Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekjet e sotme për ‘margaritarin me vlerë të madhe’

Përpjekjet e sotme për ‘margaritarin me vlerë të madhe’

Përpjekjet e sotme për ‘margaritarin me vlerë të madhe’

«Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»​—MATEU 24:14.

1, 2. (a) Çfarë mendonin judenjtë e kohës së Jezuit për Mbretërinë e Perëndisë? (b) Çfarë bëri Jezui për t’u dhënë kuptueshmëri të saktë për Mbretërinë dhe cilat qenë rezultatet?

NË KOHËN kur Jezui erdhi në tokë, Mbretëria e Perëndisë ishte një argument me shumë interes për judenjtë. (Mateu 3:1, 2; 4:23-25; Gjoni 1:49) Megjithatë, në fillim, shumica prej tyre nuk e kuptonin plotësisht deri ku do të shtrihej sundimi i saj dhe si do ta ushtronte autoritetin. Nuk e kuptonin as që ajo do të ishte një qeveri qiellore. (Gjoni 3:1-5) Edhe disa që u bënë ithtarë të Jezuit nuk e kuptuan plotësisht se çfarë ishte Mbretëria e Perëndisë ose çfarë duhej të bënin për t’u miratuar si bashkësundimtarë me Krishtin.​—Mateu 20:20-22; Luka 19:11; Veprat 1:6.

2 Me kalimin e kohës, Jezui me durim u dha dishepujve shumë mësime, përfshirë edhe shëmbëlltyrën e margaritarit me vlerë të madhe, që shqyrtuam në artikullin e mëparshëm. Me këto mësime u tregoi sa e rëndësishme ishte që të përpiqeshin të ndiqnin interesat e Mbretërisë qiellore. (Mateu 6:33; 13:45, 46; Luka 13:23, 24) Kjo duhet t’ua ketë prekur thellë zemrën, sepse s’kaloi shumë dhe u bënë predikues të palodhur e të guximshëm të lajmit të mirë të Mbretërisë, deri në skajet më të largëta të tokës, e për këtë dëshmohet gjerësisht në librin e Veprave.​—Veprat 1:8; Kolosianëve 1:23.

3. Çfarë tha Jezui për Mbretërinë, duke iu referuar kohës sonë?

3 Po sot? Bekimet që do të jenë në parajsën tokësore, nën sundimin e kësaj Mbretërie, po u predikohen miliona njerëzve. Në profecinë madhështore për ‘përfundimin e sistemit’, Jezui tha në mënyrë specifike: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:3, 14; Marku 13:10) Jezui shpjegoi edhe se kjo detyrë e jashtëzakonshme do të kryhet, pavarësisht nga pengesat e mëdha, përndjekja apo sfidat që mund të vijnë. Megjithatë, dha këtë siguri: «Ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë.» (Mateu 24:9-13) E gjithë kjo kërkon frymën e vetëmohimit dhe të përkushtimit që shfaqi tregtari shëtitës në shëmbëlltyrën që tha Jezui. A ka sot individë që tregojnë këtë lloj besimi dhe zelli për veprën e Mbretërisë?

Gëzimi kur gjen të vërtetën

4. Ç’ndikim ka sot te njerëzit e vërteta e Mbretërisë?

4 Tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit u gëzua jashtë mase kur gjeti një «margaritar» që e kuptoi se ishte «me vlerë të madhe». Ky gëzim e motivoi të bënte gjithçka që kishte në dorë, për ta marrë atë margaritar. (Hebrenjve 12:1) Sot, e vërteta për Perëndinë dhe për Mbretërinë e tij, po ashtu i tërheq dhe i motivon njerëzit. Kjo na sjell ndër mend fjalët e vëllait A. H. Mekmilën, i cili i tregoi përpjekjet e tij për të njohur Perëndinë dhe qëllimin e Tij për njerëzimin, në librin Besimi që ecën përpara (anglisht). Ai tha: «Atë që gjeta unë, po e gjejnë edhe mijëra të tjerë çdo vit. Këta janë njerëz të zakonshëm si unë dhe ti, vijnë nga çdo komb, racë, shtresë shoqërore dhe grup-moshë. E vërteta nuk bën dallime, ajo tërheq çdo lloj njeriu.»

5. Çfarë rezultatesh të mira shohim në raportin për vitin e shërbimit 2004?

