Ta ruajmë identitetin e krishterë
Ta ruajmë identitetin e krishterë
«‘Ju jeni dëshmitarët e mi’,—thotë Jehovai.»—ISAIA 43:10, BR.
1. Ç’lloj njerëzish tërheq drejt vetes Jehovai?
KUR të jesh në Sallën e Mbretërisë, vështro me kujdes rreth e rrotull. Kë sheh në këtë vend adhurimi? Mund të shohësh të rinj të sinqertë, që dëgjojnë me vëmendje për të përvetësuar mençurinë e Biblës. (Psalmi 148:12, 13) Ndoshta do të shohësh kryefamiljarë që përpiqen t’i pëlqejnë Perëndisë, ndërkohë që jetojnë në një botë që ia ul vlerat jetës familjare. Mbase do të të zënë sytë të moshuar, që me gjithë sëmundjet e moshës, vazhdojnë me besnikëri të jetojnë sipas kushtimit që i kanë bërë Jehovait. (Fjalët e urta [Proverbat] 16:31) Që të gjithë e duan shumë Jehovain. Por edhe ai pranoi me kënaqësi t’i tërhiqte drejt tij, që të kishin një marrëdhënie me të. Biri i Perëndisë pohoi: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.»—Gjoni 6:37, 44, 65.
2, 3. Pse mund të jetë e vështirë ta mbajmë të qartë në mendje identitetin e krishterë?
2 A nuk jemi të lumtur që bëjmë pjesë në një popull që ka miratimin dhe bekimin e Jehovait? E megjithatë, në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», s’është e lehtë ta mbajmë të qartë në mendje identitetin tonë si të krishterë. (2 Timoteut 3:1) Kjo është sidomos e vërtetë për të rinjtë që po rriten në familje të krishtere. Një nga këta të rinj pranoi: «Edhe pse i ndiqja mbledhjet e krishtere, s’kisha ndonjë synim të qartë frymor dhe, që të jem i ndershëm, s’kisha as dëshirë të vërtetë për t’i shërbyer Jehovait.»
3 Disa të tjerë, edhe pse duan t’i shërbejnë Jehovait, mund të shpërqendrohen nga presioni i fortë i moshatarëve, nga ndikimet e botës dhe nga prirjet mëkatare. Kur mbi ne ushtrohet presion, dalëngadalë mund të na bëjë ta humbasim identitetin e krishterë. Për shembull, në botën e sotme, shumë veta i shohin normat morale të Biblës si jashtë mode ose jorealiste për shoqërinë tonë moderne. (1 Pjetrit 4:4) Disa mendojnë se nuk është shumë e rëndësishme ta adhurosh Perëndinë sipas mënyrës që thotë ai. (Gjoni 4:24) Në letrën drejtuar efesianëve, Pavli thotë se bota ka një ‘frymë’ ose një veti karakteristike. (Efesianëve 2:2) Kjo frymë u bën presion njerëzve që të përshtaten me filozofinë e një shoqërie që nuk e njeh Jehovain.
4. Si e theksoi Jezui nevojën për të ruajtur identitetin tonë si të krishterë?
4 Megjithatë, si shërbëtorë të kushtuar të Jehovait, ne e kuptojmë se do të ishte tragjike sikur njëri nga ne, i ri a i moshuar qoftë, të humbiste identitetin e krishterë. Pikëpamja e duhur për identitetin e krishterë mund të bazohet vetëm te normat e Jehovait dhe tek ajo çfarë pret ai prej nesh. Fundja, jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:26; Mikea 6:8) Bibla e krahason identifikimin tonë të qartë si të krishterë me rrobat, që të gjithë i shohin. Jezui dha këtë paralajmërim për kohët tona: «Ja, unë po vij si një hajdut. Lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e tij, që të mos ecë lakuriq dhe njerëzit të shohin turpin e tij!» * (Zbulesa 16:15) Nuk duam t’i heqim cilësitë dhe normat e krishtere të sjelljes, e të lëmë që të na brumosë bota e Satanait. Po të na ndodhte kjo, do t’i humbnim fare këto ‘rroba’. Një situatë e tillë do të ishte sa e vajtueshme, aq edhe e turpshme.
5, 6. Pse është thelbësore të jemi të qëndrueshëm nga ana frymore?
