Kur ‘gjen një margaritar me vlerë të madhe’
Kur ‘gjen një margaritar me vlerë të madhe’
«Mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit njerëzit nxitojnë me ngulm dhe ata që nxitojnë me ngulm përpara, po e kapin.»—MATEU 11:12.
1, 2. (a) Për cilën karakteristikë të rrallë foli Jezui në një nga shëmbëlltyrat e tij për Mbretërinë? (b) Çfarë tha Jezui në shëmbëlltyrën e margaritarit me vlerë të madhe?
A KA për ty diçka me kaq shumë vlerë, sa do të sakrifikoje gjithçka për ta pasur? Edhe pse njerëzit mund të thonë se i janë përkushtuar një qëllimi, si për shembull parave, famës, pushtetit ose pozitës në shoqëri, rrallëherë ndodh që një njeri të gjejë diçka që e dëshiron kaq shumë, sa të jetë i gatshëm të japë çdo gjë për të. Jezu Krishti foli për këtë karakteristikë të rrallë, por të admirueshme, në një nga shëmbëlltyrat e tij interesante për Mbretërinë e Perëndisë.
2 Në këtë shëmbëlltyrë ose ilustrim që Jezui ua tha vetëm dishepujve të tij, bëhet fjalë për një margaritar me vlerë të madhe. Ja çfarë tha Jezui: «Mbretëria e qiejve është si një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer. Me të gjetur një margaritar me vlerë të madhe, ai iku dhe shiti menjëherë gjithçka që pati dhe e bleu.» (Mateu 13:36, 45, 46) Çfarë donte t’u mësonte Jezui dëgjuesve të tij me këtë ilustrim? Dhe, si mund të nxjerrim edhe ne dobi nga fjalët e tij?
Vlera e madhe e margaritarëve
3. Pse në lashtësi margaritarët vlerësoheshin shumë?
3 Që në lashtësi, margaritarët vlerësoheshin shumë si sende zbukurimi. Një burim komenton se, sipas studiuesit romak, Plini Plakut, margaritarët çmoheshin «mbi të gjitha gjërat e tjera me vlerë». Ndryshe nga ari, argjendi ose gurët e tjerë të çmuar, margaritarët prodhohen nga qenie të gjalla. Dihet mirë se disa lloje molusqesh kanë aftësinë t’i kthejnë materialet acaruese, si kokrrizat e rërës, në margaritarë të bukur, duke i mbështjellë me një lëndë që quhet sedef. Në lashtësi, margaritarët më të mirë mblidheshin kryesisht në Detin e Kuq, në Gjirin Persik dhe në Oqeanin Indian, pra, larg Izraelit. Pa dyshim, kjo është arsyeja pse Jezui foli për «një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer». Duheshin shumë përpjekje për të gjetur margaritarë që kishin vërtet vlerë.
4. Cilën pikë kryesore donte të theksonte Jezui në shëmbëlltyrën me tregtarin shëtitës?
4 Edhe pse margaritarët e mirë kanë qenë gjithnjë të kushtueshëm, me sa duket, ajo që donte të theksonte më shumë Jezui me këtë shëmbëlltyrë, nuk ishte vlera e tyre monetare.
Aty Jezui nuk e krahasoi Mbretërinë e Perëndisë thjesht me një margaritar me vlerë të madhe. Ai e përqendroi vëmendjen te «një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer» dhe te reagimi i tij kur gjeti një të tillë. Ndryshe nga shitësi i zakonshëm, tregtari shëtitës i margaritarëve ishte ekspert në këtë fushë, kishte sy të mprehtë dhe ndjeshmërinë e duhur për t’i dalluar cilësitë estetike dhe nuancat e imëta që e bëjnë të rrallë një margaritar. Po të shihte një margaritar origjinal, ai do ta njihte menjëherë dhe nuk do të mashtrohej nga ata që kishin cilësi më të dobët ose nga imitimet.5, 6. (a) Çfarë vlen të përmendet veçanërisht për tregtarin në shëmbëlltyrën e Jezuit? (b) Çfarë zbulon për tregtarin shëtitës ilustrimi i thesarit të fshehur?
