Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fëmijët tanë janë një trashëgimi e çmuar

Fëmijët tanë janë një trashëgimi e çmuar

Fëmijët tanë janë një trashëgimi e çmuar

«Ja, fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai. Fryti i barkut është shpërblim.»​—PSALMI 127:3, BR.

1. Si u bë e mundur lindja e foshnjës së parë njerëzore?

MENDONI çfarë ngjarjesh të mrekullueshme bëri të mundur Perëndia Jehova me mënyrën se si e krijoi burrin dhe gruan e parë! Babai, Adami, dhe nëna, Eva, dhanë secili një pjesë nga trupi i vet. Kjo u zhvillua brenda barkut të Evës, derisa u bë një njeri i ri, i formuar plotësisht: foshnja e parë njerëzore. (Zanafilla 4:1) Edhe sot e kësaj dite, ngjizja dhe lindja e një fëmije na mahnit, dhe përshkruhet nga shumë veta si një mrekulli e vërtetë.

2. Pse do ta quanit mrekulli atë që ndodh në barkun e një gruaje shtatzënë?

2 Qeliza e parë që krijohet brenda nënës, si pasojë e bashkimit të saj me burrin, brenda rreth 270 ditëve rritet deri sa bëhet një foshnjë me qindra milionë qeliza. Ajo qelizë fillestare ka brenda saj informacionin që nevojitet për të prodhuar më shumë se 200 lloje qelizash. Duke ndjekur këtë informacion të mrekullueshëm (që është përtej aftësisë njerëzore për ta kuptuar), këto qeliza që kanë një kompleksitet të habitshëm, zhvillohen tamam sipas rregullit dhe mënyrës së duhur, për të krijuar një njeri të ri!

3. Pse shumë njerëz e pranojnë se duhet të jetë Perëndia që bëri të mundur lindjen e një njeriu të ri?

3 Si mendoni, kush është krijuesi i vërtetë i foshnjës? S’ka asnjë dyshim se është Ai që krijoi jetën në fillim fare. Psalmisti i Biblës këndoi: «Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë.» (Psalmi 100:3) Ju prindër, e dini mirë se nuk është falë ndonjë merite të veçantë nga ana juaj që keni sjellë në jetë këtë foshnjë të çmuar. Vetëm një Perëndi me mençuri të pafundme mund të jetë përgjegjës për formimin e mrekullueshëm të një njeriu të ri të gjallë. Për mijëra vjet, njerëzit objektivë ia kanë dhënë meritën Krijuesit të Madh, për formimin e fëmijës në barkun e nënës. Po ju, a ia jepni atij meritën?​—Psalmi 139:13-16.

4. Cila mangësi njerëzore nuk mund të mendohet kurrë për Jehovain?

4 Mirëpo, a është Jehovai një Krijues pa ndjenja që thjesht nisi një proces biologjik, sipas të cilit burrat e gratë mund të kishin pasardhës? Disa njerëz mund të jenë pa ndjenja, por Jehovai kurrë! (Psalmi 78:38-40) Bibla thotë: «Ja, fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai. Fryti i barkut është shpërblim.» (Psalmi 127:3, BR) Le të shqyrtojmë se çfarë është një trashëgimi dhe ç’tregon ajo.

Një trashëgimi dhe një shpërblim

5. Pse fëmijët janë një trashëgimi?

5 Trashëgimia është pak a shumë si një dhuratë. Shpesh prindërit punojnë e robtohen që t’u lënë një trashëgimi fëmijëve të tyre. Kjo trashëgimi mund të jetë para, prona ose edhe ndonjë send me vlerë të veçantë. Sido që të jetë, ajo tregon dashurinë e prindërve për fëmijët. Bibla thotë se Perëndia u ka dhënë prindërve si trashëgimi fëmijët. Ata janë një dhuratë e dashur nga ai. Nëse je prind, a po tregon me veprimet e tua se i sheh fëmijët si një dhuratë që Krijuesi i universit ta ka besuar ty?

