Ç’ndikim ka Jezu Krishti te ti?
Ç’ndikim ka Jezu Krishti te ti?
DUKE ditur ato që u thanë në artikullin e mësipërm, a ka vend për dyshim se mësimet e Jezuit kanë ndikuar në mbarë botën? Por pyetja që secili nga ne duhet t’i bëjë vetes është: «Çfarë ndikimi kanë mësimet e Jezuit tek unë?»
Mësimet e Jezuit preknin një sërë temash. Udhëzimet e vlefshme që gjenden në to mund të gjejnë zbatim në çdo fushë të jetës sonë. Por le të përqendrohemi tek ajo që Jezui u mësoi njerëzve në lidhje me përparësitë në jetë, zhvillimin e miqësisë me Perëndinë, marrëdhëniet e mira me të tjerët, zgjidhjen e problemeve dhe shmangien e dhunës.
Vendos çfarë ka përparësi në jetën tënde
Bota e sotme me ritmin e saj të shpejtë na merr kaq shumë nga koha dhe energjitë tona, sa shpesh lëmë pas dore çështjet shpirtërore. Shqyrtoni rastin e një 20-vjeçari të cilin po e
quajmë Xheri. Edhe pse i pëlqejnë bisedat në lidhje me Perëndinë dhe e vlerëson atë që mëson prej këtyre bisedave, ai ankohet: «Nuk kam kohë të bëj vazhdimisht biseda të tilla. Punoj gjashtë ditë në javë. Vetëm të dielën e kam pushim. Dhe kur mbaroj gjërat që duhet të bëj, jam tepër i lodhur.» Nëse edhe ti përjeton diçka të ngjashme, mund të nxjerrësh dobi nga mësimet që dha Jezui gjatë Predikimit në Mal.Duke iu drejtuar turmës që ishte mbledhur për ta dëgjuar, Jezui tha: «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, apo për trupat tuaj, se ç’do të vishni. A nuk ka më shumë vlerë shpirti se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? Shikoni me vëmendje zogjtë e qiellit, pasi ata nuk mbjellin farë, as korrin dhe as mbledhin në depo; megjithatë, Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata? . . . Pra, kurrë të mos jeni në ankth e të thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Me se do të vishemi?’ Sepse të gjitha këto janë gjërat që kombet i kërkojnë me etje. Ati juaj qiellor, pra, e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:25-33) Çfarë mësojmë nga kjo?
Me këto fjalë Jezui nuk donte të thoshte se nuk duhet të kujdesemi për nevojat fizike që kemi ne ose anëtarët e familjes sonë. Bibla thotë: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët e sidomos për ata që janë anëtarë të shtëpisë së tij, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» (1 Timoteut 5:8) Por, Jezui premtoi se nëse vendosim në radhë të parë çështjet frymore dhe u japim përparësi atyre, Perëndia do të sigurohet që të na plotësohen nevojat e tjera. Ajo që mësojmë këtu është se çfarë gjëje duhet t’i japim përparësi në jetë. Bindja ndaj kësaj këshille na çon drejt lumturisë, sepse Bibla thotë «lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore».—Mateu 5:3.
Zhvillo miqësinë me Perëndinë
Ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore e kuptojnë se është e nevojshme të kenë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Si krijojmë marrëdhënie të mira me dikë? A nuk përpiqemi që ta njohim më mirë? Sigurisht që duhet të gjejmë kohë për të mësuar rreth pikëpamjeve, qëndrimeve, aftësive, arritjeve, çfarë i pëlqen dhe çfarë jo. E njëjta gjë është edhe kur bëhet fjalë për të krijuar miqësi me Perëndinë. Nevojitet njohuri e saktë rreth tij. Kur po i lutej Perëndisë për dishepujt e tij, Jezui tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po, që të zhvillojmë një miqësi të ngushtë me Perëndinë, duhet ta njohim atë. I vetmi burim që na e jep këtë lloj njohurie është Fjala e frymëzuar e Perëndisë, Bibla. (2 Timoteut 3:16) Duhet të lëmë kohë për të studiuar Shkrimet e Shenjta.