5 Ka edhe diçka tjetër që vlen të përmendet për këtë tregtar të veçantë. Një tregtar i zakonshëm, do të llogariste së pari vlerën që do të kishte ky margaritar në treg, për të përcaktuar sa do ta blinte që të fitonte edhe për vete. Do të kishte parë edhe a kërkohej në treg ky lloj margaritari, që ta shiste kollaj. Me fjalë të tjera, do t’i interesonte të nxirrte fitime të menjëhershme nga ky investim, jo ta mbante për vete margaritarin. Por tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit nuk veproi kështu. Atij nuk i interesonin paratë ose fitimi material. Madje ishte gati të sakrifikonte ‘gjithçka që kishte’, ndoshta edhe gjithë pronat dhe zotërimet e tij, për ta blerë atë që kërkonte.
6 Për shumicën e tregtarëve, ajo që bëri tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit ishte me siguri një marrëzi. Një tregtar i shkathët as që do ta mendonte t’i hynte një sipërmarrjeje kaq të rrezikshme. Por tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit vlerësonte të tjera gjëra. Shpërblimi që i interesonte atij nuk ishte përfitimi financiar, por gëzimi dhe kënaqësia që po zotëronte diçka me vlerë të jashtëzakonshme. Kjo pikë theksohet në një ilustrim paralel të Jezuit. Ai tha: «Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu; dhe nga gëzimi shkon dhe shet gjërat që ka dhe e blen atë arë.» (Mateu 13:44) Po, gëzimi që do të ndiente kur do të zbulonte një thesar dhe do të bëhej pronar i tij, mjaftonte për ta nxitur atë njeri të hiqte dorë nga gjithçka që kishte. A ka individë të tillë sot? Dhe, a ka ndonjë thesar për të cilin ia vlen të bësh një sakrificë të tillë?
Ata që e kuptuan vlerën e madhe të Mbretërisë
7. Si tregoi Jezui se e kuptonte mirë vlerën e madhe të Mbretërisë?
7 Në kontekstin e kësaj shëmbëlltyre Jezui po fliste për ‘mbretërinë e qiejve’. Me siguri që ai e kuptonte vlerën e madhe të Mbretërisë. Tregimet e Ungjijve japin dëshmi të fuqishme për këtë fakt. Pas pagëzimit të tij në vitin 29 të e.s., Jezui «nisi të predikonte e të thoshte: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.’» Për tre vjet e gjysmë, ai u mësoi shumë njerëzve rreth Mbretërisë. I ra vendit kryq e tërthor, «nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë».—Mateu 4:17; Luka 8:1.
8. Çfarë bëri Jezui për të treguar se ç’do të bëjë Mbretëria?
8 Duke kryer mrekulli të shumta në të gjithë vendin, siç ishin shërimi i të sëmurëve, ushqimi i të uriturve, nënshtrimi i elementeve të natyrës dhe ringjallja e të vdekurve, Jezui tregoi gjithashtu se çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë. (Mateu 14:14-21; Marku 4:37-39; Luka 7:11-17) Së fundi, ai e tregoi besnikërinë ndaj Perëndisë dhe ndaj Mbretërisë duke dhënë jetën, duke vdekur si martir në një shtyllë torture. Ashtu si tregtari shëtitës, që shiti me dëshirë gjithçka kishte, për ‘margaritarin me vlerë të madhe’, edhe Jezui jetoi e vdiq për Mbretërinë.—Gjoni 18:37.
9. Çfarë karakteristike të rrallë shfaqën dishepujt e parë të Jezuit?
