Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush do t’i sigurojë botës ushqim?

Kush do t’i sigurojë botës ushqim?

Kush do t’i sigurojë botës ushqim?

NGA llogaritjet që ka bërë Programi Botëror i OKB-së për Ushqimin, një organizatë që merret me luftën kundër urisë, doli se 800 milionë njerëz po shkojnë drejt vdekjes nga uria, pjesa dërrmuese e të cilëve janë fëmijë. Kohët e fundit, kjo organizatë është shprehur se vendet e zhvilluara, që mund të ndihmonin në një situatë të tillë, e kanë përqendruar vëmendjen dhe të ardhurat e tyre te probleme të tjera, siç është terrorizmi. Përhapja e sëmundjeve ngjitëse e ka rënduar më tepër gjendjen. Një raport i kësaj organizate thotë për vendet afrikane ku SIDA po bën kërdinë: «Një brez i tërë prindërish po zhduket nga faqja e dheut. Fëmijët që lënë pas duhet ta nxjerrin vetë bukën e gojës, edhe pse shumica e tyre nuk kanë as njohuritë bazë që zakonisht kalojnë nga njëri brez te tjetri, si në bujqësi, ashtu edhe në jetën e përditshme.»​—Global School Feeding Report.

Programi Botëror për Ushqimin po ndërmerr një nismë që ka për qëllim që çdo ditë t’u sigurohet fëmijëve të paktën një vakt në shkollë. Qëllimi nuk është vetëm që të luftojë urinë, por edhe që, nëpërmjet arsimimit, të futë programe të tjera të planifikuara për të parandaluar HIV/SIDA-n në radhët e të rinjve.

Atje ku ky program është zbatuar, fëmijët janë ushqyer, janë mësuar se si të kenë një higjienë vetjake dhe janë ndihmuar në drejtime të tjera. Madje është vënë re se shkalla e infeksionit me HIV/SIDA ka rënë atje ku njerëzit kanë bërë përmirësime në jetën e tyre.

Mjerisht, rezultatet e përpjekjeve njerëzore shpesh janë të pjesshme dhe jo përfundimtare. Por, për sa i përket zgjidhjes së përhershme të problemit të urisë, Bibla jep një premtim ngushëllues. «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë»,​—thotë Psalmi 72:16. Nën Mbretërinë e Perëndisë, njerëzit më në fund do të thonë për Perëndinë Jehova: «Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër. . . ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.»​—Psalmi 65:9.

[Burimi i figurës në faqen 32]

WFP/Y. Yuge