Luftërat me fjalë: Pse lëndojnë kaq shumë?
Luftërat me fjalë: Pse lëndojnë kaq shumë?
«Nga vijnë luftërat dhe nga vijnë zëniet mes jush?»—JAKOVI 4:1.
JAKOVI, një shkrimtar i Biblës, nuk ia drejtoi këtë pyetje ushtarëve të legjioneve romake, që në atë kohë kishin ndërmarrë luftëra për pushtim. As nuk po mundohej të zbulonte arsyen që fshihej pas luftës së kryengritësve judenj të quajtur ndryshe Burrat me Kamë, në shekullin e parë të erës sonë. Jakovi e kishte fjalën për grindjet që ndodhnin midis dy njerëzve. Pse? Sepse ashtu si edhe luftërat, betejat personale janë shkatërrimtare. Mendoni pak për këta shembuj biblikë!
Djemtë e patriarkut Jakob e urrenin aq shumë Jozefin, vëllanë e tyre, sa e shitën si skllav. (Zanafilla 37:4-28) Më vonë, Sauli, mbreti i Izraelit u përpoq të vriste Davidin. Pse? Sepse e kishte zili. (1 Samuelit 18:7-11; 23:14, 15) Në shekullin e parë, dy gra të krishtere, Evodia dhe Sintikia, prishën paqen e një kongregacioni të tërë me grindjet e tyre.—Filipianëve 4:2.
Në shekujt më pas, njerëzit i zgjidhnin mosmarrëveshjet në duel, me shpatë ose pistoletë. Shpesh njëri nga ata që merrte pjesë në duel, ose mbetej i vrarë, ose merrte plagë të përhershme. Sot, zakonisht, armët e atyre që grinden janë fjalët e hidhura dhe therëse. Megjithëse nuk derdhet gjak, sulmet me fjalë lëndojnë ndjenjat dhe prishin emrin e mirë. Shpesh, ata që vuajnë në këto ‘luftëra’ janë të pafajshmit.
Lexoni se çfarë ndodhi para disa vitesh kur një prift anglikan akuzoi një prift tjetër se e shpërdoronte fondin e kishës. Grindja e tyre u bë publike dhe kisha ku shërbenin u përça. Disa anëtarë të kishës nuk pranonin të shkonin në kishë kur shërbesën e drejtonte prifti me të cilin nuk ishin dakord. Kaq shumë përbuzje kishte midis dy grupeve, sa e shpërfillnin njëri-tjetrin kur ishin në kishë për adhurimin e zakonshëm. Kur priftin që kishte bërë
akuzat, e akuzuan për sjellje të pamoralshme, atëherë grindja u ndez edhe më shumë.Kryepeshkopi i Kantërbërit u bëri thirrje të dy klerikëve dhe e cilësoi grindjen e tyre si «kancer» dhe si «një skandal që çnderon emrin e Zotërisë sonë». Në vitin 1997, një nga priftërinjtë pranoi të jepte dorëheqjen. Ndërsa tjetri nuk e la vendin e tij, derisa u detyrua të largohej sepse mbushi moshën për të dalë në pension. Nuk luajti nga vendi i tij deri në minutën e fundit, dhe doli në pension pikërisht ditën kur mbushi 70 vjeç, më 7 gusht 2001. Gazeta Kisha e Anglisë shkruante se ditën që ai doli në pension ishte festa e «Shenjtorit» Viktriku. Kush ishte Viktriku? Një peshkop i shekullit të 4-t që e fshikulluan sepse nuk pranoi të shkonte në luftë. Duke nxjerrë në pah ndryshimin midis shenjtorit dhe këtij prifti, gazeta shkruante: «Shmangia e një lufte kishtare nuk bënte pjesë në cilësitë e [priftit pensionist].»
Këta dy priftërinj do t’i kishin kursyer vetes shumë probleme, nëse do të kishin zbatuar shkrimin e Romakëve 12:17, 18 ku thuhet: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Kujdesuni të bëni gjëra të shkëlqyera para të gjithë njerëzve. Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë.»
Po ti, si do të veprosh në qoftë se dikush të fyen, të prek në sedër duke të përfshirë në një luftë fjalësh? A i shmang fjalët e rënda dhe a e lë rrugën të hapur për të bërë paqe? Nëse fyen dikë, a e shpërfill atë duke shpresuar se koha dhe harresa do ta fshijë problemin tuaj? Apo je gati të kërkosh falje? Nëse kërkon falje ose edhe ti i fal të tjerët, duke u përpjekur për të bërë paqe, kjo do të jetë për të mirën tënde. Ashtu siç tregon edhe artikulli vijues, këshillat biblike mund të na ndihmojnë që të zgjidhim edhe mosmarrëveshjet që zgjatin prej kohësh.