Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ruhemi nga zakonet që nuk i pëlqejnë Perëndisë

Të ruhemi nga zakonet që nuk i pëlqejnë Perëndisë

Të ruhemi nga zakonet që nuk i pëlqejnë Perëndisë

NËN diellin përvëlues të Afrikës, në një oborr të vogël, ndodhet një arkivol i hapur. Ndërsa kortezhi ecën rreth tij për të shprehur hidhërimin, një burrë plak ndalet. Vështron plot keqardhje, përkulet afër fytyrës së të vdekurit dhe fillon t’i flasë: «Pse nuk më the që do të ikje? Pse më le kështu? Tani që u ktheve prapë në atë botë, a do të më ndihmosh më?»

Në një vend tjetër të Afrikës ka lindur një foshnjë. Askujt s’i lejohet ta shohë. Vetëm pasi kanë kaluar ca kohë, foshnjën e nxjerrin që ta shohin njerëzit, dhe bëhet një ceremoni për t’i vënë emrin.

Disa njerëzve mund t’u duken zakone të çuditshme të flasësh me të vdekurin ose ta fshehësh foshnjën e porsalindur që të mos e shohë njeri. Mirëpo, në disa kultura dhe shoqëri, sjellja dhe pikëpamjet e njerëzve për vdekjen dhe lindjen ndikohen nga një besim i fortë se të vdekurit nuk kanë vdekur vërtet, por janë të gjallë dhe të vetëdijshëm.

Ky besim është kaq i fortë sa është bërë strumbullari i zakoneve dhe i ritualeve që përfshijnë pothuajse të gjitha fushat e jetës. Për shembull, miliona veta besojnë se etapat e rëndësishme në jetën e një njeriu, si lindja e tij, puberteti, martesa, më pas lindja e fëmijëve, dhe vdekja, janë si një kalim që të çon në botën e frymërave të paraardhësve. Besohet se, që nga ajo botë, i vdekuri ndikon në jetën e atyre që lë pas. Gjithashtu, besohet se ai mund ta vazhdojë ciklin e jetës duke lindur përsëri.

Që të bëhet sa më i lehtë kalimi nga një etapë e jetës në tjetrën, ndiqen një mori zakonesh e ritualesh. Këto zakone janë ndikuar nga besimi se diçka brenda nesh vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes. Të krishterët e vërtetë shmangin çdo lloj zakoni që ka të bëjë me këtë besim. Pse?

Në ç’gjendje janë të vdekurit?

Bibla është shumë e qartë kur përshkruan gjendjen e të vdekurve. Ajo pohon: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë. . . . Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë. . . . Në Sheol [varri i përbashkët i njerëzimit] ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Predikuesi 9:5, 6, 10) Adhuruesit e vërtetë të Perëndisë kanë shumë kohë që e çmojnë këtë të vërtetë themelore biblike. Ata kanë kuptuar se shpirti nuk është i pavdekshëm, përkundrazi ai mund të vdesë e të shkatërrohet. (Ezekieli 18:4) Gjithashtu e dinë se shpirtrat e të vdekurve nuk ekzistojnë. (Psalmi 146:4) Në kohët e lashta, Jehovai e urdhëroi prerazi popullin e vet të veçohej tërësisht nga çdo lloj zakoni dhe rituali që lidhej me besimin se të vdekurit janë të vetëdijshëm dhe mund të ndikojnë te të gjallët.​—Ligji i përtërirë 14:1; 18:9-13; Isaia 8:19, 20.

Edhe të krishterët e shekullit të parë i shmangnin zakonet ose ritet që lidheshin me mësimet e rreme fetare. (2 Korintasve 6:15-17) Sot, Dëshmitarët e Jehovait, pavarësisht se ç’racë, fis a formim kanë, i shmangin traditat dhe zakonet që lidhen me mësimin e rremë se diçka brenda njeriut jeton edhe pas vdekjes.

