Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i parë i Samuelit

Pika kryesore nga libri i parë i Samuelit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i parë i Samuelit

ËSHTË viti 1117 p.e.s. Kanë kaluar gati treqind vjet që kur Josiu përfundoi pushtimin e Tokës së Premtuar. Pleqtë e Izraelit vijnë te profeti i Jehovait me një kërkesë jo të zakonshme. Profeti i lutet Jehovait për këtë çështje dhe ai ua plotëson kërkesën. Kjo gjë shënon fundin e kohës së gjykatësve dhe fillimin e epokës së qeverisjes me anë të mbretërve njerëzorë. Libri i parë i Samuelit përshkruan ngjarje interesante gjatë kësaj pike kthese në historinë e kombit të Izraelit.

Libri i parë i Samuelit mbulon një periudhë prej 102 vjetësh, nga viti 1180 deri në vitin 1078 p.e.s. dhe u shkrua nga Samueli, Natani dhe Gadi. (1 Kronikave 29:29) Në libër flitet për katër udhëheqës të Izraelit, dy prej të cilëve ishin gjyqtarë, dy mbretër; dy i binden Jehovait, ndërsa dy të tjerë jo. Flitet edhe për dy gra shembullore e për një luftëtar të guximshëm, por me një natyrë të butë. Këta shembuj na mësojnë më së miri se cilat qëndrime dhe veprime duhet të imitojmë dhe cilat duhet të shmangim. Pra, ajo që përshkruhet te libri i parë i Samuelit mund të ushtrojë fuqi në mendimet dhe veprimet tona.​—Hebrenjve 4:12.

SAMUELI PASON ELIN SI GJYQTAR

(1 Samuelit 1:1–7:17)

Është koha e festës së mbledhjes dhe Anës (Hanës, BR), që jeton në Ramah, i gufon zemra nga gëzimi. * Jehovai i është përgjigjur lutjeve të saj dhe ajo ka lindur një djalë. Për të përmbushur betimin që kishte bërë, Hana e paraqet djalin e saj, Samuelin, për të shërbyer në «shtëpinë e Zotit». Djali qëndron aty «që t’i shërbejë Zotit në prani të priftit Eli». (1 Samuelit 1:24; 2:11) Kur Samueli është ende i vogël, Jehovai i flet dhe i tregon gjykimin kundër shtëpisë së Elit. Ndërsa Samueli rritet, ai pranohet nga të gjithë në Izrael si profet i Jehovait.

Pas ca kohësh, filistinët dalin për të luftuar kundër Izraelit. Marrin Arkën dhe vrasin dy djemtë e Elit. Menjëherë pasi merr vesh lajmin, Eli i moshuar vdes, pasi kishte shërbyer si «gjyqtar i Izraelit dyzet vjet me radhë». (1 Samuelit 4:18) Mbajtja e Arkës rezulton shkatërrimtare për filistinët, kështu që ua kthejnë izraelitëve. Tani gjyqtar në Izrael është Samueli dhe vendi jeton në paqe.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:10—Pse Hana u lut që Jehovai «t’i japë forcë mbretit të tij» në një kohë kur Izraeli nuk qeverisej nga një mbret njerëzor? Në fakt, në Ligjin e Moisiut ishte parathënë që Izraeli do të kishte një mbret njerëzor. (Ligji i përtërirë 17:14-18) Duke profetizuar në shtratin e vdekjes, Jakobi tha: «Skeptri [simbol i autoritetit mbretëror] nuk do t’i hiqet Judës.» (Zanafilla 49:10) Për më tepër, në lidhje me Sarën, paraardhësen e izraelitëve, Jehovai tha: «Mbretër popujsh do të dalin prej saj.» (Zanafilla 17:16) Pra, Hana po lutej për një mbret që do të vinte në të ardhmen.

3:3—A flinte Samueli në të vërtetë te Më e Shenjta? Jo, nuk flinte aty. Samueli ishte një levit nga familja jopriftërore e kehathitëve. (1 Kronikave 6:33-38) Si i tillë, atij nuk i lejohej që ‘të hynte për të parë gjërat e shenjta’. (Numrat 4:17-20) E vetmja pjesë e shenjtërores ku Samueli mund të hynte ishte oborri i tabernakullit. Atje duhet të ketë fjetur. Me sa duket, edhe Eli flinte diku në oborrin e tabernakullit. Pjesa e shkrimit që thotë «ku gjendej edhe arka e Perëndisë» me sa duket i referohej zonës së tabernakullit.