6. Me ç’qëllim Perëndia u dha njerëzve aftësinë për të lindur fëmijë?

6 Qëllimi pse e dha Jehovai këtë dhuratë ishte që toka të popullohej me pasardhës të Adamit dhe të Evës. (Zanafilla 1:27, 28; Isaia 45:18) Jehovai nuk i krijoi një për një të gjithë njerëzit, siç krijoi miliona engjëjt. (Psalmi 104:4; Zbulesa 4:11) Në vend të kësaj, Perëndia vendosi që t’i krijonte njerëzit me aftësinë për të lindur fëmijë, të cilët do t’u ngjanin prindërve në disa karakteristika të veçanta. Sa privilegj të mrekullueshëm që kanë një nënë e një baba të sjellin në jetë një njeri të ri, e të kujdesen për të! A e falënderoni ju prindër Jehovain, që ju ka dhënë mundësinë të gëzoni këtë trashëgimi të çmuar?

Mësoni nga shembulli i Jezuit

7. Ndryshe nga ajo që bëjnë disa prindër, si tregoi Jezui interes e dhembshuri për «bijtë e njerëzve»?

7 Mjerisht, jo të gjithë prindërit i konsiderojnë si një shpërblim fëmijët e tyre. Shumë prej tyre s’kanë dhembshuri për fëmijët. Këta prindër nuk pasqyrojnë qëndrimin që ka Jehovai ose Biri i tij. (Psalmi 27:10; Isaia 49:15) Të mendojmë pak për interesin që tregonte Jezui për fëmijët. Edhe përpara se të vinte në tokë si njeri, pra kur ishte një krijesë frymore e fuqishme në qiell, Bibla thotë për Jezuin se ‘gjente ëndje me bijtë e njerëzve’. (Fjalët e urta [Proverbat] 8:31) Dashuria e tij për njerëzit ishte kaq e madhe, saqë me dëshirë dha jetën si shpërblesë për ta, që të merrnin jetën e përhershme.​—Mateu 20:28; Gjoni 10:18.

8. Çfarë shembulli la Jezui për prindërit?

8 Kur ishte në tokë, Jezui la një shembull të shkëlqyer sidomos për prindërit. Le të shqyrtojmë se çfarë bënte. Edhe kur ishte shumë i zënë dhe i stresuar, ai arrinte të gjente kohë për fëmijët. I vështronte tek luanin në sheshin e pazarit dhe i përdori disa aspekte të sjelljes së tyre për të mësuar të tjerët. (Mateu 11:16, 17) Gjatë udhëtimit të tij të fundit për në Jerusalem, Jezui e dinte se do të vuante dhe do ta vritnin. Prandaj, ndoshta për të mos e stresuar më tepër Jezuin, dishepujt e tij u përpoqën t’i largonin fëmijët e vegjël që njerëzit i sollën për ta takuar. Por ai i qortoi dishepujt. Duke treguar se ‘gjente ëndje’ kur rrinte me fëmijët, tha: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë; mos u mundoni t’i ndalni.»​—Marku 10:13, 14.

9. Pse ajo që bëjmë mund të jetë edhe më e rëndësishme se ajo që themi?

9 Mund të mësojmë shumë nga shembulli i Jezuit. Si reagojmë kur fëmijët e vegjël vijnë për të na folur, ndoshta edhe kur jemi të zënë me punë? A reagojmë si Jezui? Fëmijët kanë nevojë, sidomos nga prindërit e tyre, për të njëjtat gjëra që ishte i gatshëm t’u jepte Jezui fëmijëve, pra për kohë e për vëmendje. Është e vërtetë se fjalë të tilla, si «Të kam xhan», janë të rëndësishme. Megjithatë veprimet flasin më shumë se fjalët. Dashuria juaj do të duket jo vetëm nga fjalët që thoni, por më tepër nga ajo që bëni. Do të duket nga kujdesi, koha dhe vëmendja që u kushtoni fëmijëve tuaj. Por edhe po t’i bëni të gjitha këto, mund të mos arrini rezultate të dukshme, të paktën jo aq shpejt sa doni ju. Duhet durim. Por mund ta mësojmë durimin, po të imitojmë mënyrën se si vepronte Jezui me dishepujt e tij.