5 Në qoftë se dikush e ka të qartë në mendje identitetin e tij si i krishterë, kjo ndikon shumë në drejtimin që merr jeta e tij. Në ç’mënyrë? Në qoftë se një adhurues i Jehovait nuk ka më një pikëpamje të qartë për identitetin e tij, mund të përfundojë pa ndonjë synim a drejtim të përcaktuar në jetë. Bibla paralajmëron vazhdimisht lidhur me këtë gjendje të pavendosur. Dishepulli Jakov paralajmëroi: «Ai që dyshon është si një dallgë deti e shtyrë nga era dhe e hedhur andej-këtej. Në fakt, ai njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Jehovai; ai është një njeri i pavendosur, i paqendrueshëm në të gjitha udhët e tij.»—Jakovi 1:6-8; Efesianëve 4:14; Hebrenjve 13:9.
6 Si ta ruajmë identitetin e krishterë? Çfarë mund të na ndihmojë që ta kemi edhe më të qartë në mendje privilegjin e madh si adhurues të Perëndisë Më të Lartë? Të lutemi, shqyrto mënyrat e mëposhtme.
Ndërtoje identitetin tënd të krishterë mbi baza të forta
7. Pse është e përshtatshme t’i lutemi Jehovait që të na hetojë?
7 Forcoje vazhdimisht marrëdhënien tënde me Jehovain. Gjëja më e çmuar që zotëron një i krishterë, është marrëdhënia që ka me Perëndinë. (Psalmi 25:14; Fjalët e urta 3:32) Në qoftë se fillojmë të kemi pyetje trazuese për identitetin tonë të krishterë, është koha që të shqyrtojmë me kujdes sa reale dhe sa e fortë është kjo marrëdhënie. Shumë me vend ishte lutja e psalmistit: «Më heto, o Zot dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.» (Psalmi 26:2) Pse është thelbësor ky lloj hetimi? Sepse, kur bëhet fjalë për motivet dhe prirjet tona të brendshme, s’mund t’i zëmë besë vetes. Vetëm Jehovai është në gjendje ta kuptojë tamam njeriun tonë të brendshëm, domethënë motivet, mendimet dhe ndjenjat tona.—Jeremia 17:9, 10.
8. (a) Si nxjerrim dobi nga sprovat që lejon Jehovai? (b) Çfarë ndihme ke marrë për të bërë përparim si i krishterë?
8 Duke i kërkuar Jehovait të na hetojë, po e ftojmë që të na vërë në provë. Ai mund të lejojë që të lindin situata ku do të duken qartë motivet tona të vërteta dhe gjendja e zemrës sonë figurative. (Hebrenjve 4:12, 13; Jakovi 1:22-25) Duhet t’i pranojmë këto sprova, sepse na japin mundësi të tregojmë sa besnikë i jemi Jehovait. Ato mund të tregojnë nëse jemi «të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, duke mos [na] munguar asgjë». (Jakovi 1:2-4) E ndërkohë, mund të rritemi frymësisht.—Efesianëve 4:22-24.
9. Pse është e domosdoshme t’i provojmë vetes të vërtetën biblike?
9 Provoji vetes të vërtetën biblike. Ndjenja e identitetit si shërbëtorë të Jehovait mund të na dobësohet, në qoftë se nuk është e bazuar fortësisht në njohurinë nga Shkrimet. (Filipianëve 1:9, 10) Çdo i krishterë, i ri a i moshuar qoftë, duhet të studiojë derisa të bindet plotësisht se ajo që beson është tamam e vërteta që gjendet në Bibël. Pavli i nxiti bashkëbesimtarët: «Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbani fort atë që është e shkëlqyer.» (1 Selanikasve 5:21) Të rinjtë e krishterë që janë rritur në familje të devotshme, duhet të kuptojnë se nuk mund të jetojnë si të tillë vetëm me besimin e prindërve. Solomoni mori këtë këshillë nga i ati, Davidi: «Njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër.» (1 Kronikave 28:9) Nuk do të ishte e mjaftueshme që Solomoni i ri të shihte se si babai tregonte besim te Jehovai. Ai duhej ta njihte vetë Jehovain, dhe kjo ishte pikërisht ajo që bëri. Solomoni iu lut Perëndisë: «Më jep, pra, dituri dhe zgjuarsi, që të mund të hyj dhe të dal para këtij populli.»—2 Kronikave 1:10.
