A varet nga ti e ardhmja jote?
A varet nga ti e ardhmja jote?
A ËSHTË përcaktuar tashmë e ardhmja jote? Nuk ndikojnë fare në të ardhmen tonë zgjedhjet që bëjmë?
E zëmë se njeriu e vendos vetë fatin e tij. Nëse do të ishte kështu, a mund të paracaktohej ndonjë individ për të kryer një detyrë specifike ose për të pasur njëfarë pozite? Dhe si do ta përmbushte Perëndia vullnetin e tij në lidhje me tokën, nëse njerëzit do t’i jepnin jetës së tyre atë drejtim që do të donin? Përgjigje të kënaqshme për këto pyetje i gjejmë në Bibël.
A pajtohet doktrina e paracaktimit me vullnetin e lirë?
Mendoni pak se si na ka krijuar Perëndia Jehova! Bibla thotë se «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi [njeriun] mashkullin e femrën». (Zanafilla 1:27) Të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, kemi aftësinë të pasqyrojmë cilësitë e tij, siç janë dashuria, drejtësia, mençuria dhe fuqia. Perëndia na ka dhuruar edhe vullnetin e lirë ose ndryshe lirinë e zgjedhjes. Kjo gjë na dallon nga krijesat e tjera në tokë. Mund të vendosim vetë nëse do të ndjekim ose jo udhëheqjen morale të Perëndisë. Prandaj profeti Moisi tha: «Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu, dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me të.»—Ligji i përtërirë 30:19, 20.
Por dhurata e lirisë së zgjedhjes nuk nënkupton liri absolute. Nuk mund të shpërfillim ligjet fizike ose morale që Perëndia ka vënë me qëllim që universi të ketë paqe dhe të jetë i qëndrueshëm. Këto ligje u vendosën për të mirën tonë dhe çdo shkelje e tyre mund të jetë me pasoja serioze. E imagjinoni dot se çfarë do të ndodhte nëse do të shpërfillnim ligjin e rëndesës dhe të hidheshim nga tarraca e një ndërtese të lartë?—Kjo liri zgjedhjeje na ngarkon edhe me një përgjegjësi që krijesat e tjera nuk e kanë. Shkrimtari Korlis Lamont bëri pyetjen: «Si mund t’i ngarkojmë njerëzit me përgjegjësi etike dhe t’i dënojmë për shkeljet e tyre, nëse e pranojmë . . . që vendimet dhe veprimet e tyre janë të paracaktuara?» Sigurisht që nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë. Kafshët që ndjekin instinktin nuk janë të përgjegjshme për atë që bëjnë dhe as kompjuterët për funksionet që janë programuar të kryejnë. Pra, liria e zgjedhjes na ngarkon një përgjegjësi të madhe dhe na bën përgjegjës për veprimet tona.
Sa i pashpirt dhe i padrejtë do të ishte Perëndia Jehova nëse, që para lindjes sonë, do të paracaktonte drejtimin që do të merrnim në jetë dhe pastaj të na quante përgjegjës për atë që do të bënim! Por ai nuk e bën një gjë të tillë, sepse «Perëndia është dashuri» dhe «në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi». (1 Gjonit 4:8; Ligji i përtërirë 32:4) Duke na dhënë lirinë e zgjedhjes, në të njëjtën kohë nuk ‘paracaktoi që nga përjetësia se cilin do të shpëtonte dhe cilin do të dënonte’, ashtu siç pretendojnë ata që besojnë te paracaktimi i fatit. Liria e zgjedhjes e hedh poshtë teorinë e paracaktimit.
Bibla tregon qartë se zgjedhjet që bëjmë ndryshojnë të ardhmen tonë. Për shembull, Perëndia u bën thirrje keqbërësve me këto fjalë: «Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe dhe nga veprimet e liga . . . dhe unë nuk do t’ju bëj asnjë të keqe.» (Jeremia 25:5, 6) Kjo thirrje do të ishte e kotë, nëse Perëndia tashmë do ta kishte vendosur të ardhmen e çdo individi. Për më tepër, në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Prandaj, pendohuni dhe kthehuni që të fshihen mëkatet tuaja, që nga personi i Jehovait të vijnë stinë freskuese.» (Veprat 3:19) Pse do t’u kërkonte Jehovai njerëzve të pendoheshin dhe të ktheheshin, në qoftë se do ta dinte që më parë se ata s’mund të bënin gjë për të ndryshuar të ardhmen e tyre?
