Dobitë kur bëjmë paqe
Dobitë kur bëjmë paqe
EDI po vdiste, por Billi e urrente ende. Njëzet vjet më parë, Edi kishte marrë një vendim që Billit i kishte kushtuar punën, dhe kjo e prishi miqësinë e ngushtë që kishin pasur. Tani Edi po përpiqej t’i kërkonte të falur që të vdiste i qetë. Por Billi ia preu fjalën në mes.
Gati 30 vjet më vonë, kur po i afrohej vdekja, Billi shpjegoi se përse nuk e kishte falur. «Si shokë të ngushtë që ishim, Edi nuk kishte pse të ma bënte ashtu. Nuk doja të pajtohesha me të pas njëzet vjetësh. . . . Ndoshta e kisha gabim, por ashtu ndihesha atëherë.» *
Mosmarrëveshjet personale zakonisht nuk kanë një përfundim kaq tragjik, megjithatë shpesh lëndojnë dhe hidhërojnë. Mendo se si mund të jetë ndier Edi. Kur e kuptoi se vendimi që mori kishte dëmtuar Billin, mund të ketë filluar ta brente ndërgjegjja dhe të ndiente boshllëkun që la humbja e miqësisë së tyre. Megjithatë, u ndie i lënduar kur mendoi se shoku i fyer e hodhi poshtë miqësinë e tij sikur të ishte diçka pa vlerë.
Por, dikush që mendon ashtu si Billi, dhe e konsideron veten si një viktimë të pafajshme, mund të mbushet plot mllef e maraz. Kjo sepse mendon që shoku i tij i dikurshëm e dinte mirë çfarë po bënte, kështu që mund ta ketë bërë me qëllim. Shpesh, kur dy njerëz kanë një mosmarrëveshje, çdonjëri prej tyre
është i bindur se ka të drejtë dhe se të gjithë fajin e ka tjetri. Pra, miqtë e dikurshëm tani gjenden, si të thuash, në një luftë.Midis tyre zhvillohet një duel i heshtur. Kur njëri kalon, tjetri kthen kurrizin ose kur janë në të njëjtin grup, e shpërfillin njëri-tjetrin. Në largësi, tinëz, shkëmbejnë vështrime të shkurtra ose ia ngulin sytë njëri-tjetrit vëngër e plot urrejtje. Edhe nëse flasin me njëri-tjetrin, flasin prerë ose godasin me fjalë fyese që therin në shpirt.
Edhe nëse duket se janë plotësisht kundër njëri-tjetrit, ka mundësi që për disa gjëra janë të të njëjtit mendim. Mund ta pranojnë se kanë probleme serioze dhe që është e trishtueshme të prishësh miqësinë me një shok të ngushtë. Të dy e ndiejnë dhembjen e plagës që është hapur dhe të dy e dinë që duhet të bëjnë diçka për ta mbyllur. Por, kush do ta hedhë hapin e parë për të rregulluar marrëdhënien e për t’u pajtuar? Asnjëri nuk e merr guximin.
Dy mijë vjet më parë, apostujt e Jezu Krishtit ndonjëherë përfshiheshin në debate të zjarrta midis tyre. (Marku 10:35-41; Luka 9:46; 22:24) Pas një prej këtyre grindjeve, Jezui i pyeti: «Për çfarë po debatonit rrugës?» Ngaqë i zuri turpi, asnjë nuk foli. (Marku 9:33, 34) Mësimet e Jezuit i ndihmuan që ta kapërcenin këtë mosmarrëveshje. Këshilla e Jezuit dhe këshillat që dhanë disa nga dishepujt e tij, i ndihmojnë njerëzit edhe në ditët e sotme që të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të mbyllin të çarat në miqësitë e tyre. Pjesa e mëposhtme tregon se si arrijnë ta bëjnë këtë.
Bëj çmos të bësh paqe
«Nuk dua t’i flas më me gojë atij njeriu. Nuk dua t’ia shoh më sytë.» Nëse edhe ti je shprehur kështu për dikë, duhet të bësh diçka ashtu siç thonë edhe vargjet e mëposhtme biblike.