Durimi dhe përzemërsia e Jezuit

10. Si i mësoi Jezui dishepujt për përulësinë, por çfarë rezultati pati fillimisht?

10 Jezui ishte i vetëdijshëm se dishepujt e tij ishin vazhdimisht në konkurrencë se kush ishte më i madhi. Një ditë, pasi mbërriti në Kapernaum bashkë me dishepujt, Jezui i pyeti: «‘Për çfarë po debatonit rrugës?’ Ata heshtën, sepse rrugës kishin debatuar mes tyre se kush ishte më i madhi.» Në vend që t’i qortonte ashpër, Jezui me durim u dha një shembull praktik, për t’u mësuar përulësinë. (Marku 9:33-37) A solli kjo rezultatet që dëshironte ai? Jo menjëherë. Rreth gjashtë muaj më vonë, Jakovi dhe Gjoni e shtynë nënën e tyre t’i kërkonte Jezuit një pozitë të lartë për të bijtë në Mbretërinë e tij. Përsëri, Jezui ua ndreqi me durim mënyrën e të menduarit.​—Mateu 20:20-28.

11. (a) Cilin shërbim të zakonshëm nuk bënë apostujt e Jezuit, kur mbërritën në dhomën e sipërme? (b) Çfarë bëri Jezui dhe a patën sukses përpjekjet e tij në atë kohë?

11 S’kaloi shumë kohë dhe mbërriti Pashka e vitit 33 të e.s. Jezui u mblodh vetëm me apostujt për këtë darkë. Kur mbërritën në dhomën e sipërme, asnjëri nga 12 apostujt nuk mori përsipër të bënte shërbimin e zakonshëm e t’u lante këmbët tërë pluhur të tjerëve. Kjo ishte një punë e përulur që zakonisht e bënte një shërbëtor ose një grua në shtëpi. (1 Samuelit 25:41; 1 Timoteut 5:10) Sa duhet të jetë pikëlluar Jezui kur ka parë që dishepujt vazhdonin të jepnin shenja se synonin për pozitë! Prandaj, ia lau vetë këmbët secilit prej tyre dhe pastaj i nxiti me ngulm që të ndiqnin shembullin e tij dhe t’u shërbenin të tjerëve. (Gjoni 13:4-17) A vepruan kështu? Bibla thotë se më vonë, po atë mbrëmje, «mes tyre u bë edhe një debat i zjarrtë se cili nga ata dukej se ishte më i madhi».​—Luka 22:24.

12. Si mund ta imitojnë prindërit Jezuin, kur përpiqen të mësojnë fëmijët?

12 Kur fëmijët nuk jua dëgjojnë fjalën, a e kuptoni ju prindër se si duhet të jetë ndier Jezui? Megjithatë, mbani parasysh se Jezui nuk u dorëzua, por vazhdoi t’i ndihmonte apostujt, me gjithë ngadalësinë e tyre për të korrigjuar të metat që kishin. Së fundi, durimi i tij u shpërblye. (1 Gjonit 3:14, 18) Prindër, duhet të imitoni dashurinë dhe durimin e Jezuit, e të mos dorëzoheni asnjëherë ndërsa përpiqeni të mësoni fëmijët tuaj.

13. Pse prindërit nuk duhet të reagojnë me ashpërsi ndaj pyetjeve të fëmijëve?

13 Fëmijët duhet ta ndiejnë se prindërit i duan dhe interesohen për ta. Jezui donte të dinte se çfarë kishin në mendje dishepujt, prandaj i dëgjonte kur kishin pyetje. Gjithashtu i pyeste se çfarë mendonin për gjëra të ndryshme. (Mateu 17:25-27) Po, mësimi i mirë përfshin të dëgjoni me vëmendje dhe të tregoni interes të vërtetë. Prindi duhet t’i rezistojë prirjes për ta hequr qafe fëmijën kureshtar, duke i bërtitur: «Ik tani! S’e shikon që jam i zënë?» Në qoftë se prindi është vërtet i zënë me punë, duhet t’i thotë fëmijës se do të flasin më vonë për pyetjen që ka. Pastaj duhet të sigurohet që të flasë vërtet për atë që e shqetëson fëmijën. Kështu, fëmija do të kuptojë se prindi interesohet vërtet për të, dhe do ta ketë më të lehtë t’i hapet për gjëra të tjera.

