Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Ruthit

Pika kryesore nga libri i Ruthit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Ruthit

ËSHTË një histori për besnikërinë që treguan dy gra ndaj njëra-tjetrës, histori që të ngroh zemrën. Në të tregohet vlerësimi i madh për Perëndinë Jehova dhe besimi te masat që merr ai. Në këtë tregim theksohet interesimi i madh i Jehovait për linjën gjenealogjike të Mesisë. Është një rrëfim prekës për dhembjet dhe gëzimet e një familjeje. Por libri biblik i Ruthit nuk është vetëm kaq.

Në librin e Ruthit dokumentohet një periudhë prej 11 vjetësh, ‘kohë kur qeverisnin gjyqtarët’ në Izrael. (Ruthi [Rutha] 1:1) Ngjarjet e dokumentuara duhet të kenë ndodhur në fillimet e periudhës së gjykatësve, sepse pronari i tokave, Boazi, një nga personazhet e kësaj drame reale, ishte djali i Rahabës që jetoi në kohën e Josiut. (Jozueu 2:1, 2; Ruthi 2:1; Mateu 1:5) Ka mundësi që ky tregim të jetë shkruar në vitin 1090 p.e.s nga profeti Samuel. Ky është i vetmi libër biblik që mban emrin e një gruaje joizraelite. Mesazhi që përcjell ‘është i gjallë dhe ushtron fuqi’.​—Hebrenjve 4:12.

«KUDO QË TË SHKOSH TI DO TË SHKOJ EDHE UNË»

(Ruthi 1:1–2:23)

Kur Naomi dhe Rutha mbërrijnë në Betlehem, bëhen qendra e vëmendjes. Duke folur për më të moshuarën, gratë e qytetit pyesin: «Naomi është kjo?!» Sakaq, Naomi përgjigjet: «Mos më thërritni Naomi. Më thërritni Mara, sepse i Plotfuqishmi ma ka bërë jetën shumë të hidhur. Kur ika isha plot, por Jehovai më bëri të kthehem duarbosh.»​—Rutha 1:19-21, BR.

Kur familja e saj ishte larguar nga Betlehemi dhe ishte vendosur në vendin e Moabit, për shkak të zisë së bukës në Izrael, Naomi ishte «plot» në kuptimin që kishte burrin dhe dy djemtë e saj. Por, ca kohë pasi vendosen në Moab, burri i saj, Elimeleku, vdes. Më vonë, dy djemtë e saj martohen me gra moabite, me Orpën dhe Ruthën. Kalojnë dhjetë vjet dhe të dy djemtë vdesin pa lënë asnjë pasardhës, kështu që tri gratë mbeten vetëm. Kur vjehrra, pra Naomi, vendos të kthehet në Judë, dy vejushat e djemve të saj shkojnë me të. Rrugës, Naomi u thotë nuseve të kthehen në Moab dhe të martohen përsëri me burra nga populli i tyre. Orpa pranon. Ndërsa Rutha i shkon pas Naomit, duke thënë: «Kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.»​—Ruthi 1:16.

Dy vejushat, Naomi dhe Rutha, mbërrijnë në Betlehem në kohën kur ka filluar korrja e elbit. Duke përfituar nga rregullat që gjenden në Ligjin e Perëndisë, Rutha fillon të mbledhë kallinj të mbetur në një arë që del se i përket një të afërmi të Elimelekut, një judeu të moshuar me emrin Boaz. Rutha gjen hir në sytë e Boazit dhe vazhdon të mbledhë kallinj në arën e tij, «deri në fund të korrjes së elbit dhe të grurit».​—Ruthi 2:23.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:8—Pse u tha Naomi nuseve që secila të kthehej «në shtëpinë e nënës së saj» në vend që të thoshte në shtëpinë e babait? Në Bibël nuk thuhet nëse babai i Orpës ishte gjallë apo jo. Por babai i Ruthës ishte ende gjallë. (Ruthi 2:11) Ndoshta Naomi u shpreh ashtu sepse, po të përmendte nënat, kjo do t’u sillte atyre ndër mend ngrohtësinë dhe dashurinë e nënës. Kjo do të ishte ngushëlluese sidomos për ato që i kishte pushtuar trishtimi sepse do të ndaheshin nga vjehrra e tyre e dashur. Mund të jetë shprehur kështu edhe ngaqë mendonte se nënat e Ruthës dhe të Orpës, ndryshe nga Naomi, ishin të rregulluara me shtëpi.

