Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse Samsoni mund të prekte trupat e njerëzve dhe të kafshëve që vriste, e megjithatë të mbetej nazire?

Në Izraelin e lashtë, një individ mund të bënte vullnetarisht një betim për t’u bërë nazire për një periudhë kohe. * Një nga kufizimet që i vihej atij që bënte betimin ishte: «Për gjithë kohën që i është shenjtëruar Zotit nuk do t’i afrohet ndonjë trupi të vdekur; as sikur të ishte i ati apo e ëma, i vëllai ose e motra, ai nuk do të ndotet për ta kur vdesin.» Po sikur dikush ‘të vdiste papritmas afër tij’? Në qoftë ai pa dashje do të prekte një trup të vdekur, kjo do t’ia ndotte periudhën e nazireatit. Prandaj, thuhej: «Ditët e mëparshme nuk do të llogariten më.» Atij do t’i duhej të kalonte një ceremoni pastrimi dhe ta fillonte prapë periudhën e nazireatit.​—Numrat 6:6-12.

Mirëpo, Samsoni ishte nazire në një kuptim tjetër. Para se të lindte Samsoni, engjëlli i Jehovait i tha nënës së tij: «Do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë, mbi kokën e të cilit nuk do të kalojë brisku, sepse fëmija do të jetë një Nazireo kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij; ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve.» (Gjyqtarët 13:5) Samsoni nuk bëri ndonjë betim si nazire. E caktoi Perëndia si të tillë dhe do të ishte nazire për gjithë jetën. Në rastin e tij nuk mund të zbatohej kufizimi për të mos prekur kufoma. Po të zbatohej ky kufizim e po qe se ai do të prekte pa dashje një trup të vdekur, si ta fillonte prapë një jetë prej nazireu, të cilën e filloi që kur lindi? Është e qartë, pra, se kërkesat për ata që ishin nazirej për gjithë jetën ndryshonin në disa gjëra nga kërkesat për ata që vullnetarisht bënin betimin si nazirej.

Të shqyrtojmë urdhërimet që u dha Jehovai tre nazirejve që përmenden në Bibël e që ishin të tillë gjithë jetën: Samsonit, Samuelit dhe Gjon Pagëzorit. Siç e përmendëm më sipër, Samsonit i kërkohej të mos priste flokët. Lidhur me fëmijën e saj që ende s’ishte ngjizur, pra Samuelin, Hana bëri këtë betim: «Do t’ia jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij.» (1 Samuelit 1:11) Në rastin e Gjon Pagëzorit, engjëlli i Jehovait tha: «Nuk duhet të pijë fare verë e pije të forta.» (Luka 1:15) Veç kësaj, «Gjoni kishte një veshje me lesh deveje dhe një brez lëkure rreth ijëve; gjithashtu, ushqimi i tij ishte karkaleca e mjaltë i egër». (Mateu 3:4) Asnjërit prej këtyre individëve nuk iu dha urdhri që të mos i afroheshin ndonjë trupi të vdekur.

Ndonëse ishte nazire, Samsoni ishte ndër gjykatësit që ngriti Jehovai për t’i shpëtuar izraelitët nga ata që i zhvatnin. (Gjyqtarët 2:16) Ndërsa përmbushte këtë caktim, ai preku edhe trupa të vdekur. Në një rast, Samsoni vrau 30 filistej dhe u mori veshjet. Më vonë, bëri një kërdi mes armiqve, «duke bërë pirgje me këmbët e me kofshët e tyre». Gjithashtu mori një nofull gomari akoma të freskët dhe me të vrau një mijë burra. (Gjyqtarët 14:19; 15:8, 15, BR) Gjithë këto Samsoni i bëri me miratimin dhe me mbështetjen e Jehovait. Shkrimet flasin për të si një njeri me besim të jashtëzakonshëm.​—Hebrenjve 11:32; 12:1.

Mos vallë shprehja që Samsoni e shqeu një luan «ashtu si shqyhet një kec» tregon se në ditët e tij ishte diçka e zakonshme të shqyeje kecat?

Nuk ka asnjë provë se në kohën e gjykatësve të Izraelit, kishte ndonjë praktikë që njerëzit të shqyenin kecat. Te Gjyqtarët 14:6 thuhet: «Fryma e Zotit zbriti në mënyrë të fuqishme mbi [Samsonin] dhe ai, pa pasur asgjë në dorë, e shqeu luanin, ashtu si shqyhet një kec.» Ka të ngjarë që kjo shprehje të jetë një krahasim.

Shprehja «e shqeu» mund të ketë dy kuptime. Ose Samsoni shqeu nofullat e luanit, ose në ndonjë mënyrë e shqeu më dysh nga gjymtyrët. Në qoftë se në këtë rast shprehja kishte kuptimin e parë, atëherë të bëje diçka të ngjashme me një kec do të ishte brenda fuqisë njerëzore. Në këtë rast, ky krahasim tregon se për Samsonin, vrasja e atij luani vetëm me duar ishte po aq e lehtë sa ç’do të kishte qenë sikur luani të kishte qenë një kec. Po sikur të jetë kuptimi i dytë, pra që Samsoni e vrau luanin duke e shqyer më dysh nga gjymtyrët? Atëherë kjo shprehje mund të kuptohet vetëm si figurë letrare. Thelbi i saj do të ishte që fryma e Jehovait i dha Samsonit forcën për të bërë një gjë që kërkonte fuqi të jashtëzakonshme. Sido që të jetë, krahasimi që bëhet te Gjyqtarët 14:6 ilustron se, me ndihmën e Jehovait, një luan i fuqishëm ishte për Samsonin po aq i egër se ç’do të kishte qenë një kec për një njeri të zakonshëm.

[Shënimi]

^ par. 3 Kohëzgjatja e nazireatit i lihej në dorë individit që bënte betimin. Por, sipas traditës judaike, kohëzgjatja minimale e betimit ishte 30 ditë. Mendohej se periudhat më të shkurtra do ta bënin këtë betim të humbiste vlerë.