Pika kryesore nga libri i Gjyqtarëve
Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Gjyqtarëve
SI REAGON Jehovai kur populli i tij i kthen krahët dhe fillon të adhurojë perëndi të rreme? Po nëse vazhdon me kokëfortësi të mos i bindet dhe e thërret për ndihmë vetëm në rast nevoje? A e ndihmon Jehovai edhe në këtë rast? Përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe të pyetjeve të tjera shumë të rëndësishme i gjejmë te libri i Gjyqtarëve. Ky libër, shkruar nga profeti Samuel rreth vitit 1100 p.e.s., përfshin ngjarjet që ndodhën gjatë një periudhe kohore prej 330 vjetësh, duke filluar nga vdekja e Josiut deri në vendosjen e mbretit të parë në Izrael.
Si pjesë e fjalës ose e mesazhit të fuqishëm të Perëndisë, libri i Gjyqtarëve ka një vlerë të madhe për ne. (Hebrenjve 4:12) Nëpërmjet tregimeve të këtij libri fitojmë kuptueshmëri për personalitetin e Perëndisë. Mësimet që marrim prej tyre na forcojnë besimin dhe na ndihmojnë të rrokim «jetën e vërtetë», jetën e përhershme, në botën e re që Perëndia ka premtuar. (1 Timoteut 6:12, 19; 2 Pjetrit 3:13) Gjithçka që Jehovai bën për të shpëtuar popullin e tij na tregon në mënyrë paraprake shpëtimin më të madh që do të vijë në të ardhmen nga Biri i tij, Jezu Krishti.
PSE NEVOJITESHIN GJYKATËSIT?
Fiset e Izraelit, pasi mundin nën udhëheqjen e Josiut mbretërit e vendit të Kanaanit, shkojnë një nga një aty ku marrin tokën që u takon si trashëgimi. Por izraelitët nuk arrijnë t’i largojnë banorët e vendit, dhe kjo gjë kthehet në një kurth të vërtetë për Izraelin.
Brezi që vjen pas kohës së Josiut ‘nuk e njeh Jehovain, as ato që ka bërë ai për Izraelin’. (Gjykatësit [Gjyqtarët] 2:10, BR) Për më tepër, njerëzit fillojnë të lidhin martesa me kananitët dhe t’u shërbejnë perëndive të tyre. Kështu, Jehovai lejon që izraelitët të bien në dorë të armiqve. Por, kur shtypja bëhet e padurueshme, bijtë e Izraelit i drejtohen për ndihmë Perëndisë së vërtetë. Në këtë mjedis fetar, shoqëror dhe politik shtjellohen ngjarjet për një sërë gjykatësish, të cilët Jehovai i emëron për të shpëtuar popullin e tij nga armiqtë.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:2, 4—Pse fisi i Judës zgjidhet i pari për të marrë në zotërim pjesën e tokës që i takon? Teorikisht, ky privilegj i përkiste fisit të Rubenit, si djali i parëlindur i Jakobit. Por, duke profetizuar në shtratin e vdekjes, Jakobi paratha se Rubeni nuk do të ishte më i pari, pasi kishte humbur të drejtën e të parëlindurit. Simeoni dhe Levi, të cilët ishin treguar mizorë, do të shpërndaheshin nëpër Izrael. (Zanafilla 49:3-5, 7) Kështu që pas tyre vinte Juda, djali i katërt i Jakobit. Simeoni, i cili shkoi me fisin e Judës, mori pjesë të vogla toke të shpërndara në të gjithë territorin e madh të Judës. *—Jozueu 19:9.
1:6, 7—Pse mbretërve të mundur në luftë u priteshin gishtat e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve? Ai që humbiste gishtat e mëdhenj të këmbëve dhe të duarve me sa duket nuk ishte më në gjendje të luftonte në betejë. Pa gishtat e mëdhenj të duarve, si mund ta mbante ushtari shpatën ose heshtën? Ndërsa mungesa e gishtave të mëdhenj të këmbëve, do të bënte që ta humbiste ekuilibrin e trupit.