Por vetëm njohuria nuk mjafton. Në të njëjtën lutje, Jezui vazhdonte: «Ata [dishepujt e tij] e kanë zbatuar fjalën tënde.» (Gjoni 17:6) Jo vetëm që duhet të marrim njohuri për Perëndinë, por duhet edhe të veprojmë në përputhje me këtë njohuri. Përndryshe, si do të mund të bëheshim miq me Perëndinë? A mund të presim që miqësia jonë me dikë të rritet, nëse me dashje veprojmë në kundërshtim me pikëpamjet dhe parimet e tij? Ja pse, pikëpamjet dhe parimet e Perëndisë duhet të drejtojnë çdo hap që bëjmë në jetë. Le të shohim si zbatohen dy prej parimeve të tij në marrëdhënien tonë me të tjerët.
Ndërto marrëdhënie të mira me të tjerët
Një herë, Jezui tregoi një histori të shkurtër me qëllim që të jepte një mësim të vlefshëm për marrëdhëniet midis njerëzve. Ai foli për një mbret që donte të bënte llogaritë me skllevërit e tij. Por njëri prej tyre i detyrohej një shumë tepër të madhe dhe nuk kishte me se ta paguante. Mbreti urdhëroi që të shitej ai bashkë me gruan dhe fëmijët e tij, në mënyrë që të paguhej borxhi. Ky skllav i ra ndër këmbë dhe iu përgjërua: «Ji i durueshëm me mua dhe do të të kthej gjithçka.» I shtyrë nga keqardhja, zotëria ia fali borxhin. Por, kur ky skllav u largua, gjeti një prej shokëve të tij të skllavërisë, i cili i detyrohej një shumë të vogël, dhe i kërkoi që t’ia kthente. Megjithëse shoku i tij i skllavërisë iu përgjërua që të kishte mëshirë, prapëseprapë ai e futi në burg, derisa t’i kthente gjithçka që i detyrohej. Kur zotëria dëgjoi se çfarë kishte ndodhur, u zemërua. «A nuk duhej që ti . . . të kishe mëshirë për shokun tënd të skllavërisë, sikurse edhe unë pata mëshirë për ty?»—e pyeti ai. Kështu urdhëroi që skllavi të burgosej derisa t’i kthente gjithë sa i detyrohej. Duke nxjerrë moralin e këtij tregimi, Jezui tha: «Në mënyrë të ngjashme do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, po të mos e falni secili vëllanë e tij nga zemra.»—Mateu 18:23-35.
Si të papërsosur që jemi, ne kemi shumë të meta. Nuk mund t’ia kthejmë dot kurrë Perëndisë borxhin që na është grumbulluar për shkak të shkeljeve kundrejt tij. Gjithçka që mund të bëjmë, është të kërkojmë faljen e tij. Dhe Perëndia Jehova është gati të na i falë të gjitha shkeljet, nëse ne i falim vëllezërit tanë për gabimet që kanë bërë kundrejt nesh. Ky është vërtet një mësim i fuqishëm. Jezui i mësoi ithtarët e tij të luteshin: «Na i fal borxhet tona, sikurse edhe ne i kemi falur borxhlinjtë tanë.»—Mateu 6:12.
Të shkojmë deri në rrënjë të problemit
Jezui ishte mjeshtër kur bëhej fjalë për të kuptuar natyrën njerëzore. Këshilla e tij ishte që problemi të zgjidhej duke shkuar deri në rrënjë të tij. Le të shqyrtojmë dy shembujt e mëposhtëm.