14. Ç’mund të mësojnë prindërit nga Jezui, për sa i përket përzemërsisë që duhet t’u tregojnë fëmijëve të tyre?

14 A është e përshtatshme që prindërit t’u tregojnë përzemërsi fëmijëve duke i përqafuar? Edhe këtu, prindërit mund të mësojnë nga Jezui. Bibla thotë se ai «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta». (Marku 10:16) Si reaguan fëmijët, mendoni ju? Me siguri do t’u jetë ngrohur zemra, dhe iu afruan pa problem Jezuit. Nëse midis jush dhe fëmijëve ka përzemërsi dhe dashuri të vërtetë, ata do ta kenë më të lehtë t’u përgjigjen përpjekjeve tuaja për t’i disiplinuar e për t’i mësuar.

Sa kohë duhet kaluar me fëmijët?

15, 16. Cili ka qenë një koncept i përhapur për sa i përket rritjes së fëmijëve, e me sa duket, nga se lindi?

15 Disa kanë ngritur dyshime nëse vërtet fëmijët kanë nevojë për shumë kohë dhe vëmendje nga prindërit. Një koncept për rritjen e fëmijëve, i cili është reklamuar me mjeshtëri, quhet koha cilësore. Sipas përkrahësve të këtij koncepti, fëmijët s’kanë nevojë për shumë kohë nga prindërit, nëse ajo pak kohë që kalohet me ta është me vlerë, e menduar mirë dhe e planifikuar. Por, a është i efektshëm ky koncept i kohës cilësore dhe a është hartuar duke pasur në mendje mirëqenien e fëmijëve?

16 Një shkrimtar, që kishte folur me shumë fëmijë, tha se «ajo që dëshironin më tepër nga prindërit ishte që të kalonin më shumë kohë me ta» dhe «t’u kushtonin vëmendje të plotë». Është domethënëse ajo që komentoi një profesor universiteti: «Termi [kohë cilësore] ka dalë si pasojë e ndjenjës së fajit te prindërit. Njerëzit po i jepnin leje vetes që të kalonin më pak kohë me fëmijët e tyre.» Sa kohë duhet të kalojnë prindërit me fëmijët?

17. Për çfarë kanë nevojë fëmijët nga prindërit e tyre?

17 Bibla nuk e specifikon sasinë e kohës. Gjithsesi, prindërve izraelitë u ishte thënë të flitnin me fëmijët kur ishin në shtëpi, kur ecnin rrugës, kur kishin rënë në shtrat dhe kur çoheshin. (Ligji i përtërirë 6:7) Kjo tregon qartë se prindërit duhet të komunikojnë me fëmijët dhe t’i mësojnë vazhdimisht çdo ditë.

18. Si i shfrytëzonte Jezui mundësitë për t’i stërvitur dishepujt dhe çfarë mund të mësojnë prindërit nga kjo?

18 Jezui i stërviti më së miri dishepujt, duke shfrytëzuar kohën kur hanin bashkë, kur udhëtonin bashkë, e madje edhe ndërsa çlodheshin. Pra, përfitoi nga çdo mundësi për t’i mësuar. (Marku 6:31, 32; Luka 8:1; 22:14) Në mënyrë të ngjashme, prindërit e krishterë duhet të jenë syçelë e ta përdorin çdo rast për të krijuar e për të mbajtur një komunikim të mirë me fëmijët, si dhe për t’i stërvitur në udhët e Jehovait.

Çfarë t’u mësoni dhe si?

19. (a) Çfarë duhet të bëjnë prindërit, përveçse të kalojnë kohë me fëmijët? (b) Çfarë duhet t’u mësojnë prindërit në radhë të parë fëmijëve?

19 Mirëpo, thjesht të kalosh kohë me fëmijët ose edhe t’i mësosh, nuk është gjithçka që duhet për t’i rritur ata me sukses. Është shumë e rëndësishme edhe çfarë u mësoni. Shikoni se si e thekson Bibla se çfarë duhet përfshirë në mësim. «Këto fjalë që sot po të urdhëroj,​—thotë ajo,​—do t’ua ngulitësh bijve të tu.» Çfarë janë «këto fjalë» që u duhen mësuar fëmijëve? Me sa duket, janë fjalët që sapo ishin përmendur më sipër, domethënë: «Do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:5-7) Jezui tha se ky është më i rëndësishmi nga të gjitha urdhërimet e Perëndisë. (Marku 12:28-30) Në radhë të parë, prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve për Jehovain, duke u shpjeguar pse është i vetmi që meriton dashurinë dhe përkushtimin tonë me gjithë shpirt.