9 Jezui nuk përqendroi vetëm jetën e tij te Mbretëria, por mblodhi edhe një grup të vogël ithtarësh. Edhe këta individë e kuptuan qartë vlerën e madhe të Mbretërisë. Ndër ta ishte edhe Andrea, i cili më parë kishte qenë dishepull i Gjon Pagëzorit. Kur dëgjoi dëshminë e Gjonit, se Jezui ishte «Qengji i Perëndisë», Andrea dhe një dishepull tjetër i Gjonit, me siguri një nga djemtë e Zebedeut që quhej gjithashtu Gjon, shkuan menjëherë te Jezui dhe u bënë besimtarë. Por nuk mbaroi me kaq. Menjëherë, Andrea shkoi tek i vëllai, Simoni, dhe i tha: «Kemi gjetur Mesinë.» Pa humbur kohë, Simoni (që u bë i njohur si Kefa ose Pjetri), Filipi dhe miku i tij Natanaeli, e pranuan Jezuin si Mesia. Madje Natanaeli u nxit të thoshte: «Ti je Biri i Perëndisë, ti je Mbret i Izraelit.»—Nxiten për të vepruar
10. Si reaguan dishepujt kur Jezui shkoi e i thirri, ca kohë pasi ishin takuar për herë të parë me të?
10 Entuziazmi që provuan Andrea, Pjetri, Gjoni e të tjerë, kur gjetën Mesinë, mund të krahasohet me entuziazmin e tregtarit shëtitës kur gjeti margaritarin me vlerë të madhe. Ç’do të bënin tani? Ungjijtë nuk na tregojnë shumë se çfarë bënë ata menjëherë pas takimit të parë me Jezuin. Me sa duket, shumica iu rikthyen jetës normale të mëparshme. Mirëpo, gjashtë muaj a një vit më vonë, Jezui shkoi përsëri te Andrea, Pjetri, Gjoni dhe Jakovi, vëllai i Gjonit, aty ku këta punonin si peshkatarë, në Detin e Galilesë. * Kur i pa, Jezui u tha: «Ejani pas meje, dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.» Cili qe reagimi? Tregimi i Mateut thotë për Pjetrin dhe Andrean: «Menjëherë, duke braktisur rrjetat, ata e ndoqën.» Kurse për Jakovin dhe Gjonin lexojmë: «Menjëherë, duke lënë barkën dhe babanë, ata e ndoqën.» Në tregimin e Lukës shtohet se ata «braktisën çdo gjë dhe e ndoqën».—Mateu 4:18-22; Luka 5:1-11.
11. Cila mund të ketë qenë arsyeja pse dishepujt iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Jezuit?
11 Mos vallë reagimi i menjëhershëm i dishepujve ishte një vendim i marrë nga entuziazmi i çastit? Aspak! Ndonëse pas takimit të parë me Jezuin iu kthyen zanatit të tyre, peshkimit, bashkë me familjen, s’ka dyshim se ajo që panë dhe dëgjuan në atë rast u la mbresa të thella në mendje e në zemër. Muajt që kaluan u dhanë mjaft kohë për të medituar për këto gjëra. Tani kishte ardhur çasti për të vendosur. A do të ishin si tregtari shëtitës që u prek kaq shumë kur gjeti margaritarin e çmuar saqë, siç e përshkroi Jezui, ‘iku dhe menjëherë’ bëri ç’ishte e nevojshme për ta blerë atë margaritar? Po. Ajo që panë dhe dëgjuan u preku zemrën. E kuptuan se ishte koha për të vepruar. Prandaj, siç lexojmë, nuk ngurruan, por lanë gjithçka dhe u bënë ithtarë të Jezuit.
12, 13. (a) Si reaguan shumë nga ata që dëgjuan Jezuin? (b) Çfarë tha Jezui për dishepujt e tij besnikë, dhe çfarë nënkuptojnë fjalët e tij?