Mësime për ne:
2:10-12. Duhet të kemi një program të rregullt për studimin e Biblës, në mënyrë që ‘të mos harrojmë ato që ka bërë Jehovai’. (Psalmi 103:2, BR) Prindërit duhet t’ua ngulitin në zemër fëmijëve të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.—Ligji i përtërirë 6:6-9.
2:14, 21, 22. Jehovai lejon që popullit të tij të pabindur t’i ndodhin gjëra të këqija, për një qëllim të caktuar: t’i disiplinojë, t’i rafinojë dhe t’i nxitë që të kthehen tek ai.
JEHOVAI NXJERR GJYKATËS
Përshkrimi i ngjarjeve emocionuese të gjykatësve fillon me Otnielin, i cili i jep fund pushtimit 8-vjeçar të Izraelit nga një mbret i Mesopotamisë. Me një plan të guximshëm, gjykatësi Ehud vret Eglonin, mbretin e dhjamur të Moabit. Shamgari trim, me një hosten qesh, mund i vetëm 600 filistinë. Me inkurajimin e Deborës, e cila shërben si profeteshë, dhe me mbështetjen e Jehovait, Baraku dhe ushtria e tij prej dhjetë mijë burrash të paarmatosur mirë, shpartallon ushtrinë e fuqishme të Siserës. Jehovai cakton Gideonin dhe i jep atij dhe 300 burrave që ishin me të, fitoren mbi madianitët.
Me anë të Jefteut, Jehovai çliron popullin e tij nga amonitët. Edhe Tola, Jairi, Ibzani, Eloni dhe Abdoni, bëjnë pjesë në 12 gjykatësit që emërohen në Izrael. Epoka e gjykatësve mbaron me Samsonin, i cili lufton kundër filistinëve.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
4:8—Pse Baraku këmbënguli që profetesha Debora të shkonte bashkë me të në fushën e betejës? Me sa duket, Baraku nuk ndihej në lartësinë e duhur që të dilte i vetëm kundër ushtrisë së Siserës. Prania e profeteshës do ta siguronte atë dhe ushtrinë e tij se kishin udhëheqjen e Perëndisë, dhe kjo do t’u forconte besimin. Pra, këmbëngulja e Barakut që Debora ta shoqëronte nuk tregonte dobësi, por besim të fortë.
5:20—Si luftuan yjet nga qielli, në ndihmë të Barakut? Bibla nuk thotë nëse këtu bëhet fjalë për ndihmën e engjëjve, për shirat e meteorëve, që konsideroheshin si ogur i keq nga njerëzit e ditur të Siserës apo për parashikimet astrologjike për Siserën, që dolën të rreme. Por, pa dyshim që Perëndia ndërhyri në një mënyrë apo në një tjetër.
7:1-3; 8:10—Pse Jehovai tha që 32.000 burrat e Gideonit ishin shumë në krahasim me forcat armike, të cilat arrinin deri në 135.000 veta? Jehovai u shpreh kështu për të treguar se vetë ai do t’ia jepte fitoren Gideonit dhe burrave të tij. Perëndia nuk donte që ata të mendonin se i kishin mundur madianitët me forcën e tyre.
11:30, 31—Kur bëri betimin, a kishte ndër mend Jefteu të flijonte një njeri? Jefteu nuk mund të kishte kurrsesi ndër mend diçka të tillë, pasi Ligji thoshte: «Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr.» (Ligji i përtërirë 18:10) Në të vërtetë, Jefteu nuk kishte ndër mend një kafshë, por një njeri. Ka të ngjarë që kafshët, të cilat flijoheshin, izraelitët nuk i mbanin në shtëpi. Dhe për më tepër, flijimi i një kafshe nuk do të ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Jefteu ishte i vetëdijshëm se personi i parë që do të dilte nga shtëpia për ta pritur e tij kishte shumë mundësi të ishte vajza e tij. Ajo do të ofrohej «si olokaust», në kuptimin që do t’i përkushtohej tërësisht shërbimit të Jehovait në shenjtëroren e tij.
Mësime për ne:
3:10. Suksesi që kemi nga ana frymore nuk varet nga mençuria njerëzore, por nga fryma e Jehovait.—Psalmi 127:1.
