Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Besnikë nën sprova»

«Besnikë nën sprova»

«Besnikë nën sprova»

NË FILLIM të prillit të vitit 1951, qeveria e fuqishme sovjetike papritur sulmoi një grup të pafajshëm të krishterësh që ndodheshin në perëndim të Bashkimit Sovjetik. Këta të krishterë ishin Dëshmitarë të Jehovait. Mijëra familje, duke përfshirë edhe fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe të moshuarit, i hipën në vagonë mallrash. Pas një udhëtimi rraskapitës me tren, që zgjati njëzet ditë, mbërritën në Siberi. I kishin dënuar me internim të përjetshëm ku do të jetonin në kushte të vështira e primitive.

Në prill të vitit 2001, në përkujtim të 50-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike, doli në Moskë një videokasetë e cila përmbante një dokumentar për përndjekjen 50-vjeçare ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në ish-Bashkimin Sovjetik. Në këtë dokumentar, historianët dhe dëshmitarët okularë tregojnë se si Dëshmitarët e Jehovait jo vetëm mbijetuan, por edhe lulëzuan, pavarësisht nga shtypja e madhe.

Këtë dokumentar, Besnikë nën sprova​—Dëshmitarët e Jehovait në Bashkimin Sovjetik, tashmë e kanë parë miliona njerëz në Rusi e gjetkë, dhe publiku i gjerë e historianët e kanë pritur mjaft mirë. Më poshtë janë komentet e dy studiuesve rusë të cilët jetojnë në zonën ku u internuan shumica e Dëshmitarëve të Jehovait:

«Më pëlqeu shumë dokumentari. Gjithmonë më kanë pëlqyer ata të fesë suaj, por pasi pashë këtë dokumentar, përshtypjet e mia për ju janë edhe më pozitive. Ishte një film prej profesionistësh. Më pëlqeu sidomos mënyra se si e paraqitnit secilin prej tyre si individ. Edhe pse jam ortodoks dhe nuk kam ndër mend ta ndryshoj fenë time, Dëshmitarët më pëlqejnë shumë. Do të doja që fakulteti ynë ta kishte një kopje të këtij dokumentari. Unë dhe kolegët e mi kemi vendosur t’ua shfaqim edhe studentëve tanë dhe ta futim në programin e shkollës.»​—Profesor Sergei Nikolajeviç Rubsovi, dekan në Fakultetin e Historisë të Universitetit Pedagogjik Shtetëror në Irkutsk të Rusisë.

«E prita me kënaqësi daljen e këtij dokumentari. Kur bëhet një dokumentar për shtypjen e njerëzve, është gjithmonë shumë e vështirë ta tregosh historinë sipas një linje logjike. Por ju ia dolët. Ju lutem të më sillni edhe dokumentarë të tjerë që keni nxjerrë.»​—Profesor Sergei Iliç Kuznetsovi, dekan i Fakultetit të Historisë në Universitetin e Shtetit në Irkutsk, Rusi.

Edhe Dëshmitarët e Jehovait që jetojnë në Siberi e vlerësuan shumë këtë dokumentar. Ja si u shprehën ata:

«Gjatë kohës që ndodhnin ngjarjet që përshkruhen në dokumentar, shumë njerëz në Rusi ishin keqinformuar në lidhje me veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait. Por, pasi të shohin këtë dokumentar, do ta kuptojnë se organizata jonë nuk është një sekt fetar, ashtu siç mendonin më parë. Të tjerët, që janë bërë Dëshmitarë kohët e fundit, thonë: ‘Nuk na e kishte marrë mendja që jetonim dhe punonim përkrah vëllezërve të krishterë që kanë hequr kaq shumë.’ Pasi pa dokumentarin, një Dëshmitar shprehu dëshirën të fillonte shërbimin si pionier në kohë të plotë.»​—Ana Vovçuku, e internuar në Siberi.