10. Pse nuk është e gabuar të bësh pyetje të sinqerta me motivin e duhur?
10 Besimi i fortë krijohet në bazë të njohurisë. «Besimi . . . vjen pas asaj që është dëgjuar»,—tha Pavli. (Romakëve 10:17) Çfarë donte të thoshte me këtë? Donte të thoshte që, kur marrim ushqim nga Fjala e Perëndisë, krijojmë besim e siguri te Jehovai, te premtimet e tij dhe tek organizata e tij. Pyetjet e sinqerta në lidhje me Biblën mund të çojnë në përgjigje që na japin siguri. Për më tepër, te Romakëve 12:2 gjejmë këshillën e Pavlit: «Provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.» Si e arrijmë këtë? Duke marrë ‘njohurinë e saktë për të vërtetën’. (Titit 1:1) Fryma e Jehovait mund të na ndihmojë të kuptojmë edhe ato argumente që janë të vështira. (1 Korintasve 2:11, 12) Kur e kemi të vështirë të kuptojmë diçka, duhet t’i lutemi Perëndisë për ndihmë. (Psalmi 119:10, 11, 27) Jehovai dëshiron që ne ta kuptojmë Fjalën e tij, ta besojmë e t’i bindemi asaj. Prandaj i mirëpret pyetjet e sinqerta që bëhen me motivin e duhur.
Ji i vendosur t’i pëlqesh Perëndisë
11. (a) Cila dëshirë e natyrshme mund të na futë në grackë? (b) Si të marrim guximin e duhur për t’i bërë ballë presionit të moshatarëve?
11 Përpiqu t’i pëlqesh Perëndisë, jo njerëzve. Është më se normale që deri diku ta përcaktojmë identitetin tonë si pjesë e një grupi. Të gjithë kanë nevojë për miq, dhe ndihemi mirë kur të tjerët na pranojnë në shoqëri. Gjatë Fjalët e urta 1:11-19) Kur një i krishterë i dorëzohet presionit të dëmshëm të moshatarëve, zakonisht përpiqet ta fshehë se kush është, pra identitetin e tij. (Psalmi 26:4) «Mos u brumosni sipas sjelljes së botës që ju rrethon»,—paralajmëroi apostulli Pavël. (Romakëve 12:2, The Jerusalem Bible) Jehovai na jep forcën e brendshme që na duhet për të luftuar presionet e jashtme për t’u përshtatur me botën.—Hebrenjve 13:6.
adoleshencës, por edhe më vonë në jetë, presioni i moshatarëve mund të jetë i fortë, duke bërë të lindë një dëshirë të madhe për t’i imituar të tjerët ose për t’u pëlqyer atyre. Por miqtë ose moshatarët tanë jo gjithnjë kanë për zemër të mirën tonë. Nganjëherë, vetëm sa duan të kenë shokë për të bërë gjëra të gabuara. (12. Cili parim dhe cili shembull mund të na forcojë që të qëndrojmë të vendosur kur bëhet fjalë për besimin te Perëndia?
12 Kur presionet nga jashtë rrezikojnë të na e dëmtojnë pikëpamjen tonë për identitetin e krishterë, është mirë të mbajmë mend se besnikëria ndaj Perëndisë është shumë më e rëndësishme se opinioni i shumicës ose prirja që ka shumica e njerëzve. Parimin që na drejton e gjejmë në fjalët e Eksodit (Dalja) 23:2: «Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen.» Kur shumica e izraelitëve vunë në dyshim aftësinë e Jehovait për të përmbushur premtimet e Tij, Kalebi me vendosmëri nuk pranoi të bashkohej me ta. Ishte i sigurt se premtimet e Perëndisë ishin të besueshme dhe u shpërblye shumë për qëndrimin e tij. (Numrat 13:30; Jozueu 14:6-11) A je edhe ti i gatshëm t’i rezistosh presionit që sjell opinioni i shumicës, për të ruajtur marrëdhënien tënde me Perëndinë?