12 Sa ndryshe ishin këta dishepuj besnikë nga disa të tjerë që përmenden më vonë në tregimet e Ungjijve! Jezui shëroi dhe ushqeu shumë veta, por këta pastaj vazhduan punën e tyre. (Luka 17:17, 18; Gjoni 6:26) Madje disa u përpoqën të nxirrnin arsye për t’iu shmangur, kur Jezui i ftoi të bëheshin ithtarë të tij. (Luka 9:59-62) Në dallim me këta, për dishepujt e tij besnikë Jezui tha më vonë: «Që nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tani, mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit njerëzit nxitojnë me ngulm dhe ata që nxitojnë me ngulm përpara, po e kapin.»—Mateu 11:12.
13 Çfarë nënkuptojnë shprehjet «nxitojnë me ngulm» dhe «nxitojnë me ngulm përpara»? Për foljen greke nga e cila rrjedhin këto shprehje, një fjalor thotë: «Folja tregon përpjekje të fuqishme.» (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) Kurse për këtë varg, studiuesi biblik Hajnrih Mejer thotë: «Kështu përshkruhen përpjekjet e zellshme dhe të pandalshme për mbretërinë Mesianike që po afrohet . . . Kaq i zjarrtë dhe energjik (jo më i qetë dhe në pritje) është interesi për mbretërinë.» Ashtu si tregtari shëtitës, këta pak individë e kuptuan menjëherë çfarë kishte vërtet vlerë, dhe pastaj, për hir të Mbretërisë, lanë me gatishmëri gjithçka që kishin.—Mateu 19:27, 28; Filipianëve 3:8.
Në kërkim bashkohen edhe të tjerë
14. Si i përgatiti Jezui apostujt për veprën e predikimit të Mbretërisë, dhe me çfarë rezultati?
14 Ndërkohë që vazhdonte shërbimin, Jezui stërviti e ndihmoi edhe të tjerë që të përpiqeshin për interesat e Mbretërisë. Së pari, zgjodhi 12 nga dishepujt e tij dhe i emëroi apostuj ose të dërguar prej tij. Këtyre, Jezui u dha udhëzime të hollësishme se si ta kryenin shërbimin, dhe i paralajmëroi për vështirësitë që i prisnin. (Mateu 10:1-42; Luka 6:12-16) Për pak a shumë dy vjet, ata e shoqëruan Jezuin anekënd vendit në udhëtimet e predikimit, duke qenë në shoqëri të ngushtë me të. Dëgjuan fjalët që tha, panë me sytë e tyre veprat e fuqishme që bëri dhe vërejtën shembullin që la. (Mateu 13:16, 17) Me siguri, e gjithë kjo i preku thellë, kështu që, si tregtari shëtitës, ishin të zellshëm dhe punuan me gjithë zemër për interesat e Mbretërisë.
15. Sipas Jezuit, ç’arsye të fortë kishin ithtarët e tij për t’u gëzuar?
15 Përveç 12 apostujve, Jezui «caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i dërgoi përpara vetes dy e nga dy në çdo qytet dhe vend ku do të shkonte vetë». Edhe këtyre u foli për sprovat e vështirësitë që i prisnin dhe i udhëzoi t’u thoshin njerëzve: «Mbretëria e Perëndisë ju është afruar.» (Luka 10:1-12) Kur këta të 70-të u kthyen, ishin jashtë mase të gëzuar dhe i thanë Jezuit: «Zotëri, edhe demonët na janë nënshtruar duke përdorur emrin tënd.» Por me siguri duhet të jenë habitur kur Jezui u zbuloi se, për shkak të zellit të tyre për Mbretërinë, i priste një gëzim edhe më i madh. Ai u tha: «Mos gëzoni për këtë, që frymërat ju janë nënshtruar, por gëzoni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.»—Luka 10:17, 20.
16, 17. (a) Çfarë u tha Jezui apostujve besnikë natën e fundit që ishte me ta? (b) Çfarë gëzimi dhe sigurie u dhanë apostujve fjalët e Jezuit?
