Kur vitet e pleqërisë bëhen «një kurorë bukurie»
«Ndihma më vjen nga Jehovai»
Kur vitet e pleqërisë bëhen «një kurorë bukurie»
«JETË më të mirë s’mund të bëja»,—tha Mjurieli 101-vjeçare. «Vërtet një privilegj»,—u shpreh Teodori 70-vjeçar në lidhje me jetën e tij në shërbim të Jehovait. «Më mirë se kështu nuk mund ta jetoja jetën»,—pohoi Maria në moshën 73-vjeçare. Të tre këta të moshuar, kishin kaluar gjithë jetën në shërbim të Perëndisë Jehova.
Si këta të moshuar, në të gjithë botën ka edhe shumë të tjerë që janë aktivë në adhurimin e Jehovait. Pavarësisht nga mosha e thyer, problemet me shëndetin dhe vështirësitë e ndryshme në jetë, ata prapëseprapë i shërbejnë Perëndisë me gjithë shpirt. Në kongregacionin e krishterë, këta të moshuar besnikë janë shembuj që respektohen për përkushtimin e tyre hyjnor. Jehovai e vlerëson jashtë mase shërbimin e të moshuarve, edhe pse rrethanat mund t’i kufizojnë. *—2 Korintasve 8:12.
Libri i Psalmeve bën një koment shumë me vend për atë lloj jete që mund të kenë të moshuarit besnikë. Mund të jenë si një pemë e vjetër madhështore që vazhdon të japë fryte. Duke iu referuar të moshuarve besnikë, psalmisti këndoi: «Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë.»—Psalmi 92:14.
Disa kanë frikë se mos braktisen dhe lihen pas dore, kur t’u pakësohet fuqia nga pleqëria. Davidi iu përgjërua Perëndisë: «Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.» (Psalmi 71:9) Ç’gjë përcakton nëse dikush do t’i humbasë forcat apo do të lulëzojë në pleqëri? Cilësia hyjnore e drejtësisë. Psalmisti këndoi: «I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.»—Psalmi 92:12.
Në përgjithësi, ata që e kanë kaluar jetën duke i shërbyer Perëndisë me besnikëri, vazhdojnë të japin fryte edhe në vitet e pleqërisë. Në fakt, shumë nga gjërat që kanë bërë në jetë, për të ndihmuar veten ose të tjerët, kanë dhënë rezultate të mira, ashtu si farat që mbijnë, rriten dhe japin prodhim të bollshëm. (Galatasve 6:7-10; Kolosianëve 1:10) Sigurisht, njerëzve që e kanë shpërdoruar jetën, duke rendur pas interesave egoiste dhe duke shpërfillur rrugët e Perëndisë, zakonisht nuk u mbeten shumë vlera për t’i shfaqur në pleqëri.
Edhe në librin biblik të Fjalëve të urta theksohet se drejtësia është si një stoli e viteve të pleqërisë. Atje lexojmë: «Flokët e thinjur janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë.» (Proverbat [Fjalët e urta] 16:31, BR) Po, drejtësia nxjerr në pah bukurinë e brendshme. Ndjekja e rrugës së drejtë, në një jetë të gjatë, sjell si rezultat respektin e të tjerëve. (Levitiku 19:32) Kur flokët e thinjur shoqërohen me mençurinë dhe virtytin, atëherë sjellin si rezultat nderimin.—Jobi 12:12.
Një jetë e drejtë në shërbim të Jehovait është e bukur në sytë e tij. Shkrimet thonë: «Deri në pleqërinë tuaj unë [Jehovai] do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj». (Isaia 46:4) Sa ngushëlluese është të dimë se Ati ynë i dashur qiellor premton që do t’i ndihmojë dhe do t’i mbështetë gjatë viteve të pleqërisë ata që i qëndrojnë besnikë!—Psalmi 48:14.
Meqenëse një jetë në shërbim të Jehovait është e bukur në sytë e tij, a nuk meritojnë këta të moshuar edhe respektin e të tjerëve? Duke pasqyruar pikëpamjen e Perëndisë, ne i vlerësojmë shumë bashkëbesimtarët e moshuar. (1 Timoteut 5:1, 2) Le të kërkojmë mënyra praktike për t’ua treguar dashurinë tonë të krishterë, duke u kujdesur për nevojat e tyre.
Të hysh në shtegun e drejtësisë në moshë të thyer
«Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje»,—na siguron Solomoni. (Fjalët e urta 12:28) Nëse dikush është në moshë të thyer, kjo nuk do të thotë se nuk mund të hyjë në këtë shteg. Për shembull, në Moldavi, një 99-vjeçar kishte sakrifikuar gjithë rininë duke përkrahur idealet komuniste. Ai ishte krenar që kishte biseduar personalisht me udhëheqës të shquar komunistë, siç ishte V. I. Lenini. Megjithatë, pas rënies së komunizmit, ky i moshuar humbi qëllimin dhe drejtimin e jetës. Por, kur Dëshmitarët e Jehovait i treguan se e vetmja zgjidhje e problemeve të njerëzimit, është Mbretëria e Perëndisë, ai përqafoi të vërtetën biblike dhe u bë një student i zellshëm i Shkrimeve. Vetëm vdekja nuk e la të pagëzohej si shërbëtor i Jehovait.
Një grua 81 vjeçe në Hungari, kur mësoi për kërkesat morale të Perëndisë, e kuptoi se duhej të martohej me burrin që bashkëjetonte prej vitesh. Mblodhi gjithë guximin që kishte dhe i shpjegoi atij pikëpamjen biblike. Ajo u habit dhe u gëzua shumë kur ai pranoi të martohej me të. Pasi u martuan sipas ligjit, ajo përparoi shpejt frymësisht. Brenda tetë muajsh pasi kishte filluar të studionte Biblën, u bë lajmëtare dhe pa kaluar shumë kohë, u pagëzua. Sa e vërtetë është që drejtësia mund t’i stolisë të moshuarit me një kurorë bukurie të vërtetë.
Po, të krishterët e moshuar besnikë mund të jenë të sigurt që Perëndia interesohet për ta. Jehovai nuk do t’i braktisë ata që i qëndrojnë besnikë. Përkundrazi, ai premton t’i udhëheqë, t’i ndihmojë dhe t’i mbështetë edhe në vitet e pleqërisë. Ata vetë dëshmojnë për vërtetësinë e fjalëve të psalmistit që thotë: «Ndihma më vjen nga Jehovai.»—Psalm 121:2, BR.
[Shënimi]
^ par. 4 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2005, janar/shkurt.
[Diçitura në faqen 9]
«Flokët e thinjur janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë.»—PROVERBAT 16:31, BR
[Kutia në faqen 8]
JEHOVAI KUJDESET PËR SHËRBËTORËT E TIJ TË MOSHUAR
«Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun.»—Levitiku 19:32.
«Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni.»—Isaia 46:4.