Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndryshimin e rrethanave e përdorëm për të predikuar në të katër anët

Ndryshimin e rrethanave e përdorëm për të predikuar në të katër anët

Jetëshkrim

Ndryshimin e rrethanave e përdorëm për të predikuar në të katër anët

TREGUAR NGA RIKARDO MALIKSI

Kur humba punën, ngaqë ishte e papërshtatshme për një të krishterë, unë dhe familja ime i kërkuam Jehovait të na ndihmonte për planifikimin e së ardhmes sonë. Në lutje shprehëm dëshirën për të zgjeruar shërbimin. Pa kaluar shumë kohë, nisëm një jetë si prej nomadësh, e cila na çoi në tetë shtete, në dy kontinente. Kjo na dha mundësinë të shërbenim në vende të largëta.

LINDA në Filipine, në vitin 1933, në një familje që bënte pjesë në Kishën e Pavarur të Filipineve. Të 14 pjesëtarët e familjes sonë i përkitnin kësaj kishe. Kur isha rreth 12 vjeç, iu luta Perëndisë që të më drejtonte në besimin e vërtetë. Një nga mësuesit e shkollës më regjistroi në një klasë ku mësohej për fenë dhe u bëra një katolik i devotshëm. Nuk harroja kurrë të rrëfehesha të shtunave dhe nuk mungoja kurrë në meshën e së dielës. Megjithatë, pak nga pak u bëra skeptik dhe isha i pakënaqur. Më shqetësonin pyetje për vdekjen, për zjarrin e ferrit dhe për Trinitetin. Përgjigjet që më jepnin krerët fetarë ishin boshe dhe nuk më bindnin.

Marr përgjigje bindëse

Ndërsa studioja në kolegj, u bashkova me një vëllazëri studentore ku fillova duhanin dhe u përzieva në përleshje, në bixhoz dhe në veprimtari të tjera si këto. Një natë, takova nënën e një shoku të klasës. Ajo ishte Dëshmitare e Jehovait. Edhe asaj i bëra të njëjtat pyetje që u kisha bërë mësuesve të fesë në shkollë. Të gjitha përgjigjet i mbështeti në Bibël, e kjo më bindi se ajo çka po thoshte ishte e vërteta.

Bleva një Bibël dhe fillova ta studioja me Dëshmitarët e Jehovait. Shumë shpejt fillova të ndiqja të gjitha mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Për t’iu bindur këshillës së Biblës që thotë se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme», u shkëputa nga shokët e mi të shthurur. (1 Korintasve 15:33) Kjo më ndihmoi që të bëja përparim në studimin e Biblës, dhe kështu t’ia kushtoja jetën Jehovait. Pas pagëzimit në vitin 1951, për pak kohë shërbeva si shërbëtor në kohë të plotë (pionier). Pastaj në dhjetor të vitit 1953, u martova me Aurea Mendoza Kruzin, e cila u bë shoqja ime e jetës dhe një bashkëpunëtore besnike në shërbim.

Lutjet tona marrin përgjigje

Kishim dëshirë të madhe të shërbenim si pionierë. Megjithëse dëshira jonë për t’i shërbyer plotësisht Jehovait nuk u plotësua menjëherë, ne nuk reshtëm kurrë së luturi që Jehovai të na jepte mundësi të reja shërbimi. Por jeta ishte e vështirë. Pavarësisht nga kjo, synimet frymore i mbanim gjithmonë në mendje, dhe, kur isha 25 vjeç, u emërova shërbëtor kongregacioni, siç quhej mbikëqyrësi drejtues në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Ndërsa përparoja në njohurinë biblike dhe fitoja një kuptueshmëri më të madhe për parimet e Jehovait, e kuptova se puna që kisha nuk ishte e përshtatshme për një të krishterë. (Isaia 2:2-4) Kështu që vendosa ta lija punën. Kjo ishte një provë për besimin tonë. Si të kujdesesha tani për nevojat e familjes? Përsëri iu drejtuam Perëndisë Jehova në lutje. (Psalmi 65:2) I shprehëm shqetësimin dhe frikën që kishim, por edhe dëshirën për të shërbyer atje ku kishte më tepër nevojë për predikues të Mbretërisë. (Filipianëve 4:6, 7) As që na e merrte mendja se çfarë mundësish na prisnin.

