Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga se varet e ardhmja jote?

Nga se varet e ardhmja jote?

Nga se varet e ardhmja jote?

«NJERËZIT janë zotër të fatit të tyre po aq sa edhe kafshët»,​—shkruan evolucionisti Xhon Grei. Ndërsa autori Shmuli Bouteak në një libër të tij thotë krejt të kundërtën. Ai shprehet: «Njeriu nuk është kafshë, kështu që e ka gjithmonë nën kontroll fatin e tij.»​—An Intelligent Person’s Guide to Judaism.

Shumë njerëz janë të të njëjtit mendim me Grein dhe besojnë se janë forcat e verbra të natyrës ato që vendosin për racën njerëzore. Të tjerët e konsiderojnë njeriun si krijesë të Perëndisë, të pajisur me aftësinë për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.

Disa mendojnë se e ardhmja e tyre kontrollohet nga forca të fuqishme njerëzore. Sipas shkrimtarit Roi Uedhërford, «shumica e njerëzve në botë, e sidomos shumica e grave gjatë historisë, nuk e kanë . . . fare nën kontroll jetën e tyre, dhe nuk është e vështirë të kuptosh shkaqet: në botë ka shtypje dhe shfrytëzim». (The Implications of Determinism) Shumë kanë parë që ëndrrat e tyre për një të ardhme të lumtur janë shkatërruar nga luftërat e forcave politike ose ushtarake.

Të tjerë gjatë gjithë historisë janë ndier të pashpresë, sepse mendonin se e ardhmja e tyre kontrollohej nga forcat e mbinatyrshme. Bouteaku thotë: «Grekët e lashtë ishin të bindur se ishte e kotë të shpresoje, sepse njeriu nuk mund të dilte mbi fatin e paracaktuar.» Ata mendonin se e ardhmja e çdokujt përcaktohej nga perëndeshat tekanjoze. Besonin se këto perëndesha përcaktonin se kur do të vdiste dikush, dhe se sa vuajtje e fatkeqësi do të kalonte në jetë.

Sot, besimi se jeta e një individi është në dorë të një fuqie mbinjerëzore është diçka e zakonshme. Për shembull, shumë njerëz besojnë te kismeti ose te fati. Ata thonë se Perëndia ka caktuar që më parë përfundimin e gjithçkaje që bën njeriu dhe kohën se kur do të vdesë. Madje ekziston edhe doktrina e paracaktimit të fatit, e cila përkrah mendimin se «shpëtimi ose dënimi përfundimtar i çdo individi, është vendosur që më parë» nga Perëndia i Plotfuqishëm. Shumë nga ata që pohojnë se janë të krishterë e mbështetin këtë doktrinë.

Po ti, si mendon? A është caktuar tashmë e ardhmja jote nga forca që ti nuk i kontrollon dot në asnjë mënyrë? Apo ka njëfarë të drejte dramaturgu Uilliam Shekspir, i cili shkroi: «Dikur njeriu ësht’i zot’i fatit.» Shiko se çfarë thotë Bibla për këtë çështje.