3:21. Ehudi ishte shumë i aftë në përdorimin e shpatës, dhe i guximshëm. Ndërsa ne duhet të fitojmë aftësi në përdorimin e ‘shpatës së frymës, që është fjala e Perëndisë’. Kjo do të thotë që në shërbim duhet t’i përdorim Shkrimet me guxim.—Efesianëve 6:17; 2 Timoteut 2:15.
6:11-15; 8:1-3, 22, 23. Nga modestia e Gideonit nxjerrim tri mësime të rëndësishme: (1) Kur na ofrohet një privilegj shërbimi, duhet të meditojmë për përgjegjësitë që përfshin ai, në vend që të mendojmë gjithë kohën për emrin e mirë dhe prestigjin që mund të vijnë me këtë privilegj. (2) Kur kemi të bëjmë me persona që kanë prirjen për t’u grindur, tregojmë mençuri nëse shfaqim modesti. (3) Modestia na mbron që të mos e mbajmë mendjen te pozita.
6:17-22, 36-40. Edhe ne duhet të kemi kujdes që ‘të mos besojmë çdo shprehje të frymëzuar’. Përkundrazi, duhet ‘t’i vëmë shprehjet e frymëzuara në provë për të parë nëse vijnë nga Perëndia’. (1 Gjonit 4:1) Një plak kongregacioni, i ri në detyrë, tregon mençuri kur bisedon me një plak tjetër që ka më shumë përvojë, për t’u siguruar se këshillat që ka ndër mend të japë bazohen në Fjalën e Perëndisë.
6:25-27. Gideoni tregoi maturi, në mënyrë që kundërshtarëve të tij të mos u ndizej zemërimi më kot. Kur predikojmë lajmin e mirë, duhet të tregojmë kujdes që të mos i ofendojmë më kot të tjerët me mënyrën se si flasim.
7:6. Kur bëhet fjalë për t’i shërbyer Jehovait, duhet të jemi si 300 burrat e Gideonit: syçelë dhe vigjilentë.
9:8-15. Sa gjë e pamend është të sillemi me krenari dhe të ushqejmë ambicien për pozitë dhe pushtet!
11:35-37. Shembulli i mirë i Jefteut ishte pa dyshim një ndihmë e madhe që vajza e tij të forconte besimin dhe të kishte frymën e vetëmohimit. Edhe prindërit e sotëm mund të lënë një shembull të tillë te fëmijët e tyre.
11:40. Lavdërimi është inkurajim për dikë që shfaq frymën e gatishmërisë në shërbim të Jehovait.
13:8. Për edukimin e fëmijëve, prindërit duhet t’i luten Jehovait për udhëheqje dhe të ndjekin drejtimin e tij.—2 Timoteut 3:16.
14:16, 17; 16:16. Nëse ushtrojmë presion psikologjik te dikush duke iu qarë dhe duke iu ankuar vazhdimisht, kjo mund ta prishë marrëdhënien që kemi me të.—Fjalët e urta 19:13; 21:19.
SHKELJE TË TJERA NË IZRAEL
Pjesa e fundit e librit të Gjyqtarëve përmban dy tregime të veçanta. I pari flet për një burrë me emrin Mikah, i cili vendos një idhull në shtëpinë e tij dhe merr një levit që t’i shërbejë si prift. Pasi shkatërron qytetin e Laishit ose Leshemit, fisi i Danit ndërton qytetin e tij dhe ia vë emrin Dan. Duke përdorur idhullin e Mikahut dhe priftin e tij, ata vendosin në Dan një formë të re adhurimi. Me sa duket Laishi pushtohet para vdekjes së Josiut.—Jozueu 19:47.