13. Pse është e mençur ta bëjmë të njohur identitetin tonë si të krishterë?
13 Bëje të qartë identitetin tënd të krishterë. Thënia ‘mbrojtja më e mirë është sulmi’ është e vërtetë kur bëhet fjala për të mbrojtur identitetin tonë të krishterë. Kur hasën kundërshtime ndaj përpjekjeve për të bërë vullnetin e Jehovait, izraelitët besnikë në ditët e Ezdrës u përgjigjën: «Ne jemi shërbëtorët e Perëndisë të qiellit dhe të dheut.» (Ezdra 5:11) Në qoftë se prekemi nga reagimet dhe kritikat e njerëzve armiqësorë, mund të na pushtojë e të na paralizojë frika. Nuk të sjell ndonjë dobi të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve. Prandaj, mos ki frikë. E mira është që gjithnjë t’u thuash hapur të tjerëve se je Dëshmitar i Jehovait. Me respekt, por me vendosmëri, mund t’u shpjegosh parimet, bindjet që ke dhe pozitën tënde si i krishterë. Bëjua të qartë të tjerëve se je i vendosur të mbash normat e larta të Jehovait për sa i përket moralit. Tregoju qartë se nuk bën kompromis me integritetin tënd të krishterë dhe se je krenar për normat e tua morale. (Psalmi 64:10) Po të dalësh hapur si një i krishterë i vendosur, kjo mund të të forcojë, të të mbrojë e madje t’i shtyjë disa që të pyesin për Jehovain e për popullin e tij.
14. A duhet të shkurajohemi nga talljet ose nga kundërshtimi? Shpjego.
14 Vërtet, disa mund të të tallin ose të të kundërshtojnë. (Juda 18) Por mos u shkurajo, në qoftë se të tjerët nuk u përgjigjen mirë përpjekjeve të tua për t’u shpjeguar parimet që ke. (Ezekieli 3:7, 8) Pavarësisht sa i vendosur je, kurrë nuk do të arrish t’i bindësh njerëzit që s’kanë dëshirë të binden. Mos harro faraonin e Egjiptit. S’kishte mrekulli a plagë, madje as edhe vdekja e birit të tij të parëlindur, që ta bindte se Moisiu po fliste si i dërguari i Jehovait. Prandaj, mos lejo që frika ndaj njeriut të të paralizojë. Besimi te Perëndia mund të na ndihmojë ta mposhtim frikën.—Fjalët e urta 3:5, 6; 29:25.
Mëso nga e kaluara, puno për të ardhmen!
15, 16. (a) Çfarë trashëgimie frymore kemi? (b) Si nxjerrim dobi duke medituar për trashëgiminë tonë frymore, me ndihmën e Fjalës së Perëndisë?
15 Vlerësoje trashëgiminë tënde frymore. Me ndihmën e Fjalës së Perëndisë, të krishterët mund të meditojnë për trashëgiminë e tyre të pasur frymore dhe të nxjerrin dobi prej saj. Kjo trashëgimi përfshin të vërtetën e Fjalës së Jehovait, shpresën e jetës së përhershme dhe nderin për të përfaqësuar Perëndinë si lajmëtarë të lajmit të mirë. A e sheh rolin që ke ti personalisht mes Dëshmitarëve të tij, në këtë grup të privilegjuar njerëzish që u është ngarkuar vepra jetëshpëtuese e predikimit të Mbretërisë? Mos harro se është vetë Jehovai që pohon me gojën e tij: «Dëshmitarët e mi jeni ju.»—Isaia 43:10.
16 Mund t’i bësh vetes këto pyetje: ‘Sa e vlerësoj unë këtë trashëgimi frymore? A e vlerësoj deri në atë masë, sa vullneti i Perëndisë të jetë Psalmi 91:1, 2) Shqyrtimi i ngjarjeve të rëndësishme në historinë moderne të organizatës së Jehovait mund të na ngulitë në mendje se asnjë person e asnjë gjë s’mund ta shfarosë popullin e Jehovait nga faqja e dheut.—Isaia 54:17; Jeremia 1:19.
gjëja kryesore në jetën time? A e çmoj aq shumë, sa të më japë forcë t’u rezistoj tundimeve që mund të më bëjnë të humbas këtë trashëgimi?’ Veç kësaj, kjo trashëgimi mund të na mbushë me një ndjenjë sigurie frymore, të cilën e kanë vetëm ata që janë brenda organizatës së Jehovait. (17. Çfarë nevojitet tjetër, përveçse të mbështetemi te trashëgimia jonë frymore?
