Të rinjtë që lavdërojnë Jehovain pasurojnë jetën e tyre
«Ndihma më vjen nga Jehovai»
Të rinjtë që lavdërojnë Jehovain pasurojnë jetën e tyre
«DUA të kem më të mirën që ofron jeta.» Kështu u shpreh një adoleshent duke folur për atë që priste nga e ardhmja. Si mund të ketë një i ri më të mirën në jetë? Bibla jep një përgjigje të drejtpërdrejtë: «Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate.»—Eklisiastiu 12:1.
Nuk janë vetëm të rriturit ata që duhet t’i japin lavdi e t’i shërbejnë Jehovait. Samueli, bir i Elkanahut dhe i Hanës, ishte shumë i vogël kur filloi t’i shërbente Jehovait në tabernakull. (1 Samuelit 1:19, 20, 24; 2:11) Një vajzë hebreje në moshë shumë të re, tregoi besim të patundur te Jehovai kur sugjeroi që Naamani, komandanti i ushtrisë siriane, të shkonte te profeti Elise që ta shëronte nga lebra. (2 Mbretërve 5:2, 3) Te Psalmi 148:7, 12, jepet një urdhër që, si djemtë, edhe vajzat, të lavdërojnë Jehovain. * Jezui s’ishte veçse 12 vjeç, kur tregoi interes të veçantë për shërbimin ndaj Atit të tij. (Luka 2:41-49) Ngaqë kishin njohuri nga Shkrimet, disa djem që e panë Jezuin në tempull thirrën: «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit!»—Mateu 21:15, 16.
I japin lavdi Jehovait sot
Në ditët e sotme, shumë të rinj që janë Dëshmitarë të Jehovait janë krenarë për bindjet e tyre fetare, dhe me guxim i shprehin ato në shkollë dhe kudo. Shqyrtoni këta dy shembuj.
Në Britani, në klasën e Stefanisë 18-vjeçare po diskutohej për abortin dhe për çështje të ngjashme të moralit. Mësuesi tha se aborti tani pranohet gjerësisht dhe asnjë vajzë nuk do të kishte arsye për ta kundërshtuar këtë praktikë. Kur pa që të gjithë në klasë ishin dakord me këtë mendim, Stefania e ndjeu se duhej të mbronte pikëpamjen e saj të bazuar në Bibël. Ajo shfrytëzoi rastin kur mësuesi e pyeti se çfarë mendonte për këtë argument. Megjithëse në fillim ishte në tension, Stefania përfitoi për të folur para tyre për pikëpamjen biblike. Ajo u përmendi çfarë thoshte Eksodi 21:22-24 dhe u shpjegoi se, përderisa është e gabuar të dëmtosh një fëmijë të palindur, atëherë është e qartë se aborti do të ishte kundër vullnetit të Perëndisë.
Mësuesi, i cili është edhe klerik, nuk i kishte lexuar kurrë këto vargje. Nga dëshmia e guximshme e Stefanisë lindën shumë biseda interesante me shokët e klasës, në lidhje me tema të ndryshme. Një vajzë tani merr rregullisht numrat e fundit të revistave Kulla e Rojës e Zgjohuni!, kurse dy të tjera ndoqën një kongres krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait për të parë Stefaninë tek pagëzohej në simbol të kushtimit të saj ndaj Perëndisë.
Vareta 6-vjeçare, që jeton në Surinam të Amerikës së Jugut, shfrytëzoi rastin për të lavdëruar Perëndinë kur pa se mësuesja e saj kishte nevojë për ngushëllim me anë të Shkrimeve. Ngaqë kishte munguar për tri ditë, mësuesja i pyeti nxënësit nëse e dinin përse kishte munguar. Ata u
përgjigjën: «Sepse ishe sëmurë, apo jo?» «Jo,—u përgjigj mësuesja.—Mungova sepse më vdiq motra, dhe jam shumë e mërzitur. Kështu që nuk duhet të bëni zhurmë.»Atë pasdite, ndërsa mamaja flinte, Vareta filloi të shfletonte revistat e vjetra, duke lexuar titujt e tyre. Ndër to gjeti Kullën e Rojës të 15 korrikut 2001 me titull: «A ka jetë pas vdekjes?» E mbushur me gëzim, zgjoi të ëmën dhe i tha: «Mami, mami, shiko! Gjeta për mësuesen një revistë që flet për vdekjen.» Vareta ia dërgoi revistën mësueses, bashkë me një letër ku shkruante: «Këtë revistë e kam gjetur për ty. Në parajsë do ta takosh prapë motrën tënde, sepse Jehovai nuk gënjen asnjëherë. Ai ka premtuar se do ta sjellë parajsën, jo në qiell, por në tokë.» Mësuesja shprehu vlerësimin e saj për ngushëllimin që jepnin artikujt e bazuar në Bibël.
Punoni për të ardhmen
Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’, dhe dëshiron që të rinjtë të jenë të lumtur. (1 Timoteut 1:11) Në Fjalën e tij thuhet: «Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate.» (Predikuesi 11:9) Jehovai sheh përtej së tashmes dhe arrin të kuptojë se cilat do të jenë në të ardhmen e largët rrjedhojat e sjelljes së mirë dhe të sjelljes së keqe. Ja pse në Fjalën e tij gjejmë këtë këshillë për të rinjtë: «Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.’»—Predikuesi 12:1.
Po, Jehovai dëshiron që të rinjtë ta gëzojnë plotësisht dhuratën e çmuar të jetës. Duke kujtuar dhe duke lavdëruar Perëndinë, të rinjtë mund të bëjnë një jetë me qëllim dhe të kënaqshme. Edhe kur janë përballë vështirësive, me bindje të plotë mund të thonë: «Ndihma më vjen nga Jehovai.»—Psalmi 121:2, BR.
[Shënimi]
^ par. 4 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2005, mars/prill.
[Diçitura në faqen 9]
«Lavdërojeni Jehovain nga toka, . . . ju të rinj dhe ju virgjëresha.»—PSALMI 148:7, 12, BR.
[Kutia në faqen 8]
JEHOVAI I MBËSHTET TË RINJTË
«Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.»—Psalmi 71:5.
«[Perëndia] e ngop jetën tënde me të mira; dhe rinia jote përtërihet si ajo e shqiponjës.» —Psalmi 103:5, BR.