7:7-9, 17—Pse Samueli ofroi një blatim të djegur në Mizpah dhe ngriti një altar në Ramah, duke qenë se flijimet duhet të ofroheshin rregullisht vetëm në vendin që kishte zgjedhur Jehovai? (Ligji i përtërirë 12:4-7, 13, 14; Jozueu 22:19) Pas heqjes së Arkës së shenjtë nga tabernakulli në Shiloh, prania e Jehovait nuk shfaqej më atje. Kështu që, si përfaqësues i Perëndisë, Samueli ofroi një blatim të djegur në Mizpah dhe ngriti një altar në Ramah. Dhe, me sa duket, Jehovai e miratoi një gjë të tillë.

Mësime për ne:

1:11, 12, 21-23; 2:19. Për çdo gjë Hana i drejtohej Jehovait në lutje. Ky qëndrim, përulësia dhe mirënjohja e saj për mirësinë e Jehovait, bashkë me dashurinë e saj të pareshtur prej nëne, janë një shembull i mirë për të gjitha gratë me frikë Perëndie.

1:8. Çfarë shembulli që la Elkanahu për inkurajimin që u jepte të tjerëve me fjalët e tij! (Jobi 16:5) Në fillim ai i drejtoi Hanës së trishtuar një pyetje jogjykuese: «Pse është trishtuar zemra jote?» Kjo i dha zemër asaj që t’i tregonte se si ndihej. Pastaj Elkanahu e siguroi për dashurinë e tij, duke i thënë: «A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?»

2:26; 3:5-8, 15, 19. Duke përmbushur me zell veprën që na ka caktuar Perëndia, duke nxjerrë dobi nga stërvitja frymore dhe duke qenë të sjellshëm e të respektueshëm, atëherë fitojmë më shumë «mirëdashjen» e Perëndisë dhe të njerëzve.

4:3, 4, 10. As diçka e shenjtë si arka e besëlidhjes nuk shërbeu si hajmali për t’i mbrojtur izraelitët. Edhe ne duhet ‘të ruhemi nga idhujt’.​—1 Gjonit 5:21.

MBRETI I PARË I IZRAELIT ​—SUKSES APO DËSHTIM?

(1 Samuelit 8:1–15:35)

Samueli i qëndron besnik Jehovait gjithë jetën e tij, ndërsa djemtë e tij nuk ecin në udhën e Perëndisë. Kur pleqtë e Izraelit kërkojnë një mbret njerëzor, Jehovai i lejon të kenë një të tillë. Samueli ndjek udhëzimet e Jehovait dhe miros si mbret Saulin, një djalë të pashëm nga fisi i Beniaminit. Sauli e përforcon pozitën e tij si mbret kur mund amonitët.

Jonatani, djali i guximshëm i Saulit, mund një garnizon të tërë me filistinë. Filistinët dalin kundër Izraelit me një ushtri tepër të madhe. Saulin e zë paniku dhe, duke thyer rregullat, ofron vetë një flijim të djegur. Duke marrë me vete vetëm shqytarin e tij, Jonatani trim sulmon një kamp tjetër ushtarak të filistinëve. Megjithatë, betimi i nxituar i Saulit bën që fitorja të mos jetë e plotë. Më tej Sauli ‘lufton kundër’ gjithë armiqve që ndodhen rreth e qark. (1 Samuelit 14:47) Por, kur mund amalekitët, nuk i bindet Jehovait dhe e kursen atë që ishte ‘caktuar të shfarosej’. (Levitiku 27:28, 29) Prandaj Jehovai e hedh poshtë Saulin si mbret.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

9:9—Çfarë tregon shprehja «profeti i sotëm në të kaluarën quhej shikues»? Ndoshta këto fjalë tregojnë se ngaqë profetët u bënë më të njohur në ditët e Samuelit dhe gjatë periudhës së mbretërve në Izrael, fjala «shikues» u zëvendësua nga fjala «profet». Samueli konsiderohet i pari në radhën e profetëve.​—Veprat 3:24.