Çfarë mund të na drejtojë ne si të krishterë për të vendosur nëse mund ta mbajmë apo jo një zakon të caktuar? Duhet të mendojmë me kujdes për lidhjen që mund të ketë me ndonjë mësim jobiblik, si për shembull, besimi se shpirtrat e të vdekurve ndikojnë në jetën e të gjallëve. Për më tepër, duhet të mendojmë nëse pjesëmarrja jonë në këtë zakon ose ceremoni do t’i pengonte ata që e dinë se çfarë besojnë dhe mësojnë Dëshmitarët e Jehovait. Duke mbajtur ndër mend këto pika, le të shqyrtojmë dy fusha që na interesojnë: lindja dhe vdekja.

Lindja dhe ceremonitë e vënies së emrit

Shumë zakone që lidhen me lindjen e fëmijëve, janë të përshtatshme. Gjithsesi, në ato vende ku lindja shihet si një kthim i individit nga bota e frymërave të paraardhësve në botën e njerëzve, të krishterët e vërtetë duhet të bëjnë kujdes. Për shembull, në disa pjesë të Afrikës, një fëmijë i porsalindur mbahet brenda dhe nuk i vihet emri po nuk kaloi njëfarë kohe. Ndonëse kohëzgjatja e kësaj ndryshon në varësi të zonës, ajo përfundon me një ceremoni për vënien e emrit, gjatë së cilës fëmija u nxirret të gjithë të afërmve e miqve për ta parë. Atëherë njoftohet publikisht emri i fëmijës para të pranishmëve.

Libri Gana: Të kuptojmë njerëzit dhe kulturat e tyre (anglisht), shpjegon domethënien e këtij zakoni kur thotë: «Gjatë shtatë ditëve të para të jetës, mendohet sikur foshnja është ‘një vizitor’ që po kalon nga bota e frymërave në jetën tokësore. . . . Zakonisht foshnja mbahet brenda dhe njerëzit jashtë familjes nuk lejohen ta shohin.»

Pse presin ca kohë para se t’i vënë emrin fëmijës duke bërë një ceremoni? Libri Gana në retrospektivë (anglisht) shpjegon: «Besohet se para ditës së tetë, fëmija nuk është akoma një qenie njerëzore dhe se shoqërohet me botën tjetër, nga e cila ka ardhur.» Libri vazhdon: «Sipas tyre, emri e bën fëmijën njeri. Kështu që, kur një çift ka frikë mos u vdesë fëmija, zakonisht e shtyjnë vënien e emrit, derisa të sigurohen që foshnja do të jetojë. . . . Prandaj mendohet se riti i kalimit në një etapë tjetër të jetës, që nganjëherë quhet paraqitja e fëmijës në publik, ka ndikim të thellë te prindërit dhe te fëmija. Me anë të kësaj ceremonie, fëmija hyn në shoqërinë ose në botën e qenieve njerëzore.»

Zakonisht, ceremoninë e vënies së emrit e drejton njëri nga të afërmit e familjes, më i moshuari. Veçoritë e kësaj ceremonie ndryshojnë nga një vend në tjetrin, por ajo shpesh përfshin: derdhjen e libacioneve, lutjet drejtuar shpirtrave të paraardhësve, të cilat shprehin mirënjohjen që fëmija arriti shëndoshë e mirë, si dhe rituale të tjera.

Ceremonia arrin kulmin në momentin kur njoftohet emri i fëmijës. Megjithëse përgjegjës për t’i vënë emrin fëmijës janë prindërit, shpesh të afërm të tjerë kanë një ndikim të fuqishëm në zgjedhjen e emrit. Disa emra mund të kenë kuptim simbolik në gjuhën vendëse, si për shembull: «I ikur e i rikthyer», «Nëna erdhi për herë të dytë» ose «Babai erdhi prapë». Emra të tjerë kanë kuptime që synojnë t’i sprapsin paraardhësit, me qëllim që të mos e marrin sërish fëmijën në botën e të vdekurve.

Natyrisht, nuk ka asgjë të gabuar të gëzohemi kur lind një fëmijë. T’i vësh fëmijës emrin e dikujt tjetër ose një emër që pasqyron rrethanat në të cilat lindi, janë zakone të pranueshme. Edhe vendimi se kur do t’ia vësh emrin fëmijës, është diçka personale. Megjithatë, të krishterët që duan t’i pëlqejnë Perëndisë, tregohen të kujdesshëm të shmangin çdo zakon ose ceremoni që lë përshtypjen se ata janë dakord me pikëpamjen që një i porsalindur është «vizitor», i cili po kalon nga bota e shpirtrave të paraardhësve në botën e njerëzve të gjallë.