5 Këto fjalë janë të vërteta, dhe kjo shihet ngaqë, vit për vit, të nxitur nga lajmi i mirë i Mbretërisë, qindra mijë individë me zemër të sinqertë ia kushtojnë jetën Jehovait dhe bëjnë vullnetin e tij. Viti i shërbimit 2004, që filloi në shtator 2003 dhe mbaroi në gusht 2004, nuk bën përjashtim. Në këta 12 muaj, 262.416 veta e simbolizuan para të tjerëve kushtimin e tyre ndaj Jehovait, duke u pagëzuar në ujë. Kjo u bë në 235 vende, në të cilat Dëshmitarët e Jehovait po drejtojnë çdo javë 6.085.387 studime biblike, për t’i ndihmuar njerëzit nga çdo shtresë shoqërore dhe nga çdo komb, fis e gjuhë, të marrin të vërtetën jetëdhënëse të Fjalës së Perëndisë.​—Zbulesa 7:9.

6. Si është bërë e mundur rritja e vazhdueshme gjatë viteve?

6 Si është arritur e gjithë kjo? S’ka asnjë dyshim se është Jehovai ai që i tërheq këta individë të prirur drejt jetës së përhershme. (Gjoni 6:65; Veprat 13:48) Megjithatë, s’duhet minimizuar fryma vetëmohuese dhe përpjekjet e palodhura të atyre që kanë shpenzuar nga vetja për veprën e Mbretërisë. Kur ishte 79 vjeç, vëlla Mekmilëni shkroi: «Që nga koha kur mësova për herë të parë rreth premtimeve që i bëhen njerëzimit, që sot sëmuret e vdes, shpresa ime në atë që ka zbuluar mesazhi i Biblës, nuk është venitur. Që nga ai çast, vendosa të zbuloja më shumë për mësimet e Biblës, që të ndihmoja edhe të tjerë si unë, të cilët po kërkojnë të njohin Perëndinë e Plotfuqishëm, Jehovain, dhe qëllimet e tij të mira për njerëzimin.»

7. Cila përvojë ilustron gëzimin dhe zellin që ndiejnë ata që gjejnë të vërtetën biblike?

7 Ky zell shihet edhe sot te shërbëtorët e Jehovait. Le të flasim, për shembull, për Danielën nga Vjena, Austri. Ajo tha: «Që kur kam qenë e vogël, Perëndia ka qenë miku im më i ngushtë. Gjithnjë kam dashur ta njihja emrin e tij, sepse fjala ‘Perëndi’ më tingëllonte tepër e ftohtë. Por më duhej të prisja deri në moshën 17-vjeçare, kur më erdhën në shtëpi Dëshmitarët e Jehovait. Ata më shpjeguan gjithçka që doja të dija për Perëndinë. Më në fund kisha gjetur të vërtetën, dhe sa e mrekullueshme që ishte ajo! Isha kaq entuziaste, saqë fillova t’i predikoja kujtdo.» Shumë shpejt, ky zell bëri që shokët e klasës ta tallnin. «Megjithatë, për mua ishte sikur të shihja përmbushjen e profecive të Biblës, sepse kisha mësuar që Jezui tha se ithtarët e tij do t’i urrenin dhe do t’i përndiqnin për shkak të emrit të tij. Isha shumë e lumtur dhe e mahnitur»,​—vazhdoi Daniela. S’kaloi shumë kohë dhe ajo ia kushtoi jetën Jehovait, u pagëzua dhe filloi të përparonte drejt synimit të saj për t’u bërë misionare. Pasi u martua, së bashku me të shoqin, Helmutin, filluan të predikonin ndër popullsitë afrikane, filipinase, kineze dhe indiane në Vjenë. Tani Daniela dhe Helmuti shërbejnë si misionarë në Afrikën Jugperëndimore.

Ata nuk dorëzohen

8. Cila është një mënyrë e kënaqshme se si e kanë treguar shumë veta dashurinë për Perëndinë dhe besnikërinë ndaj Mbretërisë së tij?