14:24-32, 44, 45—A e humbi Jonatani miratimin e Perëndisë kur hëngri mjaltë dhe në këtë mënyrë shkeli betimin e Saulit? Me sa duket Perëndia nuk e pa me sy të keq Jonatanin për atë që bëri. Para së gjithash, Jonatani nuk dinte gjë për betimin e babait të tij. Pastaj, ky betim, i bërë ndoshta nga një zell i shtirur ose nga pikëpamja e gabuar që Sauli si mbret kishte për autoritetin e tij, i shkaktoi probleme popullit. E si mund të kishte miratimin e Perëndisë një betim i tillë? Megjithëse Jonatani ishte gati për të pranuar pasojat e shkeljes së betimit, ai nuk u ndëshkua me vdekje.

15:6—Pse i trajtoi me dashamirësi të veçantë Sauli kenitët? Kenitët ishin djemtë e vjehrrit të Moisiut. Ata i ndihmuan izraelitët kur këta u larguan nga mali Sinai. (Numrat 10:29-32) Në tokën e Kanaanit, edhe kenitët banuan për një periudhë kohe së bashku me bijtë e Judës. (Gjyqtarët 1:16) Edhe pse më vonë jetuan mes amalekitëve dhe popujve të tjerë, kenitët e ruajtën miqësinë me Izraelin. Kështu që Sauli kishte arsye të vlefshme për t’i kursyer kenitët.

Mësime për ne:

9:21; 10:22, 27. Kur Sauli u bë mbret, modestia dhe përulësia e tij e ndihmuan që të mos rrëmbehej kur, «disa njerëz që nuk vlenin asgjë», nuk e pranuan si mbret. Çfarë mbrojtjeje është një qëndrim i tillë mendor, kundër veprimeve të pamenduara mirë!

12:20, 21. Nuk duhet të lejojmë kurrë që ‘gjërat e kota’, si besimi te njeriu, besimi te forcat ushtarake të kombeve ose idhujtaria, të na largojnë nga shërbimi ndaj Jehovait.

12:24. Një ndihmë e madhe për të mos e humbur frikën përnderuese ndaj Jehovait dhe për t’i shërbyer me gjithë zemër është ‘të mbajmë parasysh gjërat e mëdha që ka bërë’ për popullin e tij, si në kohët e lashta, ashtu edhe në ato moderne.

13:10-14; 15:22-25, 30. Të jemi syçelë ndaj arrogancës, që shfaqet qoftë nëpërmjet veprave të mosbindjes, qoftë nëpërmjet qëndrimit krenar.​—Fjalët e urta 11:2.

NJË BARI I VOGËL ZGJIDHET SI MBRET

(1 Samuelit 16:1–31:13)

Samueli miros si mbret të ardhshëm Davidin nga fisi i Judës. Pak kohë pas mirosjes, Davidi vret gjigantin filistin, Goliadin, vetëm me një gur të gjuajtur me hobe. Një miqësi e ngushtë zhvillohet midis Davidit dhe Jonatanit. Sauli e vë Davidin të luftojë në krye të ushtrisë së tij. Për shkak të fitoreve të shumta që korr Davidi, gratë e Izraelit këndojnë: «Sauli vrau mijëshen e tij dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij.» (1 Samuelit 18:7) I pushtuar nga zilia, Sauli përpiqet të vrasë Davidin. Pas tri tentativash për vrasje nga ana e Saulit, Davidi arratiset dhe bëhet ikanak.

