Një afrikan i përulur që e donte Fjalën e Perëndisë
Një afrikan i përulur që e donte Fjalën e Perëndisë
VIZITORËT në Afrikë shpesh habiten se sa e thjeshtë është të fillosh me vendësit një bisedë rreth argumenteve biblike. Zakonisht atyre u ngjallin interes pyetje të tilla, si: «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?» ose «A ka një zgjidhje të përhershme për probleme të tilla, si mungesa e ushqimit, sëmundjet, luftërat dhe krimi?» Shumë prej tyre me kënaqësi pranojnë që një i panjohur t’u japë përgjigje nga Bibla për këto pyetje. Shpesh, kjo çon në një studim të rregullt të Biblës. Dhe, kur studentët përparojnë nga ana frymore, pagëzohen si të krishterë.
Një nga afrikanët e parë që reaguan kështu ndaj së vërtetës, përmendet në Bibël, te Veprat 8:26-40. Ai ishte një etiopas që kishte udhëtuar për në Jerusalem, për të adhuruar Perëndinë e vërtetë, Jehovain.
Siç tregohet edhe në figurën e mëposhtme, etiopasi ka hapur një rrotull dhe po lexon ndërsa udhëton për në shtëpi me karrocën e tij. Një i panjohur i afrohet dhe e pyet: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Me përulësi, etiopasi pranon se ka nevojë për ndihmë dhe i përgjërohet të panjohurit, Filipit, një ungjillëzues i krishterë, të ulet me të në karrocë. Pastaj i kërkon Filipit t’i shpjegojë kuptimin e pjesës së Shkrimeve që sapo ka lexuar. Filipi i shpjegon se ajo është një profeci që është përmbushur me një ngjarje që ka ndodhur pak kohë më përpara, me vdekjen e Mesisë, Jezu Krishtit. Filipi i tregon edhe gjëra të tjera në lidhje me «lajmin e mirë për Jezuin», sigurisht duke përmendur edhe ringjalljen e Jezuit.
Kur dëgjon këto të vërteta të mrekullueshme, etiopasi dëshiron të bëhet një dishepull i Jezuit dhe pyet: «Çfarë më pengon të pagëzohem?» Pas pagëzimit, ky afrikan i përulur vazhdon me gëzim rrugën për në shtëpi dhe nuk përmendet më në Bibël.
Sot Dëshmitarët e Jehovait po ndihmojnë miliona njerëz anembanë botës që të mësojnë po këtë ‘lajm të mirë’. Tani po drejtohen rreth gjashtë milionë studime biblike pa pagesë.