Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A tregon fakti që Davidi dhe njerëzit e tij hëngrën bukët e paraqitjes, se në rrethana të vështira mund të shkelet ligji i Perëndisë, pa u ndëshkuar?​—1 Samuelit 21:1-6.

Sipas Levitikut 24:5-9, bukët e paraqitjes që çdo sabat zëvendësoheshin me të freskëta, ishin lënë që t’i hanin priftërinjtë. Parimi sipas të cilit priftërinjtë mund t’i hanin këto bukë, ishte se, meqë ishin të shenjta, duhej të shërbenin si ushqim për njerëz që ishin në shërbim të Perëndisë, pra për priftërinjtë. T’ia jepje këto bukë një punëtori të zakonshëm ose t’i haje thjesht për kënaqësi do të ishte pa dyshim e gabuar. Megjithatë, prifti Ahimelek nuk bëri asgjë të gabuar kur u dha për të ngrënë bukët e paraqitjes Davidit dhe njerëzve të tij.

Me sa dukej, Davidi kishte një caktim të veçantë nga mbreti Saul. Davidi dhe njerëzit e tij ishin të uritur. Ahimeleku përcaktoi më parë që ishin të pastër nga ana ceremoniale. Edhe pse sipas një interpretimi të rreptë të ligjit, teknikisht ishte e gabuar që të hanin bukët e paraqitjes, ky veprim ishte në harmoni me përdorimin bazë që ishte caktuar për bukët e paraqitjes. Duke mbajtur parasysh këto fakte, Ahimeleku bëri një përjashtim nga rregulli. Vetë Jezu Krishti e përdori këtë ngjarje për të ilustruar sa gabim ishte zbatimi tepër i rreptë i ligjit të sabatit, sipas interpretimit që i bënin farisenjtë këtij ligji.​—Mateu 12:1-8.

Megjithatë, sa thamë më sipër nuk nënkupton se mund ta shkelim ligjin e Perëndisë kur jemi në rrethana të vështira. Për shembull, një situatë mjaft e rëndë u krijua kur ushtarët izraelitë po luftonin kundër filistinëve. Mbreti Saul kishte thënë: «I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi.» Bibla thotë: «Atë ditë ata i mundën Filistejtë.» Ushtarët ishin të rraskapitur nga beteja dhe të uritur, kështu që ‘populli theri kafshë për tokë dhe i hëngri me gjithë gjakun e tyre’. (1 Samuelit 14:24, 31-33) Ata mëkatuan ndaj Jehovait duke shkelur ligjin e tij për gjakun. Veprimet e tyre nuk ishin në harmoni me përdorimin e vetëm që Perëndia kishte caktuar për gjakun, domethënë «për të bërë shlyerjen» për mëkatet. (Levitiku 17:10-12; Zanafilla 9:3, 4) Me mëshirë, Jehovai pranoi flijimet që u bënë posaçërisht për ata që kishin mëkatuar.​—1 Samuelit 14:34, 35.

Po, Jehovai pret që ne t’u bindemi ligjeve të tij në çfarëdo rrethane. Apostulli Gjon thotë: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.»​—1 Gjonit 5:3.

[Figura në faqen 30]

Çdo sabat, në tabernakull vendoseshin bukët e reja të paraqitjes