Nisim udhëtimin

Në prill të vitit 1965, pranova një punë si specialist për ndihmën e shpejtë në raste përplasjesh dhe në raste zjarri, në Aeroportin Ndërkombëtar të Vientianës në Laos, kështu që u transferuam atje. Në qytetin e Vientianës ishin 24 Dëshmitarë dhe u kënaqëm duke predikuar atje me misionarët dhe me ata pak vëllezër vendës. Më vonë u transferuam në Aeroportin e Udon-Tanit në Tajlandë. Nuk kishte asnjë Dëshmitar në Udon-Tani. Si familje, i drejtonim vetë të gjitha mbledhjet e javës. Predikonim shtëpi më shtëpi, bënim rivizita, dhe filluam studime biblike.

Nuk e harronim këshillën që Jezui u dha dishepujve, se duhet ‘të vazhdonim të jepnim shumë fryt’. (Gjoni 15:8) Prandaj ishim të vendosur të ndiqnim shembullin e tyre dhe të vazhdonim të shpallnim lajmin e mirë. Shumë shpejt morëm frytet e para. Një vajzë tajlandeze pranoi të vërtetën dhe u bë motra jonë në besim. Dy burra nga Amerika e Veriut pranuan të vërtetën dhe pas ca kohësh u bënë pleq të krishterë. Vazhduam ta predikonim lajmin e mirë në Tajlandën e Veriut për më shumë se dhjetë vjet. Sa të lumtur jemi që tani në Udon-Tani është formuar një kongregacion. Disa nga farërat e së vërtetës që mbollëm atje, ende vazhdojnë të japin fryt.

Na erdhi keq, por na u desh të transferoheshim përsëri dhe iu lutëm «Zotërisë të së korrës» që të na ndihmonte të vazhdonim të bënim pjesën tonë në veprën e predikimit. (Mateu 9:38) Na transferuan në Teheran, në kryeqytetin e Iranit. Në atë kohë aty sundonte Shahu (titull i sovranit në Iran).

Predikojmë në territore të vështira

Me të mbërritur në Teheran, i gjetëm menjëherë vëllezërit tanë të krishterë. Shoqëroheshim me një grup të vogël Dëshmitarësh që ishin nga 13 kombësi të ndryshme. Duhej të organizoheshim në mënyrë që të predikonim lajmin e mirë në Iran. Megjithëse nuk ekzistonte një kundërshtim i drejtpërdrejtë, prapëseprapë duhej të bënim kujdes.

Për shkak të orarit të punës që kishin të interesuarit, ndonjëherë na duhej që t’i drejtonim studimet e Biblës në mesnatë ose më vonë, deri në mëngjes herët. Por sa të lumtur ishim kur pamë frytet e asaj pune të vështirë! Disa familje filipinase dhe koreane pranuan të vërtetën biblike dhe ia kushtuan jetën Jehovait.

Transferimi tjetër ishte në Daka të Bangladeshit. Arritëm atje në dhjetor të vitit 1977. Edhe ky ishte një vend ku vepra jonë e predikimit nuk ishte e lehtë. Por, ne kishim gjithmonë si synim që të ishim aktivë në shërbim. Nën drejtimin e frymës së Jehovait, gjetëm shumë familje që kishin besimin e krishterë. Disa prej tyre ishin vërtet të etura për ujin freskues të së vërtetës që e gjetën në Shkrimet e Shenjta. (Isaia 55:1) Si rezultat, filluam shumë studime biblike.

Gjithmonë mbanim parasysh se vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë». (1 Timoteut 2:4) Ishim të lumtur që askush nuk u përpoq të na hapte probleme. Për të kapërcyer paragjykimet, mundoheshim të ishim shumë miqësorë me njerëzit. Ashtu si apostulli Pavël, përpiqeshim që ‘të bëheshim çdo gjë për njerëz të çdo lloji’. (1 Korintasve 9:22) Kur na pyesnin për arsyen e vizitës sonë, ua shpjegonim me mirësjellje dhe shumica e tyre silleshin mjaft mirë me ne.

Në Daka gjetëm një Dëshmitare vendëse dhe e ftuam që të bashkohej me ne në mbledhjet e krishtere dhe më vonë në veprën e predikimit. Pastaj gruaja ime filloi studim me një familje që i ftoi edhe në mbledhje. Në sajë të dashamirësisë së Jehovait, e gjithë familja hyri në të vërtetën. Më vonë, dy vajzat e kësaj familjeje ndihmuan në përkthimin e literaturës biblike në gjuhën bengale, madje edhe shumë nga të afërmit e tyre patën mundësinë të mësonin për Jehovain. Shumë studentë të tjerë të Biblës e pranuan të vërtetën. Pjesa më e madhe prej tyre tani shërbejnë si pleq kongregacioni ose si pionierë.