Përveç kësaj, meqenëse shumë veta, në shoqërinë që i rrethon, e shohin ceremoninë e vënies së emrit si një rit të rëndësishëm të kalimit në një etapë tjetër të jetës, të krishterët duhet të jenë të ndjeshëm ndaj ndërgjegjes së të tjerëve dhe të mendojnë se ç’përshtypje mund të lënë te jobesimtarët. Ç’përfundim do të nxirrnin disa njerëz sikur, për shembull, një familje e krishterë të mos ua tregonte fëmijën të tjerëve, derisa të bëhej ceremonia e vënies së emrit? Ç’përshtypje do të linin po t’i vinin një emër që bie ndesh me pohimin e tyre se janë mësues të të vërtetave biblike?

Prandaj, kur vendosin si dhe në ç’moment do t’ia vënë emrin fëmijës, të krishterët përpiqen që ‘gjithçka ta bëjnë për lavdi të Perëndisë’, që të mos bëhen shkak pengese për askënd. (1 Korintasve 10:31-33) Ata nuk e ‘shpërfillin urdhërimin e Perëndisë për të mbajtur traditat e tyre’, tradita që në fund të fundit kanë si qëllim të nderojnë të vdekurit. Përkundrazi, nderojnë dhe i japin lavdi Perëndisë së gjallë, Jehovait.​—Marku 7:9, 13.

Kalimi nga vdekja në jetë

Vdekja, ashtu si lindja, konsiderohet nga shumë njerëz si një kalim, domethënë, ai që vdes kalon nga bota e dukshme në sferën e padukshme të shpirtrave të të vdekurve. Mjaft njerëz besojnë se po të mos kryhen nëpër varrime disa zakone dhe rite të caktuara, frymërat e paraardhësve, që besohet se kanë fuqi të ndëshkojnë ose të shpërblejnë të gjallët, do të zemërohen. Ky besim ndikon tepër në mënyrën si organizohen e si bëhen varrimet.

Varrimet që kanë si synim ta qetësojnë të vdekurin, shpesh përfshijnë lloj-lloj ndjenjash, që nga vajtimet e papërmbajtura dhe ulërimat para kufomës, deri në festimet e hareshme pas varrosjes. Shpesh këto varrime karakterizohen nga festime të harbuara, dehje dhe vallëzime me muzikë të lartë. Kaq shumë rëndësi u jepen zakoneve të varrimit, saqë edhe familja më e varfër shpesh bën çmos që të mbledhë para për të bërë një «varrim të përshtatshëm», megjithëse kjo mund t’i sjellë vështirësi financiare e borxhe.

Gjatë viteve, Dëshmitarët e Jehovait i kanë demaskuar plotësisht zakonet jobiblike të varrimit. * Këto zakone përfshijnë: ta ruash të vdekurin, t’i derdhësh libacione, të bisedosh e t’i kërkosh atij ndonjë gjë, të kremtosh përvjetorët e vdekjes, si edhe zakone të tjera të bazuara në besimin se diçka nga njeriu jeton edhe pas vdekjes. Zakone të tilla, që çnderojnë Perëndinë, janë «të papastra» dhe ‘mashtrime boshe’ të bazuara në ‘traditën e njerëzve’, e jo në të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.​—Isaia 52:11; Kolosianëve 2:8.

Presioni për t’u pajtuar me to

Për disa ka qenë tepër e vështirë t’i shmangnin zakonet e trashëguara brez pas brezi, sidomos në ato vende ku nderimi i të vdekurve konsiderohet jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ngaqë Dëshmitarët e Jehovait nuk i ndjekin këto zakone, njerëzit i shohin me dyshim ose i akuzojnë se janë kundër shoqërisë dhe nuk i respektojnë të vdekurit. Për këtë arsye, kritikat dhe presionet e forta kanë bërë që disa të kenë frikë të mbajnë një qëndrim të ndryshëm nga të tjerët, ndonëse e njohin mirë të vërtetën biblike. (1 Pjetrit 3:14) Disa të tjerë kanë menduar se këto zakone janë pjesë e kulturës së tyre dhe nuk mund t’i shmangin krejtësisht. Kurse disa kanë arsyetuar se, duke hedhur poshtë këtë zakon, mund të krijojnë në shoqëri paragjykime për popullin e Perëndisë.