8 Vërtet, shërbimi misionar është një mënyrë se si po e tregojnë sot shërbëtorët e Jehovait dashurinë për të dhe besnikërinë ndaj Mbretërisë së tij. Si tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit, ata që ndërmarrin këtë shërbim janë të gatshëm të shkojnë në vende të largëta për hir të Mbretërisë. Është e qartë se këta misionarë nuk po udhëtojnë për të gjetur lajmin e mirë të Mbretërisë, por për t’ua çuar këtë lajm njerëzve që jetojnë në skajet më të largëta të tokës, duke i mësuar dhe duke i ndihmuar të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit. (Mateu 28:19, 20) Në shumë vende u duhet të durojnë vështirësi të mëdha. Por qëndrueshmëria e tyre shpërblehet shumë.

9, 10. Çfarë përvojash të bukura kanë pasur misionarët në vende të largëta, siç është Republika e Afrikës Qendrore?

9 Le të marrim, për shembull, Republikën e Afrikës Qendrore, ku vitin e kaluar pati 16.184 të pranishëm në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, shtatë herë më shumë se numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në atë vend. Meqë në shumë pjesë të atij vendi s’ka energji elektrike, njerëzit zakonisht i bëjnë punët e përditshme përjashta, nën hijen e ndonjë peme. Prandaj është më se e natyrshme që edhe misionarët ta bëjnë kështu predikimin e tyre, pra, të drejtojnë studime biblike përjashta, ulur nën një pemë. Në ajër të pastër jo vetëm që ka më shumë dritë dhe është më freskët, por ka edhe një përparësi tjetër. Njerëzit aty kanë një dashuri të madhe për Biblën, dhe bisedat për çështjet fetare janë po aq të zakonshme, sa ç’janë edhe bisedat për sportin e për motin në kultura të tjera. Shpesh kalimtarët, kur shohin çfarë po bëhet, vijnë dhe ulen për të dëgjuar studimin.

10 Kështu, kur një misionar po drejtonte një studim biblik përjashta, një i ri që banonte në anën tjetër të rrugës u afrua dhe i tha se në shtëpinë e tij s’kishte shkuar njeri. Prandaj, i kërkoi misionarit të shkonte dhe të studionte Biblën edhe me të. Vetëkuptohet që misionari ia plotësoi me kënaqësi kërkesën, dhe tani ky i ri po bën përparim të shpejtë. Në këtë vend, policia i ndalon shpesh Dëshmitarët në rrugë, por jo për t’i gjobitur, po për t’u kërkuar numrat e fundit të Kullës së Rojës dhe të Zgjohuni! a për t’i falënderuar për ndonjë artikull që u ka pëlqyer në veçanti.

11. Çfarë mendojnë misionarët me shumë përvojë për shërbimin e tyre, pavarësisht nga sprovat?

11 Shumë nga ata që e kanë filluar shërbimin misionar 40 ose 50 vjet më parë, po shërbejnë ende si të tillë me besnikëri. Këta janë shembuj të shkëlqyer besimi e qëndrueshmërie për të gjithë ne. Për 42 vjet një çift, burrë e grua, kanë shërbyer së bashku si misionarë në tri vende. Burri thotë: «Kemi pasur edhe kohë të vështira. Për shembull, kemi luftuar me malarjen për 35 vjet. Megjithatë, kurrë nuk na ka ardhur keq që vendosëm të bëheshim misionarë.» E shoqja shton: «Gjithnjë kemi pasur shumë gjëra për të qenë mirënjohës. Shërbimi na kënaq jashtë mase, dhe këtu është shumë e lehtë të fillosh studime biblike. Kur shohim që studentët vijnë në mbledhje dhe njihen me njëri-tjetrin, duket sikur një familje e madhe është mbledhur së bashku.»

Ata ‘e konsiderojnë çdo gjë si një humbje’

12. Si tregohet çmueshmëria e vërtetë për vlerën e Mbretërisë?

12 Kur gjeti margaritarin me vlerë të madhe, tregtari shëtitës «iku dhe shiti menjëherë gjithçka që pati dhe e bleu». (Mateu 13:46) Gatishmëria për të hequr dorë nga gjithçka që mund të konsiderohet me shumë vlerë, është karakteristikë tipike e atyre që e kuptojnë vërtet vlerën e Mbretërisë. Apostulli Pavël, që do të ishte bashkë me Krishtin në lavdinë e Mbretërisë, tha: «E konsideroj çdo gjë si një humbje për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim. Për shkak të tij kam pranuar humbjen e çdo gjëje dhe i konsideroj ato si shumë plehra, që të fitoj Krishtin.»​—Filipianëve 3:8.

