Bibla e Berleburgut
Bibla e Berleburgut
PIETIZMI ishte një rrymë fetare që u zhvillua brenda Kishës Luterane Gjermane në shekujt e 17-të dhe të 18-të. Disa prej përkrahësve të kësaj lëvizjeje i tallën e madje i përndoqën për shkak të besimit të tyre. Disa dijetarë pietistë kërkuan azil në Berleburg, i cili ndodhej 150 kilometra në veri të qytetit Frankfurt–mbi-Majn. U strehuan te një fisnik vendës, konti Kazimir fon Vitgenshtajn Berleburgu, i cili e vlerësonte shumë fenë. Prania e këtyre predikuesve dhe e dijetarëve në Berleburg bëri që të dilte një përkthim i ri i Biblës, që sot njihet me emrin Bibla e Berleburgut. Por, si arritën ta përkthenin?
Një nga ata që kërkuan azil ishte edhe Johan Haugu, i cili u detyrua të largohej nga shtëpia e tij në Strasburg, për shkak të mostolerancës së teologëve në atë qytet. Haugu ishte një studiues me njohuri të thella dhe gjuhëtar i talentuar. Ai u shprehu miqve të tij studiues në Berleburg dëshirën e fortë që kishte «për të pasur një përkthim të pastër të Biblës, për të korrigjuar përkthimin e Luterit, për të dhënë kuptimin duke i qëndruar besnik Fjalës së Perëndisë dhe frymës së saj të vërtetë». (Historia e Biblës së Berleburgut, gjermanisht) Qëllimi ishte të nxirrnin një Bibël me shënime dhe me komente shpjeguese, që të ishte e kuptueshme edhe për njerëzit e thjeshtë. Haugu kërkoi edhe bashkëpunimin e dijetarëve të vendeve të tjera të Evropës dhe punoi për këtë projekt më shumë se 20 vjet. Bibla e Berleburgut filloi të botohej në vitin 1726. Për shkak të shënimeve të shumta, ajo u botua në tetë vëllime.
Pa dyshim, në Biblën e Berleburgut gjejmë disa pika me interes. Për shembull, te Eksodi 6:2, 3 lexojmë: «Pastaj Zoti foli me Moisiun dhe i tha: Unë jam ZOTI. Dhe iu shfaqa Abrahamit, Isakut dhe Jakobit si Perëndi i plotfuqishëm, por, emrin tim JEHOVA, nuk ua bëra të njohur.» Emri i Perëndisë, Jehova, shfaqet edhe në një shënim që shpjegon vargun e mësipërm, si edhe në komentet për shkrimet e Eksodit 3:15 dhe 34:6.
Kështu, Bibla e Berleburgut u bë një ndër Biblat e shumta gjermane që e kanë përdorur emrin Jehova ose në tekst, ose në shënime dhe në komente. Një nga përkthimet më të fundit që i jep nderimin e duhur emrit të Perëndisë është edhe Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.