17 Sigurisht, s’mund të mbështetemi vetëm te trashëgimia frymore. Secili prej nesh duhet të krijojë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Pasi kishte punuar shumë për t’u forcuar besimin të krishterëve në Filipi, Pavli u shkroi: «Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikurse jeni bindur gjithnjë, jo vetëm gjatë pranisë sime, por edhe me më shumë gatishmëri tani gjatë mungesës sime, vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.» (Filipianëve 2:12) Nuk mund të varemi nga dikush tjetër për të shpëtuar.
18. Si mund të na e bëjnë më të qartë identitetin e krishterë aktivitetet teokratike?
18 Përfshihu plotësisht në aktivitetet e krishtere. Në një libër është komentuar se «puna ka përcaktuar identitetin e njerëzve». Të krishterëve të sotëm u është caktuar vepra jetësore e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë që ka vendosur Perëndia. Pavli tha: «Përderisa jam me të vërtetë një apostull i kombeve, unë i jap lavdi shërbimit tim.» (Romakëve 11:13) Vepra e predikimit na dallon nga bota dhe pjesëmarrja në këtë vepër na e forcon identitetin e krishterë. Përfshirja e plotë në aktivitete të tjera teokratike, siç janë mbledhjet e krishtere, programet për ndërtimin e vendeve të adhurimit, përpjekjet për të ndihmuar nevojtarët e gjëra si këto, mund të na e bëjë edhe më të qartë në mendje identitetin tonë si të krishterë.—Galatasve 6:9, 10; Hebrenjve 10:23, 24.
Një identitet i qartë sjell bekime reale
19, 20. (a) Çfarë dobie ke nxjerrë personalisht duke qenë i krishterë? (b) Cila është baza për identitetin tonë të vërtetë?
19 Ndalu një çast dhe mendo për bekimet e dobitë e shumta që kemi ngaqë jemi të krishterë të vërtetë. Kemi privilegjin që Jehovai të na njohë personalisht. Profeti Malakia tha: «Ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri-tjetrit. Zoti i dëgjoi me vëmendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.» (Malakia 3:16) Kemi mundësinë që Perëndia të na konsiderojë miq të tij. (Jakovi 2:23) Jeta jonë merr kuptim të vërtetë, kemi një qëllim dhe synime të mira e të frytshme. Gjithashtu, na është dhënë shpresa për një të ardhme të përjetshme.—Psalmi 37:9.
20 Mos harro se identitetin dhe vlerën tënde të vërtetë e përcakton vlerësimi që ka Perëndia për ty, jo si të konsiderojnë njerëzit. Të tjerët mund të na vlerësojnë sipas kritereve njerëzore, që mund të jenë të gabuara. Kurse dashuria dhe interesi që ka Perëndia për ne, na japin bazën e vërtetë për vlerën tonë. Ne i përkasim atij. (Mateu 10:29-31) Nga ana tjetër, dashuria që kemi ne për Perëndinë mund të na e forcojë shumë identitetin dhe të na japë drejtimin më të qartë në jetë. «Nëse dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.»—1 Korintasve 8:3.
[Shënimi]
^ par. 4 Këtu Jezui mund ta ketë pasur fjalën për detyrat e oficerit të malit të tempullit në Jerusalem. Natën, gjatë ndërresave të rojave, ai kalonte nëpër tempull për të parë nëse rojat levite ishin zgjuar apo i kishte zënë gjumi në vendrojë. Ata që i gjente në gjumë, i godiste me shkop dhe mund t’u digjte rrobat si ndëshkim, për t’i bërë me turp.
A ju kujtohet?
• Pse është thelbësore që ta ruajmë identitetin tonë të krishterë?
• Si mund ta ndërtojmë mbi baza të forta identitetin tonë të krishterë?
• Cilët faktorë na ndihmojnë të marrim vendimin e duhur, kur hasim dyshimin se kujt t’i pëlqejmë?
• Si mund ta modelojë të ardhmen tonë si të krishterë pikëpamja e qartë për identitetin?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 21]
Përfshirja e plotë në aktivitetet e krishtere mund të na e forcojë identitetin e krishterë