arrihet uniteti në të njëjtën mënyrë edhe sot? A ka mundësi që të njëjtët faktorë t’i afrojnë ende pjesëtarët e një besimi me njëri-tjetrin dhe t’i bëjnë të jenë në paqe me të gjitha racat në çdo pjesë të botës? Po, ka mundësi! Dëshmitarët e Jehovait janë të bashkuar në një vëllazëri mbarëbotërore, që gjendet në më shumë se 230 vende, ishuj e rajone. Dhe faktorët që i bashkojnë janë po ata që bashkonin të krishterët në shekullin e parë.

Gjëja kryesore që ndikon tek uniteti që kanë Dëshmitarët e Jehovait, është përkushtimi i tyre ndaj Perëndisë Jehova. Kjo do të thotë që bëjnë çmos t’i qëndrojnë besnikë atij në çdo rrethanë. Gjithashtu Dëshmitarët e Jehovait shfaqin besim te Jezu Krishti dhe te mësimet e tij. Këta të krishterë tregojnë dashuri vetëmohuese për bashkëbesimtarët dhe predikojnë të njëjtin lajm të mirë për Mbretërinë e Perëndisë në të gjitha vendet ku shtrihet vepra e tyre. Janë të gatshëm të flasin për këtë Mbretëri me njerëzit e çdo besimi, race, kombi e grupi shoqëror. Po kështu, Dëshmitarët e Jehovait mbeten asnjanës në çështjet e botës, e kjo i ndihmon t’u rrinë larg presioneve politike, kulturore, shoqërore e tregtare, që e përçajnë kaq shumë njerëzimin. Të gjithë Dëshmitarët e pranojnë detyrimin që kanë për të nxitur unitetin duke u sjellë sipas normave të Biblës.

Uniteti i tërheq të tjerët

Ky unitet shpesh u ka ngjallur kureshtjen disa individëve që nuk ishin Dëshmitarë. Ilza, * për shembull, dikur ishte murgeshë katolike në një manastir në Gjermani. Çfarë i pëlqeu te Dëshmitarët e Jehovait? Ajo thotë: «Janë njerëzit më të mirë që kam njohur. Nuk shkojnë në luftë. Nuk bëjnë asgjë për të dëmtuar të tjerët. Duan t’i ndihmojnë njerëzit që të jetojnë të lumtur në një tokë parajsore nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë.»

Kurse Gynteri ishte një ushtar gjerman që e dërguan në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një ditë, një prift protestant mbajti një shërbesë fetare për ushtarët e repartit të Gynterit. Prifti u lut për bekime, mbrojtje e fitore. Pas kësaj, Gynteri mori shërbimin si rojë. Pa me dylbi trupat armike në anën tjetër të vijës së frontit që gjithashtu po merrnin pjesë në një shërbesë fetare, që e drejtonte një prift. Më pas Gynteri komentoi: «Ndoshta edhe ai prift po lutej për bekime, mbrojtje e fitore. Pyeta veten si ishte e mundur që kishat e krishtere të mbështetnin palët kundërshtare në të njëjtën luftë.» Këto mbresa iu skalitën në kujtesë Gynterit. Më vonë, kur u njoh me Dëshmitarët e Jehovait, që nuk shkojnë në luftë, Gynteri u bë pjesë e vëllazërisë së tyre mbarëbotërore.

Ashoku dhe Fima i përkitnin një feje të Lindjes. Në shtëpi kishin një faltore për një perëndi. Kur në familjen e tyre ra një sëmundje e rëndë, ata shqyrtuan edhe një herë fenë që kishin. Dhe kur Ashoku e Fima u njohën me Dëshmitarët e Jehovait e biseduan me ta, u bënë përshtypje mësimet e Biblës dhe dashuria që ekzistonte mes Dëshmitarëve. Tani ata predikojnë me zell lajmin e mirë për Mbretërinë e Jehovait.

Ilza, Gynteri, Ashoku, Fima dhe miliona Dëshmitarë të Jehovait, janë të bashkuar në një vëllazëri mbarëbotërore. Ata besojnë në premtimin e Biblës se faktorët që po i bashkojnë ata sot në adhurim, së shpejti do të bashkojnë të gjithë njerëzit e bindur. Atëherë nuk do të ketë më masakra, përçarje e ndasi në emër të fesë. E gjithë bota do të bashkohet në adhurimin e Perëndisë së vërtetë, Jehovait.​—Zbulesa 21:4, 5.

[Shënimi]

^ par. 16 Disa nga emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

[Figurat në faqet 4, 5]

Megjithëse kishin formime të ndryshme, të krishterët e hershëm ishin të bashkuar