Ngaqë Daka është një qytet shumë i populluar, ftuam disa nga anëtarët e familjes sonë të na ndihmonin në veprën e predikimit. Disa e pranuan ftesën dhe erdhën në Bangladesh. Sa të gëzuar dhe sa mirënjohës i jemi Jehovait që na dha mundësinë edhe neve të predikonim lajmin e mirë në atë vend! Edhe pse ishin shumë pak në fillim, vetëm një lajmëtar, tani në Bangladesh janë formuar dy kongregacione.

Në korrik të vitit 1982, duhej të bënim gati valixhet dhe të largoheshim nga Bangladeshi. Vëllezërit na përcollën me lot në sy. Nuk kaloi shumë kohë dhe fillova punë në Aeroportin Ndërkombëtar të Entebes, në Ugandë, ku qëndruam për katër vjet e shtatë muaj. Po në këtë vend, çfarë do të bënim për të nderuar emrin e madh të Jehovait?

I shërbejmë Jehovait në Afrikën Lindore

Kur mbërritëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Entebes, bashkë me gruan morëm një taksi për të shkuar te shtëpia ku do të banonim. Ndërsa po largoheshin nga aeroporti, fillova t’i predikoja shoferit për Mbretërinë e Perëndisë. Ai më pyeti: «Mos je Dëshmitar i Jehovait ti?» Pasi unë pohova, shoferi tha: «Një nga vëllezërit tuaj punon te kulla e komandimit në aeroport.» I kërkova të më çonte menjëherë atje. Shkuam te vëllai, i cili u gëzua shumë që na takoi, dhe biseduam për mbajtjen e mbledhjeve dhe për shërbimin.

Në atë kohë, në Ugandë kishte vetëm 228 lajmëtarë të Mbretërisë. Vitin e parë, së bashku me dy vëllezër të tjerë në Entebe, mbollëm farërat e së vërtetës. Meqenëse njerëzit atje janë shumë të dhënë pas leximit, shpërndamë shumë literaturë, duke përfshirë me qindra revista. Ftonim vëllezërit nga kryeqyteti, Kampala, që të na ndihmonin për të predikuar në fundjavë në territorin e Entebes. Në fjalimin tim të parë publik, bashkë me mua, ishim gjithsej pesë të pranishëm.

Gjatë tri viteve të mëpasshme, përjetuam disa nga momentet më të lumtura të jetës sonë kur shihnim se si ata me të cilët studionim, e pranonin të vërtetën dhe përparonin me hapa të shpejtë. (3 Gjonit 4) Në një asamble qarkore u pagëzuan gjashtë nga studentët tanë të Biblës. Shumë prej tyre thanë se ishin inkurajuar të shërbenin si shërbëtorë në kohë të plotë, sepse na shihnin neve që bënim një shërbim të tillë, edhe pse kishim një punë 8-orëshe.

Kuptuam se edhe vendi ynë i punës mund të ishte një territor i frytshëm. Një herë, iu afrova njërit që punonte si zjarrfikës në aeroport dhe bisedova me të për shpresën që na jep Bibla për të jetuar në një tokë parajsore. I tregova në Biblën e tij se njerëzit e bindur do të jetojnë në paqe dhe unitet dhe se nuk do të vuajnë më nga varfëria, mungesa e shtëpive, nga luftërat, sëmundjet ose nga vdekja. (Psalmi 46:9; Isaia 33:24; 65:21, 22; Zbulesa 21:3, 4) Këto i nxitën interesin, sepse i lexoi në Biblën e vet. Fillova menjëherë një studim biblik me të. Vinte në të gjitha mbledhjet. Shumë shpejt ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Më vonë filloi të shërbejë edhe ai me ne, si shërbëtor në kohë të plotë.

Në Ugandë shpërtheu dy herë lufta civile, gjatë kohës që ishim atje, por kjo nuk i ndali veprimtaritë tona të krishtere. Familjarët e punonjësve në agjencitë ndërkombëtare, u transferuan për gjashtë muaj në Najrobi, Kenia. Ne që mbetëm në Ugandë vazhduam të mbanim mbledhjet e krishtere dhe të predikonim, por sidoqoftë duhej të tregoheshim të matur e të kujdesshëm.

