Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A i trajtonte Davidi (një njeri sipas zemrës së Perëndisë) robërit e tij në mënyrë mizore, siç nxjerrin përfundimin disa duke lexuar 2 Samuelit 12:31 dhe 1 Kronikave 20:3?
Jo. Davidi thjesht i dënoi robërit amonitë me punë të detyruar. Veprimet e Davidit janë keqkuptuar për shkak të mënyrës se si janë përkthyer këto vargje në disa versione të Biblës.
Kur përshkruajnë trajtimin që iu bë amonitëve, këto versione të Biblës e përshkruajnë Davidin si një njeri barbar e mizor. Për shembull, sipas King James Version, 2 Samuelit 12:31 thotë: «Ai i solli njerëzit që ishin aty, dhe i vuri nën sharra, nën lesa hekuri, nën sëpata hekuri, i bëri të kalonin nëpër furrën e tullave; kështu veproi me të gjitha qytetet e bijve të Amonit.» Edhe tregimi te 1 Kronikave 20:3 përkthehet po njësoj.
Por, siç komenton studiuesi biblik Samuel Rolls Drajvër, mizoria «është krejt e pakonceptueshme për gjithçka që dimë rreth karakterit dhe natyrës së Davidit». Prandaj, në një koment të versionit The Anchor Bible thuhet: «Davidi po ngre grupe pune me këta robër, për të shfrytëzuar burimet ekonomike të territorit të pushtuar, diçka që, me sa duket, ishte karakteristike për mbretërit fitimtarë.» Me të njëjtin arsyetim, Adam Klarku komenton: «Prandaj, kuptimi është: ai i ktheu njerëzit në skllevër dhe i punësoi nëpër sharra, për të bërë lesa hekuri ose si minatorë, . . . si edhe për të gdhendur gurin e për të bërë tulla. Sharrimi në mes, torturimi, prerja dhe copëtimi i qenieve njerëzore, nuk hyjnë fare në këtë tekst, ashtu siç nuk hynte fare një lloj i tillë trajtimi nga ana e Davidit kundër amonitëve.»
Duke pasqyruar këtë kuptueshmëri që është më e saktë, shumë përkthime moderne e bëjnë të qartë që Davidi nuk duhet akuzuar për trajtim çnjerëzor. * Ja si është përkthimi i New English Translation (2003): «I nxori banorët që ishin brenda tij dhe i vuri në punë të detyruar me sharra, me lesa prej hekuri dhe me sëpata prej hekuri, duke i vënë në punë në furrën e tullave. Kjo ishte taktika që u ndoq me të gjitha qytetet amonite.» (2 Samuelit 12:31) «Ai i mori banorët e qytetit dhe i vuri të punojnë me sharra, me lesa hekuri dhe me sëpata. Davidi veproi kështu me të gjitha qytetet e amonitëve.» (1 Kronikave 20:3) Edhe teksti sipas Përkthimit Bota e Re është në harmoni me këtë kuptueshmëri aktuale të studiuesve: «Ai i mori njerëzit që gjendeshin në të, që t’i vinte për të sharruar gurë, për të punuar me veglat e mprehta prej hekuri dhe me sëpatat prej hekuri. Gjithashtu ai i vuri të punonin për të bërë tulla.» (2 Samuelit 12:31) «Ai e nxori jashtë popullin që gjendej në të dhe i punësoi për të sharruar gurë, për të punuar me vegla të mprehta prej hekuri dhe me sëpata. Kështu bëri Davidi me të gjitha qytetet e bijve të Amonit.»—1 Kronikave 20:3.
Davidi nuk ua nënshtroi amonitët e mundur torturave barbare dhe masakrave të llahtarshme. Ai nuk imitoi zakonet sadiste e mizore të luftërave në ditët e tij.
[Shënimi]
^ par. 6 Po të ndryshohet një shkronjë, teksti hebraik del ose «i vuri të sharronin», ose «i preu (sharroi) copa-copa». Gjithashtu, fjala për «furrë tullash» mund të nënkuptojë edhe «kallëp për tulla». Ky kallëp do të ishte shumë i vogël që të kalonte nëpër të ndonjë njeri.