13. Si e tregoi dashurinë për Mbretërinë një njeri në Republikën Çeke?

13 Në të njëjtën mënyrë, shumë veta sot janë gati të bëjnë ndryshime të mëdha në jetë, për të marrë bekimet e Mbretërisë. Për shembull, në tetor të vitit 2003, drejtorit 60-vjeçar të një shkolle në Republikën Çeke, i ra në dorë libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme, që përdoret për të studiuar Biblën. Pasi e lexoi, ai u lidh menjëherë me Dëshmitarët e Jehovait në zonën e tij, për të studiuar Biblën me ta. Bëri përparim frymor dhe shumë shpejt filloi t’i ndiqte të gjitha mbledhjet. Mirëpo, ç’do të bënte me planet e tij që të vinte kandidaturën për kryetar bashkie dhe t’i hynte garës për t’u zgjedhur senator? Ai vendosi të fillonte një garë tjetër, garën për jetë, si një lajmëtar i Mbretërisë. «Arrita t’u lija gjithë atë literaturë biblike studentëve të mi»,​—tha. Më pas, e simbolizoi kushtimin ndaj Jehovait me pagëzim në ujë, në një kongres që u mbajt në korrik të vitit 2004.

14. (a) Çfarë kanë bërë miliona veta, nga dashuria për lajmin e mirë të Mbretërisë? (b) Çfarë pyetjesh kthjelluese mund t’i bëjë vetes secili prej nesh?

14 Miliona të tjerë anembanë botës i janë përgjigjur në mënyrë të ngjashme lajmit të mirë të Mbretërisë. Ata kanë dalë nga kjo botë e ligë, kanë hequr personalitetin e vjetër, kanë shkëputur lidhjet me shoqëritë e vjetra dhe kanë hequr dorë nga synimet që kishin në botë. (Gjoni 15:19; Efesianëve 4:22-24; Jakovi 4:4; 1 Gjonit 2:15-17) Përse e kanë bërë gjithë këtë? Sepse bekimet e Mbretërisë së Perëndisë i vlerësojnë më shumë se çdo gjë tjetër që mund t’u ofrojë ky sistem. A ndihesh edhe ti kështu për lajmin e mirë të Mbretërisë? A të motivon kjo të bësh ndryshimet e nevojshme për ta vënë jetën, vlerat dhe synimet e tua, në harmoni me atë që kërkon Jehovai? Kjo do të të sjellë bekime të shumta tani dhe në të ardhmen.

Korrja arrin pikën kulmore

15. Çfarë ishte profetizuar për popullin e Perëndisë në ditët e fundit?

15 Psalmisti shkroi: «Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd.» Ndër ata që janë afruar vullnetarisht përfshihen edhe ‘vesa e rinisë’, bashkë me ‘një ushtri të madhe’ me «gratë që shpallin lajmin e mirë». (Psalmi 68:11, BR; 110:3) Cili ka qenë rezultati i zellit dhe i frymës vetëmohuese që kanë treguar shërbëtorët e Jehovait, burra e gra, të rinj e të moshuar, në këto ditë të fundit?

16. Jepni një shembull se si shërbëtorët e Perëndisë kanë vënë synime për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë për Mbretërinë.

16 Një pioniere ose lajmëtare e Mbretërisë në kohë të plotë, në Indi, pyeste veten si mund të ndihmoheshin më shumë se dy milionë njerëz të atij vendi që s’dëgjojnë, për të mësuar për Mbretërinë. (Isaia 35:5) Vendosi të bënte një kurs në Bangallur për të mësuar gjuhën e shenjave. Atje arriti t’u fliste për shpresën e Mbretërisë shumë njerëzve që s’dëgjojnë, dhe kështu u formuan grupe për studimin e Biblës. Brenda disa javësh, më shumë se dymbëdhjetë veta filluan të ndiqnin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Më vonë, në një dasmë, pionierja takoi një djalë të ri nga Kalkuta, që s’dëgjonte. Ai kishte shumë pyetje dhe njëkohësisht interes të madh për të ditur më tepër për Jehovain. Mirëpo, kishte një problem. I riu duhej të kthehej në Kalkutë për të filluar shkollën, rreth 1.600 kilometra larg Bangallurit, dhe atje nuk kishte Dëshmitarë që të dinin gjuhën e shenjave. Pas shumë përpjekjesh, ai e bindi të atin që ta lejonte të shkonte në një shkollë në Bangallur, nga ku mund të vazhdonte studimin e Biblës. Bëri përparim të shpejtë frymor dhe, pas afro një viti, ia kushtoi jetën Jehovait. Pastaj studioi Biblën me disa individë të tjerë që s’dëgjojnë, duke përfshirë edhe një shokun e tij të fëmijërisë. Tani zyra e degës në Indi po merr masa që disa pionierë të mësojnë gjuhën e shenjave, për të ndihmuar në këtë fushë.