«Për mua ishte drithëruese kur pashë në dokumentar policinë sekrete duke trokitur në shtëpinë e një Dëshmitari. Ishte tamam si atëherë kur trokitën në derën tonë, dhe m’u kujtua mamaja që tha: ‘Ndoshta ka rënë zjarr diku.’ Por dokumentari më kujton gjithashtu se shumë Dëshmitarë vuajtën më shumë se unë. Gjithë këto informacione na japin forcë dhe entuziazëm që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait.»​—Stefan Vovçuku, i internuar në Siberi.

«Prindërit e mi ishin ndër Dëshmitarët që u internuan. Prandaj, mendoja se kisha dëgjuar mjaft për ato kohë. Por, kur pashë dokumentarin, e kuptova se nuk dija pothuaj asgjë. Kur dëgjova intervistat, sytë m’u mbushën me lot. Tani këto përvoja nuk i shoh më vetëm si tregime, por si diçka reale që kanë ndodhur vërtet. Ky dokumentar ka forcuar marrëdhënien time me Jehovain dhe më ka përgatitur më shumë për të kapërcyer vështirësitë në të ardhmen.»​—Vladimir Kovashi, nga Irkutsku.

«Për mua, ky dokumentar ishte më prekës sesa një tregim i shkruar. Kur pashë dhe dëgjova intervistat e vëllezërve, m’u duk sikur kisha përjetuar të njëjtat gjëra me ta. Shembulli i vëllait që vizatonte kartolina për vajzat e tij të vogla kur ishte në burg, më shtyn të përpiqem që e vërteta e Biblës t’u prekë zemrën fëmijëve të mi. Faleminderit! Kjo videokasetë i ka bërë Dëshmitarët e Jehovait në Rusi të ndihen më shumë se kurrë, pjesë e organizatës mbarëbotërore të Jehovait.»​—Tatjana Kalina, nga Irkutsku.

«Thënia ‘Më mirë të shohësh një herë, sesa të dëgjosh një qind herë’ është më se e vërtetë në rastin e këtij dokumentari. Është kaq i gjallë, kaq real dhe tamam për ne. Pasi e pashë, mendova gjatë për të. Dokumentari bëri që të zhytesha tërësisht në jetën e këtyre Dëshmitarëve të internuar. Tani, kur krahasoj rrethanat e mia me rrethanat e tyre, më ndihmon t’i shoh me sy tjetër problemet e sotme.»​—Lidja Beda, nga Irkutsku.

Videokaseta Besnikë nën sprova tashmë ka dalë në 25 gjuhë dhe po pritet mirë në mbarë botën. * I gjithë dokumentari është transmetuar nga disa stacione televizive në Shën-Pjetërburg, në Omsk, në qytete të tjera të Rusisë, si edhe në disa qytete të Ukrainës, si në Vinica, në Kerç, në Melitopol dhe në krahinën e Lavovit. Madje ka marrë çmime nga censura ndërkombëtare e filmit.

Forca e mesazhit të këtij dokumentari qëndron te shembulli që lanë këta mijëra njerëz të thjeshtë, të cilët shfaqën një kurajë të jashtëzakonshme dhe besim të fortë gjatë atyre viteve të gjata të përndjekjes. Dëshmitarët e Jehovait në Bashkimin Sovjetik treguan se ishin vërtet besnikë edhe nën sprova. Nëse ke dëshirë ta shohësh këtë dokumentar, Dëshmitarët e Jehovait do të ta jepnin këtë videokasetë me kënaqësi. Ju lutemi të kontaktoni me ndonjërin prej tyre në zonën tuaj.

[Shënimi]

^ par. 13 Kjo videokasetë disponohet në gjuhën angleze, bullgare, çeke, daneze, finlandeze, franceze, greke, gjermane, holandeze, hungareze, indoneziane, italiane, japoneze, kantoneze, kineze mandarin, koreane, lituane, norvegjeze, polake, rumune, ruse, sllovake, sllovene, spanjolle dhe suedeze.

[Burimi i figurës në faqen 8]

Stalini: U.S. Army photo

[Burimi i figurës në faqen 9]

Stalini: U.S. Army photo