20. Çfarë u urdhëroi Perëndia prindërve në lashtësi, lidhur me mësimin e fëmijëve?

20 Por «këto fjalë» që prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve nuk përfshijnë vetëm të duan Perëndinë me gjithë qenien e tyre. Po të shikoni kapitullin e pestë të Ligjit të përtërirë, Moisiu përsëriti Dhjetë Urdhërimet që Perëndia shkroi mbi dy pllaka guri. Disa nga këto urdhërime ishin: mos gënje, mos vidh, mos vrit e mos kryej kurorëshkelje. (Ligji i përtërirë 5:11-22) Pra, diçka që u theksohej shumë prindërve të lashtë ishte që t’u mësonin fëmijëve të tyre vlera morale. Sot, prindërit e krishterë duhet t’u japin fëmijëve mësime të ngjashme, nëse duan t’i ndihmojnë që të kenë një të ardhme të sigurt e të lumtur.

21. Çfarë nënkuptonte urdhri ‘për t’ua ngulitur’ fjalën e Perëndisë fëmijëve?

21 Shikoni edhe që prindërve u thuhet si duhet t’ua mësojnë fëmijëve «këto fjalë» ose urdhërime: «Do t’ua ngulitësh bijve të tu.» Folja «ngulit» ka kuptimin «të mësosh dhe të ngulësh me anë të përsëritjeve ose të këshillave të shpeshta; të nxitësh ose të fiksosh në mendje». Pra, me fjalë të tjera, Perëndia po u thotë prindërve që të përcaktojnë një program për t’u mësuar Biblën fëmijëve, me pikësynimin që t’u ngulitin në mendje atyre gjërat frymore.

22. Çfarë u ishte thënë të bënin prindërve izraelitë për të mësuar fëmijët, e çfarë do të thoshte kjo?

22 Ky program kërkon iniciativë nga ana e prindërve. Bibla thotë: «Do t’i lidhësh [«këto fjalë» ose urdhërime të Perëndisë] si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.» (Ligji i përtërirë 6:8, 9) Kjo nuk do të thotë se në kuptimin e mirëfilltë prindërit duhet t’i shkruajnë ligjet e Perëndisë në shtalkat e shtëpive, t’u lidhin një kopje në dorë fëmijëve dhe t’i vendosin midis syve. Përkundrazi, pika është që prindërit duhet t’ua kujtojnë vazhdimisht fëmijëve mësimet e Perëndisë. Mësimi i fëmijëve duhet bërë me kaq rregullsi e vazhdimësi, sa të jetë sikur t’i kenë mësimet e Perëndisë tamam para syve gjatë gjithë kohës.

23. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin për javën tjetër?

23 Cilat janë disa gjëra veçanërisht të rëndësishme që prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve? Përse sot është e domosdoshme që fëmijët të mësohen dhe të stërviten që të dinë se si të mbrohen? Çfarë ndihme kanë tani prindërit për t’i mësuar me efektshmëri fëmijët? Këto pyetje, si edhe të tjera që shqetësojnë shumë prindër, do të shqyrtohen në artikullin vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse prindërit duhet t’i konsiderojnë të çmuar fëmijët e tyre?

• Çfarë mund të mësojnë nga Jezui prindërit dhe të tjerët?

• Sa kohë duhet t’u kushtojnë prindërit fëmijëve të tyre?

• Çfarë u duhet mësuar fëmijëve dhe si?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Çfarë mund të mësojnë prindërit nga mënyra se si i mësonte Jezui të tjerët?

[Figurat në faqen 11]

Kur dhe si duhej t’i mësonin prindërit izraelitë fëmijët e tyre?

[Figurat në faqen 12]

Prindërit duhet t’ua kujtojnë vazhdimisht fëmijëve mësimet e Perëndisë