«Si një gur i çmuar i kuq»
«Si një gur i çmuar i kuq»
APOSTULLI Gjon pa në vegim një fron të lavdishëm në qiell. Ai që ishte ulur në fron dukej «si një gur diaspri». Gjithashtu, ai ishte si «një gur i çmuar i kuq». (Zbulesa 4:2, 3) Çfarë gurësh ishin këta?
Nuk ishin gurë të patejdukshëm, shkëlqimi i të cilëve vjen vetëm nga sipërfaqja. Në kohët e lashta, fjala greke e përkthyer «diaspër» përdorej për gurët me ngjyra të ndryshme, përfshirë edhe gurët e çmuar që ishin të tejdukshëm. Në librin Shpjegime të fjalëve të Besëlidhjes së Re (anglisht), A. T. Robertsoni thotë se ‘guri i diasprit’ që përmendet te Zbulesa 4:3, «sigurisht, nuk [ishte] diaspri që s’kushton i kohëve moderne». Për më tepër, në librin e Zbulesës, më tej Gjoni e përshkruan qytetin qiellor, Jerusalemin, me këto fjalë: «Rrëzëllimi i tij ishte si ai i një guri shumë të çmuar, si një gur diaspri që shndrit si kristal.» (Zbulesa 21:10, 11) Nga sa duket, gurët për të cilët flet Gjoni ishin të tejdukshëm dhe e lejonin dritën të depërtonte tejpërtej.
Ai që pa në vegim Gjoni dhe që është i ulur në fron, përfaqëson Personin më të lavdishëm në univers, Perëndinë Jehova. Ai është i pastër dhe i shenjtë në shkallën më të lartë. Në përputhje më këtë, apostulli Gjon shkroi: «Perëndia është dritë dhe nuk ka kurrfarë errësire në unitet me të.» (1 Gjonit 1:5) Prandaj Gjoni i nxiti bashkëbesimtarët e tij që ‘të pastroheshin, siç është i pastër Jehovai’.—1 Gjonit 3:3.
Ç’duhet të bëjmë që Perëndia të na konsiderojë të pastër? Është tejet thelbësore që të kemi besim te gjaku i Jezu Krishtit që u derdh për të na falur mëkatet. Gjithashtu duhet të vazhdojmë «të ecim në dritë», duke studiuar Biblën rregullisht dhe duke jetuar në përputhje me mësimet e saj.—1 Gjonit 1:7.