Ne nuk duam t’i fyejmë më kot të tjerët. Por Bibla na paralajmëron se, po të marrim me vendosmëri anën e së vërtetës, nuk do të kemi miratimin e kësaj bote, që është larguar nga Perëndia. (Gjoni 15:18, 19; 2 Timoteut 3:12; 1 Gjonit 5:19) Ne e mbajmë këtë qëndrim me dëshirë, pasi e dimë se duhet të jemi të ndryshëm nga ata që janë në errësirë frymore. (Malakia 3:18; Galatasve 6:12) Ashtu si Jezui u rezistoi tundimeve të Satanait për të bërë ndonjë gjë që nuk do t’i pëlqente Perëndisë, po kështu edhe ne u rezistojmë presioneve për të bërë diçka që nuk i pëlqen Atij. (Mateu 4:3-7) Në vend që të ndikohen nga frika prej njerëzve, të krishterët e vërtetë shqetësohen në radhë të parë se si ta kënaqin Perëndinë Jehova dhe si ta nderojnë atë si Perëndi i së vërtetës. Ata veprojnë kështu pa u komprometuar që të shkelin normat biblike të adhurimit të vërtetë, ngaqë kanë presione nga të tjerët.​—Fjalët e urta 29:25; Veprat 5:29.

Nderojmë Jehovain me qëndrimin që mbajmë ndaj të vdekurve

Është normale të ndiejmë dhembje dhe pikëllim të thellë kur na vdes dikush që e duam. (Gjoni 11:33, 35) Të kujtojmë me vlerësim një njeri të dashur dhe t’i bëjmë një varrim dinjitoz, janë shprehje me vend e të duhura të dashurisë sonë për të. Gjithsesi, Dëshmitarët e Jehovait e përballojnë trishtimin e madh të vdekjes pa u përfshirë në ndonjë nga zakonet tradicionale, të cilat mund t’i shkaktojnë pakënaqësi Perëndisë. Kjo nuk është e lehtë për disa që janë rritur në ato kultura ku frika nga të vdekurit është e madhe. Mund të jetë e vështirë të ruajmë ekuilibrin kur na plagos vdekja e dikujt që kemi për zemër. Prapëseprapë, të krishterët besnikë forcohen nga Jehovai, «Perëndia i çdo ngushëllimi», dhe nxjerrin dobi nga përkrahja që u japin me dashuri bashkëbesimtarët. (2 Korintasve 1:3, 4) Të krishterët e vërtetë kanë një bindje të fortë se të vdekurit janë të pavetëdijshëm, dhe ata që janë në kujtesën e Perëndisë, një ditë do të jetojnë prapë. Kjo u jep arsye të vlefshme për t’u ndarë tërësisht nga zakonet jo të krishtere të varrimit, zakone që mohojnë realitetin e ringjalljes.

A nuk drithërohemi kur mendojmë që Jehovai na ka thirrur «nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme»? (1 Pjetrit 2:9) Teksa përjetojmë gëzimin e lindjes së një fëmije ose durojmë trishtimin e vdekjes, le të na nxitë gjithmonë dëshira e fortë për të bërë gjëra të drejta dhe dashuria e thellë për Perëndinë Jehova që ‘të vazhdojmë të ecim si fëmijë të dritës’. Kurrë mos ia lejofshim vetes të ndotemi frymësisht me zakone jo të krishtere, që i shkaktojnë pakënaqësi Perëndisë!​—Efesianëve 5:8.

[Shënimi]

^ par. 23 Ju lutemi të shihni broshurat Frymërat e të vdekurve​—A mund të të ndihmojnë apo të të bëjnë dëm? A ekzistojnë njëmend ato? dhe Rruga për në jetën e përhershme: A e keni gjetur? (anglisht) botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.