Jezui na mëson: «Nëse ti, pra, po sjell dhuratën tënde në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde atje, para altarit, dhe ik; bëj më parë paqe me vëllanë tënd.» (Mateu 5:23, 24) Gjithashtu tha: «Nëse vëllai yt kryen një mëkat, shko, tregoje hapur fajin e tij mes teje dhe atij vetëm.» (Mateu 18:15) Qoftë kur ti ke fyer dikë, qoftë kur dikush të ka fyer, fjalët e Jezuit tregojnë qartë se duhet të jesh ti ai që duhet të flasësh menjëherë me personin tjetër. Dhe duhet ta bësh «me një frymë butësie». (Galatasve 6:1) Sepse gjithë qëllimi i bisedës nuk është që të mbrosh emrin tënd duke u justifikuar ose ta bësh tjetrin që të të kërkojë falje patjetër, por që të bëni paqe. A është praktike kjo këshillë biblike?
Ernesti * është përgjegjës në një zyrë të madhe. Në punën e tij i është dashur që, për shumë vite me radhë, të zgjidhë çështje delikate me të gjithë llojet e njerëzve dhe të mbajë me ta marrëdhënie të mira pune. Ai ka kuptuar se mosmarrëveshjet mund të krijohen shumë lehtë. Ai shprehet: «Disa herë kam pasur përplasje me të tjerët. Por kur ndodh, bisedoj me tjetrin. Shkoj menjëherë te ai. Flas me të me qëllimin që të bëjmë paqe. Funksionon gjithmonë.»
Shokët e Alisjas vijnë nga kultura të ndryshme. Ajo thotë: «Ndonjëherë them diçka dhe pastaj e kuptoj se mund të kem lënduar dikë. Shkoj menjëherë dhe i kërkoj falje. Mund të ndodhë që kërkoj të falur edhe atëherë kur nuk është e nevojshme, sepse, edhe nëse nuk e kam lënduar tjetrin me fjalët e mia, ndihem mirë kur i
kërkoj të falur. Kështu sigurohem që nuk ka asnjë keqkuptim.»Si t’i kapërcesh pengesat?
Por, ndodh që, ndërsa përpiqesh për të bërë paqe, shpesh ka shumë pengesa. A ke thënë ndonjëherë: «Pse duhet të pajtohem unë i pari? Fajin e kishte ai.» Ose a të ka ndodhur të shkosh te dikush për t’u sqaruar dhe ai të thotë vetëm: «Nuk dua të flas me ty.» Disa reagojnë kështu për shkak të plagës që i ka hapur lëndimi. Te Fjalët e urta 18:19 thuhet: «Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.» Kështu që merr parasysh edhe ndjenjat e tjetrit. Nëse të pret me këmbët e para, ki durim sa të kalojë pak kohë dhe provo përsëri. Atëherë ‘qyteti i fortë’ mund të hapet dhe ‘shuli’ mund të hiqet nga dera që të çon drejt pajtimit.
Një pengesë tjetër për të bërë paqe mund të jetë frika se mos humbasim respektin për veten. Disave u duket sikur ulin veten nëse i kërkojnë falje ose madje nëse i flasin një kundërshtari. Nuk është e gabuar të përpiqesh të kesh respekt për veten. Por, kur nuk pranon të bësh paqe, e rrit apo e pakëson këtë respekt? Mos vallë po e përdor respektin për veten si pretekst për të mbuluar krenarinë?
Jakovi, një shkrimtar i Biblës, tregon se ekziston një lidhje midis frymës së grindjes dhe krenarisë. Pasi flet për «luftërat» dhe «zëniet» që ekzistonin midis të krishterëve, ai vazhdon: «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (Jakovi 4:1-3, 6) Por si pengon fodullëku ose krenaria që të bëjmë paqe?
Krenaria i mashtron njerëzit duke i bërë të besojnë se janë më të mirë se të tjerët. Ata që janë krenarë mendojnë se kanë autoritet për të gjykuar vlerat morale të të tjerëve. Në çfarë kuptimi? Kur lind një mosmarrëveshje, shpesh e shohin kundërshtarin e tyre si të ishte një dru i shtrembër që nuk mund të drejtohet më. Krenaria i shtyn të mendojnë se të tjerët që janë të ndryshëm, nuk e meritojnë vëmendjen e tyre dhe nuk ia vlen t’u kërkosh falje. Kështu, ata që drejtohen nga krenaria e tyre më mirë e lënë mosmarrëveshjen të vazhdojë, sesa ta zgjidhin problemin.
Ashtu si një pengesë që bllokon trafikun në një autostradë, edhe krenaria nuk të lë të bësh hapat e duhura drejt paqes. Kështu që, nëse has vështirësi gjatë përpjekjeve për të bërë paqe, atëherë dije se në të vërtetë po lufton me krenarinë tënde. Si mund ta mposhtësh krenarinë? Duke zhvilluar një cilësi që është e kundërta e saj, përulësinë.
