Një «pim» dëshmon për vërtetësinë historike të Biblës
Një «pim» dëshmon për vërtetësinë historike të Biblës
FJALA «pim» gjendet vetëm një herë në Bibël. Në ditët e mbretit Saul, izraelitëve u duhej t’i mprihnin veglat e punës te farkëtarët filistinë. Bibla thotë: «Çmimi për mprehje ishte një pim për belin, për sëpatën, për sfurkun, për rregullimin e hostenëve.»—1 Samuelit 13:21.
Çfarë ishte një pim? Përgjigja e kësaj pyetjeje mbeti një mister deri në vitin 1907 të e.s., kur gjatë gërmimeve arkeologjike në qytetin e lashtë të Gezerit, u zbulua pimi i parë, një gur peshe. Dikur, përkthyesit e Biblës e kishin të vështirë ta përkthenin fjalën «pim». Për shembull, te përkthimi i Shoqërisë Biblike për n’Angli dhe jashtë ky varg ishte: «Me gjithë këto kishin nga një limë për çapet e për dhiqelet, e për sfurgjet e për sëpatat, edhe për thumbacët që t’i mbrehnin.»
Sot studiuesit e dinë që një pim ishte njësi matëse për peshën. Ai ishte afërsisht 7,82 gramë ose pak a shumë sa dy të tretat e siklit, një nga njësitë matëse kryesore të peshës për hebrenjtë. Një pim copëzash argjendi ishte çmimi që filistinët u kërkonin izraelitëve për të mprehur veglat e punës. Sistemi i peshimit me sikla doli nga përdorimi në vitin 607 p.e.s., kur ra mbretëria e Judës bashkë me kryeqytetin e saj, Jerusalemin. Pra, në ç’mënyrë njësia matëse e pimit dëshmon për vërtetësinë historike të Shkrimeve Hebraike?
Disa studiues thonë se Shkrimet Hebraike, duke përfshirë edhe librin e parë të Samuelit, datojnë në periudhën heleno-romake, madje jo më parë se shekulli i dytë p.e.s. Prandaj, pretendohet se «ato janë . . . ‘të pasakta nga ana historike’ dhe kanë pak ose aspak vlerë për të na sjellë një ‘Izrael të lashtë’ ose ‘biblik’, [koncepte] që janë thjesht krijime letrare moderne të judenjve dhe të të krishterëve».
Megjithatë, duke folur për njësinë matëse të pimit që përmendet te 1 Samuelit 13:21, Uilliam G. Devëri, profesor i arkeologjisë dhe antropologjisë së Lindjes së Afërt, thotë: «[Ai] nuk ka mundësi të jetë ‘shpikur’ nga shkrimtarët që kanë jetuar në periudhën heleno-romake, shekuj pasi njësi matëse të tilla ishin zhdukur dhe harruar. Në të vërtetë, kjo pjesëz e tekstit biblik . . . u kuptua vetëm në fillim të shekullit të 20-të pas Krishtit, kur arkeologjia zbuloi objektet e para ku lexohej pîm në hebraisht.» Profesori vazhdon: «Nëse historitë biblike janë kryekëput ‘trillime letrare’ të epokës heleno-romake, atëherë si ka mundësi që ky rast i veçantë shfaqet në Biblën Hebraike? Sigurisht, ndonjëri mund të kundërshtojë duke thënë që rasti i pîmit është ‘vetëm një hollësi’. Kjo është e vërtetë; por siç dihet mirë, ‘historia përbëhet nga hollësitë’.»
[Figura në faqen 29]
Pimi, kjo njësi matëse e peshës, ishte afërsisht sa dy të tretat e siklit