17. Tregoni çfarë ju inkurajoi në mënyrë të veçantë nga raporti për vitin e shërbimit 2004, që gjendet në faqet 19 deri 22.

17 Në faqet 19 deri 22 të kësaj reviste do të gjeni raportin mbarëbotëror të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin e shërbimit 2004. Ndalu pak dhe shqyrto këtë raport, që të shohësh vetë dëshmitë se shërbëtorët e Jehovait anekënd tokës sot, i kanë përqendruar plotësisht përpjekjet e tyre për «margaritarin me vlerë të madhe».

Vazhdoni të «kërkoni më parë mbretërinë»

18. Cilin informacion nuk përfshiu Jezui në shëmbëlltyrën e tregtarit shëtitës, dhe përse jo?

18 Duke iu rikthyer edhe një herë shëmbëlltyrës për tregtarin shëtitës, vërejmë se Jezui nuk tha se si do t’ia bënte tregtari për të jetuar, pasi të kishte shitur gjithçka. Normalisht, disa mund të pyesin: ‘Si do t’i siguronte ky tregtar ushqimin, veshjen dhe strehimin, tani që s’kishte më asgjë të vënë mënjanë? Ç’të mirë do t’i sillte ai margaritar i çmuar?’ Këto pyetje do të ishin të arsyeshme nga pikëpamja njerëzore. Por, a nuk i nxiti Jezui dishepujt e tij: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:31-33) Pika kryesore në këtë shëmbëlltyrë është që duhet të tregojmë përkushtim me gjithë shpirt ndaj Perëndisë dhe zell për Mbretërinë e tij. A mund të mësojmë diçka nga kjo?

19. Ç’mësim kyç nxjerrim nga shëmbëlltyra e Jezuit për margaritarin me vlerë të madhe?

19 Ndoshta sapo kemi mësuar për lajmin e mirë të mrekullueshëm ose ndoshta kemi vite të tëra që vazhdojmë veprën e Mbretërisë dhe u flasim të tjerëve për bekimet e saj. Sidoqoftë, duhet të vazhdojmë ta mbajmë Mbretërinë në qendër të interesave dhe të vëmendjes sonë. Këto janë kohë të vështira, por ne kemi arsye të forta për të besuar se ajo për të cilën po përpiqemi është reale dhe s’ka të krahasuar me asgjë tjetër, ashtu si ai margaritar që gjeti tregtari. Ngjarjet botërore dhe profecitë e përmbushura të Biblës na japin prova bindëse se po jetojmë në ‘përfundim të sistemit’. (Mateu 24:3) Ashtu si ai tregtar shëtitës, le të tregojmë plotësisht zell për Mbretërinë e Perëndisë dhe të gëzojmë për privilegjin që të shpallim lajmin e mirë!​—Psalmi 9:1, 2.

A ju kujtohet?

• Çfarë e ka bërë të mundur rritjen në numrin e adhuruesve të vërtetë gjatë viteve?

• Çfarë fryme vihet re tek ata që shërbejnë si misionarë?

• Çfarë ndryshimesh kanë bërë disa individë për shkak të lajmit të mirë të Mbretërisë?

• Ç’mësim të vlefshëm mund të nxjerrim nga shëmbëlltyra e Jezuit për margaritarin me vlerë të madhe?

[Pyetjet]

[Tabela në faqet 19-22]

RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 2004

(Shiko botimin)

[Figura në faqen 14]

«E vërteta . . . tërheq çdo lloj njeriu.»​—A. H. Mekmilën

[Figura në faqen 15]

Daniela dhe Helmuti predikonin në territorin e gjuhës së huaj në Vjenë

[Figurat në faqet 16, 17]

Ashtu si tregtari shëtitës, edhe misionarët e sotëm marrin shumë bekime

[Figura në faqen 17]

«Populli yt do të afrohet vullnetarisht»