Jezui tha: «Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: ‘Nuk duhet të vrasësh; por kushdo që kryen një vrasje do të japë llogari para gjyqit.’ Megjithatë, unë po ju them se kushdo që vazhdon të jetë i zemëruar me vëllanë e tij, do të japë llogari para gjyqit.» (Mateu 5:21, 22) Këtu Jezui tregoi se në rrënjë të krimit të vrasjes qëndron diçka më e thellë sesa veprimi i dhunshëm në vetvete. Problemi qëndron te qëndrimi që zhvillon vrasësi në zemrën e tij. Nëse njerëzit nuk do të lejonin që brenda tyre të krijohej ndjenja e mërisë ose e zemërimit, atëherë dhuna e paramenduar nuk do të ekzistonte më. Sa gjakderdhje do të shmangej, nëse do të zbatohej ky mësim!
Të shqyrtojmë tani se si arriti Jezui në rrënjë të një problemi tjetër që shkakton shumë dhembje. Ai i tha turmës: «Ju keni dëgjuar se qe thënë: ‘Nuk duhet të kryesh kurorëshkelje.’ Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij. Tani, nëse syri yt i djathtë po të bën të pengohesh, hiqe dhe flake larg teje.» (Mateu 5:27-29) Jezui tregoi se problemi qëndron më thellë sesa sjellja imorale. Problemi qëndron tek ajo që vjen para kësaj sjelljeje, domethënë te dëshirat imorale. Nëse dikush nuk e mban mendjen te dëshirat e papërshtatshme, por i ‘flak’ nga mendja, atëherë ai do ta kapërcejë problemin që mund të vijë më pas, me sjelljen imorale.
«Ktheje shpatën në vendin e vet»
Natën kur tradhtuan dhe arrestuan Jezuin, njëri prej dishepujve u përpoq ta mbronte me shpatë. Jezui e urdhëroi: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të marrin fund.» (Mateu 26:52) Mëngjesin tjetër, Jezui i tha Ponc Pilatit: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të kishin luftuar që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është prej këtej.» (Gjoni 18:36) A është i paarsyeshëm ky mësim?
Çfarë qëndrimi mbanin të krishterët e hershëm në lidhje me mësimet e Jezuit për të mos i zgjidhur gjërat me dhunë? Në librin Qëndrimi i të krishterëve të hershëm kundrejt luftës (anglisht) thuhet: «Fakti që ato [mësimet e Jezuit] ndalonin çfarëdo dhune dhe dëmtimi të të tjerëve, duke i quajtur të paligjshme, nënkuptonte qartë se edhe pjesëmarrja në luftë ishte e paligjshme. . . . Të krishterët e hershëm zbatonin një më një fjalët e Jezuit dhe e kuptonin që ai po u mësonte se duhej të ishin të butë dhe duhej të përmbaheshin nga dhuna në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Besimin e tyre e lidhnin ngushtësisht me paqen, dhe në mënyrë absolute dënonin luftën, për shkak të gjakderdhjeve që bëheshin në të.» Sa ndryshe do të kishte qenë rrjedha e historisë, nëse të gjithë ata që thoshin se ishin të krishterë do të ndiqnin këtë mësim!
Mund të nxjerrësh dobi nga të gjitha mësimet e Jezuit
Mësimet e Jezuit që shqyrtuam në këtë artikull janë të bukura, të thjeshta dhe të fuqishme. Njerëzimi mund të nxjerrë dobi nëse i mëson dhe i vë në praktikë mësimet e tij. *
Dëshmitarët e Jehovait që ndodhen në zonën tënde, do të të ndihmonin me kënaqësi për të kuptuar se si mund të nxjerrësh dobi nga mësimet më të mençura që ka dhënë ndonjëherë një njeri. Je i mirëpritur të kontaktosh me ta ose të shkruash në adresën që ndodhet në faqen 2 të kësaj reviste.
[Shënimi]
^ par. 22 Për një shqyrtim sistematik të mësimeve të Jezuit shih librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 5]
«Ati juaj qiellor i ushqen»
[Figura në faqen 7]
Mësimet e Jezuit mund të ndikojnë për mirë në jetën tënde