Gjatë viteve që jeton si i arratisur, Davidi ia kursen dy herë jetën Saulit. Gjithashtu ai takohet me Abigailën e bukur dhe më vonë martohet me të. Kur filistinët sulmojnë Izraelin, Sauli kërkon Jehovain. Por, Jehovai e ka braktisur. Samueli ka vdekur. Në këtë gjendje të dëshpëruar, Sauli konsultohet me një medium spiritist dhe ajo i thotë se ai do të vdesë gjatë betejës me filistinët. Gjatë kësaj beteje, Sauli plagoset rëndë dhe djemtë e tij vriten. Tregimi mbaron aty ku Sauli vdes si një dështak. Në këtë kohë, Davidi është ende i arratisur.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

16:14—Çfarë ishte fryma e keqe që e terrorizonte Saulin? Fryma e keqe që nuk e linte Saulin të qetë mendërisht, ishte prirja negative e mendjes dhe zemrës së tij, nxitja e tij e brendshme për të bërë keq. Kur Jehovai e hoqi frymën e shenjtë prej Saulit, ky nuk e kishte më mbrojtjen e saj dhe e pushtoi një frymë e keqe që i vinte nga brenda. Perëndia lejoi që kjo frymë të zinte vendin e frymës së Tij të shenjtë, prandaj në këtë varg quhet ‘një frymë e keqe nga ana e Zotit’.

17:55-58—Duke pasur parasysh 1 Samuelit 16:17-23, pse e pyeti Sauli Davidin se djali i kujt ishte? Sauli nuk donte të dinte thjesht emrin e babait. Ka shumë të ngjarë që ai donte të dinte se cili ishte ai burrë që kishte rritur atë djalë që me trimëri të mahnitshme sapo kishte vrarë një gjigant.

Mësime për ne:

16:6, 7. Në vend që të ndikohemi nga paraqitja e jashtme ose të ngutemi në gjykim, duhet të përpiqemi t’i shohim të tjerët ashtu si i sheh Jehovai.

17:47-50, BR. Mund t’i përballojmë me guxim kundërshtimet ose përndjekjet nga armiq ngjashëm Goliadit, sepse «beteja i përket Jehovait».

18:1, 3; 20:41, 42. Miqtë e vërtetë gjenden ndër ata që e duan Jehovain.

21:12, 13. Jehovai pret që të përdorim aftësitë mendore dhe zotësitë tona për të zgjidhur situatat e vështira në jetë. Ai na ka dhënë Fjalën e tij të frymëzuar, e cila na jep mendjehollësi, njohuri dhe aftësi për të menduar. (Proverbat 1:4, BR) Kemi edhe ndihmën e pleqve të krishterë që janë emëruar në kongregacion.

24:6; 26:11. Çfarë shembulli të shkëlqyer që na jep Davidi për respektin e vërtetë që tregon për të mirosurin e Jehovait!

25:23-33. Gjykimi i shëndoshë i Abigailës është për t’u marrë shembull.

28:8-19. Në përpjekje për të mashtruar ose për t’u bërë keq njerëzve, frymërat e liga mund të hiqen sikur janë disa njerëz që kanë vdekur. Ne duhet të shmangim çdo formë të spiritizmit.​—Ligji i përtërirë 18:10-12.

30:23, 24. Ky vendim që bazohet te Numrat 31:27, tregon se Jehovai i vlerëson ata që kanë një rol mbështetës në kongregacion. Prandaj, çfarëdo që të bëjmë, le ‘të përpiqemi për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit’.​—Kolosianëve 3:23.

Çfarë është «më e mirë se flijimi»?

Cila e vërtetë themelore theksohet nga përvoja e Elit, Samuelit, Saulit dhe Davidit? Është kjo: «Bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake.»​—1 Samuelit 15:22, 23.

Çfarë privilegji është për ne të marrim pjesë në veprën mbarëbotërore të predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve! Ndërkohë që i ofrojmë Jehovait «flijimet e buzëve tona», duhet të bëjmë çmos që t’i bindemi drejtimit që jep nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar dhe pjesës tokësore të organizatës së tij.​—Hosea 14:2; Hebrenjve 13:15.

[Shënimi]

^ par. 7 Për t’u orientuar se ku ndodhen vendet që përmenden në librin e parë të Samuelit, shih faqet 18 dhe 19 të broshurës ‘Të shohim vendin e mirë’, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 23]

Mbreti i parë i Izraelit ndryshoi nga një sundimtar i përulur dhe modest në një monark krenar dhe arrogant

[Figura në faqen 24]

Për çfarë mund të jemi të sigurt, kur përballemi me kundërshtimin e armiqve ngjashëm Goliadit?