Ngjarja e dytë ndodh pak kohë pas vdekjes së Josiut. Një shkelje imorale në masë, e disa burrave të qytetit beniaminit të Gibeahut, çon në shfarosjen e pothuajse të gjithë fisit të Beniaminit.Vetëm 600 burra mbijetojnë. Megjithatë, merret një masë që i lejon të martohen, dhe në kohën kur ishte Davidi mbret, numri i tyre rritet gati në 60.000 luftëtarë.—1 Kronikave 7:6-11.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
17:6; 21:25—Nëse «secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij», a nuk krijonte kjo një gjendje anarkie? Nuk ishte e thënë të krijonte anarki, pasi Jehovai mori masa të mjaftueshme për ta drejtuar popullin e tij. Ai u dha Ligjin dhe priftërinë që t’i udhëhiqte në rrugën e tij. Me anë të Urimit dhe të Thumimit, kryeprifti mund të komunikonte me Perëndinë për çështje të rëndësishme. (Eksodi 28:30) Madje në çdo qytet kishte burra të moshuar që ishin të aftë për të dhënë këshilla të mençura. Nëse një izraelit u bindej këtyre masave, ndërgjegjja e tij po udhëhiqej me mençuri. Kështu, ‘bërja e asaj që i dukej e drejtë në sytë e tij’, kishte një përfundim të mirë. Nga ana tjetër, nëse dikush e shpërfillte Ligjin dhe, nëse për sjelljen dhe adhurimin i merrte vendimet me kokën e tij, atëherë rezultatet nuk ishin të mira.
20:17-48—Pse lejoi Jehovai që fisi i Beniamit t’i mundte dy herë fiset e tjera, ndërkohë që ishte ky i pari që duhej ndëshkuar? Duke lejuar fiset e tjera të pësonin humbje të mëdha në fillim, Jehovai provoi vendosmërinë e tyre për ta çrrënjosur njëherë e mirë ligësinë nga Izraeli.
Mësime për ne:
19:14, 15. Mungesa e gatishmërisë për të qenë mikpritës nga ana e popullit të Gibeahut, ishte tregues i një mangësie morale. Të krishterët nxiten ‘të ndjekin udhën e mikpritjes’.—Romakëve 12:13.
Çlirimi është afër
Së shpejti Mbretëria e Perëndisë, nën drejtimin e Jezu Krishtit, do të shkatërrojë këtë botë të ligë dhe do të sjellë çlirimin e përhershëm për njerëzit e drejtë dhe të panjollë. (Fjalët e urta 2:21, 22; Danieli 2:44) ‘Të gjithë armiqtë e Zotit do të zhduken dhe ata që e duan do të jenë si dielli, kur lind me gjithë forcën e tij.’ (Gjyqtarët 5:31) Le të tregojmë se jemi ndër ata që e duan Jehovain duke e zbatuar atë që kemi mësuar nga libri i Gjyqtarëve!
E vërteta themelore që libri i Gjyqtarëve nxjerr në pah shumë herë me radhë është: bindja ndaj Jehovait sjell bekime të shumta, ndërsa mosbindja sjell pasoja të tmerrshme. (Ligji i përtërirë 11:26-28) Sa e rëndësishme është të jemi «të bindur nga zemra», duke bërë vullnetin e Perëndisë!—Romakëve 6:17; 1 Gjonit 2:17.
[Shënimi]
^ par. 10 Levitëve nuk iu dha trashëgimi në Tokën e Premtuar, përveç 48 qyteteve që ishin të shpërndara në gjithë Izraelin.
[Harta në faqen 25]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
«Prandaj Jehovai u jepte gjykatës, që i shpëtonin nga duart e atyre që i zhvatnin.»—Gjykatësit 2:16, BR
GJYKATËSIT
1. Otnieli (Fisi i Manaseut)
2. Ehudi (Fisi i Judës)
3. Shamgari (Fisi i Judës)
4. Baraku (Fisi i Neftalit)
5. Gideoni (Fisi i Isakarit)
6. Tola (Fisi i Manaseut)
7. Jairi (Fisi i Manaseut)
8. Jefteu (Fisi i Gadit)
9. Ibzani (Fisi i Asherit)
10. Eloni (Fisi i Zabulonit)
11. Abdoni (Fisi i Efraimit)
12. Samsoni (Fisi i Judës)
DAN
MANASE
NEFTAL
ASHER
ZABULON
ISAKAR
MANASE
GAD
EFRAIM
DAN
BENIAMIN
RUBEN
JUDË
[Figura në faqen 26]
Çfarë mësimi nxorët nga këmbëngulja e Barakut që Debora të shkonte me të në fushën e betejës?