A janë gjithnjë të këqija ndjenjat e fajit?
A janë gjithnjë të këqija ndjenjat e fajit?
SOT, shumë njerëz s’para i pëlqejnë ndjenjat e fajit. Ata mendojnë si filozofi gjerman Fridrih Niçe, i cili tha: «Faji është sëmundja më e rëndë që i ka rënë ndonjëherë njeriut.»
Mirëpo, tani disa studiues po arrijnë në një përfundim tjetër. Një terapiste dhe shkrimtare me famë ndërkombëtare, Suzana Foruardi, me gradën «doktor i filozofisë», thotë: «Ndjenja e fajit është pjesë e rëndësishme e të qenët njeri me ndjenja dhe përgjegjës për veprimet e tij. Është pjesë e ndërgjegjes.» Pra, a është e keqe çdo ndjenjë faji? A ka rrethana në të cilat, faktikisht, ndjenjat e fajit mund të na ndihmojnë?
Çfarë është ndjenja e fajit?
Ndjenja e fajit lind kur e kuptojmë se kemi lënduar dikë që duam ose kur nuk arrijmë të plotësojmë normat sipas të cilave duam të jetojmë. Siç thuhet në një vepër referimi, ndjenja e fajit ka të bëjë me «një ndjenjë borxhi që vjen kur dikush është fajtor për diçka, për një fyerje, për një krim ose për një mëkat».
Mjerisht, nganjëherë mund të ndihemi fajtorë pa qenë vërtet të tillë. Për shembull, nëse dikush kërkon me çdo kusht përsosmëri dhe ka prirjen të vërë norma të paarsyeshme për veten, çdo zhgënjim mund t’i krijojë një ndjenjë faji të panevojshme. (Predikuesi 7:16) Ose mund të lejojmë që keqardhja normale për një gabim që kemi bërë, të shtohet derisa të krijojë brenda nesh ndjenja turpi dhe të përfundojmë duke ndëshkuar veten pa qenë e nevojshme. Po atëherë, kur mund të na ndihmojnë ndjenjat e fajit?
Ndjenjat e fajit mund të jenë edhe të mira
Kur ndihemi fajtorë, kjo mund të na ndihmojë të paktën në tri aspekte. Së pari, sinjalizon se e dimë cilat norma janë të pranueshme. Tregon se ndërgjegjja jonë punon. (Romakëve 2:15) Në fakt, një libër i botuar nga Shoqata Amerikane e Psikiatërve e trajton mungesën e ndjenjave të fajit si sjellje që kërcënon shoqërinë. Ata që e kanë ndërgjegjen të njollosur ose që u është mpirë ndërgjegjja, nuk e kuptojnë dallimin ndërmjet së mirës dhe së keqes, e kjo mund të jetë e rrezikshme.—Titit 1:15, 16.
Së dyti, kur ndërgjegjja na bren sepse ndihet në faj, kjo mund të na ndihmojë të shmangim veprimet e padëshiruara. Kur na dhemb ndonjë gjë në trup, kjo mund të na sinjalizojë për ndonjë problem shëndetësor. Po kështu, dhembja emocionale që vjen nga ndjenja e fajit, mund të na sinjalizojë për ndonjë problem moral ose frymor, të cilit duhet t’i kushtojmë vëmendje. Pasi të kemi kuptuar se cila është dobësia, do ta kemi më të lehtë që në të ardhmen të mos lëndojmë veten, njerëzit që duam ose të tjerët.—Mateu 7:12.
Së treti, pranimi i fajit mund të ndihmojë si atë që është fajtor, ashtu edhe viktimën. Për shembull, kur mbreti David u ndie fajtor, kjo u shoqërua me dhembje të mëdha emocionale. «Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën»,—shkroi ai. Por, pasi ia rrëfeu mëkatin Perëndisë, Davidi këndoi i kënaqur: «Ti do të më rrethosh me këngë çlirimi.» (Psalmi 32:3, 7) Madje, rrëfimi i mëkatit mund ta bëjë edhe viktimën të ndihet më mirë. Kjo sepse, kur fajtori e pranon fajin, e siguron tjetrin se e do, dhe si rrjedhim i vjen keq që i ka shkaktuar dhembje.—2 Samuelit 11:2-15.