Në prill të vitit 1988, punës sime në këtë aeroport i erdhi fundi, kështu që u transferuam përsëri. U larguam nga kongregacioni i Entebes shumë të kënaqur për rritjen e tyre frymore. Në korrik të vitit 1997, na u dha mundësia të bënim një vizitë tjetër në Entebe. Në atë kohë, disa nga studentët që kishim pasur atje, kishin filluar të shërbenin si pleq kongregacioni. U prekëm shumë kur pamë 106 të pranishëm në Mbledhjen Publike.

Transferohemi në territore të paprekura

A do të hapeshin mundësi të reja për ne? Po, sepse tani puna më çoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Mogadishos, në Somali. Ishim të vendosur të përfitonim nga kjo mundësi e re për të shërbyer në territore ku nuk ishte predikuar më parë.

Predikimi ynë kufizohej kryesisht me punonjësit e ambasadave, me punëtorët filipinas dhe me të huajt e tjerë. Shpesh i takonim në treg. Madje u bënim edhe vizita miqësore në shtëpi. Duke treguar zgjuarsi, shkathtësi, kujdes dhe duke u mbështetur plotësisht te Jehovai, mundëm të flisnim me të tjerët për të vërtetat biblike, dhe kjo solli rezultate shumë të mira te ata që ishin nga kombësi të tjera. Pas dy vjetësh, u larguam nga Mogadisho, pikërisht para se të fillonte lufta atje.

Më pas, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil më caktoi të punoja në Jangun, Mjanmar. Përsëri, për ne u hapën mundësi të reja për të ndihmuar njerëzit me zemër të sinqertë që të mësonin për qëllimet e Perëndisë. Pas Mjanmarit, caktimi tjetër ishte në Dar-es-Salam, Tanzani. Predikimi i lajmit të mirë nga shtëpia në shtëpi në Dar-es-Salam ishte shumë më i lehtë, sepse atje kishte një komunitet anglishtfolës.

Në të gjitha vendet ku punuam, nuk patëm shumë probleme për shërbimin tonë, megjithëse në shumë raste kishte kufizime për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Ngaqë puna ime zakonisht kishte lidhje me qeverinë ose me agjencitë ndërkombëtare, njerëzit nuk i vinin në diskutim veprimtaritë tona.

Për shkak të punës sime, mua dhe gruas na u desh të jetonim për tridhjetë vjet si nomadët. Por punën e shihnim vetëm si një mjet për të arritur synimin tonë kryesor. Ky synim ishte të çonim përpara interesat e Mbretërisë së Perëndisë. Falënderojmë Jehovain që na ndihmoi të përfitonim nga rrethanat e ndryshme dhe të kishim privilegjin e mrekullueshëm për të përhapur lajmin e mirë në të katër anët.

Atje ku filloi gjithçka

Kur isha 58 vjeç, vendosa të dilja para kohe në pension dhe të kthehesha në Filipine. Kur u kthyem, iu lutëm Jehovait që të na drejtonte hapat e mëtejshëm. Filluam të shërbenim në një kongregacion në qytetin Trese-Martires, në provincën Kavite. Kur arritëm atje, ishin vetëm 19 lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. Çdo ditë zhvilloheshin aktivitete predikimi dhe u filluan shumë studime biblike. Kongregacioni filloi të rritej. Madje, ishte një periudhë kur gruaja ime kishte 19 studime biblike, ndërsa unë 14.

Nuk kaloi shumë dhe Salla e Mbretërisë nuk na nxinte të gjithëve. Iu lutëm Jehovait për këtë. Një vëlla i kongregacionit me gruan e tij vendosën të dhuronin një copë tokë dhe zyra e degës ra dakord për një huadhënie që të ndërtonim një tjetër Sallë Mbretërie. Salla e re ka pasur një ndikim të madh në veprën e predikimit dhe numri i të pranishmëve në mbledhje rritej çdo javë. Tani, udhëtojmë dy orë vajtje-ardhje për të ndihmuar një kongregacion tjetër që ka 17 lajmëtarë.

Unë dhe gruaja jemi të gëzuar që kemi pasur privilegjin të shërbejmë në kaq shumë vende. Kur mendojmë për të kaluarën dhe kujtojmë jetën tonë prej nomadësh, jemi vërtet të kënaqur që jetuam në mënyrën më të mirë, duke ndihmuar të tjerët të mësojnë për Jehovain.

[Harta në faqet 24, 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

TANZANI

UGANDË

SOMALI

IRAN

BANGLADESH

MJANMAR

LAOS

TAJLANDË

FILIPINE

[Figura në faqen 23]

Me gruan, Aurean