Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Predikimi i Saulit shkakton armiqësi

Predikimi i Saulit shkakton armiqësi

Predikimi i Saulit shkakton armiqësi

JUDENJTË në Damask nuk arrinin ta kuptonin. Si ishte e mundur që një mbrojtës i flaktë i traditës judaike të kthehej në apostat? Dhe ky ishte Sauli, ai që kishte përndjekur ata që shpallnin emrin e Jezuit në Jerusalem. Madje edhe në Damask kishte ardhur për të përndjekur dishepujt e Jezuit. Por tani predikonte se po ai kriminel i përbuzur që u vu në shtyllë për blasfemi, ishte Mesia. Mos ishte çmendur vallë Sauli?​—Veprat 9:1, 2, 20-22.

Ndoshta kjo e kishte një shpjegim. Ata që udhëtuan që nga Jerusalemi me të njëjtin karvan me Saulin, ka shumë mundësi të kenë treguar se çfarë ngjau rrugës. Kur po i afroheshin Damaskut, papritur, përreth tyre, vetëtiu një dritë nga qielli dhe, të gjithë sa ishin, ranë përtokë. Gjithashtu u dëgjua tingulli i një zëri. Asnjë nuk u dëmtua, përveç Saulit, që u gjend përtokë. Dhe kur u ngrit në këmbë, nuk shihte asgjë, kështu që në Damask duhej ta çonin udhëtarët e tjerë.​—Veprat 9:3-8; 26:13, 14.

Nga kundërshtar në përkrahës

Ç’kishte ndodhur me Saulin, gjatë rrugës për në Damask? Mos kishte humbur fuqitë nga udhëtimi i gjatë apo nga nxehtësia e diellit të mesditës? Të vendosur për të gjetur shkaqe natyrore, skeptikët modernë sajojnë rrethana sipas të cilave Sauli ra në gjendje kllapie, pati një halucinacion, një krizë të rëndë mendore që i vinte për shkak të ndërgjegjes së trazuar, pati një krizë nervore ose një krizë epilepsie.

Në të vërtetë, në atë dritë verbuese Saulit iu shfaq Jezu Krishti, i cili e bindi se ishte Mesia. Në disa tablo artistike, ku përshkruhet ky moment, Sauli tregohet duke rënë nga kali. Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por, Bibla thotë vetëm që ai ‘ra përtokë’. (Veprat 22:6-11) Çfarëdolloj rënieje fizike që mund të kishte pësuar Sauli, as që mund të krahasohej me rënien nga pozita e tij, me humbjen e prestigjit. Tani i duhej të pranonte se ajo që predikonin ithtarët e Jezuit ishte e vërtetë. E vetmja rrugë për Saulin, ishte të bashkohej me ta. Nga një armik i flaktë i mesazhit të Jezuit, Sauli u bë një nga përkrahësit e tij më besnikë. Pasi iu kthye shikimi dhe u pagëzua, «Sauli vazhdoi të merrte gjithnjë e më shumë fuqi dhe i linte pa fjalë judenjtë që banonin në Damask, ndërsa u provonte në mënyrë të logjikshme se ky ishte Krishti».​—Veprat 9:22.

Komploti i vrasjes dështon

Pasi u pagëzua si i krishterë, ku shkoi Sauli, i cili më vonë u quajt Pavël? Duke u shkruar galatasve, ai tha: «Ika në Arabi dhe u ktheva sërish në Damask.» (Galatasve 1:17) Fjala «Arabi» mund të nënkuptojë një udhëtim në çdo vend të Gadishullit Arabik. Disa studiues sugjerojnë se Pavli mund të ketë shkuar në Shkretëtirën e Sirisë ose në ndonjë vend të Mbretërisë Nabatease të Aretit IV. Ka shumë të ngjarë që pas pagëzimit të tij, Sauli shkoi në një vend të qetë për të medituar, ashtu si Jezui shkoi në shkretëtirë menjëherë pasi u pagëzua.​—Luka 4:1.

Kur Sauli u kthye në Damask, «judenjtë u këshilluan së bashku për ta vrarë». (Veprat 9:23) Guvernatori, që ishte përfaqësues i mbretit Aret në Damask, kishte vënë roje në qytet që të kapnin Saulin. (2 Korintasve 11:32) Por, ndërsa armiqtë komplotonin për vrasjen e Saulit, dishepujt e Jezuit gjetën mënyrën për ta shpëtuar.

Ndër ata që e ndihmuan Saulin të arratisej, ishte Anania dhe dishepujt me të cilët apostulli shoqërohej që kur u bë i krishterë. * (Veprat 9:17-19) Mund ta kenë ndihmuar edhe disa që ishin bërë besimtarë nga predikimi i Saulit në Damask, sepse te Veprat 9:25 thuhet: «Kështu, dishepujt e tij e morën dhe e zbritën natën përmes një të çare në mur, duke e ulur me një kosh.» Shprehja «dishepujt e tij» mund të nënkuptojë ata që i mësoi Sauli. Sidoqoftë, ka të ngjarë që suksesi i shërbimit të tij ta ketë nxitur edhe më shumë urrejtjen që tashmë ushqenin ndaj tij.

Të nxjerrim mësim

Nëse shqyrtojmë disa nga ngjarjet që ndodhën në kohën që Sauli u pagëzua dhe u bë i krishterë, kuptojmë qartë se ai nuk shqetësohej shumë se si e gjykonin të tjerët; as nuk hoqi dorë për shkak të kundërshtimeve të forta. Gjëja më e rëndësishme për Saulin ishte detyra e predikimit.​—Veprat 22:14, 15.

A je bindur kohët e fundit për rëndësinë e predikimit të lajmit të mirë? Nëse po, ti e di se të gjithë të krishterët e vërtetë duhet të jenë predikues të Mbretërisë. Nuk duhet të habitesh nëse shërbimi yt ndonjëherë ngjall reagime armiqësore. (Mateu 24:9; Luka 21:12; 1 Pjetrit 2:20) Përgjigjja e Saulit ndaj kundërshtimit është një shembull për ne. Të krishterët që tregojnë qëndrueshmëri në sprova e nuk dorëzohen, do të kenë miratimin e Perëndisë. Jezui u tha dishepujve: «Do të jeni objekt urrejtjeje për të gjithë, për shkak të emrit tim.» Por i siguroi: «Me qëndrueshmëri nga ana juaj do të fitoni shpirtrat tuaj.»​—Luka 21:17-19.

[Shënimi]

^ par. 10 Krishtërimi mund të ketë mbërritur në Damask ose pas predikimit të Jezuit në Galile, ose pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s.​—Mateu 4:24; Veprat 2:5.

[Figura në faqen 28]

Sauli ‘ra përtokë’ kur iu shfaq Jezui

[Figura në faqen 29]

Sauli shpëtoi kur i bënë një komplot për ta vrarë në Damask