Shkrimet flasin për disa njerëz që Perëndia i ka ftuar të mbretërojnë në qiell bashkë me Jezu Krishtin. (Mateu 22:14; Luka12:32) Por, Bibla thotë se do ta humbasin këtë privilegj po të mos qëndrojnë deri në fund. (Zbulesa 2:10) Nëse ai e kishte vendosur tashmë që ata të mos zgjidheshin për këtë privilegj, atëherë pse i ftoi? Përveç kësaj, vini re se çfarë u tha apostulli Pavël bashkëbesimtarëve. Ai shkroi: «Po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet.» (Hebrenjve 10:26) Ky paralajmërim nuk do të kishte vlerë, nëse Perëndia do ta kishte paracaktuar të ardhmen e tyre. Por, a s’është e vërtetë se Perëndia ka paravendosur që disa individë të mbretërojnë bashkë me Jezu Krishtin?
Ka paravendosur për individë apo për një grup?
Apostulli Pavël shkroi: «[Perëndia] na ka bekuar me çdo bekim frymor në vendet qiellore në unitet me Krishtin, ashtu siç na zgjodhi në unitet me të përpara themelimit të botës . . . Sepse ai paravendosi që ne të birësoheshim prej tij nëpërmjet Jezu Krishtit.» (Efesianëve 1:3-5) Çfarë ka paravendosur Perëndia dhe çfarë nënkupton që ai i ka zgjedhur «përpara themelimit të botës»?
Vargjet e mësipërme biblike pohojnë se Perëndia ka zgjedhur disa pasardhës të njeriut të parë, Adamit, për të qeverisur bashkë me Krishtin në qiell. (Romakëve 8:14-17, 28-30; Zbulesa 5:9, 10) Megjithatë, supozimi se, mijëra vjet para se të lindnin, Perëndia Jehova ka paracaktuar individë të veçantë për të marrë këtë privilegj, bie ndesh me lirinë e zgjedhjes së këtyre njerëzve. Në të vërtetë, Perëndia caktoi një grup ose një klasë njerëzish për atë privilegj dhe jo individë.
Le ta ilustrojmë. Ta zëmë se një qeveri vendos të ngrejë një institucion të veçantë. Ajo përcakton rolin, veprimtarinë dhe përmasat e këtij institucioni. Pas pak kohe, institucioni fillon nga puna dhe punonjësit e tij bëjnë një deklaratë: «Qeveria përcaktoi disa vite më parë se çfarë pune do të bënim. Tani po fillojmë punën që na ka caktuar.» A do të arrinit në përfundim se vite më parë qeveria duhet të ketë paracaktuar se kush do të ishin punonjësit e këtij institucioni? Sigurisht që jo. Ngjashëm këtij shembulli, Jehovai vendosi që do të ngrinte një ‘institucion’ të veçantë për të zhdëmtuar pasojat e mëkatit të Adamit. Ai caktoi klasën e njerëzve që do të shërbenin në atë institucion, por jo individët që do të përbënin këtë klasë. Ata do të zgjidheshin më vonë dhe vendimet, që do të merrnin në jetë, do të përcaktonin nëse do të miratoheshin apo jo për këtë privilegj.
Çfarë lloj bote kishte në mendje apostulli Pavël kur tha: «[Perëndia] na zgjodhi në unitet me të përpara themelimit të botës.» Pavli nuk e ka fjalën këtu për botën që Perëndia krijoi kur bëri Evën dhe Adamin. Ajo botë ishte «shumë mirë», e pacënuar fare nga mëkati e prishja. (Zanafilla 1:31) Prandaj, ‘çlirimi’ nga mëkati nuk ishte i nevojshëm.—Efesianëve 1:7.
