Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një ngjitje në ‘fund’ të Sabës

Një ngjitje në ‘fund’ të Sabës

Një ngjitje në ‘fund’ të Sabës

ISHULLI holandez i Sabës, njëherë e një kohë, shërbente si strehë për piratët që lundronin në ujërat e Karaibeve duke kërkuar ndonjë anije për të plaçkitur. Sot, ky ishull i vogël që ndodhet 240 kilometra në lindje të Porto-Rikos ka 1.600 banorë, 5 prej të cilëve janë Dëshmitarë të Jehovait. Këta predikues të guximshëm nuk po kërkojnë anije për të plaçkitur, por diçka shumë më të vlefshme. Ata po kërkojnë me zell njerëz që janë «të prirur drejt jetës së përhershme».​—Veprat 13:48.

Lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë mbërriti për herë të parë në ishull më 22 qershor 1952, kur një anije e vogël 18-metroshe me emrin «Sibia», që drejtohej nga disa Dëshmitarë të Jehovait, hodhi spirancën në brigjet e ishullit Saba. (Mateu 24:14) Misionarët Gast Maki dhe Stenli Karter iu ngjitën The Ladder, një rrugicë me 500 shkallë shkëmbore, që të çon në kryeqytetin e Sabës që, çuditërisht, quhet The Bottom ose «Fundi». * Për shekuj me radhë, kjo rrugicë e ngushtë ishte e vetmja mënyrë për të shkuar te banorët e ishullit.

Raporti i parë për veprën e predikimit të krishterë në Sabë doli në Librin Vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1966. Sipas atij raporti, në ishull ishte vetëm një Dëshmitar aktiv. Më vonë, një familje nga Kanadaja kaloi disa vjet atje duke predikuar lajmin e mirë. Kohët e fundit, Rasëll dhe Kathi, një çift pensionistësh nga Shtetet e Bashkuara, shkuan në Sabë e ndërsa ishin atje, dolën edhe në predikim. Ja çfarë na tregojnë.

Vizita në Sabë

Bashkë me gruan udhëtuam me avion dhe shkuam mysafirë te Ronaldi, i cili gjatë pjesës më të madhe të viteve 90 të shekullit të 20 ishte i vetmi Dëshmitar në ishull. Ai na priti në aeroport. U kënaq me arkën e vogël me perime që i sollëm si dhuratë, sepse në ishull nuk shiten prodhime bujqësore. Hipëm në një kamion të vogël dhe dalëngadalë iu ngjitëm rrugës zigzage në faqe të malit Scenery (Peizazh), deri në majën e tij, ku ndodhet edhe vullkani i shuar.

Ndaluam në fshatin Hell’s Gate, ku Ronaldi kontrolloi në tabelën e njoftimeve të fshatit nëse ishte akoma aty ftesa për fjalimin publik që do të mbahej të dielën. U gëzuam kur pamë që ishte aty. Me një të kërcyer hipi mbi rimorkion e kamionit dhe vazhduam ngjitjen për në fshatin më të madh të ishullit, Windwardside. Siç tregon edhe emri në anglisht, ky fshat piktoresk ndodhet në atë krah të ishullit nga fryn era dhe është 400 metra mbi nivelin e detit. Kur hymë në oborrin e shtëpisë së Ronit, sytë tanë u ndalën te një shënim i bukur i vendosur mbi verandë ku shkruhej: «Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait».

Gjatë drekës e pyeta: «Si u bëre lajmëtar i Mbretërisë këtu në Sabë?» Në fund të fundit, ky ishte edhe qëllimi i vizitës sonë.

«Kur mbaroi ndërtimi i degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Porto-Riko, në vitin 1993,​—shpjegoi Roni,​—unë dhe gruaja donim që të vazhdonim shërbimin në një vend të huaj. Më parë, kishim qenë për vizitë në Sabë bashkë me një çift pionierësh dhe kishim mësuar se kishte 1.400 banorë, por asnjë Dëshmitar. Kështu që biseduam me Komitetin e Degës në Porto-Riko që të transferoheshim këtu.

Gjërat rrodhën për mirë dhe në fund morëm aprovimin për të shërbyer në Sabë. Mjerisht, dy vjet më vonë, gruaja u sëmur rëndë dhe u kthyem në Kaliforni. Pas vdekjes së saj, unë u ktheva përsëri në Sabë. Puna është se nuk më pëlqen t’i lë gjërat përgjysmë.»

Predikimi shtëpi më shtëpi në Sabë

Dhoma e ndenjes në shtëpinë 100-vjeçare të Ronit shërbente edhe si Sallë Mbretërie. * Ndërsa po hanim mëngjes dhe po bëheshim gati për shërbim, shiu i një reje kalimtare zbrazet mbi kuzhinën që ndodhet jashtë, në natyrë. Pas mëngjesit, edhe pse qielli ishte gjithandej me re, u nisëm për të dhënë dëshmi nga shtëpia në shtëpi në Majë. Në çdo derë që trokitnim, Roni i përshëndeste të zotët e shtëpisë në emër. Bisedat tona u përqendruan te diçka që kishte ndodhur kohët e fundit në atë zonë. Shumë prej banorëve ishin mësuar me Ronin e me shërbimin e tij, dhe pjesa më e madhe e pranonin menjëherë literaturën biblike.

Nëse nuk i njeh banorët, mund të jetë shumë e vështirë t’i mbash mend ata që janë të interesuar për mesazhin e Mbretërisë. Përse? Sepse, siç na tha Roni, «ligji e kërkon që të gjitha shtëpitë të jenë të lyera me të njëjtën ngjyrë». Është e vërtetë, pasi, kur hodha sytë përreth, vura re që të gjitha shtëpitë në Sabë ishin të bardha e me çati të kuqe.

Pasi mbaruam bisedën rreth Biblës, e ftuam të zotin e shtëpisë të ndiqte fjalimin publik që do të mbahej të dielën në Sallën e Mbretërisë. Kur Roni është në ishull, mban një fjalim publik çdo javë. Tani, në Sabë ka 17 studime biblike. Në vitin 2004, në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit ishin njëzet veta të pranishëm. Ndoshta si numër mund të duket i vogël, por këta përbëjnë një për qind të të gjithë popullsisë së Sabës.

Vërtet, Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë të pamundurën për t’ua dhënë sa më shumë njerëzve mesazhin e shpëtimit që do të sjellë Perëndia. Qoftë një ishull i vockël si Saba, qoftë një kontinent i tërë, Dëshmitarët e Jehovait po e përmbushin me besnikëri detyrën për të ‘bërë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve’.​—Mateu 28:19.

Na erdhi keq, por vizitës sonë i erdhi fundi. Ndërsa hipnim në avion e përshëndetëm me dorë njëri-tjetrin. Nuk do ta harrojmë kurrë vizitën në Sabë dhe kohën që kaluam në The Bottom!

[Shënimet]

^ par. 3 Me sa duket, piratët e quajtën The Bottom (Fundi), sepse mendonin se ndodhej në fund të një krateri vullkanik.

^ par. 12 Më 28 shtator 2003, në Sabë shkuan disa vullnetarë nga Florida, SHBA, për të restauruar një ndërtesë aty afër, që tani përdoret si Sallë Mbretërie.

[Hartat në faqen 10]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

PORTO-RIKO

[Burimi i figurës në faqen 10]

Sfondi: www.sabatourism.com