Bëj të kundërtën
Bibla i jep shumë rëndësi përulësisë. «Fryti i përulësisë dhe frika e Jehovait është pasuri, lavdi dhe jetë.» (Proverbat 22:4, BR) Te Psalmi 138:6 (BR) gjejmë pikëpamjen e Perëndisë për njerëzit e përulur dhe njerëzit krenarë: «Ti, o Jehova, je i lartë, e megjithatë i hedh sytë mbi të përulurit, por fodullët i njeh nga larg.»
Shumë njerëz mendojnë se të jesh i përulur është poshtërim. Me sa duket edhe sundimtarët në botë mendojnë kështu. Megjithëse kombe të tëra i nënshtrohen vullnetit të tyre, udhëheqësit politikë stepen kur bëhet fjalë për të pranuar me përulësi gabimet e tyre. Do të bënte bujë nëse një sundimtar do të thoshte: «Më falni!» Kohët e fundit, kur një ish-pushtetar kërkoi falje se nuk kishte arritur të përmbushte detyrën gjatë një katastrofe vdekjeprurëse, fjalët e tij dolën në faqet e para të gazetave.
Përulësia është cilësia e të qenët i përulur ose të pasurit një mendim jo tepër të lartë për veten, e kundërta e krenarisë dhe e fodullëkut. Pra, përulësia tregon se çfarë mendon një njeri për veten e tij, jo çfarë mendimi kanë të tjerët për të. Në qoftë se dikush pranon gabimet e tij ose kërkon falje, nuk do të thotë se ul veten, por përkundrazi, kështu përmirëson reputacionin e tij. Në Bibël thuhet: «Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.»—Fjalët e urta 18:12.
Në lidhje me politikanët që nuk kërkojnë falje për gabimet e tyre, një pedagog universiteti tha: «Mjerisht, ata mendojnë se të pranosh se e ke gabim është shenjë dobësie. Në fakt, njerëzit e dobët dhe të pasigurt zor se thonë: ‘Më fal!’ Janë njerëzit e guximshëm dhe me zemër të madhe ata që nuk e humbasin respektin për veten duke thënë: ‘Bëra gabim.’» Kjo është e vërtetë edhe për njerëzit që nuk janë politikanë. Po të përpiqesh fort që përulësia të zërë vendin e krenarisë, rriten mundësitë për të bërë paqe me dikë që je grindur. Ja shembulli i një familjeje që provon se kjo është e vërtetë.
Për shkak të një keqkuptimi midis Xhulit dhe Uilliamit, vëllait të saj, u krijua një gjendje e tensionuar. Uilliami u mërzit kaq shumë me Xhulin dhe burrin e saj, Jozefin, sa i shkëputi fare lidhjet me ta. Madje, i ktheu të gjitha dhuratat që i kishin bërë Xhuli dhe Jozefi gjatë viteve. Ndërsa muajt kalonin, mëria zuri vendin e miqësisë së ngushtë që Uilliami kishte një herë e një kohë me motrën e tij.
Por, Jozefi vendosi të zbatonte Mateun 5:23, 24. U përpoq t’i afrohej kunatit të tij me butësi dhe i dërgonte letra ku i kërkonte falje për fyerjen. E inkurajoi gruan që ta falte të vëllanë. Me kalimin e kohës, Uilliami e kuptoi se Xhuli dhe Jozefi donin vërtet të bënin paqe, kështu qëndrimi i tij u zbut. Uilliami me gruan dhe Xhuli me Jozefin u takuan, i kërkuan falje njëri-tjetrit dhe rivendosën marrëdhëniet miqësore si më parë.
Nëse ke vërtet dëshirë të zgjidhësh ndonjë mosmarrëveshje me dikë, me durim zbato këshillat biblike dhe bëj shumë përpjekje për të bërë paqe. Jehovai do të të ndihmojë. Do ta shohësh se ajo çfarë tha Perëndia për Izraelin e lashtë do të dalë e vërtetë edhe për ty: «Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë.»—Isaia 48:18.
[Shënimet]
^ par. 3 Sipas Djemtë Murrou—Pionierët në ballë të transmetimit radiofonik nga Stenli Kllaud dhe Lin Olsën.
^ par. 12 Disa emra janë ndryshuar.
[Figurat në faqen 7]
Duke kërkuar falje shpesh ruajmë marrëdhëniet paqësore