Bota që kishte ndër mend Pavli ishte ajo që filloi pasi Adami dhe Eva u rebeluan në Eden, një botë krejt ndryshe nga ajo që Jehovai kishte si qëllim fillimisht. Ishte bota që filloi me fëmijët e Adamit dhe të Evës. Kjo botë përbëhej nga njerëz të ndarë nga Perëndia dhe skllevër të mëkatit e të prishjes. Ishte një botë me njerëz që mund të shpengoheshin nga mëkati, ndryshe nga Adami dhe Eva që ishin mëkatarë të vullnetshëm.—Romakëve 5:12; 8:18-21.
Perëndia Jehova arriti që ta zgjidhte menjëherë problemin që lindi nga rebelimi në Eden. Sapo lindi nevoja, ai vendosi krijimin e një institucioni të veçantë, të Mbretërisë Mesianike me Jezu Krishtin mbret, të cilën do ta përdorte për të shpenguar njerëzimin nga mëkati i Adamit. (Mateu 6:10) Perëndia e bëri këtë «para themelimit të botës» së njerëzimit që mund të shpengohej, domethënë para se Adami dhe Eva rebelë të lindnin fëmijë.
Njerëzit zakonisht duhet të bëjnë plane përpara se të kryejnë atë që duan. Doktrina e paracaktimit ka lidhje me idenë se Perëndia duhet të ketë një plan të hollësishëm për universin,
ku çdo gjë është e paracaktuar. Roi Uedhërfordi shkruan: «Shumë filozofë mendojnë se çdo gjë që nuk ka një planifikim të hollësishëm të çdo ngjarjeje është e papajtueshme me Madhështinë e Perëndisë.» A ka vërtet nevojë Perëndia që të përcaktojë në mënyrë të hollësishme çdo ngjarje kohë më përpara?Duke pasur fuqi të pashtershme dhe mençuri të pakrahasueshme, Jehovai mund t’i bëjë ballë çdo të papriture ose ngjarjeje të paparashikuar, ndërsa krijesat e tij ushtrojnë vullnetin e lirë. (Isaia 40:25, 26; Romakëve 11:33) Ai mund ta bëjë menjëherë këtë, pa bërë më parë një plan të hollësishëm. Ndryshe nga njerëzit e papërsosur me mundësi të kufizuara, Perëndia i Plotfuqishëm nuk ka nevojë për një plan të hollësishëm e të parapërgatitur, që të përcaktojë më përpara se ç’drejtim do të marrë jeta e çdo individi në tokë. (Fjalët e urta 19:21) Në shumë përkthime të Biblës, vargu i Efesianëve 3:11 tregon që Perëndia ka një ‘qëllim të përjetshëm’ në vend të një plani të caktuar.
Si mund të ndikosh tek e ardhmja jote?
Perëndia ka një qëllim për tokën dhe ky qëllim është i paracaktuar. Në Zbulesën 21:3, 4 thuhet: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» Po, toka do të bëhet një parajsë, ashtu siç ishte qëllimi fillestar i Jehovait. (Zanafilla 1:27, 28) Lind pyetja: ‘A do të jesh ti atje?’ Kjo varet nga zgjedhjet që bën tani. Jehovai nuk e ka vendosur tashmë të ardhmen tënde.
Flijimi shpërblyes i Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, bën të mundur që çdokush që tregon besim tek ai të marrë jetën e përhershme. (Gjoni 3:16, 17; Veprat 10:34, 35) Bibla thotë: «Ai që ushtron besim te Biri, ka jetë të përhershme; ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë.» (Gjoni 3:36) Mund të zgjedhësh jetën nëse mëson nga faqet e Biblës për Perëndinë, për Birin dhe për vullnetin e Tij dhe nëse zbaton atë që mëson. Ai që vepron sipas mençurisë së vërtetë që gjendet në Fjalën e Perëndisë ka sigurinë se «do të banojë [në] një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe».—Fjalët e urta 1:20, 33.
[Figurat në faqen 5]
Ndryshe nga kafshët, njerëzit mbajnë përgjegjësi morale për veprimet e tyre
[Burimi]
Shqiponja: Fotografi: Cortesía de GREFA