1:13, 21—A ishte Jehovai ai që ia hidhëroi jetën Naomit dhe i shkaktoi të këqija? Jo, dhe në fakt Naomi nuk e fajësoi Perëndinë sikur t’ia kishte bërë ai të këqijat. Por, me gjithë ato që i ndodhën, mendonte se Jehovai ishte kundër saj. Ndihej e dëshpëruar dhe e zhgënjyer. Për më tepër, në ato kohë, fryti i barkut konsiderohej një bekim nga Perëndia, ndërsa shterpësia si mallkim. Ngaqë nuk kishte nipër dhe të dy djemtë i kishin vdekur, Naomi mund të ishte ndier e përligjur për të menduar se Jehovai e kishte poshtëruar.

2:12, BR​—Cila ishte ‘paga e përsosur’ që mori Rutha nga Jehovai? Rutha lindi një djalë dhe pati privilegjin të bëhej një hallkë lidhëse në gjenealogjinë më të rëndësishme të historisë njerëzore, në gjenealogjinë e Jezu Krishtit.​—Ruthi 4:13-17; Mateu 1:5, 16.

Mësime për ne:

1:8; 2:20. Pavarësisht nga tragjeditë që kaloi, Naomi nuk e humbi besimin te dashamirësia e Jehovait. Edhe ne nuk duhet ta humbasim besimin tonë, sidomos kur jemi duke kaluar sprova të rënda.

1:9. Shtëpia nuk duhet të jetë vetëm një vend ku pjesëtarët e familjes hanë dhe flenë. Ajo duhet të jetë një vend i qetë prehjeje dhe ngushëllimi.

1:14-16. Orpa «u kthye te populli i vet dhe te perënditë e saj», kurse Rutha jo. Ajo hoqi dorë nga rehatia dhe siguria që i ofronte vendi i saj dhe i qëndroi besnike Jehovait. Nëse kemi dashuri besnike për Perëndinë dhe nëse kemi frymën e vetëmohimit, atëherë kjo do të na ndihmojë që të mos jepemi pas dëshirave egoiste dhe të mos ‘sprapsemi për shkatërrim’.​—Hebrenjve 10:39.

2:2. Rutha donte të përfitonte nga rregulli që ishte vendosur për dobi të të huajve dhe të përvuajturve për të mbledhur kallinjtë e mbetur. Ajo ishte e përulur. Një i krishterë që është në nevojë, nuk duhet të jetë tepër krenar për të pranuar ndihmën e dashur të bashkëbesimtarëve ose ndonjë ndihmë nga shteti që i takon me të drejtë.

2:7. Megjithëse e kishte të drejtën për të mbledhur kallinjtë e mbetur, prapëseprapë Rutha në fillim mori leje. (Levitiku 19:9, 10) Nga ana e saj, kjo ishte një shenjë zemërbutësie ose përulësie. Me mençuri duhet ‘të kërkojmë zemërbutësinë’, sepse «zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe».​—Sofonia 2:3, BR; Psalmi 37:11.

2:11. Rutha tregoi se ishte më shumë se një e afërme për Naomin. Ajo u tregua një shoqe e vërtetë. (Fjalët e urta 17:17) Miqësia e tyre ishte e fortë sepse bazohej në cilësi të tilla, si: dashuria, besnikëria, empatia, mirëdashja dhe fryma e vetëmohimit. Ç’është më e rëndësishmja, bazohej në dëshirën e tyre për t’i shërbyer Jehovait dhe për të qenë mes adhuruesve të tij. Ne kemi mundësi të shkëlqyera për të krijuar miqësi të sinqerta me adhuruesit e vërtetë.