Pikëpamje e ekuilibruar për ndjenjat e fajit
Që të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për ndjenjat e fajit, le të shohim kontrastin e thellë që ekzistonte ndërmjet Jezuit dhe farisenjve në mënyrën se si i shihnin mëkatarët dhe mëkatin. Te Luka 7:36-50, lexojmë se një grua imorale hyri në shtëpinë e një fariseu, ku po hante darkë Jezui. Ajo iu afrua Jezuit, ia lau këmbët me lot dhe ia leu me një vaj të parfumuar të kushtueshëm.
Fariseu, gjoja i devotshëm, e pa me përbuzje këtë grua, duke menduar që s’meritonte kohën dhe vëmendjen e tij. Ky tha me vete: «Nëse ky njeri [Jezui] do të ishte profet, do ta dinte se kush dhe se ç’lloj gruaje është kjo që po e prek, se është një mëkatare.» (Luka 7:39) Pa vonesë, Jezui i tregoi se po mendonte gabim. «Ti nuk ma leve kokën me vaj,—i tha Jezui,—kurse kjo grua m’i leu këmbët me vaj të parfumuar. Për shkak të kësaj, unë po të them se mëkatet e saj, edhe pse të shumta, i janë falur, sepse ajo deshi shumë.» Me siguri, këto fjalë të buta e bënë gruan të ndihej mirë dhe ia lehtësuan zemrën.—Luka 7:46, 47.
Jezui s’po toleronte në asnjë mënyrë imoralitetin. Në vend të kësaj, po i mësonte atij fariseu krenar se motivi më i lartë që na shtyn t’i shërbejmë Perëndisë duhet të jetë dashuria. (Mateu 22:36-40) Natyrisht, ishte më se e drejtë që ajo grua të ndihej fajtore për të kaluarën e saj imorale. Me sa duket, ajo ishte e penduar, sepse qau, nuk u përpoq të justifikonte sjelljen e mëparshme dhe bëri veprime për ta nderuar Jezuin para të tjerëve. Duke parë këtë, Jezui i tha: «Besimi yt të ka shpëtuar, shko në paqe.»—Luka 7:50.
Kurse fariseu vazhdoi të kishte përbuzje për të si një mëkatare. Ndoshta shpresonte t’i fuste frikën e Perëndisë kësaj gruaje dhe ta bënte të ndihej me turp. Por nuk është një gjë e dashur të përpiqesh vazhdimisht t’i bësh të tjerët të ndihen në faj, po nuk vepruan gjithnjë ashtu si mendon ti. Madje, me kalimin e kohës, mund të japë efektin e kundërt. (2 Korintasve 9:7) Rezultatet më të mira vijnë kur imitojmë Jezuin, pra, kur lëmë shembullin e duhur, kur i lavdërojmë të tjerët me sinqeritet dhe kur u shprehim sigurinë që kemi tek ata, edhe pse nganjëherë mund të kenë nevojë për qortim e për këshilla.—Mateu 11:28-30; Romakëve 12:10; Efesianëve 4:29.
Atëherë, ndjenja e fajit mund të jetë e mirë, madje e nevojshme, kur kemi bërë ndonjë gjë të gabuar. Te Fjalët e urta 14:9 thuhet: «Budallenjtë qeshin me mëkatin.» Nëse na bren ndërgjegjja, kjo mund të na shtyjë—dhe duhet të na shtyjë—të rrëfejmë fajin dhe të bëjmë veprime të tjera të nevojshme. Megjithatë, motivi kryesor pse i shërbejmë Jehovait, duhet të jetë gjithmonë dashuria, jo ndjenja e fajit. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Bibla na siguron se njerëzit e mirë do të bëjnë më të mirën e tyre, po t’i inkurajosh e t’i forcosh me këtë motiv në mendje. Ç’është më e rëndësishmja, do të gjejnë kënaqësi nga kjo.