16 Pastaj, natën e fundit që ishte me apostujt, më 14 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui themeloi një darkë, e cila u bë e njohur si Darka e Zotërisë, dhe i urdhëroi që ta përkujtonin këtë ngjarje. Gjatë mbrëmjes, Jezui u tha 11 apostujve që mbetën: «Ju jeni ata që keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia; dhe unë bëj me ju një besëlidhje, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.»—Luka 22:19, 20, 28-30.
17 Sa të gëzuar e të kënaqur duhet të jenë ndier apostujt, kur kanë dëgjuar këto fjalë të Jezuit! Po u ofrohej nderi dhe privilegji më i madh që mund të ketë një njeri. (Mateu 7:13, 14; 1 Pjetrit 2:9) Ashtu si tregtari shëtitës, ata kishin lënë pas shumë gjëra për të ndjekur interesat e Mbretërisë. Tani iu dha siguria se sakrificat që kishin bërë deri atëherë nuk kishin shkuar dëm.
18. Cilët do të nxirrnin dobi nga Mbretëria, përveç 11 apostujve?
18 Apostujt që ishin me Jezuin atë natë nuk ishin të vetmit që do të nxirrnin dobi nga Mbretëria. Sipas vullnetit të Jehovait, do të ishin gjithsej 144.000 veta që do të merrnin pjesë në besëlidhjen e Mbretërisë si bashkësundimtarë me Jezu Krishtin në Mbretërinë e lavdishme qiellore. Veç kësaj, në vegim apostulli Gjon pa ‘një shumicë të madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, që qëndronte përpara fronit dhe përpara Qengjit, duke thënë: “Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron dhe Qengjit.”’ Këta janë nënshtetasit tokësorë të Mbretërisë. *—Zbulesa 7:9, 10; 14:1, 4.
19, 20. (a) Cilën mundësi kanë njerëzit e të gjitha kombeve? (b) Cila pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues?
19 Pak para se të ngjitej në qiell, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij besnikë: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, Mateu 28:19, 20) Pra, njerëz nga të gjitha kombet do të bëheshin dishepuj të Jezu Krishtit. Ashtu siç bëri tregtari shëtitës me margaritarin e shkëlqyer, edhe këta do ta kishin shumë për zemër Mbretërinë, cilido të ishte shpërblimi i tyre, në qiell ose në tokë.
duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (20 Fjalët e Jezuit tregojnë se vepra e bërjes së dishepujve do të vazhdonte deri në «përfundimin e sistemit». Atëherë, a ka në ditët tona individë si tregtari shëtitës, që janë gati të japin gjithçka për të ndjekur interesat e Mbretërisë së Perëndisë? Kjo pyetje do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
^ par. 10 Gjoni, djali i Zebedeut, mund ta ketë ndjekur nga pas Jezuin dhe mund të ketë parë disa gjëra që bëri ai pas këtij takimi të parë. Kjo i ka dhënë mundësinë Gjonit që t’i dokumentonte me kaq forcë këto ngjarje në tregimin e Ungjillit që mban emrin e tij. (Gjoni, kapitujt 2-5) Megjithatë, për pak kohë para se ta thërriste Jezui, edhe ai iu kthye peshkimit, me të cilin merrej familja e tij.
^ par. 18 Për më shumë hollësi, shih kapitullin 10 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A mund të shpjegoni?
• Cila është pika kryesore në shëmbëlltyrën me tregtarin shëtitës?
• Si tregoi Jezui se e kuptonte qartë vlerën e madhe të Mbretërisë?
• Pse Andrea, Pjetri, Gjoni dhe të tjerë iu përgjigjën menjëherë ftesës që u bëri Jezui?
• Cilën mundësi të mrekullueshme kanë njerëzit e të gjitha kombeve?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 10]
‘Ata braktisën çdo gjë dhe ndoqën Jezuin’
[Figura në faqen 12]
Para se të ngjitej në qiell, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij që të bënin dishepuj