2:15-17. Edhe pse Boazi ia lehtësoi Ruthës barrën e punës, «ajo vazhdoi të mbledhë kallinj në arë deri në mbrëmje». Rutha ishte shumë punëtore. Një i krishterë duhet të njihet si punëtor i palodhur.

2:19-22. Naomi dhe Rutha zhvillonin biseda të këndshme gjatë orëve të mbrëmjes, ku më e moshuara interesohej për atë që kishte bërë më e reja, dhe të dyja shprehnin lirshëm mendimet dhe ndjenjat e tyre. A nuk duhet të jetë kështu edhe në një familje të krishterë?

2:22, 23. Ndryshe nga Dina, vajza e Jakobit, Rutha e kërkonte shoqërinë mes adhuruesve të Jehovait. Çfarë shembulli i shkëlqyer për ne!​—Zanafilla 34:1, 2; 1 Korintasve 15:33.

NAOMI MBUSHET «PLOT»

(Ruthi 3:1–4:22)

Naomi është shumë e moshuar për të lindur fëmijë. Prandaj, ajo i mëson Ruthës se ç’duhet të bëjë që ta riblejnë sipas zakonit të martesës me kunatin, në mënyrë që të lindte ajo pasardhës, në vend të Naomit. Sipas udhëzimeve të Naomit, Rutha i kërkon Boazit që ta riblejë. Boazi është i gatshëm t’ia plotësojë kërkesën. Por, ekziston një tjetër riblerës që është më i afërt, prandaj i duhet dhënë atij mundësia të parit.

Boazi e zgjidh çështjen pa humbur kohë. Të nesërmen në mëngjes, para këtij të afërmi, ai mbledh dhjetë burra të moshuar nga Betlehemi, dhe e pyet nëse dëshiron të bëjë riblerjen. Ai nuk pranon. Kështu, Boazi pranon të jetë riblerësi dhe e merr Ruthën për grua. Nga martesa e tyre lind një djalë, Obedi, gjyshi i mbretit David. Tani gratë e Betlehemit i thonë Naomit: «Bekuar qoftë Jehovai. . . . Ky ka për ta përtërirë shpirtin tënd dhe ka për të të mbështetur në pleqëri, sepse e ka lindur nusja jote që të do dhe që është për ty më e mirë se shtatë bij.» (Rutha 4:14, 15, BR) Gruaja që ishte kthyer «duarbosh» në Betlehem tashmë është mbushur përsëri «plot»!​—Rutha 1:21, BR.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

3:11—Pse Rutha fitoi reputacionin si «grua e virtytshme»? Nuk ishte ‘gërshetimi i flokëve’ ose ‘vënia e stolive prej ari ose veshja e rrobave’ që i shtynë të tjerët të admironin Ruthën. Përkundrazi, ishte «njeriu i fshehtë i zemrës», besnikëria dhe dashuria, përulësia dhe zemërbutësia, papërtueshmëria dhe fryma e vetëmohimit. Çdo grua me frikë Perëndie, që dëshiron të ketë një reputacion si ai i Ruthës, duhet të përpiqet fort që të zhvillojë këto cilësi.​—1 Pjetrit 3:3, 4; Fjalët e urta 31:28-31.

3:14—Pse Boazi dhe Rutha u zgjuan para se të agonte? Kjo nuk do të thotë se atë natë kishte ndodhur diçka imorale që donin ta fshihnin. Me sa duket, ajo që bëri Rutha atë natë ishte në përputhje me atë që zakonisht bënte një grua që kërkonte të drejtën e saj për t’u martuar sipas ligjit të martesës me kunatin. Ajo veproi ashtu si e mësoi Naomi. Për më tepër, përgjigjja e Boazit tregon qartë se nuk shihte asgjë të gabuar në atë që bëri Rutha. (Ruthi 3:2-13) Me sa duket, Rutha dhe Boazi u zgjuan herët që të mos i linin shkak askujt për të bërë thashetheme të kota.

