«Qëndroni vigjilentë!»
«Qëndroni vigjilentë!»
NË KOHËT e lashta, portierët qëndronin në portat e qytetit, në hyrjet e tempullit dhe kishte raste edhe në dyert e shtëpive private. Ata jo vetëm siguroheshin që portat të ishin të mbyllura gjatë natës, por edhe shërbenin si roja. Kjo ishte një detyrë me shumë përgjegjësi, sepse siguria e qytetit varej nga kushtrimi që do t’u jepnin njerëzve në rast rreziku.
Jezu Krishti e njihte mirë rolin e portierëve, që ndryshe quheshin edhe derëtarë. Një herë, duke i krahasuar dishepujt e tij me derëtarët, ai i inkurajoi të qëndronin vigjilentë ndaj përfundimit të sistemit judaik. Ai tha: «Vazhdoni të shikoni, rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur është koha e caktuar. Është si një njeri që udhëton për në dhe të huaj . . . dhe portierin e urdhëroi të qëndronte vigjilent. Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë.»—Marku 13:33-35.
Në mënyrë të ngjashme, për më shumë se 125 vjet, kjo revistë, Kulla e Rojës, ka përçuar inkurajimin e Jezuit për të ‘qëndruar vigjilentë’. Si e ka bërë këtë? Ashtu siç thuhet në faqen 2 të kësaj reviste: «Ajo vazhdon të vrojtojë ngjarjet botërore, si plotësim të profecive të Biblës. I ngushëllon të gjithë njerëzit me lajmin e mirë se së shpejti Mbretëria e Perëndisë do t’i shkatërrojë të gjithë ata që shtypin dhe se do ta kthejë tokën në një parajsë.» Me një tirazh mbarëbotëror prej më shumë se 26.000.000 kopjesh të botuara në 150 gjuhë, Kulla e Rojës është revista fetare më e përhapur në botë. Nëpërmjet saj Dëshmitarët e Jehovait, ashtu si portierët në lashtësi, po i nxitin njerëzit kudo ndodhen që ‘të qëndrojnë vigjilentë’ frymësisht, sepse Zotëria, Jezu Krishti, do të kthehet së shpejti dhe do të ekzekutojë gjykimin për këtë sistem.—Marku 13:26, 37.