3:15—Ç’domethënie kishin gjashtë masat e elbit që Boazi i dha Ruthës? Ka mundësi që kjo nënkuptonte se, ashtu si dita e pushimit vjen pas gjashtë ditësh pune, edhe dita e pushimit për Ruthën ishte afër. Boazi do të sigurohej që ajo të gjente «një vend paqeje» në shtëpinë e burrit të saj. (Ruthi 1:9; 3:1) Një arsye tjetër mund të jetë që vetëm gjashtë masa elbi mund të mbante mbi kokë.

3:16, BR​—Pse e pyeti Naomi Ruthën: «Kush je ti, moj bijë?» Mos vallë nuk e njohu nusen e saj? Edhe mundet, sepse kur Rutha u kthye te Naomi, mund të ketë qenë ende errësirë. Megjithatë, duke bërë këtë pyetje, ndoshta Naomi po pyeste për identitetin e ri të Ruthës në lidhje me riblerjen e saj.

4:6—Në ç’mënyrë një riblerës mund të ‘shkatërronte’ trashëgiminë e tij duke bërë riblerjen? Së pari, nëse ai që kishte rënë në varfëri kishte shitur tokën që kishte trashëguar, një riblerësi do t’i duhej ta blinte me një çmim që përcaktohej nga sa vite kishin mbetur deri në Jubileun tjetër. (Levitiku 25:25-27) Kjo do të ulte vlerën e pronave të tij. Për më tepër, po të lindte Rutha djalë, atëherë, të drejtën për të trashëguar tokën e blerë do ta kishte djali i saj dhe jo ndonjë nga të afërmit e riblerësit.

Mësime për ne:

3:12; 4:1-6. Boazi ndoqi me shumë kujdes procedurat e përcaktuara nga Jehovai. Po ne, a jemi të kujdesshëm për t’iu bindur procedurave teokratike?​—1 Korintasve 14:40.

3:18. Naomi kishte besim te Boazi. A nuk duhet të kemi edhe ne po kaq besim te bashkëbesimtarët besnikë? Rutha u tregua e gatshme t’i bindej ligjit të martesës me kunatin dhe të martohej me dikë që pothuajse nuk e njihte fare dhe emri i të cilit nuk përmendet në Bibël. (Ruthi 4:1) Pse? Sepse ajo kishte besim te masat që kishte vendosur Perëndia. A kemi edhe ne të njëjtin besim? Për shembull, kur bëhet fjalë për gjetjen e bashkëshortit ose bashkëshortes, a i bindeni këshillës biblike për t’u martuar «vetëm në Zotërinë»?​—1 Korintasve 7:39.

4:13-16. Megjithëse ishte moabite dhe dikur kishte adhuruar perëndinë Kemosh, Rutha mori një privilegj të mrekullueshëm. Ky shembull tregon qartë se «nuk varet as nga ai që dëshiron, as nga ai që vrapon, por nga Perëndia, i cili ka mëshirë».​—Romakëve 9:16.

Që Perëndia «t’ju lartësojë në kohën e duhur»

Libri i Ruthit e portretizon Jehovain si një Perëndi dashamirës që vepron në ndihmë të shërbëtorëve të tij besnikë. (2 Kronikave 16:9) Kur mendojmë se si u bekua Rutha, kuptojmë se sa e vlefshme është që të tregojmë besim të patundur te Perëndia, duke qenë plotësisht të bindur «se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm».​—Hebrenjve 11:6.

Rutha, Naomi dhe Boazi treguan besim të plotë te masat e vendosura nga Jehovai dhe patën mbarësi. Po kështu, «Perëndia bën që të gjitha veprat e tij të bashkëpunojnë për të mirën e atyre që e duan Perëndinë, të atyre që janë thirrur sipas qëllimit të tij». (Romakëve 8:28) Atëherë, le ta zbatojmë këshillën e apostullit Pjetër, i cili tha: «Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur; ndërsa hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:6, 7.

[Figura në faqen 26]

A e dini pse nuk e braktisi Rutha Naomin?

[Figura në faqen 27]

Pse Rutha fitoi reputacionin si «grua e virtytshme»?

[Figura në faqen 28]

Çfarë ‘page të përsosur’ mori Rutha nga Jehovai?